FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PROTESTËN KOMBËTARE
EKSTRAKT
Partia Demokratike ka mbajtur sot 8 shkurt 2025, protestën e saj kombëtare, ku mijëra e mijëra qytetarë i’u bashkuan thirrjes së kryetarit të demokratëve, Sali Berisha për të dalë në shesh kundër luksit të Edi Ramës, shishes së verës 33 mijë dollarëshe që ai pi çdo ditë në ‘Kopshtin e Edenit’ në kryeministri.
Duke folur në këtë protestë madhështore të mbajtur në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, kryetari i Partisë Demokratike Prof. Dr. Sali Berisha u ka bërë thirrje shqiptarëve që të bashkohen kundër të keqes që ka kapur Shqipërinë prej 12 vitesh.
Lideri i demokratëve Sali Berisha, e nisi fjalën e tij me një falënderim dhe përgëzime për të gjithë qytetarët, demokratët dhe opozitarët që i janë bashkuar kauzës së kësaj proteste. Berisha kujtoi momentet e kaluar, duke përmendur protestën e 20 shkurtit dhe si opozita ka arritur të mbijetojë dhe të forcohet edhe në kushtet e represionit. Ai theksoi se opozita është e pamposhtur dhe se ajo do të vazhdojë të mbrojë vlerat e lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Berisha nënvizoi se PD është më e bashkuar dhe më e fortë se kurrë, duke e konsideruar betejën me qeverinë si një luftë për liri dhe drejtësi.
Gjatë fjalës së në protestën kombëtare para Kryeministrisë, Berisha u shpreh me vendosmëri dhe forcë për sfidat që po kalon opozita dhe populli shqiptar. Ai theksoi se asnjëherë nuk kanë marrë asgjë si dhuratë, por gjithçka e kanë merituar përmes betejës dhe sakrificës. Berisha e ngriti qëndrimin e opozitës si të pamposhtur, duke sfiduar krimin dhe sistemin e drejtësisë të kontrolluar nga qeveria.
Ai përmendi përpjekjet e pushtetit për të shkatërruar opozitën, duke i cilësuar ato si përpjekje të dështuara për të frikësuar popullin opozitar, të cilin ai e quajti të vendosur dhe të pathyeshëm. Lideri i PD gjithashtu nënvizoi angazhimet ndërkombëtare të partisë dhe fokusi i tij për të pasur një Shqipëri pa krim dhe pa eksporte refugjatësh, duke e shoqëruar këtë me një zotim të fortë për të luftuar pa kompromis krimin dhe korrupsionin.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, theksoi gjatë fjalës së tij, se Shqipëria po përballet me censurën e imponuar nga Edi Rama, e cila ka mbuluar të vërtetat që qeveria dëshiron të fshehë. Ai ngriti shqetësimin për censurimin total të tri rezolutave ndërkombëtare dhe të intervistës së Arben Ahmetajt, i cili ka denoncuar lidhjet e qeverisë me krimin dhe pasuritë e paligjshme.
Berisha përmendi akuzat konkrete për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve, duke përfshirë vjedhjen e 130 milionë eurove dhe shndërrimin e institucioneve në shërbim të interesave të Edi Ramës dhe bandave kriminale. Ai gjithashtu paralajmëroi për pasojat e dosjes McGonigal, e cila sipas tij do të shndërrohet në fundin politik të Ramës. Berisha e përshkroi këtë situatë si një luftë të pandalshme për të mbrojtur Shqipërinë nga korrupsioni dhe tirania.
Në këtë protestë kombëtare, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë publike edhe pikat kryesore të programit qeverisës me të cilin demokratët do të dalin fitues në zgjedhjet e 11 majit dhe do të ndryshojnë Shqipërinë.
Berisha theksoi se ky nuk ishte një miting elektoral, por një angazhim për të drejtat dhe të ardhmen e shqiptarëve. Ai shprehu krenarinë për programin e partisë, i cili sipas tij ka tmerruar Edi Ramën dhe ka ekspozuar mashtrimet e tij të vazhdueshme.
Gjatë fjalës së mbajtur në protestë, Berisha akuzoi Edi Ramën dhe qeverinë e tij, për trajtimin e pensionistëve dhe premtimet e pambajtura, duke theksuar se pas 11 majit, pensionistët do të kenë rritje të konsiderueshme dhe mundësi për të marrë mbrapsht TVSH-në për blerjet e ushqimeve. Po ashtu, ai premtoi rritje të pagave dhe një sistem tatimor më të drejtë për bizneset, duke siguruar se taksat dhe tarifat për bizneset e vogla do të ulen ndjeshëm. Sipas tij, ky program është një dënim për çdo mashtrim të bërë nga qeveria dhe një garanci për një të ardhme më të mirë për shqiptarët.
Shqipëria është në emergjencë dhe se ndryshimi i saj do të vijë me shpejtësi, tha kryedemokrati Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në protestën madhështore para kryeministrit. Berisha premtoi se demokratët do të çlirojnë shqiptarët nga skamjet dhe mjerimi, duke siguruar se ferma dhe pronarët do të marrin subvencionet dhe shpërblimet që meritojnë.
Berisha u shpreh se modeli i vjedhjes dhe kleptokracisë do të zëvendësohet nga një model që do të ketë qytetarin dhe interesat e tij në qendër. Ai theksoi se fitorja është e mundur vetëm nëse të gjithë angazhohen dhe punojnë për të, duke rikujtuar se fitoret e mëparshme janë arritur edhe në kushtet më të vështira. Sipas Berishës, ndërhyrjet e forta ndërkombëtare, si të presidentit Donald Trump dhe desorosifikimi i vendit, do të çojnë në një ndryshim të thellë për Shqipërinë, ku vlerat kombëtare dhe familja do të jenë në epiqendër.
Në mbyllje të fjalës së tij në protestës kombëtare të 8 shkurtit 2025, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri thirrje për një angazhim të mëtejshëm të çdo shqiptari për fitoren përfundimtare të opozitës më 11 maj.
Ai ftoi të gjithë partitë politike që e konsiderojnë veten opozitare, si dhe socialistët e ndershëm, të bashkohen për të luftuar kundër regjimit të Edi Ramës, duke ofruar një program që e konsideroi të dobishëm për të gjithë shqiptarët, me përparësi në liri, të drejtat e njeriut, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe modernizimin e shërbimeve. Berisha gjithashtu apeloi për mobilizim të elektoratit gri, duke nënvizuar se heshtja është një aleatë e diktaturës dhe se duhet të veprohet për të larguar regjimin e Edi Ramës, i cili sipas tij ka kryer gjenocid të butë ndaj shqiptarëve.
Lideri i demokratëve e përfundoi fjalën e tij, duke premtuar fitoren e madhe të opozitës më 11 maj, duke garantuar se me punë, vizion dhe mbështetje nga populli dhe miqtë ndërkombëtarë, Shqipëria do të ndryshojë për mirë.

FJALA E PLOTE:
Të dashur qytetare dhe qytetarë, shqiptare dhe shqiptarë kudo që jeni sonte, në Shqipëri, jashtë saj dhe kudo në botë.
E nis fjalën time me një përulje para jush, me një falënderim vëllazëror dhe me përgëzimet e mia për të gjithë ju, për të gjithë demokratët dhe opozitarët.
Në pak kohë, ne kemi bërë shumë.
Le të kthehemi pak.
Vetëm një vit më parë, në shkurtin e kaluar, ne ishim këtu në shesh në protestën e 20 shkurtit. Lideri i opozitës ishte i arrestuar në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetutën.
Dhe unë, fjalën time e mbajta nga një ekran televiziv, i burgosur politik.
Por në atë protestë ne hodhëm themelet e çdo fitoreje që meritojmë dhe që do kemi.
Në atë protestë ne u dëshmuam shqiptarëve se nga hiri u ngritëm si Feniksi dhe se ata që menduan se do na mposhtin ne, dështuan me turp. Ne jemi të pamposhtur!
Ne jemi të pamposhtur sepse ne u bashkuam.
Ne jemi të pamposhtur sepse ne mbrojmë kauzë të drejtë.
Ne jemi të pamposhtur sepse ne mbrojmë vlerat më të arrira të njeriut, mbrojmë lirinë, interesin kombëtar, dinjitetin njerëzor familjen, kombin.
Ndaj dhe vijmë sot këtu si opozitë e të pamundurës e bën të mundur.
Si PD që të pamundurat i bën të mundura.
Sot kemi vulë dhe flamur.
Sot jemi më të bashkuar se kurrë.
Sot, me tre rezoluta ndërkombëtare, jemi forca politike më e përkrahur.
Sot, jemi në këmbë më të vendosur se kurrë në betejë me diktaturën.
Do fitojmë!
Historia e deshi që ne të jemi e vetmja forcë politike që përmbys dy diktatura njëra pas tjetrës.
Diktaturën staliniste të Enver Hoxhës dhe narkodiktaturën e bastardit të bllokut komunist, Edi Ramës.
Asgjë nuk marrim ne si dhuratë.
Ne gjithçka meritojmë me betejën tonë.
Rroftë PD, nderim qëndrestarëve opozitarë.
Miqtë e mi!
Përsëri krimi dhe bota e tij është kundër nesh.
Prokuroria politike dhe gjykatat e narkoshtetit janë kundër nesh.
Por ne përsëri qëndrojmë të pamposhtur.
Ne përsëri qëndrojmë të sigurt në fitoren tonë.
Ne arritëm të bëjmë pluhur, të shembim ëndrrën e pasaardhësit të xhelatit komunist, xhelatit që firmosi varjen e Havzi Nelës në litar, Edi Rramës dhe motrës së njerëzimit Xhorxh Soros, të Shqipërisë pa opozitë.
Gjithçka u bë që Shqipëria të mbetej pa opozitë.
Kryetari i PD u vendos në arrest shtëpie me urdhër të Edi Ramës.
Me urdhër të Edi Ramës, ish-presidenti i vendit u zvarrit, u godit në mes të rrugës dhe u filmua, duke menduar ky kriminel se do tmerronte opozitën.
Me urdhër të Edi Ramës, me mbështetjen e monstrës së njerëzimit Xhorxh Soros, deputeti ynë i ri, Ervin Salianji, martir i gjallë i fjalës së lirë, u burgos sepse u përball dhëmb për dhëmb me klanin mafioz më të rrezikshëm të Shqipërisë, Ballkanit, Europës, klanin Rama-Xhafaj.
Menduan se do të na trembnin.
Por gabuan rëndë.
Ja ku e kemi ne 200 metra tutje prijësin tonë të përjetshëm, Skënderbeun.
Të harrojë kush se mund të trembet populli opozitar, populli i lirisë.
Jo mor jo, përkundrazi do mjerohen ata që mund të mendojnë të na trembin ne.

Të dashur miq!
Pak ditë më parë unë isha në Berlin. Mora pjesë në kongresin e partisë më të madhe të qendrës së djathtë në Europë, bashkimit kristian demokrat gjerman CDU. Atje shtrëngova duart përzemërsisht me kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë. Takova miq të hershëm. Takova miq të rinj. Ata mezi po presin fitoren e PD-së për të ndërtuar një marrëdhënie të shkëlqyer midis dy vendeve.
Unë u zotova solemnisht se nga Shqipëria, zero eksport refugjatësh dhe krimi në Europë. Ky është zotimi ynë, zero tolerancë.
Të dashur miq!
Ne përballemi përsëri me censurën.
Censurën, vellon e zezë që Edi Rama në traditën e etërve të tij, ka vendosur në Shqipëri.
Por ja ku jemi, asgjë në botë nuk na pengon dot ne të mbrojmë të vërtetat që besojmë.
Tre rezoluta ndërkombëtare u censuruan totalisht nga mediat e qeverisë.
U censurua krejtësisht intervista e Arben Ahmetajt, i cili në fakt i bëri autopsinë regjimit të krimit nga viti 2015 gjer sot.
Arben Ahmetaj, si dëshmitar me dokumenta, si dëshmitar fizik, okular, u tha shqiptarëve se Edi Rama dhe qeveria e tij funksionojnë si organizatë kriminale.
Se Edi Rama detyroi Erion Veliajn të firmosë djegësin e Tiranës dhe së bashku me të kanë vjedhur 130 milionë euro.
Se Edi Rama me Lubi Ballukun në një udhëtim në Ankara, para syve të tij, rritën çmimin e tunelit 50 milionë euro për t’i marrë në xhep.
Se Edi Rama ka shndërruar AKSHI-n në kopshtin e vjedhjeve të tij ku me familjarët e vet ka marrë dhjetëra milionë dhe ka grisur dy urdhra arresti për baxhanakun dhe drejtoreshën e AKSHI-t.
Arben Ahmetaj faktoi se Edi Rama i ka duart e tij të zeza në aferën e Porto Romanos dhe se është udhëheqësi i të gjitha bandave në Shqipëri.
Lubi Balluku, Lubi Loti, administron për llogari të Edi Ramës 12 miliardë euro dhe dëmet e saj shkojnë më shumë se dëmet e tërmetit.
Pra, miq, të gjitha këto janë shkaku pse jemi ne sot këtu.
Për t’u thënë shqiptarëve dhe mbarë botës se ne nuk pajtohemi kurrë me këtë hajdut që historia e Shqipërisë nuk ka njohur kurrë të tillë.
Miqtë e mi!
Dosja McGonigal është arkivoli i hapur i Edi Ramës.
Çdo natë, në dy muajt e fundit, ai në ëndërr i del ishulli Riker. Atje do përfundojë, tek McGonigali.
Iu garantoj ju se pas zgjedhjeve do e paketoj, të bëjë dënimin më pas të kthehet.
Miqtë e mi!
Ky nuk është një miting elektoral, por përsëri ne duhet të ndjehemi krenarë me programin tonë.
Edi Ramën e ka tmerruar programi ynë.
Edi Ramën e ka shfazuar programin ynë sepse ne me programin tonë kemi shembur piramidën e tij të mashtrimit.
Me programin tonë kemi faktuar vjedhjet e tmerrshme që u ka bërë shqiptarëve.
Edi Rama, i pashpirt, i la pensionistët shqiptarë në gjendjen më të mjerë që mund të jenë pensionistët në botë.
Shumë prej tyre, me pensionin që marrin nuk blejnë dot as ilaçet e një jave. Dhe ka tre muaj që kalon nga një skenë në tjetër për t’i mashtruar ata. Sjell dëshmitarë të rremë me pashpirtësi.
Ja ku jemi këtu dhe i themi çdo pensionisti se kurrë pas 11 majit, asnjë prej jush nuk do ketë më pak se 200 euro në muaj.
Jo vetëm kaq, por çdo njeri prej jush do ketë kartën e konsumatorit për t’u kthyer TVSH-në, e cila është e barabartë me tre pensione.
Mbaji për vete bonuset e mashtrimit elektoral Edi Rama. Ne do u kthejmë pensionistëve TVSH-në e të gjitha blerjeve ushqimore që bëjnë në një vit.

Jo vetëm kaq, çmime krejt të tjera do kenë për qiratë në ndërtesat sociale, do kenë për ujë, drita.
Dhe i garantoj ata se kjo përpjekje nuk do ndalet gjer sa të marrin pensionet më të mëdha në rajon.
Programi ynë e ka tmerruar, e ka verbuar sepse ai program po nxjerr në dritën e diellit të gjitha mashtrimet e tij monstruoze.
Ne u premtojmë të gjithë punëtorëve me rrogë të ulët, se në Shqipëri pas 11 majit, brenda 3 muajsh, nuk do ketë rrogë nën 500 euro. Dhe se ky do jetë pragu me të cilin do ecim drejt rrogës minimale më të lartë më rajon.
Brenda vitit, rroga mesatare do jetë 1200 euro.
Miqtë e mi!
Ne jemi parti e taksave të ulëta. Ne besojmë se paratë në xhepat e qytetarëve janë më të vlefshme për shoqërinë dhe qytetarin se në arkat e shtetit.
Prandaj dhe biznesi i vogël, shikoni çfarë bën mashtruesi. Ua ka dhjetëfishuar taksat lokale. I garantoj bizneset e vogla se pas 11 majit, së pari do përgjysmohen, së dyti do ecet me shpejtësi drejt një të pestës së tyre.
Energjia, që sot ato e paguajnë 18 deri 24 lekë, do jetë 3.2 herë më e ulët. Do jetë 7 lekë.
Tarifat e sipërfaqeve të sipërmarrjeve të bizneseve do pjesëtohen me tre. Do ulen tre herë.
Taksa e sheshtë 10 përqind për bizneset e tjera është zotimi ynë.
Biznesi i vogël do paguajë gjysmën e asaj që paguan sot për sigurimet shoqërore.
Miqtë mi!
Shqipërinë jo do e ndryshojmë, por do e ndryshojmë me shumë shpejtësi.
Shqipëria është në emergjencë, Shqipëria ka dhimbje, shqiptarët ndjejnë dhimbjen e skamjeve dhe mjerimit.
Ne do i çlirojmë ato me shpejtësi.
Fermeri shqiptar do subvencionet për çdo njësi prodhimi, për çdo kokë, për çdo fidan.
Pronarët dhe të përndjekurit do marrin shpërblimet e tyre.
Pra, modelit të kleptokracisë, të vjedhjes, do i lëshojë vendin modeli i qytetarit të parë.
Do i lëshojë vendin modeli ku në epiqendër do jetë qytetari me interesat e tij.
Kjo e ka tmerruar Edi Ramën, por është i pashpresë.
Të dashur miq!
Nuk ishte ky mitingu i programit elektoral, por natyrisht pa shpallur këtu disa nga ndërhyrjet më emergjente që mund të bëjmë ne për të përmbysur situatën aktuale, nuk mund të ndaleshim.
E vërteta është, mesazhi i fundit që unë kam për ju: tre muajt na ndajnë nga zgjedhjet. Fitorja varet nga ne.
Fitorja, në rast se ne e bëjmë natën ditë, në rast se ne përkushtohemi, në rast se ne nuk harrojmë se jemi parti që bëmë të pamundurat, të mundura, ne do korrim një nga fitoret më të thella.
Mos harroni se fitoret e arritura deri tani, ne i arritëm në kushtet më të jashtëzakonshme, më të vështira.
Kurse tani që presidenti Donald Trump i ka prerë gjarprit në Uashington, Xhorxh Soros, e kuptoni ju apo jo çfarë do të thotë kjo.
Era e desorosizimit, flladi i tij nga Uashingtoni po fryn në gjithë botën.
Ju garantoj ju se nuk fiton kush më shumë nga kjo se shqiptarët, pasi u shndërruan në kopshtin eksperimental të dogmës, jo të Oruellit, por të Sorosit.
Pra, edhe ne kemi programin tonë të desorofikimit të vendit, të rivendosjes në piedestal të familjes, vlerave të saj, të besimit tek Zoti, të interesit kombëtar.
Shqipërinë e bëjnë shqiptarët dhe shqiptarët patriotë, atdhetarë.
Ndaj të vazhdojmë ne betejën tonë në çdo derë, në çdo mendje, në çdo zemër, për fitoren e thellë dhe përfundimtare të opozitës shqiptare më 11 maj.
Të bashkohemi!
Iu garantoj se PD po bën gjithçka për frontin më të gjerë opozitar.
Ftoj të gjitha partitë politike që i thonë me ndërgjegje vetes opozitës, të bashkohen me ne kundër kësaj të keqe të madhe, narkodiktaturës.
Ftoj socialistët e ndershëm, që i shfrytëzoi gjer në palcë rilindja e Edi Ramës, të bashkoheni me ne, sepse programi ynë është program për të gjithë shqiptarët.
Është programi i lirisë dhe të drejtave të njeriut, programi i përmbysjes së modelit të deritanishëm të përdorimit të buxhetit, programi i rritjes së rrogave dhe pensioneve, programi i modernizimit të shërbimeve në arsim, shëndetësi dhe fushat e tjera.
Ftoj të gjithë elektoratin gri: mos harroni gjë, historia ne shqiptarëve na ka mësuar se e keqja, se diktatura pas lufte nuk desh asgjë tjetër përveç heshtjes së shumicës.
Se shumica e heshtur, me dashje apo pa dashje bëhet aleate e diktaturës. Ndaj të ngrihemi, heshtja të mos na topisë, por të shkojmë tek kutia e votimit. Të marrim të gjitha përgjegjësitë qytetare për të votuar dhe larguar me votën tonë regjimin më të keq, diktaturën më të keqe, më antishqiptare.
Regjimin që kreu gjenocid të butë duke përzënë 1 milionë shqiptarë në 10 vite, regjimin e Edi Ramës.
E kemi detyrim madhor ndaj fëmijëve tanë, por edhe ndaj atyre që nuk i kemi më, të luftojmë dhe fitojmë.
Dhe unë u garantoj se me punë, me vizion, me vendosmëri, me mbështetje mbarëshqiptare, me mbështetjen e miqve tanë, 11 maji do të jetë dita e fitores së thellë, fitores së madhe të opozitës shqiptare.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëri.
Zoti e bekoftë Shqipërinë, flamurin e saj.