DEKLARATË PËR MEDIA E N/KRYETARIT TË PD, LUÇIANO BOÇI
Nëse po mendoni të blini një apartament në Tiranë, në varësi të zonës do tu duhet të paguani nga 5 deri në 76 përqind më shumë.
Nëse aktualisht keni një apartament apo biznes në Tiranë po kaq do të rritet edhe taksa e përvitshme që do paguani.
Kjo ndodh sepse janë rritur çmimet e referencës me vendim qeverie, botuar tashmë në fletoren zyrtare për 32 zonat kadastrale të Tiranës.
Rritja e çmimeve fiskale do të sjellë automatikisht rritje të pagesës vjetore të taksës së apartamenteve, të njësive tregtare dhe ndërtesave të tjera, pasi taksa llogaritet mbi vlerën e shtëpisë apo të dyqanit.
Për të dyja kategoritë pushteti vendor e llogarit vlerën e ndërtesës mbi çmimet e referencës.
Ajo që bie në sy në këtë rritje ekstreme është fakti se zonat që dikur njiheshin si të lira, si Unaza e Re, Fabrika e Miellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht etj do t’i kushtojnë qytetarit 76% më shumë ose 450 euro për metër katror.
Këto zona për një kohë të gjatë kanë qenë të preferuara për familjet e reja apo ata që vinin nga rrethet me mundësi modeste financiare.
Pas këtij vendimi qëndrojnë interesat oligarkike në ndërtim, sepse pas kësaj rritjeje vetëm ndërtuesit e mëdhenj do të mund të investojnë. Të dëmtuarit e mëdhenj janë qytetarët shqiptarë dhe ndërtuesit e vegjël.
Ky vendim i Edi Ramës dhe ndërtuesve në paradhomën e tij nuk prek vetëm ata që do të blejnë nga sot e tutje, por edhe ata që kanë një shtëpi apo biznes aktualisht. Edhe atyre, pra cdo qytetari do t’u rritet barra e takes.
Bizneset do preken edhe më shumë, deri në 91 përqind, sepse formula e llogaritjes së vlerës së taksës së ndërtesës llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal për metër katror të apartamenteve.
Kësaj nuk do i shpëtojnë as parkimet e mbyllura dhe bodrumet do që të rriten nga 2 deri në 78% për 32 zonat kadastrale të Tiranës.
Po ashtu rritje ka edhe për pronarët e fabrikave prodhuese, depove magazinave dhe atyre të parkimeve të hapura.
Partia Demokratike është kundër këtij taksimi që shton barrën fiskale të familjeve dhe bizneseve. Këto taksa janë një ekzekutim i mundësisë për kursim të familjeve shqiptare, shkollim të fëmijëve dhe një tjetër shtysë drejt falimentit për mijëra biznese të vogla.
Me ardhjen tonë në drejtimin e vendit ne do t’i ulim të gjitha këto taksa dhe e cilësojmë rritjen e tyre një masë çnjerëzore të qeverisë Rama.