Prof.Dr.Jamarbër Malltezi
Përgjigje artikujve të BIRN, Reporter.al
Mediat BIRN, Reporter-al, në mënyrë recidiviste kanë publikuar këto dite shkrime, në të cilat pa kurrëfarë verifikimi, njëlloj sikur të ishin organe të prokurorisë politike të Edi Ramës, paraqesin akuza të pabaza të kesaj prokurorie ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit. Në këta artikuj autorët sikur të ishin zëdhënës të SPAK/GJKKO nuk kanë marrë mundimin, për hir të paanësisë profesionale, të kërkojnë prononcim nga une, avokatët e mi apo personat e tjerë palë në proces. Këta artikuj, në traditën tashmë të njohur të shpifjeve të Birn dhe Reporter. al, kundër Sali Berishës dhe familjarëve të tij, përmbajnë aludime, shtrembërime, manipulime jo të denja për gazetarët profesionistë, por që mesa duket si gjithnjë përputhen me oreksin e sponsorit të tyre spekulant. Duke riprodhuar shipfje, manipulimet, e gënjeshtra të SPAK/GJKKO duket se autorët e shkrimeve mendojnë se mund t’i bëjnë të besueshme ato dhe të justifikojnë burgosjen time politike nga Edi Rama, apo masat e sigurisë të vendosura në dhunim flagrant e të pashembullt të Kushtetutës ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në morinë e këtyre shkrimeve kushtuar dacibaos së Prokurorisë speciale, autorët pasqyrojnë me besnikëri dhe zell pa asnjë verifikim, trillimet, shpifjet, akuzat fallco të saj kundër Berishës dhe Malltezit, në të cilat pretendohet se Sali Berisha ndryshoi ligje dhe nxori vendime qeverie për të favorizuar Malltezin dhe pronarët e pesë familjeve, se Berisha dhe Malltezi në akte korrupsioni pasiv përfituan nga kjo aferë 5.4 milion euro, se Jamarber Malltezi u bë investitor me 113m2 tokë dhe doli me një fitim 5.4 milion euro, se atij, me një marrëveshje të firmosur nga të gjithë pronarët iu dha nga secili prej tyre 5% e siperfaqës së tokës, se procesi i kthimit të pronës dhe privatizimi e kryen me shpejtësi të pazakontë dhe se u bë presion mbi zyrtarët për këtë proces.
Ne shkrimet e Birn, Reporter.al pretendohet se Krytari i Opozitës Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Prof.Dr. Jamarbër Malltezi janë akuzuar nga Prokuroria e Posaçme.
Kjo në kuptimin ligjor të termit të akuzës nuk është aspak e vërtetë. Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Prof.Malltezi nuk janë marrë të pandehur. Megjithë hetimin intensiv tre vjeçar të nisur me urdhërin e Edi Ramës brenda të njëjtës ditë që SKAP mori në dorëzim kallzimin nga Balla, prokuroria speciale e tij nuk ka arritur të ngre akuzë zyrtare penale, pra t’i marrë ata pandehur. Kjo jo se nuk ka dashur, por sepse në tre vite hetim ajo nuk ka gjetur asnjë provë, fakt, dokument dhe as edhe shkeljen më të vogël të ligjit që do të mund t’i fajësonte ata. Prandaj dhe asnjëri e as tjetri nuk janë marrë të pandehur. Ata janë thjesht persona në hetim.
Prokuroria në një akt të pashembullt, strikt politik ka kërkuar nga Gjykata vendosjen e masave të sigurisë, heqjen e pasaportës, moslejimin e largimit nga Shqipëria dhe detyrimin e paraqitjes në Polici ndaj kryetarit të PD si një person në hetim. Kurse ndaj meje, person në hetim, ajo ka vendosur arrest me burg, pra mbajtjen në burg të një personi të pafajshëm vetëm e vetëm se ai është kundershtar politik i Edi Ramës dhe dhëndri i Sali Berishës. Ky vendim i GJKKO bie në kundërshtim me nenin 228 e 230 i KPrP që përcaktojnë rastet kur vendoset masa arrest me burg, e nga ku asnjë prej rrethanave nuk është e aplikueshme per mua. Sipas ketyre neneve, arresti me burg vendoset kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës. Cilat rrethana në këtë rast rrezikojnë marrjen e provave te 10 apo 20 viteve më parë? A mund të vendoset masa e arrestit me burg për të mbrojtur prova që kanë ekzistuar dhe janë publike që prej 20 vitesh dhe të cilat janë hetuar që prej tri vitesh, ‘në mënyrë shteruese” sicc thotë SKAP? Arresti vendoset kur i pandehuri është larguar ose ekziston rreziku që ai të largohet. Që prej tri vitesh ka qenë fakt publik, i mediatizuar, se kjo çeshtje po hetohej dhe une kam pasur çdo mundësi për të ikur. Por as me ka shkuar kurrë në mendje një gjë e tillë. SKAP i di shumë mirë këto, por e përdor ligjin sipas porosisë së Edi Ramës ndaj Opozitës. Arresti vendoset kur për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ka rrezik që ai të kryejë krime të rënda si i burgosur ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet. Çfarë vepre do të kryejë Jamarbër Malltezi në këtë rast? Ku është vepra e rëndë penale që mund të përseritet këtu? Arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit. Jamarbër Malltezi, nje profesor universiteti pa asnjë rrezikshmëri shoqërore, me një kontribut shoqëror të rëndësishem në fushën akademike dhe në atë politike, është sot në burg politik.
Gjykata ka detyrim të argumentojë secilën prej këtyre bazave, pra a i plotëson apo jo këto kushte i burgosuri politik Malltezi, por ajo as nuk është lodhur t’a bëjë këtë gjë. Sepse urdhri i Edi Ramës është ligj për skapistët e partisë dhe për gjykatësen e shkarkuar edhe më parë për shkelje të rëndë të ligjit.
GjKKO njëlloj si në gjykatat popullore të komunizmit, ka vendosur nën sekuestro çdo pasuri timen, përfshirë ato që janë krijuar dhe disponuar para vitit 2009, me të ardhurat e mia dhe të bashkëshortes time, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me privatizmin e Klubit Partizani, por janë të dokumentuara që vijnë nga puna jonë 6 vjeçare si zyrtarë të OKB në Kosovë dhe veprimtaria jonë si konsulentë dhe akademik.
Pas kallzimit kryekëput të rremë të Taulant Ballës, SPAK bëri tre vite hetime, të cilat në hyrje të vendimit të GJKKO cilësohen si hetime shteruese. Megjithëkëtë çdo njeri i paanshëm konstaton se asnjë nga dokumentat që gjenden në dosjen e Prokurorisë nuk paraqesin asnjë provë fajësuese dhe nuk provojnë asnjë shkelje ligjore. Në dosje gjendet nëe listë e gjatë dëshmitarësh që vërtetojnë se i gjithë procesi dhe aktiviteti i Prof. Jamarbër Malltezit është plotësisht i ligjshëm dhe se asnjëri prej tyre nuk dëshmon se ka patur asnjë lloj presioni më të vogël nga Sali Berisha apo nga unë.
Çdo njeri që lexon atë dosje konstaton me habi se, edhe pse pas tre vitesh hetime, në dosje nuk ekziston dokumenti që do të ishte thelbësor për ccdo dosje gjyqësore të një drejtësie të padeformuar nga dara e pushtetit kriminal: dëshmia e personave nën hetim – Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit.
Por militantët e partisë shtet të SKAP/GJKKO nuk kanë dashur që kur dosja e përgatitur prej tyre të dalë në media, publiku të lexojë të vërtetat nga goja e atyre që përgojohen padrejtësisht. Ata që ndërtonin dacibaon kundër Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit ishin të sigurt se dëshmitë e këtyre të fundit, siç shkrin dielli brymën, do të shkrinin me prova dhe fakte të pakundershtueshme mashtrimet dhe manipulimet e tyre dhe do rrafshonin piramidën e mashtrimit politik.
Kjo përben edhe një shkelje tjetër flagrante të GJKKO që e bën vendimin e saj për masat e sigurisë absolutisht të pavlefshëm. Neni 245§1(ç) i Kodit të Procedurës Penale, e konsideron absolutisht të pavlefshëm vendimin që cakton masën e sigurimit i cili nuk përmban parashtrimin e shkaqeve pse nuk merren parasysh pretendimet e parashtruara nga mbrojtja, si dhe arsyetimi i papërshtatshmërisë së masave të tjera të sigurimit.
Vendimi prej 200 faqesh i GJKKO i datës 20 tetor, i cili caktoi masën e sigurimit nuk përmban në asnjë rresht qoftë edhe një argument të vetëm të mbrojtjes. Kjo sepse në 3 vjet hetime të drejtuara nga Taulant Balla e Edi Rama, prokurorët e SKAP nuk guxuan kurrë të thërrisnin në pyetje Jamarbër Malltezin apo Sali Berishën, për arsyen e thjeshtë sepse ata do zbërthenin menjëherë shpifjet e pabaza të Taulant Ballës dhe shtrembërimet e fshehjet e dokumentave të Millonait e Krajës.
Në shkrimet e tyre me porosi Birn, Reporter.al pasqyrojnë me zell të madh, duke harruar se vetshpallen si media investigative, të gjitha pretendimet e prokurorisë speciale sikur të ishin organe të saj. Meqenëse autorët e këtyre artikujve, në traditën e tyre të sulmeve politike ndaj Berishës dhe familjarve të tij, me qëllim, në asnjë rast nuk kërkuan nga ne ndonjë sqarim për këto pretendime e trillime të GjKKO, ndonëse pretendojnë se janë media investigative, këtu më poshtë ofroj prova që tregojnë se të gjitha aludimet e Skapit/GKKO, të pasqyrura me zell në mediat në fjalë, bazohen fund e krye në mashtrime, fallsifikime dhe manipulime të mirëfillta.
1. Akuzat mbi përdorimin e pushtetit nga Sali Berisha për të miratuar ligje dhe vendime favorizuese për Jamarbër Malltezin.
Nuk ekziston asnjë ligj i firmosur nga Sali Berisha që lidhet veças me njohjen, kthimin e tokës dhe privatizimin e objekteve të ndertuara mbi pronën e grabitur nga regjimi komunist tek kompleksi i Klubit Partizani.
Cdo ligj i firmosur nga Sali Berisha nga viti 2005 në vitin 2013 ka patur qëllim madhor reformat e premtuara të programit të PD në tërësi, ndër të cilat edhe ato në fushën e pronësisë, që kanë synuar mbrojtjen e interesit publik dhe kthimin e pronës së konfiskuar tek pronari legjitim. Në sajë të këtyre reformave në fushën e pronësisë deri në vitin 2012 janë kthyer fizikisht subjekteve të shpronsuar, pra qindra mijëra pronarëve të ligjshëm, mbi 101600 ha tokë, nga të cilat tokë truall 5422 ha. Nga këta 5422 ha 4,5 ha u janë rikthyer 300 pronarëve të Kompleksit të Klubit Partizani njëri prej të cilëve jam edhe unë.
Procesi i njohjes, kthimit, e privatizimit të Kompleksit të KP, është shtrirë në kohë që nga viti 1994 deri në vitin 2009. Megjithëkëtë, për të provuar aludimin e tyre se Sali Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij në procesin e privatizimit të Klubit Partizani, pronë e qindra pronarëve, trashgimtarë të pesë familjeve, në njërën prej të cilave, në familjen Begeja, Jamarbër Maltezi kishte 1/64 pjesë, prokurorët politik bëjnë pretencen e ligjeve dhe reformave të qeverisë së PD, të realizuar në përputhje me programin e saj në vitet 2005-2009. Ata me urrjetje, ligësi dhe injorancë të plotë lidhin ligjet, vendimet e reformave në fushën e pronësisë, ekonomisë, privatizimit, ushtrisë dhe sportit me privatizimin e Kompleksit të Klubit Partizani.
Shkrimi shprehet se SPAK ka akuzuar Berishën se me ndryshimet e ligjit për sportet dhe nje ligji tjeter (I referohet ligjit për kthimin e kompensimin e pronave (KKP)) ka favorizuar dhëndrin për marrjen e pronave të familjes së tij mbi te cilat ishte ndërtuar ish Klubi Partizani (KP).
(i) Në lidhje me ligjin e Kthimit e Kompensimit te Pronave (KKP). Akuza është e pavërtete, pasi ndryshimet ligjore të ligjit mbi KKP, jo vetëm nuk lehtësuan, por shtrënguan aspekte te KKP që lidheshin me mbrojtjen e interesit publik. Për më tepër, moria e ndryshimeve ligjore të ligjeve sektoriale në atë kohë apo më vonë e bënë të qartë se ndryshimet ligjore janë një praktikë normale dhe instrumenti i vetëm për vënien në zbatim dhe thellimin e reformave të cfarëdo fushe.
Jamarbër Malltezi sot është në burgun politik të regjimit sepse SPAK mashtron haptas.
Ndryshe nga sa thotë SKAP/GJKKO, e drejta e parablerjes nuk ka qenë më kufizuese në ligjin e 2004 (shih nenin 8 ). Përkundrazi, ligji i 2006 e bëri më të vështirë dhe jo më të lehtë kthimin e pronave të ushtrisë. Po citoj dispozitat para dhe pas ndryshimeve:
Ligji i vitit 2004 për KKP ishte më liberal për kthimin e pronave të ushtrisë pasi parashikonte ndalimin e kthimit të pronave të ushtrisë që i shërbenin mbrojtjes kombëtare dhe ishin të patjetërsueshme, ndërsa të tjerat mund të ktheheshin pa kufizim. (N. 7, pika 1 gërma ç ligji 9235). Pra, një klub futbolli, në pishinë, etj, mund të ktheheshin lirisht, pasi nuk i shërbenin mbrojtjes së vendit.
Ligji i 2006 për KKP, që SKAP thotë se favorizonte familjen Begeja, parashikonte në neni6§1/c: “Subjekteve të shpronësuara u kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë, strukturës së Forcave të Armatosura të miratuar nga Presidenti i Republikës”. Pra këtu kufizimi i kthimit të pronave zgjerohet e përfshin edhe ato prona që nuk i shërbenin mbrojtjes, por që struktura e FA i kishte brenda saj, për qëllime të tjera.
Ligji i KKP i vitit 2006 (Ligji 9583, date 17.07.2006), forcoi mekanizmat e tjerë filtrues për kthimin e pronës, duke vendosur një balancë më të mirë midis mbrotjes se interesave të shtetit pa cënuar të drejtat e pronësisë private të subjekteve të shpronësuara. Kështu u vendos që të mos trajtoheshin kërkesa bazuar vetëm në vendime gjyqësore për vërtetime të faktit juridik të pronësisë (Neni 17, pika 3 e ligjit), praktikë me të cilin në të shkuarën ishin bërë spekulime shumë të mëdha, u shtrënguan gjithashtu kriteret e kompensimit, iu njoh e drejta e avokaturës së shtetit dhe drejtorit të AKKP për të rishikuar vendimet dhe për të bërë ankim.
ii) SPAK pretendon se u bënë ndryshime ligjore me qëllim që të zgjaten afatet për parashtrimin e kërkesave të reja nga familja Begeja në insitucionet e KKP dhe AKKP.
Pretendimi është një falsitet i turpshëm. E vërteta është se kjo ishte praktikë e ndjekur në periudha dhe qeveri të ndryshme. Edhe qeveria Nano kishte zgjatur me dy vite afatin e kohës së paraqitjes së dokumentave të pronësisë nga pronarët. Qeveria Berisha e zgjati afatin disa herë, përfshire edhe pas kthimit të plotë të tokës së familjes Begeja tek klubi Partizani.
Por familja Begeja kishte paraqitur dosjen e saj për këtë pronë që në vitin 1994. Në bazë të saj ajo kishte përfituar njohjen e të gjithë pronës së saj në KP, e më pas një seri vendimesh për kthimin e saj, ndër vite. Vendimet e dhëna në vite të ndryshme 1996-2005, e më pas nga KKP dhe AKKP në vitet 2005-2007, bazoheshin mbi të njëjtën dosje dhe ishin plotësime të vendimeve të mëparshme. Ato nuk ishin vendime mbi pretendime të reja pronësore, ndaj zgjatja e afatit me ligj nuk kishte efekt mbi to.
Zgjatja e afatit ligjor u bë për t’u dhënë të drejtën mijëra familjeve pronare të plotësonin aktet që kërkoheshin për mbështetjen e kërkesave të tyre. E njëjta gjë u bë në vitin 2008, kur një tjetër amendim ligjor zgjati përsëri afatin, në një kohë kur familja Begeja i kishte marrë vendimet e kthimit të pronës dhe nuk kishte më asnjë interes për të.
Shtoj se, vendimi i janarit të 2006, i KVKKP që i ktheu familjes Begeja një pjesë toke mbi pronën e njohur në vitin 1996, u mor nga ky organ, i cili përbehej tërësisht nga anëtarë të zgjedhur nga mazhoranca e mëparshme socialiste.
(iii) Në lidhje me ndryshimet në ligjin për sportet, për saktësi citoj nenin 31 para dhe pas ndryshimit
Neni 31§2 para ndryshimit. “Objektet sportive jepen me koncesion apo privatizohen, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni, në përputhje me ligjin nr.7973, datë 26.7.1995 “Për koncesionet dhe pjesëmarjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë”.
Neni 31§2 pas ndryshimit: Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tillë, në të kundërt, jepen me koncesion, në përputhje me ligjin nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë”, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni.”.
Në paragrafin e dytë, ndryshimi u ka mundësuar pronarëve të truallit të qindra e qindra terreneve sportive të mos përjashtohen nga e drejta e privatizimit dhe të ushtrojnë të drejtën e parablerjes sipas të gjitha ligjeve të miratuara nga qeveritë socialiste e demokrate në lidhje me kthimin e kompensmin e pronave. Në thelb kjo nuk ishte një e drejtë e re e krijuar në legjislacionin shqiptar, por njehsim i qëndrimit të ligjit për sportet me legjislacionin e KKP, i cili gjithnjë ka njohur dhe rregulluar të drejtat e parablerjes së pronarëve.
(iv) Tërësisht të pavërteta janë akuzat e SPAK së VKM nr. 1638 datë 17.12.2008 ‘”Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes”, ndryshoi metodologjinë e pagesës 20% në lekë dhe 80% në bono privatizimi dhe letra me vlerë, me qëllim që familja Begeja të privatizonte klubin me bono privatizimi, pra më lirë.
Ne date 4.11.2008, pra vetëm një muaj para miratimit të kësaj VKM, familjet pronare të truallit të KP kishin paguar 700 mije usd në para, pra jo në bono, për privatizimin e klubit shumësportesh Partizani (KP që ishte ndarë në 2003 në dy pjesë, në Klubin e Futbollit (KFP) dhe në Klubin Shumësportesh (KSHP)). Kjo shumë përbënte gati 90% të vlerës së përgjithshme të privatizimit. Procedura e privatizimit të KFP përfundoi pas miratimit të VKM, por vlera e këtij klubi ishte vetëm 100 mijë dollarë. Nga siperfaqja e privatizuar, familja Begeja kishte më pak se 5%. Keëhtu që Jamarbër Malltezit si 1/64 në fisin Begeja do t’i takonte të paguante më pas se 100 dollare në letra me vlere.
Nëse do të kishte patur ndikim të paligjshëm, informacion të shkëmbyer në rrugë familjare midis Berishës dhe Jamarbër Malltezit, ky i fundit do të priste edhe një muaj tjetër dhe t’a paguante vlerën prej 700 mijë USD, ku familja Begeja kishte pjesën më të madhe, me bono sipas VKM. Por SKAP e anashkalon këtë fakt dhe për skup mediatik nxjerr si provë procesverbalin e mbledhjes së Qeverisë, i cili nuk provon asnjë shkelje ligjore. Përkundrazi, dëshmon reformat e qeverisë për të mundësuar gjallërimin e biznesit dhe shpërndarjen e bazës së mirëqenies.
Theksoj këtu se pagesa prej gati 800 mijë USD ishte vetëm për objektet e KP. Të rrënuara dhe të zaptuara nga banorë informal dhe subjekte tregtare, dhe jo për terrenet, sepse këto të fundit, përfshi tokën nën objekte, iu ishin kthyer pronarëve të ligjshëm ndër vite, bazuar në dokumentat e origjinës së pronës dhe atyre të shpronësimit nga komunistët.
v) Ndryshimi i destinacionit të zonës nga sportive në urbane nuk është bërë kurrë nga Sali Berisha, sepse ky nuk është tagër i KRRTRSH, por i Bashkisë Tiranë, ndërsa KRRTRSH bën njohjen e vendimit, njëlloj si një formë noterizimi.
Këtë kufizim të kompetencave të KRRTRSH ndaj vendimeve të KRRT-ve të bashkive e ka sanksionuar Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimin 29/06 (çështja e Zogut et Zi), date 21.12.2006, përcaktoi se KRRTRSH jo vetëm që nuk mund të ndërhynte në planet urbanistike të qyteteve dhe se këto ishin prerogativë e bashkive, por edhe se KRRTRSH nuk kishte tagër as të anullonte vendimet e PALIGJSHME të KRRT-ve bashkiake, pasi këtë tagër e kishte vetëm Gjykata. Edhe para këtij vendimi shterues, Gjykata Kushtetuese nuk kishte shpallur veprimet e kryera në bazë të aktit normative që i jepte të drejtë prefektit, emertesë e qeverisë, të ndërhynte në funksionimin e KRRT-ve.
Në vitin 2006 (vendimi Nr. 132, date 08.06.2006 i KRRT Bashkia Tiranë) Edi Rama miratoi ndryshimin e destinacionit të zonës, duke ndryshuar plani urbanistik për këtë qëllim. Ky vendim iu dergua KRRTRSH sëbashku me vendimet e 4-5 zonave të tjera të Tiranës dhe prekte jo një person apo një familje, dhe jo vetëm qindra pronarët e zonës së klubit shumë-sportesh, por qindra familje të tjera në 4-5 zona të Tiranës. Ky vendim u miratua në nëntor të vitit 2009 në bllok nga KRRTRSH pasi Gjykata Kushtetuese me një vendim të dates 10 nëntor 2006 kishte shfuqizuar ligjin që i lejonte qeverisë të ndërhynte në funksionimin e KRRT-ve të Bashkive.
Më pas Edi Rama filloi hartimin e planit të ri urbanistik të Tiranës, me Urbaplan, kompani zviceriane, në të cilën e gjithë zona parashikohej si zonë urbane.
Në vitin 2012 (Me vendimin e Këshillit Bashkiak Nr. 57, datë 24.12.2012) u miratua Plani i Pergjithshëm Vendor i Bashkisë Tiranë. Ky plan i ri urbanistik i Bashkisë Tiranë e përcaktonte të gjithë zonën si zonë urbane. KRRTRSH në këtë rast nuk miratoi ndryshimin e destinacionit të një zone, pra zonës së Klubit Partizani, por planin urbanistik të të gjithë qytetit të Tiranës, i cili përsëri ishte prerogative ekskluzive të pushtetit vendor dhe të cilin KRRTRSH nuk kishte asnjë të drejtë ligjore që t’a ndryshonte, apo anullonte. Përkundrazi kishte detyrim kushtetues, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që t’a miratonte atë.
2. Shkrimi shkruan se Berisha ka ushtruar presion ndaj zyrtarëve të ndryshëm për realizimin e kthimit të pronave.
Berisha ka ushtruar veprimtari të ligjshme si KM i vendit, në përputhje me kushtetutën, ligjet e vendit dhe strategjinë e qeverisjes së PD. Vendimi i GJKKO është dëshmia më e mirë e të kundertës së këtyre pretendimeve. Nuk ka asnjë dëshmitar që të thotë se Berisha i ka kërkuar dikujt, e ca më pak ushtruar presion, për të marrë një vendim të paligjshëm, apo qoftë edhe një vendim të ligjshëm në favor të familjarëve të tij. Nuk ka asnjë dëshmi që Malltezi ka takuar ndonjë zyrtar për këtë çështje.
Në të gjithë dosjen e SPAK/GJKKO nuk ka asnjë paragraf që të provojë se Berisha apo Malltezi kanë shkelur ligjin, apo se dikush tjetër nga zyrtarët e shtetit ka shkelur ligjin për të favorizuar Malltezin.
Edhe dëshmitari i rremë Qirjazi nuk është shprehur kurrë kundër privatizimit të klubeve sepse e ka të qartë që ajo ishte kërkesë ligjore taksative. Por si një zyrtar që, për interesa jo ligjore, refuzonte te ushtronte detyrën e tij ligjore dhe të fuste në inventar pronën e shtetit që shfrytëzohej nga një person tjetër privat pa asnjë tagër ligjor, pa e kundërshtuar privatizimin, Qirjazi refuzonte marrjen e objektit në dorëzim. Pra ai pengonte hallkën që mundësonte zbatimin e kontratës midis shtetit dhe ish-pronarëve, të cilët prej shumë muajsh kishin kryer edhe pagesën e cmimit të privatizimit, por për 8 muaj nuk merrnin dot sendin e paguar sepse një bandë e mbante të pushtuar për fitime dhe paguante zyrtarë që të vazhdonin të pasuroheshin me të. Vetë Qirjazi deklaron se kur dërgoi grupin e punës bandat nuk e lejuan të futej brenda dhe i kthyen mbrapsht. E vërteta është se trafikanti Paro Laçi, i dënuar 12 vite burg në Itali e që bënte ligjin në territorin e Klubit Partizani kishte vënë nën zap pronat e shtetit. Qirjazi në rast se donte të zbatonte urdhërin dhe ligjin kishte policinë ushtarake e cila nuk mund të pengohej nga banda e as rryshfetet e Paro Laçit.
I vetmi njeri që ka shkelje ligji në këtë dosje, të certifikuar me vendime gjykatash të formës së prerë, është Edi Rama. Pasi miratoi vendimin për ndryshimin e destinacionit të zonës, dhe atë të sheshit të ndërtimit, si dhe dhënien e lejes së ndërtimit, të gjitha këto të miratuara në organ kolegjial (KRrT), Rama refuzoi të zbardhte lejen e ndërtimit, vetëm sepse mori vesh që një nga investitorët do të ishte Jamarbër Malltezi. Gjykatat konstatuan se kjo përbënte shpërdorim detyre dhe dënuan Bashkinë Tiranë që të paguante dëmshpërblim mbi 300 mijë euro për firmë ndërtuese, por Edi Rama refuzoi të zbardhte lejen për vite me rradhë.
Sigurisht që SPAK nuk e përmend këtë fakt, dhe Birn në këtë rast e ka të ndaluar investigimin sikundër SPAK nuk e konsideron shkelje lejimin e uzurpimit të pronave shtetërore tek KP.
Për më tepër, edhe pasi pronarët paguan 800 mijë euro për privatizimin e objekteve të rrënuara të KP, këto të fundit u dorëzuan të uzurpuara nga banorë informale, duke cënuar kështu të drejtën e pronarëve të truallit të gëzonin pronën e tyre. Legjislacioni u garantonte pronarëve të gjithë mjetet ligjore për t’i nxjerrë këta banorë jashtë me forcën e ligjit. Por as Jamarbër Malltezi, e as kush tjetër nga ortakët bashkë-investitorë apo pronarët e truallit, nuk e bënë këtë. Ata zbatuan standartet e Bankës Botërore, që asnjë banor i zonës që do të zhvillohet të mos jetojë në fund të projektit më keq sesa në fillim të tij, pavarësisht nësë janë pronarë apo banorë informalë. Të 42 familjet informale u strehuan, duke përfituar mbi 2500 m2 ndërtime dhe mbi 528,000 euro pagesa. Këto ishin shpenzime përtej 800,000 USD për privatizimin e objekteve të uzurpuara, si edhe shpenzimeve dhe fitimin e munguar të mbi 7 viteve gjyq për ish-pishinën. Përmend këtu se ishin gjykatat ato që rikonfirmuan me vendim të formës së prere se pishina, objekt në pronësi shtetërore dhe pjesë e klubit shumësportësh Partizani, jo vetëm kishte qenë jashtë funksioni, por ishte tjetërsuar në mënyrë të paligjshme tek të tretët.
3. Aludimi se kthimi i pronës dhe privatizimi u kryen me shpejtësi si pasojë e ndikimit politik është një mashtrim tjetër i dacibaos së Skapit të cilin Birn, Reporter-al e kanë të ndaluar ta hetojnë. Ndaj me këtë rast sqaroj:
(i) i pavërtetë është edhe aludimi se komisionet dhe agjensia e kthimit të pronave kanë vepruar me shpejtësi për kthimin e pronës. Aplikimi për kthimin e kësaj prone është bërë diku rreth vitit 1994 nga përfaqsuesit e atëhershëm të fisit Begeja. Duke filluar me vendimin e parë për njohje dhe kthim prone në 1996 (Vendimi nr.552 i KKP) dhe më pas ndër vite janë marrë me dhjetra vendime për kthimin e pronës bazuar mbi te njëjtin vendim njohjeje. Edhe vendimi i janarit të 2006, i KVKKP që i ktheu familjes Begeja një pjesë toke mbi pronën e njohur në vitin 1996, u mor në një kohë kur ky organ përbëhej nga anëtarë të zgjedhur nga mazhoranca e mëparshme socialiste. Vendimet e marra nga AKKP për kthimin e një siperfaqeje toke familjes Begeja është njëri nga qindra vendimet që AKKP ka marrë po atë vit për kthimin e pronës mijëra e mijëra pronarëve.
Edhe në dosjen e SPAK/GJKKO del qartë se procesi i kthimit të pronës në fjalë ka zgjatur 15 vjet. Po prokurorët shërbëtorë të Edi Ramës në SPAK, ndonëse citojnë vendimet e njohjes dhe kthimit të pronës, sigurisht që këtë nuk e thonë.
Jamarbër Malltezi është pronar i fisit Begeja në Tiranë dhe fisit Bekteshi në Shkodër. Asnjëherë dhe në asnjë moment nuk është përdorur pushteti i Berishës president dhe kryeministër për të marrë pronat apo privatizuar objektet. Nga pronat e fisit Begeja në Tiranë, që shtriheshin në një sipërfaqe prej gati 1 milion m2, kjo familje ka marrë më pak se 8% të tyre. Për të ilustruar mashtrimet e akuzave përmend se toka e Astirit, ku u nxorrën në rrugë banorët, ishte pronë e familjes Begeja në një pjesë të madhe të saj, por ajo nuk arriti t’a merrte këtë pronë edhe pse Sali Berisha ishte President apo Kryeministër. Trotuari trekëndësh midis sahatit dhe Pallatit të Kulturës është gjithashtu pjesërisht në pronësi të familjes Begeja, por ju nuk këni parë ndonjë kullë që të ngrihej në këtë tokë përballë sahatit. Pronat e familjes Begeja dhe 4 familjeve të tjera në zonen e KP zënë një sipërfaqe jo prej 30 mijë, por prej 67 mijë m2 dhe pjesë e madhe e saj është ende e pakthyer. Po kështu në Shkodër, familja Bekteshi, e gjyshit tim, ka marrë më pak se 4% të pronave të saj.
(ii) Po njësoj është mashtrim fakti që procesi i privatizimit filloi në 2006 dhe natyrisht rrjetit të mediave investigative Birn dhe Reporter.al nuk i lejohet te investigonte sepse del jashtë detyrës së ngarkuar. Dokumentat zyrtare faktojnë se familjet pronare e kanë kërkuar edhe gjatë qeverisjes Nano privatizimin e klubit sipas ligjit. Po kështu procesi i privatizimit filloi nga qeveria Nano.
Me shkresen nr. 4533 prot. Datë 21.07.2005, Ministri Angjeli i dërgon kërkesë zyrtare për fillimin e procedurave të privatizimin të pasurisë së palujteshme të Klubit Partizani, Ministrit të Mbrojtjes Pandeli Majko dhe Ministrit të Sporteve Blendi Klosi. Një ditë më pas, me shkresën nr. 2732 datë 22 Korrik 2005, Ministri i Sporteve Blendi Klosi shprehet dakord për privatizimin e Klubit Partizani. (Komunikimi ka vijuar me shkresat nr. 4533/2 prot., datë 21.7.2005 nga Ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli. Shkresa nr.2732/1 prot. Datë 22.7.2005 nga Ministri i Kluturës Rinisë dhe Sporteve Blend Klosi).
Këto shkresa SPAK i disponon edhe sepse i janë dërguar bashkangjitur kërkesës për fillimin e procedimit penal për kallëzim të rremë ndaj Taulant Ballës, që unë dërgova para dy muajsh në SPAK.
Ndërkohë objektet e Klubit, të cilat ligjërisht duhet të privatizoheshin, ishin të zëna forcërisht nga persona informalë, të cilët dyshohej se paguanin qera të paligjshme tek titullarë shtetërorë, të ngarkuar me ruajtjen e objekteve.
Përveç komunikimeve te Ministrisë së Mbrojtjes që prej vitit 2000 që provojnë këtë fakt, ka të paktën tre Inventare të Pronave të Paluajtshme të Shtetit në Bashkinë Tiranë (njëra prej të cilave e firmosur nga Edi Rama si Kryetar Bashkie), të cilat në lidhje me objektet e Klubit Partizani dhe Shumësportëshit shënojnë se të gjithë objektet e këtyre klubeve, me përjashtim të kabinës elektrike dhe një magazine 80m2, ishin “zënë forcërisht”.
Të gjitha këto shkresa janë në dispozicion të SPAK, por prokuroria politike i fsheh ato me qëllimin e vetëm për të hedhur baltë dhe shpifur mbi kinse korrupsionin pasiv të Prof. Jamarbër Malltezit. i ftoj mediat e interesuara t’i kërkojnë dhe t’i verifikojnë.
4.Eshtë mashtrim i ulët dhe skandaloz gjithashtu pretendimi i prokurorëve shërbëtorë të Edi Ramës së Jamarbër Malltezi ka fituar miliona pa investuar në shoqëri. Birn, Reporter-al, nuk lejohen të investigojnë!
(i) Theksoj se me anë të një kontrate të lidhur para noterit, në fillim të projektit, të gjithë bashkëpronarëve të truallit iu dha mundësi investimi deri në 25% të investimit në pjesën e tyre takuese të pronës. (Kontratë sipërmarrjeje midis shoqërisë ndërtuese dhe pronarëve të truallit, datë 22.10.2007, nr.8346 Rep, nr. 1265 Kol). Shumica e pronarëve nuk e pranuan ofertën, duke besuar që presioni politik do t’a pengonte zhvillimin e projektit, si dhe për faktin që zona kishte plot ndërtime pa leje dhe nuk konsiderohej elitare. Si përfundim, FB, ndërtues dhe trashegimtar i familjes Vaqarri, Jamarbër Malltezi dhe XHB ishin të vetmit që konkluduan marrëveshje bashkëinvestimi në vitin 2008, me anë të kontratës noteriale nr.rep/kol nr. 3000/1783, të datës 02.10.2008, në kuotat respektive 40-35-25%.
(ii) Pse këto raporte dhe cfarë investuan këta persona? Sa ishte kontributi i z.Malltezi në këtë projekt investimi dhe si qëndronte ai në raport me investimin e ortakëve të tjerë, si dhe raportet përkatëse të kuotave? SKAP qëllimisht i injoron, Birn, Reporter-al thjesht nuk ju intereson të hetojnë se dalin jashtë qëllimit të tyre.
Krejt ndryshe nga sa konkludon duke mashtruar SPAK/GJKKO, vetë dosja e tyre dëshmon se ortakëria e bashkëinvestimit midis z.Malltezi, FB dhe XHB ka qenë reale që në vitin 2008, e bazuar në kontribute në para, shërbime dhe tokë të vënë në dispozicion për zhvillim.
Fatmir Bektashi ishte personi që kishte firmën e ndërtimit. Ai përfitonte nga ky projekt edhe si ndërtues edhe si investitor. Ai kishte akses më të madh në kapital dhe në fazat e para të hapjes së gropës financoi investimin me dy hua që në total shkojnë afërsisht 500 mijë euro, të reflektuara në dosje (f.129-130 e vendimit të GJKKO). Ishte pronar (sipas vendimit të GJKKO) i 140 m2 tokë si trashgimtar dhe mori numrin më të madh të kuotave, 40%.
Jamarbër Malltezi investoi me 45,128.94 euro (f. 130 vendimi i GJKKO) në rrugë bankare dhe ofroi në shoqëri pjesën e tij të tokës. Eshtë mashtrim i hapur pohimi se Jamarbër Malltezi kishte 113 m2 tokë në projektin e investimit. Malltezi është trashegimtar i rreth 400m2 tokë nga pronësia e familjes Begeja (26,671m2:64). Ndërkohë ai bleu nga bashkëpronarët e tjerë, pas privatizimit, edhe 1100m2 të tjerë vetëm në fazën e parë të ndërtimit të Homeplan dhe po aq më vonë, në fazat e mëvonshme të ndërtimit të Magnet. Në çdo fazë ndertimi ai u bë pronari me sipërfaqen më të madhe të tokës, të blerë nga bashkëpronarë të tjerë, që në total shkoi mbi 2500m2 tokë. Për keto kontribute ai mori 35% të kuotave.
XHB po kështu kishte tokë (rreth 600 m2) dhe mund të ketë pasur investime më të vogla financiare dhe mori 25% të kuotave.
Këto janë investime reale, të njohura dhe cituara nga SPAK/GJKKO, por më paturpësi këto të fundit thonë se nuk rezulton se Malltezi ka investuar në shoqëri dhe Birn, Reporter-al e përsërisin mashtrimin e tyre.
Secili prej tre investitoreve, kontribuoi me punë, për të sjellë bashkë 300 familje trashëgimtare të 5 familjeve të origjinës si dhe për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që lidheshin me zhvillimin e aktivitetit.
(iii) Financimi i projektit
Sqaroj se asnjë aktivitet ndertimi, apo edhe biznese të tjera, nuk financohen me dhurime nga ortakët, por nëpërmjet huave dhe mekanizmave të tjerë financiarë. Mbulimi financiar i ndërtimit të objekteve, nga investitorët sipas fazave të lejeve përkatëse të ndërtimit është bërë nëpërmjet një sërë mekanizmash financiarë ligjorë, të bërë transparentë sipas legjislacionit në fuqi. Këto mekanizma kanë përfshirë.
– Huatë e sipërpërmendura nga FB për punimet në grope, hua nga Jamarbër Malltezi (viti 2012), sipas vlerave që përmenda më sipër. Këto hua janë shlyer nga shoqëria kur ajo ka filluar të gjenerojë të ardhura.
– Vetëfinancimi nga shitja që në fillim e apartamenteve që në gropë dhe aplikimi i çmimeve të ulta, sipas ujdisë së tre ortakëve, ishte burimi kryesor i financimit të projektit të zhvillimit. Kjo praktikë është e njohur dhe gjerësisht e përdorur në industrinë e ndërtimit në Shqipëri. Në kushte normale ajo do të kishte qenë plotësisht e mjaftueshme për mbulimin e kostove të ndërtimit, pa pasur nevojë për huamarrje, por mos-zbardhja e lejes nga Edi Rama krijoi vështirësi. Zhvilluesit u detyruan të përdorin uljen e çmimit (ne 675 euro/m2 nga afro 800-900 euro/m2 që ishte asokohe në atë zonë) për rastet kur blerësit paguanin 90% të vlerës së apartamentit që në momentin e nënshkrimit të kontratës së sipërmarrjes. Politika e cmimit të reduktuar që u zbatua siguroi fonde nga arkëtimi i klientëve përkatësisht si në vijim:
Në vitin 2010 Leke 405’540’311 = Euro 2,921,549.68
Në vitin 2011 Leke 819’939’000 = Euro 5,928,782.76
Në vitin 2012 Leke 711’622’627 = Euro 5,093,369.22
– Pagesat nga Bashkia Tiranë për dëmshpërblim dëmi ndaj shoqërisë ndërtuese për bllokimin e paligjshëm të zhvillimit të pronës, sipas vendimeve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit Tiranë në masën 34 743 803 lekë dhe 26,601.30 euro.
– Kredi bankare marrë nga Homeplan, në shumën prej 1.3 Milion euro, në datë 11.10.2013. Shlyer sipas kesteve te miratuara ne kontrate dhe perfunduar ne Janar 2015.
– Kredi bankare marrë nga subjekti ndërtues per vlere 300.000 Euro e likuiduar ne 2014.
(iv) Pra aktiviteti i biznesit është financuar nga hua të marra nga HP tek ortakët, në banka, si dhe nga aplikimi i cmimeve shumë të ulta për shitjet në gropë. Të gjitha sa më lart janë në dosjet e prokurorisë, pasi ata kanë sekuestruar cdo dokument në zyrën e financës dhe atë të noterisë që ka lidhje me këtë ceshtje.
Të gjithë të dhënat e komunikimeve, si dhe provat e sjella në dosjen e SPAK tregojnë se marrëdhënia midis tre bashkëinvestitorëve ka qenë reale, e vazhdueshme, e formatuar juridikisht sipas ligjit dhe gjithmonë transparente në formatin që ligji e përcaktonte të detyrueshëm.
Kontributet e Jamarbër Malltezit në investimin në KP janë të njëjta me ato të ortakëve të tjerë të shoqërisë dhe me raportin e dakordësuar të kuotave të investimit. Në rast se BIRN, Reporter-al do të INVESTIGONIN nuk do bësheshin tellall i mashtrimeve të SKAP/ GJKKO.
Të ardhurat e krijuara nga Jamarbër Malltezi në këtë projekt zhvillimor janë të ardhura të ligjshme të krijuara nga dividende dhe pagesa konsulence, gjithnjë të deklaruara në mënyrë të ligjshme dhe për të cilat janë bërë të gjithë pagesat në tatime.
Shifrat e mësipërme reflektohen edhe në dosjen e SPAK/GJKKO. Ato dëshmojnë për aktivitet real midis ortakëve. Por në fund, përballë shifrave të cituara edhe prej tyre vetë, për të kenaqur orekset politike, militantët e partisë në drejtësinë me telekomandë thonë se, Jamarbër Malltezi nuk ka pasur lidhje me investimin por i ka marrë paratë në fund për shkak të ndikimit në privatizim.
5. Prokura për Jamarbër Malltezin që parashikonte se pronarët pranonin që të vinin 3-5% të pronës së tyre për të mbuluar shpenzime.
Së pari theksoj se Jamarbër Malltezi ka patur një kontratë të tillë vetëm me fisin e tij Begeja dhe jo me familjet e tjera pronare. Këto të fundit kishin autorizuar persona të tjerë brenda familjes se tyre. Prokura të tilla janë mjet i zakonshëm pune, që synojnë të garantojnë personin e autorizuar, që shpenzimet që do të kryhen në emër dhe në të mirë të të gjithë familjes, do të shpërndahen ndershmërisht midis të gjithë anëtarëve të fisit përfitues. Procesi i kthimit të pronës, ai i privatizimit, i lidhjes së kontratave me sipërmarrësin e më tej, ka shpenzime reale, plotësisht të ligjshme, që lidhen me plotësimin e dokumentacionit ligjor për këto procese. Të tilla janë shpenzimet noteriale, rilevimet topografike, shpenzime gjyqësore, shpenzime administrative, zgjidhjen e konflikteve me banorët informale, e të tjera.
Procesi i kthimit të pronës të familjes Begeja ka pasur shpenzime në të gjithë zërat e mësipërme pa përjashtim. Trashgimtarët e marrë në pyetje nga prokuroria kanë dëshmuar për ilustrim se ky fond ndër të tjera do të përdorej për strehimin e familjeve informale që banonin në godinat e klubit dhe kanë pohuar se ky fond nuk është përdorur. Kjo pasi, firma ndërtuese, mori përsipër të paguante të gjithë shpenzimet për të gjitha familjet dhe klauzola e parashikuar në prokurën e sipër-përmendur nuk u vu në zbatim as për familjen Begeja.
Vetë prokurorët pasi me këqësi përdorin prokurën e mësipërme shprehen se nuk është evidentuar ndonjë dokument ku të jetë materializuar zbatimi i këtij fondi rezervë. Kjo sepse ai fond nuk u krijua ndonjëherë dhe Jamarbër Malltezi nuk ka patur asnjë perfitim nga prokura e firmosur nga anëtarët pronarë të fisit Begeja.
6. Rregullimi ligjor i marrëdhënies midis investitoreve.
(i) Rregullimi kontraktor sipas Kodit Civil dhe ortakëria sipas legjislacionit për subjekte tregtare
FB, Jamarbër Malltezi dhe XHB e formalizuan ligjërisht marrëdhënien e tyre bashkë-investuese që në fillim të projektit zhvillimor, në vitin 2008, me anë të një marrëveshjeje. Akt – marrëveshja e bashkëinvestimit u lidh para noterit publik, në datë 02.10.2008, rep/kol nr. 3000/1783. Një shtojcë e kësaj marrëveshjeje (shtojca 1), e miratuar në datë 15.10.2008, u lidh gjithashtu para noterit, nr. 3193 Rep, nr. 1891/2 Kol. Cdo ndryshim i kësaj marrëveshjeje në vitet 2008-2014 gjithashtu është bërë në formë noteriale.
Po në vitin 2008 (19.5.2008) FB krijon Homeplan (HP), në mënyrë që aktiviteti zhvillues i investitorëve të pajisej me NIPT. HP ka mbajtur rregullisht bilanc që reflektonte shpenzimet, të ardhurat dhe detyrimet ndaj të tretëve. Bilancet janë depozituar në QKB çdo vit dhe janë paguar detyrimet tatimore sipas ligjit.
Qe në kohërat e të drejtës romake, kontrata është instrumenti juridik bazë i marrëdhënieve juridike tregtare. Ajo përdoret për të rregulluar marrëveshjet e biznesit sipas Kodit Civil, dhe kjo mënyrë ka qenë plotësisht e ligjshme, në kohën që është bërë, dhe e tillë është edhe sot. Akt-marrëveshja e vitit 2008 midis ortakëve ka pasur për objekt zhvillimin e një projekti privat, pa asnjë lidhje me para apo tokë publike, ndërkohë që në sektorin publik mijëra bashkime të ngjashme operatorësh ekonomike, bazohen në akt-marrëveshje bashkëpunimi të ngjashme midis tyre për të garuar në tenderat e kontratave publike, dhe një gjë e tillë është plotësisht në përputhje me ligjin.
E drejta kontraktore ka në themel të saj mbrojten e të tretëve. Ndaj, palët e angazhuar në një kontratë investimi, përgjigjen ndaj njeri – tjetrit dhe të tretëve për detyrimet që rrjedhin nga kontrata – në këtë rast realizimi i investimit – në mënyrë të pakufizuar. Për kontrast, e drejta e shoqërive tregtare, ndonëse ofron mekanizmat e saj për mbrojtjen e palëve të treta, ka në fokus primar lehtësimin e biznesit. Krijimi i një shoqërie tregtare nga investitorët ofron lehtësi dhe garanci për këta të fundit, pasi shoqëria tregtare u mundëson investitorëve përgjegjësi të kufizuar personale për detyrimet ndaj të tretëve, si dhe mekanizma kontrolli mbi aktivitetin, të cilat rregjimi kontraktor nuk i ofron. Aktiviteti zhvillimor në vitet e para ishte i atillë qe mund te rregullohej lehtesisht me ane te rregjimit kontraktor.
Gjatë viteve 2008-2011, HP dhe aktiviteti zhvillues u përball me presion politik të jashtëzakonshëm nga Edi Rama, i cili në shkelje të ligjit, të certifikuar nga gjykata, nuk zbardhi lejen e miratuar nga KRT për këtë projekt edhe pse humbi çdo gjyq deri në Gjykatën e Lartë, si dhe mori një sërë vendimesh nëpërmjet inspektoriatit të ndertimit, që pamundësuan ushtrimin normal të aktivitetit nga HP.
Sipas legjislacionit shqiptar, vendimi i Gjykatës së Apelit është i zbatueshëm, pavarësisht ankesës në Gjykatën e Lartë, ndaj firma ndërtuese, në përputhje me ligjin, filloi me ndërtimin, sipas lejes së ndërtimit dhe vendimit të Gjykatës së Apelit. Në mënyrë abuzive, Edi Rama lëshoi një seri aktesh të kundraligjshme për pengimin e ndërtimit sipas lejes së lëshuar prej tij, ku përfshihen denim me gjobë ndaj subjektit ndërtues, vendim për pezullimin e punimeve dhe vendim për prishjen e punimeve të kryera, si meposhte:
- Vendimi Nr. 428, datë 29.10.2010 të Bashkisë Tiranë, INU – gjobë 500.000 lekë për hapje grope “për ndërtimin e objektit paleje ndërtimi”.
- Vendimi Nr. 127, datë 29.10.2010 të Bashkisë Tiranë, INU – pezullim i punimeve të ndërtimit.
- Vendimi Nr. 5026, datë 28.02.2011 i këtij intitucioni për “prishjen e objektit pa leje ndërtimi”.
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit të formës së prerë, refuzimit të Edi Ramës për të zbatuar vendimin e Gjykatës dhe sulmeve vijuese të kundraligjshme të Bashkisë që e konsideronte “ndërtim pa leje”, u detyruam të padisim në gjykatë Bashkinë Tiranë për dëmin e shkaktuar nga mos-zbardhja e lejes së ndërtimit dhe pengimi i punimeve. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin Nr. 2653, dt.06.04.2011 vendosi pranimin e pjesshëm të padisë. Gjykata u shpreh se kemi të bëjmë me “Mosveprim të Kundraligjshëm” që ka rezultuar në dëm nga ana e Bashkisë Tiranë dhe detyroi të paditurin Bashkia Tiranë që të dëmshpërblejë paditësin për dëmin jashtëkontraktor në vlerën 34,743,803 Lekë. Vlen të përmendet, se ndonëse ushtrimi i ankesave gjyqësore është veprim i departamentit ligjor të bashkisë, për të shprehur investimin e tij personal në këtë çështje, Edi Rama ka firmosur personalisht apelimin e vendimit të shkallës së parë (Kërkesë Ankimore nr. Prot. 2952 date 19.04.2011 firmosur nga Edi Rama). Me vendimin nr. 3698, date 13.12.2011 Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës.
Akt-marrëveshja e investimit u pezullua po në mënyrë të regjistruar pranë noterit publik, në datë 19.12.2008, rep/kol nr.3660/2146, gjatë periudhës së pezullimit të investimit dhe mos-kryerjes së punimeve, për shkak të bllokimit të projektit për motive politike dhe veprimeve të kundraligjshme të Edi Ramës ndaj nesh, për të cilat ne ju drejtuam gjykatës. Marrëveshja u riaktivizua përsëri me akt notarial, më datë 17.01.2012, nr. 64 Rep, nr 30/1 Kol, pas marrjes së vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit që detyronte Edi Ramën të zbardhte lejen.
Pas vendimeve të gjykatave, përfshi Gjykatës së Lartë 00-2013-1943, datë 27.09.2013, që detyronin Edi Ramën të zbradhte lejen, si dhe për shkak të rritjes së volumit dhe të ardhurave të shoqërisë Homeplan si pasojë e uljes se cmimeve, u rrit volumi tregtar dhe kompleksiteti i punës së projektit investues. Forma kontraktuale që kishte qenë plotësisht e vlefshme dhe e mjaftueshme për fillimin e aktivitetit dhe vënien në zbatim të detyrimeve të paleve, nuk qe më e mjaftueshme, pasi nuk ofronte mekanizma për kontrollin e aktivitetit nga të gjithë palët bashkëinvestitore. Tashmë të tre bashkë-investitoret vendosën të shfrytëzonin mjetet ligjore që vinte në dispozicion ligji për shoqeritë tregtare – rolin dhe mekanizmat e përgjegjësisë së administratorit, të drejtat e vecanta për ortakët e pakicës, si dhe mjetet e posacme procedural. Kjo situate kërkonte mekanizma më të plota administrimi se ato që ofroheshin nga një kontratë. Bashkë – investitorët Malltezi e Begeja vendosën të futen si ortakë në shoqërinë bashkë – investitore Homeplan, në raportet e përcaktuara në akt – marrëveshjen e bashkë investimit datë 02.10.2008, rep/kol nr. 3000/1783 dhe shtojcës përkatëse.
Në datë 23.01.2014, ortaku i vetëm i shoqërisë Homeplan F.B i shet 35% të kuotave bashkë – investitorit Jamarbër Malltezi dhe 25% të kuotave bashkë – investitorit tjetër Xh.B. Kjo kontratë shitje citon si referencë kushtet e akt – marrveshjes se bashkë investimit datë 02.10.2008, rep/kol nr. 3000/1783 dhe shtojcës përkatëse. Kontrata e shitjes së kuotave u bë me shkrim, sipas kërkesave të ligjit për tregtaret dhe shoqeritë tregtare, që kërkon një formë të shkruar, por jo të noterizuar të aktit, si dhe ligjit të kohës “Për Rregjistrimin e Biznesit”. Ortakët vendosën të mos e depozitojnë në regjistrin tregtar blerjen e kuotave, për të evituar sulmet politike të Ramës. Ky vendim ishte plotësisht në përputhje me mekanizmat e ligjit për regjistrimin e biznesit, i cili regjstrimin e akteve në QKB nuk e konsideron kusht për vlefshmërinë e tyre, por për provueshmerinë. Ligji i kohës, për mos-regjistrimin në kohë të akteve të tilla, parashikonte vetëm një gjobë administrative (në atë kohë rreth 150 USD), gjë që shoqëria HP e pagoi në 2018 kur depozitoi pranë QKB kontratën e shitjes së kuotave. QKB, organi kompetent për vlerësimin e përputhshmërisë së këtij rregjistrimi me ligjin, në 2018, bëri rregjistrimin e kontrates së blerjes së kuotave në 2014 pikërisht sepse ligji e mundësosnte këtë gjë dhe praktika ishte plotësisht e ligjshme.
Regjistrimi në vitin 2018 të kontrates se vitit 2014, të shitjes së kuotave, nuk solli asnjë shkelje në rrafshin tatimor, ndaj palëve të treta private apo publike, pasi shoqëria Homeplan, si dhe bashkëinvestitorët deklaruan pjesëmarrjen e tyre në akt -marrveshje, pagesat e marra, si dhe paguan çdo detyrim tatimor, për çdo pagesë, sipas legjislacionit në fuqi.
Ligjshmëria dhe transparenca e tërheqjeve të dividendit gjatë viteve 2014 – 2018 ka ndjekur plotësisht kërkesat taksative të ligjit.
Që prej momentit të themelimit të Homeplan, e deri në vitin 2018, vendimet e asamblesë vijuan të miratohen nga ortaku i vetëm i regjistruar, duke referuar akt – marrëveshjen e vitit 2008, sipas rrethanave faktike. Shoqëria ka përmbushur rregullisht të gjithë detyrimet fiskale sipas legjislacionit në fuqi.
Ve në dukje këtu se është një mashtrim pohimi se HP dorëzoi për herë të parë bilanc në 2016 (f.135 i vendimit të GJKKO). Mjafton klikimi në ekstraktin e shoqërisë në QKB për të kuptuar se HP ka depozituar gjithnjë bilanc sipas ligjit dhe se në 2016 është bërë vetëm përditësimi i sistemit nga ana e QKB.
Në vitin 2016 (per vitin fiskal 2015), Homeplan vendos të ndajë për herë të parë dividend, në vlerën prej 47% të fitimit të shoqërisë, në favor të ortakut të rregjistruar F.B. Vendimi për miratimin e llogarive vjetore dhe ndarjen e pjesës përkatëse të dividendit u miratua nga ortaku i vetëm i rregjistruar F.B, gjë për të cilën, dy bashkë – investitorët e tjerë ishin dakort. Ndarja e dividendit në masën dhe mënyrën e caktuar me marrëveshje të ortakëve është në përputhje me natyrën private të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar, si dhe frymën e neneve 68 dhe 76, të ligjit 9901, të ndryshuar. Këto dispozita mundësojnë ndarjen e dividendit në nje raport të pavarur nga kontributet, mosndarjen e divdendit, apo tërheqjen e tij në një vit të caktuar plotësisht nga njeri prej ortakëve, nëse kjo nuk kundërshtohet nga ortaket e tjerë, me mjetet e vena në dispozicion po nga ky ligj.
Në vitin pasardhës, 2017, (viti fiskal 2016), bashkë – investitorët Jamarbër Malltezi e Xh.B tërheqin për here të parë pjesën takuese të dividentit. Vendimi i asamblesë, i firmosur nga ortaku i vetëm i rregjistruar, referon ndarjen e dividendit sipas akt -marrveshjes së bashkëinvestimit Rep 3000, Kol. 1783, date 02.10.2008, pra në pjesët dhe raportet e përcaktuar prej kësaj të fundit. Ky vendim, sëbashku me referencën e akt-marrëveshjes, u publikua, nëpërmjet depozitimit të menjëhershëm në Rregjistrin Tregtar. Investitorët përfitues kanë paguar tatimin mbi dividentin sipas legjislacionit në fuqi.
Një kopje e Akt- Marrëveshjes së investimit të vitit 2008 u depozitua në përputhje me ligjin pranë bankës që bëri transfertën e pjesës takuese të dividendit tek bashkë – investitorët, e cila kontrollon dhe deklaron qarkullimin e shumave të tilla pranë organeve të kontrollit të pastrimit të parave.
E njëjta gjë është përsëritur edhe vitin pasardhës 2018 (per vitin fiskal 2017). Jamarbër Malltezi ka depozituar Deklaratën e të Ardhurave Vetjake (DIVA) rregullisht në tatime, ku ka deklaruar edhe pagesat përkatëse të tatimeve në lidhje me dividentin nga projekti i zhvillimit të pronës.
Homeplan dhe bashkë – investitorët kanë paguar tatimet sipas ligjit, për çdo shumë të përfituar nga shoqëria.
Në bazë të nenit 54 dhe 55 të ligjit “Për rregjistrimin e biznesit”, QKB pranon aplikimin për rregjistrimet e paraqitura nga subjektet tregtare kur ato janë në përputhje me ligjin në fjalë. Kontrata e shitjes së kuotave të Homeplan, e lidhur në vitin 2014 u pranua dhe rregjistrua nga QKB në vitin 2018, në përputhje me ligjin. Të gjitha këto janë lehtësisht të hetueshme dhe të verifikushme, por Birn/Reporter-al në vend të qemtimit të të vërtetës kanë preferuar të zbatojnë porosinë për pasqyrimin me besnikëri të mashtrimeve të SKAP/GjKKO.
ii). Shitja e kuotave me vlera nominale
E vërtata ështeë se unë, siç provohet nga dokumentet zyrtare, të administruara në dosje, kam qenë kontributor, me pasuri të luajtshme, të paluajtshme e shërbime, në krijimin e të ardhurave të shoqerise HP deri në vitin 2014 kur u kalua nga regjimi kontraktor në atë të shoqërive tregtare me anë të blerjes së kuotave të HP. Ndaj në 2014 unë nuk kisha pse të riblija kontributin e tim ndër vite, por vetëm simbolin e njohjes së ketij kontributi, që ishte kuota respektive prej 35%, e paguar me vlerën nominale.
Per t’a shpjeguar me një analogji: nëse dikush dëshiron të blejë një shtëpi dhe e blen këtë shtëpi të gatshme nga një person i tretë, ai paguan cmimin e shtëpisë sipas tregut, për shembull 200 mijë euro dhe merr si simbol të pronësisë, çertifikatën e pronësisë mbi shtëpinë. Nëse i njëjti person zgjedh t’a ndërtojë vetë shtëpinë, blen me paratë e tij llacin, tullat, hedh themelet, ngre kollonat, muret, çatinë, në fund të ndërtimit ai nuk paguan 200 mijë euro, sepse këto i ka shpenzuar gjatë fazës së ndërtimit, por bën rregjistrimin e shtëpisë dhe merr vërtetimin hipotekor si dokumenti që simbolizon titullin e tij të pronësisë.
Për të njëjtën arsye, pra sepse unë kisha kontribuar për krijimin e pasurisë së HP deri në vitin 2014, unë mora simbolikën e kontributit të tij – kuotat e paguara me vlerën nominale dhe nuk pagova çmimin që do duhet të paguante një i tretë hipotetik që nuk kishte lidhje me aktivitetin e shoqërisë.
7. Të ardhurat e përfituara nga Jamarbër Malltezi
Theksoj që në fillim dhe ftoj mediat të verifikojnë se, në tre vite hetime shteruese sipas SPAK, kjo e fundit nuk ka kryer një ekspertizë të vetme financiare mbi të cilën duhet të bazohej akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Shifrat e paraqitura prej saj janë të pavërteta dhe fshehin dokumenta që SPAK i disponon, sepse i ka sekuestruar në zyrën e financës. Por shifra në vetvete nuk ka asnjë rëndësi, ndaj për këtë do flasin ekspertët.
Ajo që ka rëndësi është ligjshmëria. Jamarbër Malltezi ka përfituar në këtë aktivitet në mënyrë plotësisht të ligjshme dividend, e pagesa konsulencash. Të gjitha këto, pa asnjë përjashtim, janë pasqyruar në bilancet e shoqërisë në vitin përkatës dhe janë bërë në rrugë bankare, sipas kërkesave të legjislacionit.
Prof. Malltezi ka bërë konsulenca mjedisore për projektin, të cilat i ka dorëzuar pranë shoqërisë dhe për të cilat është paguar në rrugë bankare. Këto pagesa janë tatuar sipas legjislacionit në fuqi (tatim në burim) dhe janë rregjistruar në bilancin e vitit përkatës të depozituar në organet shtetërore.
Po njësoj janë pagesat për dividendin: të deklaruara në tatime, të paguara me bankë, dhe pasi është shlyer cdo detyrim tatimor.
Pagesat e diskutuara me termin KP (Klubi Partizani) dhe termin kontribut patriotic, për sa kam parë në një pjesë të dosjes nuk e thonë që Jamarbër Malltezi ka tërhequr shuma cash. Deklaroj me përgjegjësi të plotë se kurrë nuk kam tërhequr pagesa cash dhe se nuk mund të ekzistojë asnjë provë që të dëshmojë të kundërtën.
Dokumenti, që nëse do të ishte i vërtetë vetëm sa do të vërtetonte se marrëdhënia e ortakërisë sime me të tjerët ka qenë reale, do t’i nënshtrohet ekspertizës financiare dhe ligjore, pasi ai është një copë letër, e palidhur me dokumenta shoqërues.
Ndërkohë objektet e Klubit, të cilat ligjërisht duhet të privatizoheshin, ishin të zëna forcërisht nga persona informalë, të cilët dyshohej se paguanin qera të paligjshme tek titullarë shtetërorë, të ngarkuar me ruajtjen e objekteve. Ka të paktën tre Inventare të Pronave të Paluajtshme të Shtetit në Bashkinë Tiranë (njëra prej të cilave e firmosur nga Edi Rama si Kryetar Bashkie), të cilat në lidhje me objektet e Klubit Partizani dhe Shumësportëshit shënojnë se të gjithë objektet e këtyre klubeve, me përjashtim të kabinës elektrike dhe një magazine 80m2, ishin “zënë forcërisht”. Keto ishin komentet e mia për shërbëtorët politik të Edi Ramës, SPAK/GJKKO dhe për zëdhënsit zelltar të tyre në Birn. Reporter-al.