Protesta e opozitës/ Berisha: Procesverbali i policisë zbulon skenarin e inskenuar nga policia dhe qeveria me turistët e ndaluar

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar, ka akuzuar qeverinë dhe Policinë e Shtetit për një ‘skenar të inskenuar’ ndaj protestës së opozitës së 8 Majit, duke deklaruar se, procesverbalet dhe deklarimet e publikuara janë përdorur për të deformuar ngjarjet. Gjatë fjalës së tij, ai tha se rasti i fundit tregon, sipas tij, një përpjekje për të kriminalizuar protestuesit dhe për të goditur opozitën politikisht. ‘E vërteta është kjo, këta janë të aftë të inskenojnë çdo gjë, por fundin e kanë në turpin e historisë,’ deklaroi Berisha, duke iu referuar dokumenteve që ai i cilësoi si procesverbale të policisë.

Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, në protestë janë përfshirë qytetarë të huaj, të cilët janë paraqitur në mënyrë të gabuar si pjesëmarrës në akte dhune. Ai pretendoi se këta individë janë ndaluar dhe më pas janë përdorur, sipas tij, si pjesë e një narrative të ndërtuar nga institucionet shtetërore dhe policia.

‘Ky është një skenar i Skënder Ballukut, në mënyrë që ta paraqes protestën si një protestë në të cilën Partia Demokratike ka marrë dhe mercenarë për këto dhe për ato. Këta janë të aftë të inskenojnë çdo gjë, por fundin e kanë në turpin e historisë. Edi Rama është gangrena e keqe e këtij vendi që duhet të shkulet sa më parë dhe ne do ta shkulim atë’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.

Kreu i opozitës Sali Berisha u shpreh se, narkodiktaturi Edi Ramën ka vendosur kontrollin e plotë të institucioneve dhe ndikon në të gjitha proceset politike dhe mediatike. ‘Edi Rama është një gangrenë që duhet hequr sa më parë,’ u shpreh Berisha, duke shtuar se opozita, sipas tij, po vepron si ‘zëri i qytetarëve që kërkojnë liri dhe zgjedhje të ndershme’. Berisha u shpreh se, procesi i integrimit europian është marrë peng nga Edi Rama, pasi nuk respektohen standardet e shtetit të së drejtës, zgjedhjeve të lira dhe luftës kundër korrupsionit.

Kryetari i Partisë Demokratike, tha gjatë fjalës së tij, se Belinda Balluku është shndërruar në kryeministre në hije. ‘Pra, ishte zëvendëskryeministre Lubia dhe firmoste për kryeministrin çdo dokument, tani është bërë më shumë, është bërë kryeministër në hije. Tani emëron, çemëron. Tani bandat i ka Oltion Bistri, që ta dini ju. Koordinatori numër një i bandave, i karteleve Troplini, Çela, etj, etj, është Oltion Balluku. Se do ta quajmë Balluku. Edhe atë Karakaçin do ta quajmë Balluku. Përveç kësaj, Lubia në raste të caktuara vazhdon dhe përdor banda për të kërcënuar’, deklaroi kryetari i PD, Sali Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar.

FJALA E PLOTE:

Çdo ditë e më shumë bëhet botërisht e qartë se Edi Rama është një gangrenë siç shprehet sot një publicist i mirënjohur për të, Michael Rubin, një gangrenë që duhet hequr sa më parë.

Në këtë kuadër, mendoj se opozita në kushte të një narkodiktature, po qëndron fuqishëm si zëri i vërtetë i shqiptarëve që besojnë tek vlerat e lirisë, që shpresojnë të kenë një të ardhme që meritojnë dhe këtë të ardhme më të mirë është e ardhmja në BE.

Nuk ka projekt më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe kombin se sa vendosja e Shqipërisë në këtë komunitet ashtu siç e projektonin rilindësit tanë, zonjë midis vendeve të tjera të Evropës.

Por ky proces, siç faktohet çdo ditë e më shumë, është marrë peng nga një organizatë kriminale që drejton Shqipërinë, me kreun e saj të Meduzës, Edi Ramën.

Shqiptarët duhet ta dinë se këta nuk kanë absolutisht asnjë interes për të ardhmen e tyre, përveçse për të ardhmen e vet dhe parajsën e tyre dhe të fëmijëve të tyre me paratë e qytetarëve shqiptarë.

Për ta, integrimi evropian është një proces krejtësisht i padëshirueshëm sepse ky proces ka disa rregulla, ligje, standarde që përparësojnë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe nuk pranon qeveritarët hajdutë, nuk pranon lidhjet me krimin të qeveritarëve.

Ky proces kërkon respektimin e lirive dhe të drejtave themelore, të votës së lirë të shqiptarëve, por edhe funksionimin e ekonomisë së tregut dhe rregullave të tregut.

Opozita ka zgjedhur në këto kushte të qëndrojë e pamposhtur si zëri i ndërgjegjes së këtij kombi, që kërkojnë me çdo kusht ta izolojnë, ta poshtërojnë dhe ta largojnë nga rruga e integrimit.

Duhet të theksoj se në memorien time, interesi për Shqipërinë i BE, vendeve partnere dhe institucioneve të këtij bashkimi, në vitin 2026 ka qenë më i madh se asnjëherë më parë.

Ju rikujtoj shqiptarëve se në fillim të këtij viti, Shqipërinë e vizituan tre misione jashtëzakonisht të rëndësishme evropiane për të vlerësuar në vend zhvillimet, ecurinë e procesit të integrimit.

Kështu, disa muaj më parë në Shqipëri erdhën përfaqësuesit diplomatikë të 27 vendeve anëtare të BE, të cilët formojnë grupin e punës që quhet COELA dhe që funksionon si një forum jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Funksionon pranë Këshillit të Ministrave të BE si një institucion me mision shumë të rëndësishëm.

Për përgatitjen e negociatave dhe monitorimin e reformave në vendet që janë aspirante për integrimin, vlerësimin e këtij monitorimeve, paraqitjen e qëndrimeve të përbashkëta në konferencat ndërqeveritare. Paraqitjen e raporteve në Këshillin e Ambasadorëve dhe prej aty në Këshillin e Ministrave.

Ky grup pune i BE është mbledhur dhe ka diskutuar gjatë tre muajve të fundit pothuaj çdo javë për Shqipërinë, për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, në diskutim të raportit të ndërmjetëm që vlerëson proceset themelore, pavarësinë e drejtësisë, të drejtat ë qytetarëve, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet, etj.

Pra, çështjet më themelore, të cilat në letrën me Vuçiçin, Edi Rama kërkonte t’i hiqte nga rendi i ditës.

Shikoni djallëzinë e Edi Ramës.

Por e mori përgjigjen.

COELA, me një punë shumë serioze, ka bërë një seri diskutimesh, për të cilat qeveria shqiptare nuk jep asnjë njoftim, as në parlament, as në publikon. Mashtron, mashtron dhe vetëm mashtron Edi Rama me zëdhënëset e tij.

Edi Rama deklaroi në Ditën e Evropës se nuk ka lidhje me Ballukun, në një kohë kur për respektimin e vendimit të prokurorisë u bënë një seri deklaratash nga partnerët tanë kryesorë, por edhe vetë nga Komisioni Evropian.

Tani të themi tjetrën, Edi Rama jo vetëm që bllokoi, që tregoi se ky e hodhi në kosh reformën e drejtësisë dhe bllokoi funksionimin, nuk lejoi Ballukun të shkojë atje ku e ka vendin, në burg.

Por përkundrazi, Lubi Balluku është sot kryeministrja në hije e Shqipërisë.

Dhe Edi Rama mendon se këto, partnerët tanë nuk i shohin.

Lubi Balluku është de facto kryeministrja në hije e këtij vendi.

Ajo shoqëron skllavin dhe bosin e vet në takime shumë të rëndësishme.

Ajo, çdo ditë është tek Karakaçi i saj.

Ajo ka zëvendësuar në një masë të madhe Ergys Agasin me Oltion Bistrin, i cili është krimineli që në detyrë të lartë në shërbimet e inteligjencës së policisë regjistronte telefonat dhe regjistrime të tjera të çdo kundërshtari politik të saj dhe të Edi Ramës dhe të të gjithë ambasadave dhe të huajve që donin vetë ata.

Me një linjë, e vërtetuar kjo, me një linjë interneti duke shkelur të gjithë rregullat e regjistrimeve telefonike në Shqipëri, të cilat bëhen me autorizim të prokurorit, gjykatësit. Jo, kjo i donte.

Prandaj dhe u thoshte u marr me vete unë ju, secilin.

Në mbledhjen e kryesisë dhe qeverisë u thoshte, po folët, u marr me vete, haptas si një bandite.

Dhe tani ky mendon se këto janë të fshehta. Se Brukseli nuk ka dëgjuar asnjë nga këto dhe rri mban në telefonata dy orë të tëra zyrtarë të ndryshëm se unë e hoqa atë, se ajo nuk është më, etj, etj.

Pra, ky kërkon që me mashtrime, me trillime, dhe jo me veprime konkrete, me zbatim të ligjit, të Kushtetutës, të shuajë rezervat e krijuara nga vende që kanë mbështetur dhe e mbështesin Shqipërinë.

Pra, ishte zëvendëskryeministre Lubia dhe firmoste për kryeministrin çdo dokument, tani është bërë më shumë, është bërë kryeministër në hije.

Tani emëron, çemëron.

Tani bandat i ka Oltion Bistri, që ta dini ju.

Koordinatori numër një i bandave, i karteleve Troplini, Çela, etj, etj, është Oltion Balluku.

Se do ta quajmë Balluku. Edhe atë Karakaçin do ta quajmë Balluku.

Përveç kësaj, Lubia në raste të caktuara vazhdon dhe përdor banda për të kërcënuar.

Dhe natyrisht në këto kushte, vendet të cilat besojnë se procesi i integrimit në BE duhet të bazohet në meritën, në performancën, në funksionimin e shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut, nuk mund të pranojë që një njeri, i akuzuar për 36 vite burg, 1.2 miliardë euro në dosje Lubia, tani të jetë edhe më e fuqishme, të jetë faktikisht Pilari i Ernest Heminguejit ‘Për kë bien kambanat’.

Ajo ishte një çetë ku Pedroja ishte vjetruar shumë, pinte edhe raki dhe i harronte të gjitha gjërat.

Dhe Pilari ishte vendimmarrësja kryesore edhe për jetën, edhe për misionet, për të gjitha çfarë vendosej në çetë.

E vetmja gjë që ata ishin njësi rezistence, kurse këta janë një çetë hajdutësh. Por vendimet i merr Pilari.

Në fakt, kjo është e vërteta e Lubi Ballukut.

Ne e kemi shumë të drejtë, ne zgjodhëm protestën, ne zgjodhëm qëndresën. Nuk u gabuam.

Për ne, largimi i Lubisë ishte thjesht një taktikë e Edi Ramës.

Por koha provon se Lubia sot është kryeministrja në hije e Shqipërisë.

Ndaj dhe, edhe diskutimi që u bë, se këta nuk japin asnjë njoftim, ndërkohë që vendet e tjera pas çdo mbledhje të COELA-s për vendin e tyre, informojnë publikun.

Është transparent fare padroni i Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç. Po, thotë jemi bllokuar për ligjet e drejtësisë, dhe e pranon që nuk janë në rregull dhe duhen ndryshuar. Nuk thotë se nuk jemi bllokuar.

Kurse ky deklaronte Ditën e Europës se nuk kanë lidhje me Ballukun këto.

Dhe më keq akoma, negociatat nuk janë tonat, janë të Komisionit Evropian.

E kuptoni ju? Ç’t’i thuash këtij apo jo?

Pra, ecim, nuk ecim, e ka përgjegjësinë Komisioni Evropian.

Aty është vërtet një grup pune, por grup pune shumë i rëndësishëm. Grup pune i cili ka ardhur i tëri në Shqipëri.

Dhe jo vetëm hera e parë, por vjen periodikisht në Shqipëri.

Bën një punë shumë serioze.

Në rast se u kujtohet, ka qenë presidenti i Frances, Macron, i cili ka kërkuar që vendet anëtare të verifikojnë vetë ecurinë e reformave në vendet aspirante.

Dhe ky thotë, nuk është puna jonë, u thotë shqiptarëve në Ditën e Europës, kjo është punë e Komisionit Evropian. Aty negocion Komisioni.

Aty negociojnë 27 vende anëtare të BE me Shqipërinë.

Dhe pikërisht pse nuk eci, ia anuluan Konferencën Ndërqeveritare të datës 20 prill. Dhe me 8 maj, përsëri e njëjta gjë.

Por të lëmë mënjanë këtë, se këta mbajnë errësirë, këta nuk bëjnë transparencë, dhe këto ne i mësojmë nga mediat dhe nga copëza të shkurtra që rrjedhin nga miqtë tanë.

Po marrin tjetrën ne.

Marrim raportin e Parlamentit Evropian. Raportin e Komisionit të Jashtëm.

Raporti absolutisht më kritik i miratuar ndonjëherë në historinë e procesit të integrimit.

Raporti që i thotë qeverisë, ti nuk bëre zgjedhje të drejta, bëre zgjedhje si parti shtet, bleve vota, etj.

Raporti që kërkon që parlamenti të ketë një rol qendror në procesin e integrimit.

E shihni ju atë Peleshin që qëndron në krye të parlamentit? Nuk ka interes integrimin ai, është si Edi Rama. Këta kanë interesa të pasurive që kanë vjedhur, se po të kishte interes integrimin, Oltës do i thoshte, nuk ke vend këtu më, shko, ka dy vendime Gjykata Kushtetuese. Ti je një hajdute, bashkë me bashkëshortin tënd, e faktuar me gjykatë, e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Ti nuk ke vend.

Por Olta është pjesë e familjes Rama. Nuk ndodh kot kjo.

Dhe aty shkruhet e zezë mbi të bardhë, të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese pa vonesë.

Keni dëgjuar ju ndonjë preokupim për këto?

I vetmi preokupim si ta fshehim raportin me mediat e kontrolluara.

Të mos u themi shqiptarëve një fjalë se çfarë thotë ky raport.

Raporti thotë që duhet të hiqet imuniteti pa asnjë ndikim në sistemin e drejtësisë, pa pengesë.

Flitet ndonjë fjalë?

Hajde se për IBAR-in nuk e bëjnë publik dhe mediat e kontrolluara nga qeveria nuk mund të bëjnë debate.

Po për raportin që është publik?

Nuk ka asgjë më shumë IBAR-i, raporti ka çdo gjë.

Ka një ngjashmëri midis të dyjave. Raporti është nisur si një raport dyfaqësh dhe ka përfunduar si një raport me 300 e ca amendime, një raport 20-30 faqesh.

Edhe ai i IBAR, prandaj thotë ky e ka Komisioni atë debat, jo mor jo, është debat midis Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të BE.

Pra, këtu asnjë fjalë.

Keni parë që raporti ndalet në mënyrë të përsëritur tek investimet strategjike, tek vjedhjet me investime strategjike dhe kërkon listën, publikimin e listës.

Një gjë u them, pas ndërhyrjes së BE në vitin 2024 është kaluar ligj për PPP-të.

10 PPP janë firmosur nga Edi Rama në kundërshtim flagrant me ligjin, pa e përfillur fare ligjin e miratuar në qeveri.

Dje, ky zotëri pasi unë bëra publike të dhënat e marra direkt nga Open Tender EU, nga një organizatë e cila shqyrton vendet e BE për prokurimet publike.

Kjo fillon nga viti 2010.

Çdo qytetar dhe çdo media të klikojë tek opentender.eu/integrity.

Çfarë do gjejë? Do gjejë këtë grafik.

Nuk është i Sali Berishës, ky është i Open Tender, ky Shqipëria në vitin 2010-2012 pasi është analizuar çdo tender, çdo kontraktim, çdo fitues, çdo i përjashtuar, del me integritet me 80 pikë.

Urdhëroni si zbret në mënyrë të vazhdueshme dhe përfundon në vitin 2026 me 66 pikë.

Dhe ky përgjigjet me një gjuhë, por unë nuk i reagoj se ky njeri e ka gënjeshtrën me tapi.

Ky gënjeshtrën e ka me tapi.

Njeri që në çdo fjali lëshon një gënjeshtër.

Nuk mund të them se e gënjen stafi, por stafi… se ky vetë po i thahet truri nga droga, e ka shumë të vështirë të orientohet, absolutisht, se truri rrudhet nga droga.

Dhe del e thotë, shan aty. Jo mor zotëri. Nuk është e imja kjo, nuk është e PD, kjo është e Open Tender EU, e Bashkimit Europian.

Kliko dhe të del në fillim.

Sa është transparenca?

Në 50 pikë ka rënë transparenca. Dhe si asnjë vend tjetër në 38 vende nuk ka asnjë fitues tenderi të rëndësishëm nga vendet e BE.

Përjashtohen. Ndalohet për vendet anëtare të BE.

Në një kohë kur Shqipëria nuk ishte vend kandidat, por absolutisht të gjithë tenderat e rëndësishëm, pa përjashtim ose me një përjashtim shumë të vogël i ishte me kompani evropiane ose amerikane.

Ndaj dhe ato ishin me një kosto shumë më të ulët se tani.

Rrugët ndërtoheshin me 2 apo 3 milionë euro kilometri i autostradave, tunelet ndërtoheshin me 8-9 milionë euro kilometri i tunelit.

Plus, del aty tek ky ueb, del Olsi Rama-Gjoka, kompania me 400 milionë euro tendera.

Prandaj kjo qëndronte pas turkut tek Llogaraja, tek Lubia, e keni parasysh tani si dalin lidhjet.

Dhe ky i them edhe njëherë, se ka përdorur një gjuhë të denjë vetëm për veten e vet, i them se nuk do mund të mashtrosh as Shqipërinë, as Evropën.

Ti vërtet ke tapinë e gënjeshtrës, por ç’është e vërteta, koha jote ka marrë fund dhe po merr fund.

E patë sjelljet prej gangsteri, prej krimineli, me urdhër të Edi Ramës, të Skënder Ballukut dhe disa ë eksponentëve të tjerë të narkokrimit në polici. Por këto i kemi denoncuar dhe këto vetëm sa rrisin më tej vullnetin e të gjithë demokratëve për një, për të mbrojtur kauzën tonë të pamposhtur gjerë në fitoren tonë.

Po këtu tani, për ju dhe për qytetarët shqiptarë, unë do lexoj një dokument në të cilin faktohet se çfarë shpifarak dhe mashtruesish, me çfarë shpifarak dhe mashtruesish kemi të bëjmë me Edi Ramën dhe Skënder Ballukun.

Më dëgjuat ju që media, Sokol Balluku, Carlo Bolino mafiozi, dhe Adriatik Doçi, zëdhënësi i Linda Surrelit, Linda Ramës, u vërsulën me tërbim se pas kemi kontraktuar qytetarë të huaj dhe kanë dëshmuar qytetarët e huaj se i kemi kontraktuar ata për të hedhur mjete piroteknike.

Dhe bëjnë zbulimin e madh se tre qytetarë të huaj kanë dëshmuar në polici këto, këto dhe këto. Pas, sigurisht, të gjitha këto nga zyra e Ramës të dala, debate të mëdha në studiot e tyre të kontrolluara dhe në krye të kësaj stuhie mashtrimi qëndronin Sokol Balluku i cili ka vjedhur dhjetëra milionë nëpërmjet ish-bashkëshortes së tij, që kanë ndarë shtratin por jo paratë.

Imagjinoni ju tani çfarë divorci është ai. Ata janë, domethënë ata janë edhe ajo është një pseudo se këta janë të pakonceptueshëm, se transaksionet janë gjetur të gjitha tek ai, pavarësisht se gjoja janë të ndarë.

Carloja që ka marrë 4500 m² tokë me 1 euro e cila është disa milionë euro, ai tjetri që merr porosi, shkon në Surrel dhe merr porosi çfarë të shpif, çfarë të shpif ëh, ky Adriatik Doçi. Por, tani cila është e vërteta ta, që ta dëgjoni ju të dashur deputetë dhe deputetë dhe të gjithë shqiptarët.

E vërteta është kjo. Në rajonin e policisë numër dy, shoqërohet në komisariat pasi dyshohet se ka goditur me sende të forta, gurë dhe tulla, në drejtim të forcave.

Pyetje: Ditën e sotme jeni shoqëruar në komisariatin e policisë numër 2 Tiranë, pyetja që i bëhet qytetarit të huaj, pasi dyshoheni se keni goditur me sende të forta gurë, tulla, në drejtim të forcave të policisë dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, çfarë keni për të thënë në lidhje me këtë ngjarje? Dhe keni thirrur Rama ik.

Përgjigja: Dua të deklaroj se unë me shokun tim, shtetasin Busli, kam ardhur ditën e sotme në Shqipëri rreth orës 15:15, dhe kemi marrë një apartament me qira në zonën e qendrës. Kemi qenë duke shëtitur nëpër Tiranë dhe në një zonë kemi parë që ishin grumbulluar shumë persona dhe po protestonin.

Në këtë protestë kemi njohur një grua nga Italia dhe kjo grua na ka shpjeguar se çfarë po ndodhte dhe pastaj ngelem aty, drejt në protestë. Pas disa kohësh i kam dhënë telefonin tim disa personave që të na bënin foto dhe këta persona na shoqëruan me forcë në furgonin e policisë.

Shikoni sa, kanë futur agjentë të policisë private. Dhe tani duhet të jemi shumë vigjilentë, ku t’i gjejmë, ku t’i shohim midis nesh, t’ju tregojmë vendin. Shi, shikoni ç’kanë bërë. I ka dhënë, edhe i kanë marrë me, futur në furgonin e policisë. Në këtë protestë thjesht po qëndronim për qejf dhe nuk kemi bërë asnjë veprim kundrejt asnjë personi.

Pyetje: A keni goditur në drejtim të punonjësve të policisë me sende të forta?

Përgjigje: Nuk kemi hedhur asnjë send në drejtim të policisë. Kam marrë sende në tokë, por nuk i kam hedhur në drejtim të asnjë personi dhe kam parë që shumë persona merrnin sende nga toka dhe i hidhnin në drejtime të ndryshme. Po unë jo.

Pyetje: A keni gjë tjetër për të shtuar?

Përgjigje: Gjë tjetër nuk kam për të shtuar dhe procesverbalin, pasi e lexova dhe rezultuan, dhe rezultuan thëniet e mia, e firmos pa vërejtje.

Tani, ky është procesverbali që ta dini ju, ta dinë shqiptarët. Këta janë ata të kontraktuarit. Domethënë çfarë tregon kjo? Ky është një skenar i Skënder Ballukut, në mënyrë që ta paraqes protestën si një protestë në të cilën Partia Demokratike ka marrë dhe mercenarë për këto dhe për ato.

Këta janë të aftë të inskenojnë çdo gjë, por fundin e kanë në turpin e historisë. Edi Rama është gangrena e keqe e këtij vendi që duhet të shkulet sa më parë dhe ne do ta shkulim atë.

Faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale