Raporti për manipulimin elektoral/ Berisha: Shqipëria kaloi me 14 maj farsën më të shëmtuar elektorale në historinë e saj 32-vjeçare

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA GJATË PREZANTIMIT TË RAPORTIT TË FARSËS ELEKTORALE, 14 MAJ 2023

EKSTRAKT

Kryetari PD, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencën e posaçme për prezantimin e Raportit për zgjedhjet e 14 majit tha se, Shqipëria kaloi me 14 maj farsën më të shëmtuar elektorale në historinë e saj 32-vjeçare. Berisha tha se më këtë farsë do njihen institucionet ndërkombëtare dhe qeveritë e vendeve të lira.

Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se, farsa elektorale e 14 maj të vitit 2023 u karakterizua nga pabarazia e plotë mes lojtarëve në fushën elektorale.

Berisha tha se, Rama nuk lejoi regjistrimin e kundërshtarit politik nga frika dhe tmerri, dhe se komisionet elektorale ishin më të pabarabartat në histori.

“Nëse partia në pushtet disponoi të gjitha fondet, të gjithë makinerinë shtetërore e shndërroi në makineri elektorale, partia kundërshtare, PD, e futur në garë me të njëjtin numër kandidatësh, pati zero lekë mbështetje nga fondet publike”, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, procesi McGonigal, me gjithë përpjekjet e George Sorosit dhe djalit të tij, do i dëshmojë botës se Rama është aventurier pa asnjë parim. Berisha tha se, po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme nga George Soros, Alex Soros për ta shpëtuar nga kjo aferë.

FJALA E PLOTË

Së pari, një përshëndetje.

Së dyti, sot ne paraqesim në vija të përgjithshme raportin e PD për farsën elektorale 14 maj 2023. Ky raport bazohet në qindra dhe mijëra fakte, dokumente të konstatuara në të katër anët e vendit.

Në dhunimet e pashembullta të së drejtës së votës, në shndërrimin e zgjedhjeve në një farsë të vërtetë elektorale. Këto që shihni ju këtu, dhe të gjitha dosjet e tjera janë dokumente zyrtare që dëshmojnë se Shqipëria kaloi me 14 maj farsën më të shëmtuar elektorale në historinë e saj 32 vjeçare.

Këto dokumente do të trupëzohen një një raport shumë vëllimësh, me të cilin do të njihen mediat, do të njihen  qytetarët shqiptarë, do të njihen demokratët, por do të njihen institucionet ndërkombëtare dhe qeveritë e vendeve të lira. Do të gjenden modalitetet për t’u hedhur edhe në Amazon, në mënyrë që të mund të njihet mbarë komuniteti ndërkombëtar me këtë farsë të shëmtuar zgjedhore, që ka për aktor kryesor Edi Ramën. Një person të inkriminuar kokë e këmbë, i cili ka tmerr dhe ferr largimin nga pushteti për shkak të megaaferave të tij korruptive kombëtare edhe ndërkombëtare.

Për shkak të megaaferave korruptive të djegësave, të Portit të Durrësit, të Parkut Kombëtar të Butrintit. Për shkak të megaaferave të tij korruptive familjare, pasurimit në mënyrë të përbindshme të anëtarëve të familjes së tij. Për shkak të korruptimit që ky i ka bërë shefit të kundërzbulimit të agjencisë të zbulimit më të rëndësishme në botë, FBI, McGonigal.

Dhe, siç e keni marrë vesh afera  e tij, e angazhimit të McGonigal në hetimin e opozitës shqiptare dhe shkatërrimin e saj në kohën kur ishte në pushtet dhe kundër çdolloj tagri ligjor, del tani e mpleksur edhe me aferën ruse Deripaska. Vetëkuptohet, po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme nga George dhe Aleksandër Soros, etj.

Për ta shpëtuar nga kjo aferë, Aleksandër Soros e shpall atë vëlla dhe yll të stabilitetit, vetëm e vetëm që të mund të lehtësojë pozicionin e tij para drejtësisë në SHBA, por edhe drejtësisë në Shqipëri në kohën e duhur. Në fakt, këto përpjekje do të dështojnë. Edi Rama është nën hetim të hapur kriminal për krimet e shëmtuara që ka kryer, por shtoj që krimi më i madh i jetës së tij është shkatërrimi i procesit zgjedhor.

Sot ai është më i rrezikshëm se kurrë. Sot ai përdor postin për t’u fryrë konflikteve në rajon. Ai ishte i pari që vendosi sanksionet ndaj Kosovës dhe këtë e bëri për lëkurën e tij, sepse pritet, se korriku është përvëlues për të, por edhe më shumë tetori.

Edhe njëherë theksoj, me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të Aleksandër Soros, për ta paraqitur si yll stabiliteti, do t’i dëshmojë botës se Edi Rama është një njeri aventurier, pa asnjë parim, një njeri i shpërlarë që për hir të pushtetit të tij dhe për të rekrutuar opozitën është i aftë të bëjë gjithçka të thyejë çdo parim.

Tani, le të kthehemi pak zgjedhjet. Unë kam folur çdo javë për këto, por theksoj, se farsa elektorale e 14 maj të vitit 2023, u karakterizua nga vendosja e pabarazisë së plotë midis lojtarëve kryesorë në fushën elektorale. Në qoftë se partia në pushtet disponoi të gjitha fondet, të gjithë makinerinë shtetërore e shndërroi në makineri elektorale, partia kundërshtare, PD, e futur në garë me të njëjtin numër kandidatësh, pati zero lekë mbështetje nga fondet publike. Në këtë fushatë pabarazia ekstreme, ishte në regjistrimin për herë të parë, Edi Rama si një diktator i vërtetë, caktoi kryetarin e koalicionit të opozitës, ç’ka nuk ndodh kurrë në një vend të lirë.

Edi Rama nuk lejoi regjistrimin e kundërshtarit të tij politik nga frika dhe tmerri. Komisionet elektorale ishin më të pabarabartat në historinë e këtij vendi.

Për herë të parë, 867 mijë qytetarë u prekën me para nga qeveria për të ndikuar, ose blerë votën e tyre në kundërshtim flagrant me të gjitha parimet e zgjedhjeve. Pas vitit 2021, për herë të parë, 1 milionë e 300 mijë zgjedhësve iu ndryshuan qendrat e votimit duke shkelur ligjin. U krijua një armatë prej 540 mijë zgjedhës shëtitës. Ushtria e patronazhistëve dhe aktivistëve u sollën si terroristë politikë elektoral.

Të gjitha këto janë të dokumentuara në këto raporte që ju shihni këtu përpara, të gjitha. Dita e votimit ishte ditë kulmore e farsës elektorale. Vetëm në një numër qendrash në Bashkinë e Kuçovës, janë konstatuar mbi 500 raste votimi në grup familjar, ose në shoqërim. Vetëm në një numër dhe janë të gjitha videot të dokumentuara. Imagjinoni ju, se sa janë në të gjithë Bashkinë Kuçovë.

Pra, vota u kontrollua në mënyrë të tmerrshme në çdo etapë kohore të saj. Gjatë fushatës, ditën e votimit dhe kështu me radhë. Mediat ishin në kontroll të plotë të qeverisë. Edi Rama bllokoi të gjitha rrugët kombëtare, ekranet televizive dhe gjithçka në funksion të fushatës së tij.

Unë dua të falënderoj shumë të gjithë ata që kontribuan: drejtues lokalë, kandidatë, anëtarë, mbështetës të PD në këtë dokumentacion mijëra faqesh. Dua të falënderoj grupin e punës që është sot para jush, të drejtuar nga z.Bylykbashi me shumë kompetencë dhe përkushtim. Falënderoj Albanën, falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët në këtë raport të shkëlqyer, të plotë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale