Reforma territoriale/ Berisha: Rama po vazhdon projektin e shpopullimit, ftoj qytetarët të dalin në protestë për të mbrojtur interesat jetike të komuniteteve të tyre

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në sallën e parlamentit, ka reaguar në lidhje me reformën territoriale, që Edi Rama duket se ka vendosur ta bëjë pa opozitën, duke votuar njëanshmërisht variantin e përgatitur nga PS.

Gjatë fjalës në foltoren e parlamentit, Berisha u shpreh se, Edi Rama po vazhdon projektin e tij  të shpopullimit, ndërsa ka ftuar qytetarët të dalin për të mbrojtur interesat e komuniteteve të tyre.

Fjala e kryetarit të PD, Sali Berisha:

Të nderuar deputetë, e vërteta është se pavarësisht se ky parlament në mënyrë absolute nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë, BE në procesin e integrimit, në krye të radhës përcaktoi dy detyra më kryesore: reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe reformën gjithëpërfshirëse territoriale.

Të bindur se me Edi Ramën ka vetëm antireformë, por në mbështetje të kërkesave te qytetarëve të shumtë nga mbarë territori i vendit, në mbështetje të përpjekjeve tona për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, ne morëm pjesë në dy grupet e ngritura për këto reforma themelore.

Me një kusht të vetëm: për reformën zgjedhore të merret ekspertiza e ODIHR, për reformën territoriale të merret ekspertiza e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.

E vërteta është se përfaqësuesit e opozitës në këto komisione kanë dhënë një kontribut shumë të çmuar.

Por mbi të gjitha kanë qenë zëdhënës të interesave të qytetarëve.

Qeveria e konfederatës helvetike, por edhe përfaqësuesi i BE në Tiranë, kanë treguar mbështetje të plotë dhe interes të madh për këto dy reforma.

Papritmas, Edi Rama tërhiqet de facto nga reforma territoriale dhe mbyll procesin duke vazhduar projektin e tij të shpopullimit të plotë të mëtejshëm të Shqipërisë.

Ka parashikuar reduktimin me 25 bashki nga Konispoli në Krumë në të gjithë territorin e vendit.

Dhe kjo përbën një praktikë të qartë shpopullimi.

Ndaj dhe unë jam këtu për t’iu drejtuar qytetarëve shqiptarë: ngrihuni në këmbë për të mbrojtur interesat jetike të komuniteteve tuaja.

Një protestë qytetare, e pashembullt në 30 vite, mblidhet çdo natë në rrugët dhe sheshet e Tiranës, bashkojuni kësaj proteste për të mbrojtur interesat më jetike të komuniteteve tuaja.

Replika:

E vërteta është krejt tjetër.

Zoti Boçi, i cili do të flasë, ka bërë përpjekjet më maksimale direkt me Maznikun apo pengun, por edhe me përfaqësues të tjerë, të cilët janë të angazhuar të mbështesin këtë proces.

E vërteta është se pati një ujdi midis tyre për të zgjatur afatin e komisionit, sikundër kushti për të marrë ekspertizën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe të Këshillit të Evropës është për ne i panegociueshëm dhe është rënë dakord që në fillim.

Pra, ishte Edi Rama, i cili urdhëroi pengun e tij të veprojë krejtësisht në mënyrë të njëanshme.

Projekti i diskutuar nga ju shkurton edhe të paktën 20 bashki të tjera, të shpërndara në të gjithë vendin, e them edhe njëherë nga Kruja, Fushë Arrëzi, Mirdita gjer në Konispol, Delvinë, Finiq, etj.

Dhe meqenëse dikush citoi këtu Delvinën dhe kryetarin e saj, u them unë ju se Dhurim Alimani ishte një nga qeveritarët vendorë më të mirë që kishte Shqipëria.

Ndaj dhe ata që përdorin emra duhet të maten mirë kur përmendin emrin e një qeveritari vendor shembullor siç ishte i ndjeri Dhurim Alimani.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale