‘Ramaduro’ përhapet në mediat e mëdha të Uashingtonit/ Berisha: Farsa elektorale është çështje kryesore edhe në Asamblenë e Këshillit të Europës. Kutitë e votimit u mbushën jashtë dhe u zëvendësuan në qendrat zgjedhore

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Parisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur një konferencë me gazetarët. Gjatë fjalës së tij, ai është ndalur edhe njëherë tjetër te shkrimi në median prestigjioze amerikane Fox News, ku kryeministri Edi Rama krahasohej me narkodiktatorin e Venezuelës, Nikola Maduro, me emrin ‘Ramaduro’. ‘Ajo çka mediat e mëdha shqiptare censurojnë me fanatizëm është pikërisht fakti se editoriali i rrjetit më të madh televiziv të SHBA, Fox News, po ripublikohet në një zhvillim shumë të veçantë nga mediat e tjera më të mëdha të këtij vendi dhe më influente, siç është e pavarura RealClearPolitics’, tha Berisha.

Gjithashtu, në konferencën për mediat, Berisha theksoi se farsa elektorale e 11 majit është kthyer në çështje kryesore edhe në Asamblenë e Këshillit të Europës. ‘Ka tre ditë që në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, farsa elektorale është çështje kryesore. Në seanca plenare dhe në mbledhje të grupeve dhe të komisioneve. Ndaj dhe me këtë rast dua të përgëzoj përfaqësuesen e opozitës, zonjën Vokshi për qëndrimet e saj në mbrojtje të votës së lirë të shqiptarëve në tempullin e demokracisë. Mos harroni se Këshilli i Europës është institucioni që ka dy shtylla kryesore, zgjedhjet e lira dhe shtetin ligjor’, nënvizoi kryetari i PD.

Lideri i opozitës, Sali Berisha në konferencën me gazetarët ka publikuar të tjera të dhëna tronditëse lidhur me farsën zgjedhore të 11 majit. Ai është shprehur se kutitë e votimit u mbushën jashtë dhe u zëvendësuan në qendrat zgjedhore. ‘Sot kam sjellë këtu për të informuar shqiptarët për gjetjet në një seri kuti votimi të hapura në shqyrtimin e materialeve të votimit në këto kuti, çka është edhe qëllimi kryesor i kërkesave të PD, mund të them se këto qendra votimi që rreshtoj këtu dhe shumë e shumë të tjera, ngjallin dyshime të forta se përveç Trenit Bullgar është përdorur edhe mbushja dhe zëvendësimi i kutive të votimit me kuti të tjera’, theksoi Berisha në fjalën e tij.

Gjatë konferencës me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha, u shpreh se Partia Demokratike nuk do të njohë rezultatet e zgjedhjeve të 11 Majit 2025, duke i quajtur ato të paligjshme dhe të manipuluara. Sipas Berishës, një pjesë e rëndësishme e kutive të votimit janë të ndërruara dhe të ardhura nga selia e Partisë Socialiste, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë çdo legjitimitet të procesit zgjedhor. Ai prezantoi dokumente të 12 qendrave të votimit, të cilat sipas tij, nuk mund të pranohet si kutitë e vërteta, por si kutia të falsifikuara që janë përdorur për të deformuar vullnetin e qytetarëve.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi opozita ka nisur një kontroll të kutive të votimit në qarqet Elbasan dhe Durrës, ku sipas tij është përqendruar ndikimi i karteleve kriminale. Ai tha se manipulimi është bërë përmes kërcënimeve ndaj qytetarëve dhe zëvendësimit të kutive të votimit. Sipas Berishës, rinumërimi nuk është kërkesë e PD, por e kandidatëve, ndërsa opozita beson se ‘vota vdiq pa hyrë në kuti’. Berisha akuzoi qeverinë për blerje masive të votës me para, legalizime, punësime dhe të dhëna personale. Berisha përmendi si përfitues të kësaj farse Akend Balla, Sara Mila, Besa Spaho dhe Ani Dyrmishi e te tjerë. Berisha u shpreh se ky është një ‘shtet elektoral’ i denoncuar botërisht. Ai theksoi se rekomandimi i Këshillit të Europës për ndarjen e partisë nga shteti është damka më e rëndë në 32 vite.

Lideri i opozitës ka denoncuar gjatë konferencës së sotme për shtyp aferën e fundit të Edi Ramës me avionin charter për të udhëtuar në Hagë. Sipas kreut demokrat ‘Endri Fuga mori avionin në dispozicion për Edi dhe Linda Ramën!’. ‘Kjo aferë mbrohet nga Altin Troplini’, tha lideri i PD. ‘36 mijë euro merr Endri Fuga, avionin në dispozicion për Edi dhe Linda Ramën. Në një kohë kur 18 për qind e fëmijëve në Shqipëri nuk kanë tre vakte ushqim në ditë. Për mua është abuzim ekstrem me pushtetin. Por kjo mbrohet nga Altin Troplini se ky është një akt i dënueshëm’, tha Berisha pas interesimit të gazetarëve.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha në konferencën me gazetarët e do të kërkojë sërish Komision Hetimor Parlamentar për udhëtimet luksoze të Ramës, me çarter privat. ‘Ekzistojnë dyshime dhe të dhëna të pamohueshme për transporte me çarterin e Edi Ramës, për ngarkesa shumë të dyshimta’, ka thënë Berisha.

Gjatë konferencës, kryedemokrati Sali Berisha u pyet nga gazetarët edhe për deklaratën e drejtuesit të SPAK, i cili u shpreh dje se, denoncimet për krimet elektorale janë të paplota. Berisha u shpreh se me ‘gjyslykët e Altin Troplinit nuk ka asgjë të qartë’ dhe akuzoi kartelin e tij për krime të shëmtuara elektorale. Ai theksoi se opozita ka heshtur për vite mbi veprimet e Troplinit dhe Gys Agasit, ndonëse janë dorëzuar dhjetëra çështje për shkelje ligjore.  Berisha kërkoi reformimin e skapit të partisë, duke marrë në mbështetje rekomandimet e Këshillit të Europës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën me gazetarët theksoi se zgjedhjet u shndërruan në një farsë për shkak të ndikimit të krimit në disa qarqe. Ai njoftoi se opozita ka kërkuar të verifikojë disa zona ku krimi elektoral ka peshë të madhe, duke përfshirë Durrësin, Tiranën dhe Fierin.  

Berisha denoncoi ndërhyrjen e një këshilltari të presidentit në KAS, i cili sipas tij po manipulon votat në favor të Edi Ramës. Procesi i verifikimit është në vazhdim dhe sipas tij është jetik për demokracinë shqiptare dhe besimin e qytetarëve te vota e lirë. Ai nënvizoi nevojën që ky proces të përfundojë sa më shpejt dhe me kujdes. Gjithashtu, Berisha e quajti manipulim të rëndë rastin e kutive të futura krahas fenomenit të Trenit Bullgar, që sipas tij është një akt makabër për të falsifikuar rezultatin e zgjedhjeve.

FJALA E PLOTE:

Ka marrë jehonë botërore.

Kjo farsë damkosi përfundimisht Edi Ramën si Maduron e Europës.

Ajo çka mediat e mëdha shqiptare censurojnë me fanatizëm është pikërisht fakti se editoriali i rrjetit më të madh televiziv të SHBA, Fox News, po ripublikohet në një zhvillim shumë të veçantë nga mediat e tjera më të mëdha të këtij vendi dhe më influente, siç është e pavarura RealClearPolitics.

Pra, lajmet në këto dy media më të mëdha dhe më influence në SHBA, pas aksionit historik të presidentit Donald Trump me të cilin këputi Nyjën Gordiane dhe shkatërroi impiantet bërthamore të Iranit, të ajatollahëve, mund të them se lajmi i dytë më i qarkulluar është Ramaduro.

Ribotimi, ripublikimi nga RealClearPolitics, media e pavarur shumë e fuqishme, është qëndrimi më i merituar ndaj Edi Ramës.

Farsa nuk kapërdihet.

Ka tre ditë që në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, farsa elektorale është çështje kryesore.

Në seanca plenare dhe në mbledhje të grupeve dhe të komisioneve.

Ndaj dhe me këtë rast dua të përgëzoj përfaqësuesen e opozitës, zonjën Vokshi për qëndrimet e saj në mbrojtje të votës së lirë të shqiptarëve në tempullin e demokracisë.

Mos harroni se Këshilli i Europës është institucioni që ka dy shtylla kryesore, zgjedhjet e lira dhe shtetin ligjor.

Sot kam sjellë këtu për të informuar shqiptarët për gjetjet në një seri kuti votimi të hapura në shqyrtimin e materialeve të votimit në këto kuti, çka është edhe qëllimi kryesor i kërkesave të PD, mund të them se këto qendra votimi që rreshtoj këtu dhe shumë e shumë të tjera, ngjallin dyshime të forta se përveç Trenit Bullgar është përdorur edhe mbushja dhe zëvendësimi i kutive të votimit me kuti të tjera.

Qendra e votimit 2247, janë konstatuar tre fletë votimi që janë konsideruar të pavlefshme, ndërkohë që ishin të vlefshme. Janë gjetur në kutitët e votimit 9 fletë më shumë nga ajo që deklarohet në procesverbalin 08.

Këto fletë votimi më shumë se ç’deklarohen, nuk kanë të bëjnë me atë qendër votimi, sikundër kjo ngjall dyshime të forta se ajo kuti është e mbushur dhe ka zëvendësuar kutinë e qendrës. Në asnjë rrethanë nuk mund të dilnin 9 fletë votimi më shumë se ç’duhet të ishin.

Qendra e votimit 2251, në këtë kuti mungojnë vulat që vulosin komisionerët.

Tani e kuptoni vetë pra, e kuptoni se kjo kuti nuk ka të bëjë me komisionerë, ka të bëjë me patronazhistët.

Mungon shiriti përmbledhës i votuesve i gjeneruar nga pajisja PEI.

Këto dy gjetje tregojnë se kutia e qendrës së votimit 2251 nuk është kutia ku është votuar. Nuk mundet në asnjë lloj rrethane të mungonin vulat që vulosnin komisionerët, përveçse heqjes së kutive ku janë vulat, dhe të mungojë shiriti përmbledhës i votuesve i gjeneruar nga pajisja PEI.

Vetëkuptohet shiriti mungon se qendra është mbushur në zyrat e PS dhe ka zëvendësuar të vërtetën.

Qendra e votimit 2251/1, edhe këtu mungojnë vulat që vendosin komisionerët. Pra është mbushur kutia në selinë e PS.

Qendra e votimit 2263 ka mosrakordim midis të fletëve të papërdorura. Në procesverbalin 08 konsiderohen 419 fletë të papërdorura, ndërkohë nga numërimi janë 371. Pra diferenca është 48 fletë që mungojnë. Është konstatuar një person që ka votuar dhe që nuk e ka emrin në listë.

Edhe kjo kuti është jashtë të gjitha standardeve të qenurit një kuti në të cilën janë hedhur votat në qendrën e votimit 2263.

Qendra e votimit 2274. Prapë në kuti nuk është gjetur procesverbali 07 i hapjes së kutisë dhe që identifikon vulat e sigurisë. Pra edhe kjo kuti nuk polotëson kushtet e një qendre ku është votuar, por kushtet e një kutie të sjellë nga jashtë.

Qendra e votimit 2283, ka mosrakordim mes fletëve të papërdorura. Në procesverbalin 08 dklarohen 519 fletë të papërdorura, ndërkohë nga numërimi janë 310 fletë të papërdorura. Pra mungojnë 2019 fletë të papërdorura. Kjo kuti votimi pra nuk ka asnjë lidhje me kutinë e votimit të qendrës 2283. Duket e sjellë nga zyrat e PS apo nga patronazhistët.

Qendra e votimit 2614, në kuti nuk gjendet procesverbali 07 që është procesverbali i hapjes së kutisë dhe që identifikon vulat e sigurisë. Pra kjo kuti nuk ka asnjë vlerë sepse nuk ka asnjë siguri, është e sjellë nga jashtë.

Qendra e votimit 2647, mungojnë të gjitha fletët e papërdorura në kutinë e materialeve zgjedhore, çka është dyshimet e drejta se ka ardhur direkt nga çerdhet e patronazhistëve apo selia e PS.

Qendra e votimit 2657 ka mosrakordim midis fletëve të papërdorura. Në procesverbalin 08 dekalrohen 290 fletë të papërdorura, ndërkohë qënë numërim janë 208 vota. Pra diferenca është 82 vota. Pra kjo kuti nuk ka asnjë lidhje me kutinë e qendrës 2657.

Qendra e votimit 2675, në kutinë e votimit konstatohet 1 fletë pa vulë. Nuk është gjetur procesverbali 08. Nuk dihet sa fletë votimi kanë ardhur nga KQZ. Pra, qartësia është krejt tjetër krahasuar me atë që duhet të jetë në qendrën e votimit.

Qendra e votimit 2682, nuk gjendet procesverbali 08. Pra kjo kuti nuk plotëson asnjë kusht ligji si për kuti qendre votimi, por është kuti e ardhur nga jashtë nga selia e PS ose qendrat ilegale të patronazhistëve.

Qendra e votimit 2846, mungojnë procesverbalet 07 dhe 08. Janë gjetur 207 fletë votimi, ndërkohë pajisja PEI konstaton 141 votues. E kuptoni pra, më së paku del se janë futur 66 vota në këtë kuti të njerëzve që nuk kanë votuar kurrë.

Këto ishin dokumentet e 12 qendrave të votimit, të cilat në asnjë lloj rrethane këto kuti nuk mund t pranohen si kutitë e vërteta të qendrave të votimit, por si kuti të ndërruara apo të ardhura nga selia e PS apo dhe vetë nga qendrat ilegale të patronazhistëve.

Këto të dhëna hedhin poshtë përfundimisht farsën elektorale të 11 Majit 2025 dhe pikërisht bazuar në këto të dhëna dhe qindra e mijëra të tjera që kemi paraqitur para jush, PD deklaron se këto zgjedhje janë të paligjshme.

Se këto zgjedhje janë një farsë e vërtetë elektorale, të cilat nuk shprehin vullnetin e shqiptarëve dhe nuk do njihen nga PD.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Ermal Rizaj, SYRI TV: Këto 12 qendra votimi, këto kuti votimi me problematika të cilat ju denoncuat, i përkasin vetëm një qarku, apo disa qarqeve në Shqipëri, dhe a janë kundërshtuar këto nga ana komisionerëve tuaj të shpallen të pavlefshme dhe të mos futen në proces numërimi.

Sali Berisha: Këto janë të qarkut të Elbasanit. Sigurisht ne mund të kontrollojmë çdo kuti votimi, por ne kemi zgjedhur disa zona e qarqe, u zgjodh qarku i Elbasanit, do kontrollohet dhe Durrësi, aty ku dora e karteleve, kërcënimi i vrasësve seriale të karteleve ka qenë më i madh.

Nuk është kollaj të marrësh një kuti dhe të zëvendësosh me një kuti tjetër. Por kjo bëhet atëherë kur ti mbyll gojën e njerëzve me kërcënime me jetën, të cilat janë kërcënimet më të rënda.

Ne kemi zgjedhë pikërisht zonat e karteleve për të faktuar para shqiptarëve dhe botës, dimensionet monstruoze të krimit elektoral në këto zona.

Natyrisht ky kontroll dhe ky është kontrolli i partisë, është çështja kryesore për të sqaruara ata që po komentojnë rinumërimin. Rinumërimi është kërkesë e kandidatëve të cilën ne e respektojmë dhe i përgëzoj ata kandidatë që kërkuan transparencë.

Por nuk është kërkesë e PD. Jo, sepse ne kemi pikëpamjen, kemi besimin, qëndrimin tonë, vota vdiq pa hy në kuti. Kjo është farsa.

Këto janë elementë të cilët tregojnë se si, Akend Balla, Sara Mila, Besa Spaho, Ani Dyrmishi, etj., morën 130 mijë vota, deputetët e karteleve.

Ky është një dimension, por një dimension që po vërtetohet.

Dimensioni tjetër është blerja e votës me prokurime publike, 500 mln.

Është blerja e votës me 100 euro për 48% të votuesve, pensionistë.

Është blerja e votës me 100 mln rrënjë kanabis territor për tu mbjellë.

Është blerja e votës me punësimin e dhjetëra mijëra punonjësve.

Është blerja e votës duke dorëzuar të dhënat personale të qytetarëve, terroristëve patronazhistë për ti kërcënuar me premtime dhe kërcënime.

Pra, është blerja e votës duke firmosur mijëra e mijëra leje legalizimi apo punësime të përkohshme.

Përveç këtyre ata nuk janë mjaftuar me këto, që janë publike, por ata me një verbëri kanë përdorur çdo mjet tjetër për të deformuar, për të falsifikuar rezultatin.

Këto janë shtesë këto që tregojmë ne, sepse shteti elektoral tashmë u denoncuar botërisht.

Këshilli i Europës, rekomandoi të ndahet partia nga shteti, iku ajo punë.

Kjo është damka më e madhe që ka marrë në 32 vite ndonjë vend. Të ndahet partia nga shteti.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Cili është qëndrimi juaj, sa i takon udhëtimit të Edi Ramës me charter me rreth 35 mijë euro në drejtim të samitit të NATO-s.

Sali Berisha: 36 mijë euro merr Endri Fuga, avionin në dispozicion për Edi dhe Linda Ramën.

Në një kohë kur 18 përqind e fëmijëve në Shqipëri nuk kanë tre vakte ushqim në ditë.

Për mua është abuzim ekstrem me pushtetin.

Me Holandën, Belgjikën ka disa linja të lira çdo ditë dhe Ramaduro me zonjën e tij, mund të udhëtonin me 40-50 euro biletën dhe të paguanin edhe diçka tjetër më shumë si preferencë.

Por nuk mundet, u duhet avioni në dispozicion.

Por kjo mbrohet nga Altin Troplini se ky është një akt i dënueshëm.

Nuk ekziston asnjë ligj, asnjë vendim që e autorizon kryeministrin që të veprojë në këtë mënyrë.

Samiti i NATO-s ishte i paralajmëruar muaj më para dhe muaj më parë mund të prenotoheshin biletat.

Por jo, do shkonte i kapardisur me çarter pasi shpenzoi 21 milionë euro.

A u kujtohet kur u thoshte shqiptarëve se çarteri është më i lirë se biletat?

Çfarë mashtrimi bënte.

Kështu që nuk mund të mos e dënoj me forcën më të madhe këtë akt…

Ermal Rizaj, SYRI TV: Do kërkoni sërish ngritjen e Komisionit Hetimor për udhëtimet me charter, një komision i cili është refuzuar nga ana e mazhorancës në këtë legjislaturë.

Sali Berisha: Ne kemi kërkuar siç e dini ju dhe kemi kërkuar një hetim shumë me interes për shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar, pasi ekzistojnë dyshime dhe të dhëna të pamohueshme për transporte me çarterin e Edi Ramës, për ngarkesa shumë të dyshimta.

Këtu i kam denoncuar sapo jam informuar. Ka burime të cilat thonë se valixhet diplomatiket të Edi Ramës me çarter, janë më voluminoze dhe më numerike të të gjithë qeverive të Europës të marra së bashku. Po.

Për të mos thënë pastaj, se ka zëra të tjerë që me çarter kanë udhëtuar persona të rrezikshëm shumë të kërkuar. Atëherë, ne kërkuam një komision hetimor parlamentar me këtë.

Ai u mbrojt nga pseudomaxhoranca e tij.

Ne prap do kërkojmë. Ne do kërkojmë sepse, dhe do kërkojmë dhe mbështetje ndërkombëtare, për të hetuar si këto shpenzime ashtu dhe baulet diplomatike. Se kur udhëton kryeministri zakonisht udhëton me valixhen e tij, por nëqoftëse ka një seri të pafundme baulesh, aty thuhet se është transportuar, janë trafiqe ilegale, monedhash, droge, apo ku ta di unë, nuk mund të them, sepse duhet hetimi.

Por të dhënat i kam absolutisht shumë të qarta, informacionet më fal.

Anisa Kadesha, RTSH: Drejtuesi i SPAK tha dje, se denoncimet për zgjedhjet nuk janë të plota. A është opozita e gatshme të ja vejë në dispozicion SPAK të gjitha provat që ju denonconi çdo ditë.

Sali Berisha: Me gjyzlykët e Altin Troplinit nuk ka asgjë të qartë.

Po sa herë e denoncoi kartelin Troplini opozita?

Sa herë e denoncoi Gys Agasin opozita?

Sa kohë e mbajti në xhep mandatin e arrestit Altin Troplini për Troplinët?

Besoj se farsa elektorale e zhveshi lakuriq Altin Troplinin.

Tregoi se është ortak, komplis në këtë krim të shëmtuar elektoral.

Këtu para jush janë paraqitur, dhe kam me dhjetëra në mos qindra të tjera, dokumente të shkeljeve më të rënda ligjore në qendrën e votimit.

Kush e pengon përveç përkatësisë së tij kriminale partiake, Altin Troplini për të nisur kryesisht çështje?

Le që ne kemi dorëzuar atje mbi 40 çështje…

Ai mbrohet sepse është mburojë e krimit më të shëmtuar elektoral dhe amnistisë.

Ndaj dhe një nga rekomandimet e Këshillit të Europës është reformimi i Skapit të partisë.

Mariglen Kume, MCNTV: Ju sot denoncuat fakte të gjetura nga rivlerësimi i kutive të votimit. Logjikisht do të thotë në një farë mënyre se materialet e tjera denoncuese kanë përfunduar, përsa kohë i jeni rikthyer rivlerësimit. Në këtë kontekst a jeni i kënaqur ju me punën e drejtuesve politikë pas porosisë që keni lënë ju, për të mbledhur prova dhe fakte për masakrën elektorale që është bërë në çdo qark.

Sali Berisha: Ky është vetëm një aspekt. Unë deklarova serinë e faktorëve të cilat shndërruan zgjedhjet në farsë.

Këto janë gjetje post-votimi.

Tani, disa kryetarë qarqesh kanë kërkuar… nuk kemi kërkuar në gjithë Shqipërinë se kjo do donte një kohë shumë të gjatë, por kërkojmë në zonat, në të cilat ndikimi dhe pesha e krimit ka qenë më e madhe.

Është Durrësi që do i vijë radha, Tiranës do i vijë radha. Se Tirana u mor me rinumërimin, me kërkesat e kandidatëve, por do i vijë radhë. Fierit do i vijë radha.

Pra, në këtë formë.

Nuk është kërkuar, në disa raste KAS nuk ka pranuar, se edhe aty dora e zezë e një njeriu që nuk ka as ligj, as moral, që merr rrogën si këshilltar i presidentit dhe në kundërshtim me ligjin, që nuk i lejon të kryejë asnjë aktivitet tjetër, vazhdon në KAS si përfaqësues ekstremist i Edi Ramës. Dhe që i shpall të vlefshme dhe të pavlefshme sipas dëshirës së tij votat aty.

Pra, është një proces në vazhdim.

Mariglen Kume, MCNTV: Me këtë ritëm derisa do të vazhdojë ky proces i denoncimit dhe a do ti vijë radha një analize të brendshme për të parë edhe defektet e brendshme të PD-së?

Sali Berisha: Asnjë diskutim që do i vijë radha dhe do të bëhet. Por kompletimi i këtij procesi është interes jetik i demokracisë shqiptare, i opozitës shqiptare, i qytetarëve shqiptarë që besojnë tek vota e lirë. Pra kjo marre përparësi absolute.

Ky proces duhet të përfundojë.

Nuk do të donim të zgjaste kaq shumë, dhe pikërisht për të mos tejkaluar shumë kohë, por jemi si më përzgjedhës. Sepse normalisht meriton nga qendra e parë deri tek e fundit, të rishqyrtohet.

Do shifni, kemi prap. Çështja e kutive të futura krahas trenit bullgar, përbën një akt makabër, për të manipuluar rezultatin.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale