DEKLARATË PËR MEDIA ANËTARJA E KËSHILLIT BASHKIAK TIRANË NË PD, ILDA ZHULALI
Ndryshe nga propaganda e Kryebashkiakut, Tirana renditet sërish ndër qytetet me kushtet më të këqija të jetesës në botë!
Quality Life Index – që mat treguesit e cilësisë së jetesës, e fut Tiranën në ‘listën e zezë’ të qyteteve që kanë probleme me infrastrukturën, ndotjen, sigurinë, shërbimet shëndetësore dhe sociale.
Sipas raportit, Tirana ka probleme veçanërisht me ndotjen, trafikun kaotik, shtrenjtimin e banesave dhe të jetesës, ndërkohë që të ardhurat mesatare të popullsisë mbeten të ulëta.
Ndryshe nga metrat katrorë që shiten sa në Milano apo në Londër, Tirana bën pjesë në listën e vendeve të botës së tretë, krah qyteteve si Lagos, Manila, Teherani, Katmanduja dhe Mumbai.
Po sipas raportit, mbipopullimi i qytetit nuk është shoqëruar me infrastrukturën e nevojshme duke përkeqësuar cilësinë e jetesës për vendasit.
Ndërkohë që buxheti i Bashkisë Tiranë ka arritur në 500 milionë euro për vitin 2024, pyetja që shtron sot çdo banor i Tiranës është ku kanë shkuar taksat tona?!
Ku kanë shkuar 2 miliard eurot, që Erion Veliaj ka vjelë gjatë 10 viteve të qeverisjes së tij?!
Ku ka shkuar taksa e infrastrukturës arsimore, ndërkohë që sot arsimi publik i ofrohet vetëm 20% të banorëve të Tiranës?!
A e dini që sot është e pamundur të gjesh hapësira për të ndërtuar ato 80% të institucioneve të reja arsimore që i duhen qytetit?!
Ndërsa, shkollat ekzistuese publike janë të mbipopulluara, disa vazhdojnë me turne, dhe nuk sigurojnë dot as jetën e fëmijëve.
Shkolla që mbajnë qindra nxënës por kanë vetëm një fushë sportive, oborre të ngushta, të penetruara nga shitës droge, që kërcënojnë çdo ditë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve tanë.
Ngjarja tragjike në një nga shkollat më të kërkuara të Tiranës duhet të kishte mbledhur urgjent Kryetarin e Bashkisë, Prefektin, Ministren e Arsimit, Ministrin e Brendshëm dhe çdo institucion tjetër, duke marrë përgjegjësi për ngjarjen, dhe marrë masa të menjëhershme që jeta e fëmijëve të Tiranës të jetë e SIGURT!
Si ka mundësi që të gjitha institucionet heshtën, përgjegjësia mbeti jetime, ndërsa Kryetari i Bashkisë dhe të tijtë numërojnë sukseset imagjinare nëpër botë.
Çfarë duhet të ndodhë tjetër në këtë vend që këta ofiqarë të mbajnë përgjegjësi?
Kjo fatalqeverisje meriton vetëm një përgjigje:
Mosbindje civile kundër zotit Incenerator, narkoqeverisë dhe të gjithë shpurës që ka kapur për fyti Shqipërinë.
E gjithë Shqipëria nesër në Tiranë në orën 5.
Është radha jonë! Ta shpëtojmë Shqipërinë.