DEKLARATË PËR MEDIA NËNKRYETARI I PD, NIKOLA KEDHI
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2026 është një akt-akuzë e qartë ndaj mënyrës si qeveriset vendi. Prodhimi i brendshëm për frymë mbetet rreth një e katërta e mesatares së BE-së. Ekonomia, sipas raportit, mbetet e cenueshme nga korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, konkurrenca e deformuar, emigrimi, produktiviteti i ulët dhe informaliteti.
DASH konstaton korrupsion në administratë, në drejtësi, në prokurime dhe në media. Paratë e drogës dhe të evazionit fiskal shtrembërojnë tregun. Investitorët raportojnë rrezik zhvatjeje nga administrata publike, media dhe grupe kriminale. Raporti flet për një kulturë të përhapur pandëshkueshmërie. Shqipëria mbetet në kategorinë e juridiksioneve kryesore të pastrimit të parave.
Raporti e thotë hapur edhe atë që shqiptarët e dinë prej kohësh: ligji për investimet strategjike perceptohet si skemë që ka favorizuar kompani vendase të lidhura me mazhorancën. PPP-të ulin konkurrencën dhe vuajnë nga analiza e dobët teknike. Ndërmarrjet shtetërore shtohen, bordet e tyre emërohen pa konkurrim dhe rreziku i ndërhyrjes politike është i lartë.
Kontratat zbatohen dobët. Shumë investitorë të huaj ankohen për korrupsion në gjykata dhe kërkojnë arbitrazh ndërkombëtar, përfshirë investitorë amerikanë. Gjykatat kanë vonesa të mëdha, sidomos në apel.
Prona mbetet ndër sektorët më të ekspozuar ndaj korrupsionit. Ka tituj të mbivendosur, manipulim të gjykatave dhe kompensim nën vlerën e tregut për shpronësimet.
Bizneset ndeshen me ndryshime të shpeshta fiskale, burokraci dhe mungesë transparence. Komentet e tyre për ligjet shpesh injorohen, ndërsa informaliteti vlerësohet rreth një e treta e ekonomisë.
Pasoja më e rëndë është shpopullimi. Rreth 40% e fuqisë punëtore punon jashtë vendit. Shkaqet janë varfëria, pagat e ulëta, korrupsioni dhe klientelizmi.
Këto nuk i thotë vetëm opozita. I thotë prej shumë vitesh tashmë dhe aleati ynë strategjik. Më e rëndësishmja, këto i ndjejnë dhe i shohin qytetarët përditë.
Partia Demokratike ka një rrugë tjetër për Shqipërinë. Ajo nis me shtetin ligjor, ku ligji vlen njësoj për të gjithë, dhe u jep fund favoreve për miqtë e pushtetit. Vazhdon me prokurime të hapura dhe pronë të sigurt për çdo qytetar. Ne garantojmë një ekonomi të prodhimit dhe inovacionit ku fiton puna dhe nisma e ndershme, jo lidhjet me pushtetin, që të rinjtë të kenë arsye të qëndrojnë dhe ata që ikën të kenë arsye të kthehen.
Kjo nuk ndryshon vetvetiu. Ndaj ftojmë çdo shqiptar që e ndjen këtë padrejtësi të bashkohet me ne dhe me protestuesit në bulevard për të rritur presionin paqësor në maksimum, derisa kjo qeveri e kapur të largohet.


