DEKLARATË PËR MEDIA E KËSHILLTARIT PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE NË PD, DORJAN TELITI
Të dashur miq,
Jetojmë kohë të vështira, në kohët kur njerëzit e këtij vendi duhet të luftojnë çdo ditë me vështirësitë dhe padrejtësitë e shumta që ka realiteti shqiptar.
Jetojmë në kohët ku rinia mendjen e ka të emigrojë, nxënësit ëndërrojnë për klasa me kushte normale e shkolla pa turne, studentët në vend që të fokusohen të mësimi mendjen e kanë te tarifat e rritura dhe shpikjet qeveritare për punë të detyruar.
Jetojmë në kohët që sipërmarrësin nuk e zë gjumi pasi në ëndërr i dalin taksat e rritura dhe taksidarët e babëzitur.
Jetojmë në kohët ku 90% e të punësuarve e shpenzojnë rrogën e tyre brenda gjysmës së parë të muajit dhe gjysmën tjetër një zot e di stresin që përjetojnë.
Jetojmë në kohët ku 95% e pensionistët kanë frikë të futen në dyqane se nuk arrijnë të paguajnë dot edhe produktet bazë të ushqimit e jo më ilacët cilësore apo shërbimet mjekësore që shumë prej tyre u nevojiten.
Jetojmë në kohëra ku shqiptarët nuk janë të lumtur. Dhe këtë nuk e thonë vetëm njerëzit, nuk e thotë vetëm opozita, por e thonë edhe raportet e institucioneve ndërkombëtare.
Sipas raportit të dy javëve më parë të Eurostat, shqiptarët renditen të fundit kur bëhet fjalë për kënaqësinë e jetës, ndërkohë që vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriu, Mali i Zi, Serbia, etj renditen më lart e më mirë se ne.
Diten e djeshme një tjetër raport pasqyroi këtë realitet të hidhur shqiptar.
Sipas BERZH-it kënaqësia për të jetuar është rritur ndër vite në të gjithë vendet e Europës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Shqipëria ishte i vetmi vend që nuk ka ecur me këtë trend pozitiv, përkundrazi.
Sipas këtij raporti të BERZH, kënaqësia për të jetuar sot është edhe më e ulët sesa ajo e vitit 2006, vit që qeverisej nga Partia Demokratike dhe ishte viti i parë i qeverisjes së saj që karakterizohej nga vendosja në qendër të vëmendjes të qytetarit dhe sipërmarrjes, derregullimit, uljes së barrës fiskale, rritjes së pagave e pensioneve, nisjes së investimeve madhore, luftës frontale ndaj korrupsionit, etj.
Partia Demokratike është shumë e shqetësuar për realitetin e vështirë që po jetojnë shqiptarët. Jemi të shqetësuar për ekonominë që nuk ecën në drejtimin e duhur, për taksat e rritura ndjeshëm që nuk u kthehen shqiptarëve në më shumë shërbime, shkolla, spitale e infrastrukturë rrugore.
Jemi të shqetësuar për braktisjen që i bëhet shtresave në nevojë dhe pensionistëve, ndërkohë që shpërdorimet e parave për shpenzime luksi, rikonstruksione zyrash e udhëtime shumë-milionëshe me chartera private kanë qenë dhe mbeten prioritare.
Jemi të shqetësuar për qindra milionë eurot e buxhetit të shtetit që cdo vit gllabërohen nga oligarkët e PPP-ve dhe faturat po aq të majme të arbitrazheve ndërkombëtare të humbura të qeverisë shqiptare.
Të nderuar qytetarë.
Me shumë mundësi edhe ne po të ishim në qeverisje nuk do e conim dot standartin e jetesës së shqiptarëve në nivelet as të Zvicrës e as të Gjermanisë, por një gjë është e sigurt, që me burimet që ka ekonomia jonë dhe me një qeverisje të vogël, eficente dhe të pakorruptuar, Shqipëria do kishte më në fund shpresën për tu bërë një vend i denjë për tu integruar në BE dhe një vend normal për të jetuar, një vend që përparon dhe u jep deshirën shqiptarëve për ta jetuar këtu jetën e tyre e jo rrugëve të Europës.
Ju faleminderit!