KONFERENCA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka deklaruar se opozita do të mbështesë fuqishëm protestat e gjimnazistëve dhe studentëve, ndërsa ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve të Tiranës në protestën e radhës.
Në një konferencë për mediat ditën e sotme, Berisha u shpreh se mijëra shqiptarë nga diaspora pritet t’i bashkohen protestës, duke e cilësuar lëvizjen e të rinjve si një revoltë me rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e vendit.
Ai vlerësoi guximin e studentëve dhe gjimnazistëve përballë policisë gjatë protestave, duke theksuar se lëvizja e tyre ka fituar mbështetje të gjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Berisha përmendi deklaratat në mbështetje të studentëve nga kongresmenë dhe senatorë amerikanë, përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe Bundestagut gjerman, si dhe organizata ndërkombëtare politike. Ai falënderoi për mbështetjen kongresmenët amerikanë Joe Wilson, Robert Aderholt dhe Keith Self, si dhe përfaqësues të tjerë amerikanë dhe evropianë.
Lideri demokrat dënoi gjithashtu dhunën antikushtetuese ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protesta paqësore, duke akuzuar autoritetet për ushtrim presioni dhe frikësimi ndaj protestuesve.
I pyetur nga gazetarët nëse Partia Demokratike do t’u bashkohet të rinjve dhe studentëve në protestën kombëtare të paralajmëruar për të shtunën, Berisha u përgjigj se mbështetja e opozitës do të jetë e plotë.
“Partia Demokratike thërret protestë kombëtare në mbështetje të studentëve. Asgjë nuk e ndan më Partinë Demokratike nga këto dy parime: mbështetje e fuqishme, mbrojtje e tyre. Ky është përcaktimi ynë”, deklaroi Berisha.
Ndërsa lidhur me vendimin e deputetëve demokratë për të marrë pjesë në komisionet parlamentare vetëm për të dënuar dhunën ndaj studentëve dhe më pas për t’u larguar, Berisha sqaroi se bëhet fjalë për një vendim të grupit parlamentar.
Ai shtoi se për çdo vendim tjetër, përfshirë qëndrimin e opozitës gjatë diskutimeve për paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2027, do të ketë një njoftim të mëvonshëm.
Në përfundim, Berisha theksoi se protesta do të vijojë, duke deklaruar se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka për mbështetjen dhe mbrojtjen e studentëve.
FJALA E PLOTË
Sot nga mbarë Evropa, mijëra dhe mijëra shqiptarë nga diaspora pritet t’iu bashkohen protestës, revoltës së gjimnazistëve dhe studentëve të Tiranës.
Jam këtu për të bërë thirrje të gjithë qytetarëve të kryeqytetit që të bashkohen me këtë protestë, me këtë revoltë të një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e këtij vendi.
Gjimnazistët dhe studentët po protestojnë në një revoltë të paparë, me një trimëri të jashtëzakonshme.
Tirana dhe Shqipëria nuk ka parë vajza dhe djem trima si ata, të cilët siç keni parë të gjithë, përballen dhëmb për dhëmb pa iu shkrepur syri me narkobanditë me uniformë, me narkobanditë të droguar, me kriminelë vrasës me pagesë dhe kanë fituar një simpati të madhe në mbarë shqiptarët.
Por kanë fituar një simpati të madhe në mbarë botën.
Kjo lëvizje në një kohë relativisht të shkurtër ka gjetur lobime shumë të rëndësishme në tempullin e demokracisë amerikane.
Si rrallë ndonjëherë, kongresmenë dhe senatorë në Kongresin e SHBA, ndonëse në kulmin e fushatës elektorale, kongresmenë të dy forcave më madhore politike në SHBA, republikanë dhe demokratë, kanë bërë një seri deklaratash në mbështetje të plotë të studentëve dhe kërkesave të tyre.
Mbështetje të plotë të studentëve dhe kërkesave të tyre kanë bërë parlamentarë të shquar të Parlamentit Evropian dhe Bundestagut.
Mbështetje të fuqishme kanë dhënë organizatat politike të qendrës së djathtë dhe të djathtë më të mëdhatë në botë, IDU, CDI dhe Partia Popullore.
Nuk ka pasur kurrë një lëvizje që me kaq shpejtësi të fitojë një mbështetje të tillë.
PD deklaroi në krye të radhës se ajo do bëjë gjithçka për mbështetjen e studentëve.
Do bëjë gjithçka për mbrojtjen e tyre.
Dhe unë jam këtu për të falënderuar me shumë mirënjohje kongresmenin Joe Ëilson, kryetar i Komisionit të Helsinkit në Kongresin e SHBA.
Kongresmenin Robert Aderholt, mik i shquar i Shqipërisë, anëtar i grupit për Shqipërinë në Kongresin e SHBA.
Kongresmenin Keith Self, një deklaratë shumë e rëndësishme, i Partisë Republikane.
Deklarata e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar.
Deklarata e Komisionit Evropian.
Deklarata e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë.
Deklarata e OSBE/ODIHR, organizatë ndërqeveritare.
Senatori Chris Murphy, demokrat.
Eurodeputeti Thomas Ëaltz, austriak.
Eurodeputeti Michael Gahler.
Deputeti i Bundestagut, Knut Abraham.
Senatorja Elissa Slotkin.
Kongresmeni Mike Laëer, republikan i Nju Jorkut.
Kongresmeni Jim McGovern.
Pra, siç e shihni, një numër shumë i madh kongresmenësh apo të themi kauza e studentëve është bërë një kauzë ndërkombëtare.
Dhe garantoj se përpjekjet tona janë të pandërprera, të vazhdueshme.
Së fundi, dënoj me forcën më të madhe terrorin, dhunën antikushtetuese që komisariatet në shkelje të gjitha ligjeve po ushtrojnë ndaj qytetarëve në qytete dhe kudo për pjesëmarrjen e tyre në protesta paqësore.
Pa asnjë shkak, pa asnjë motiv, duke shkelur kode dhe Kushtetutë, marrin deklarata dhe besojnë si të verbër se me instrumentet e frikës do mund të shpëtojnë Vuçiçin shqiptar.
Edi Rama, argati i Vuçiçit, apo siç e kanë quajtur, Pashiqi shqipfolës, do të ketë fatin e tij ose të Çausheskut.
Duhet të zgjedhë vetë.
Protestat nuk ndalen.
SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT
Anisa Kadesha, RTSH: Zoti Berisha, pavarësisht së kauzës së studentëve, të cilat ju u cituat, kryeministri ka deklaruar edhe mbrëmë në mediat ndërkombëtare se nuk e jep dorëheqjen, madje ka shprehur vendosmërinë për miratimin e paketës së masës kundër protestave të dhunshme me procedurë të përshpejtuar në parlament.
Sali Berisha: Sigurisht që një njeri që ka një barrë të rëndë krimesh mbi supe, gjëja më e fundit që mund t’i shkojë ndërmend është dorëheqja.Por u garantoj se më në fund edhe ajo do i shkojë ndërmend dhe do bëjë zgjidhjen, Vuçiç apo Çaushesk.Se edhe Vuçiçi dy vite me radhë çfarë nuk bëri.Të gjitha metodat që përdor Edi Rama ndaj studentëve i importoi nga Beogradi.Por në fund populli i preu atij biletën për në Hagë.Natyrisht unë nuk them se ata votuan për ta çuar në Hagë, votuan për ta larguar nga pushteti, por ai është autor i krimeve të rënda, nga krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid, tek vrasjet ordinere.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Z. Berisha, ndërkohë të shtunën të rinjtë dhe studentët kanë paralajmëruar sërish protestë kombëtare. A do t’i mbështesë Partia Demokratike dhe a do të jetë opozita në mbështetje të tyre?
Sali Berisha: Plotësisht dhe fuqishëm. Partia Demokratike thërret protestë kombëtare në mbështetje të studentëve. Asgjë nuk e ndan më Partinë Demokratike nga këto dy parime: mbështetje e fuqishme, mbrojtje e tyre. Ky është përcaktimi ynë.
Anesti Barjamemaj, A2CNN: Z. Berisha, prej dy ditësh deputetët e Partisë Demokratike kanë marrë pjesë në komisionet parlamentare vetëm për të dhënë deklaratën e më pas janë larguar. A do të jetë kjo sjellje e demokratëve edhe kur të diskutohet paketa fiskale dhe buxheti i 2027-ës?
Sali Berisha: Ky është një vendim i grupit parlamentar, që përfaqësuesit tanë në komisione të paraqiten ku të bëjnë deklarata për të dënuar dhunën e egër ndaj studentëve dhe mbështetjen për revoltën e tyre. Çdo vendim tjetër do t’ju komunikohet më vonë.


