Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar se përmbysja e Reformës Territoriale do të jetë ndër aktet e para të një qeverisjeje të ardhshme të PD-së.
Në një prononcim për gazetarët në Fier, Berisha e cilësoi reformën si pjesë të politikës së shpopullimit të vendit dhe tha se demokratët do të rikthejnë qeverisjen vendore në të gjitha zonat dhe komunitetet që plotësojnë kriteret minimale.
Ai akuzoi gjithashtu deputetët e mazhorancës, për pazareve të bëra gjatë gjithë ditës, që më pas miratuan me 85 vota reformën që, sipas tij, do të mbetet një nga faqet më të turpshme të historisë parlamentare.
Berisha foli edhe për ripërtëritjen e Partisë Demokratike, duke shprehur bindjen se ajo do të vijë në pushtet për të ripërtërirë Shqipërinë.
Prononcimi i kryetarit të PD, Sali Berisha për gazetarët në Fier:
Pyetje: Zoti Berisha, Reforma territoriale është e shumë kontestuar si nga ju ashtu edhe nga banorët e bashkive të cilat u shkrinë, u miratua në fund. Nëse opozita do të vijë në pushtet, a do të ndërmarrë hapa për ta përmbysur këtë?
Sali Berisha: Absolutisht. Do të jetë një nga aktet më të para. Ne do rikthejmë qeverisjen vendore në të gjitha zonat dhe të gjitha komuniteteve që plotësojnë kriteret më minimale. Pa asnjë dyshim. Dhe kjo do të jetë një nga shtyllat e politikës për ripopullimin e Shqipërisë.
Ne do të bëjmë gjithçka për të ripopulluar këtë vend. Kjo që bën kjo qeveri është politikë e shpopullimit.
Pyetje: Si ju ngjanë lotët e Braçes?
Sali Berisha: Nuk po shprehem për të, sepse ata janë mjerimi njerëzor. Se njeriu nuk e dorëzon veten nëse vërtet mendon se është e keqe nuk pajtohet kurrë me këtë.
Ata dje treguan veten pa karakter. Kanë bërë pazare gjithë ditën me njëri-tjetrin e në fund shkuan e votuan me 85 vota një akt që do të mbetet historia më e turpshme në historinë e parlamentit.
Pyetje: Zoti Berisha, a mund të riformatohet një forcë politike me një frymë të re, me figura të reja, me të njëjtin lider?
Sali Berisha: Pa diskutim. Rruga më e shkurtër, më e sigurtë është kjo që thoni ju.
Pyetje: A vjen PD-ja në pushtet me Berishën kryeministër?
Sali Berisha: PD-ja me ripërtëritjen që ka ndërmarrë dhe do ndërmarrë, do vijë në pushtet të ripërtërijë Shqipërinë. PD-ja ka një vullnet të hekurt për të ripërtërirë Shqipërinë


