PLATFORMË POLITIKE DHE ORGANIZATIVE PËR DIASPORËN SHQIPTARE

Prezantuar nga Grigels Muçollari

Deklaratë Vizioni

Partia Demokratike e Shqipërisë e konsideron diasporën shqiptare jo vetëm si pjesë të organizimit të saj politik, por si një aset strategjik kombëtar për zhvillimin ekonomik, demokratik, kulturor dhe europian të Shqipërisë.

Hyrje

Kjo Platformë Politike dhe Organizative për Diasporën Shqiptare ndërtohet mbi bindjen se marrëdhënia ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës nuk mund të trajtohet më si një çështje episodike, elektorale apo thjesht administrative, por si një dimension strategjik i zhvillimit kombëtar, demokratik dhe europian të vendit.

Për këtë arsye, dokumenti është konceptuar në dy pjesë të ndërlidhura dhe plotësuese mes tyre.

Pjesa e Parë trajton aspektin organizativ, politik dhe elektoral të Partisë Demokratike në raport me diasporën shqiptare. Ajo përcakton mënyrën sesi Partia Demokratike duhet të organizohet, të koordinohet dhe të funksionojë politikisht në raport me shqiptarët jashtë vendit, përmes krijimit të strukturave të posaçme, databazave, mekanizmave të përfaqësimit dhe rrjeteve ndërkombëtare të organizimit politik. Kjo pjesë synon të ndërtojë një model modern dhe funksional organizimi, ku diaspora të mos mbetet vetëm elektorat pasiv, por të kthehet në një forcë reale politike, organizative dhe përfaqësuese brenda Partisë Demokratike dhe jetës publike shqiptare.

Pjesa e Dytë trajton vizionin shtetëror dhe strategjik të Partisë Demokratike për diasporën shqiptare. Ajo shkon përtej dimensionit partiak dhe paraqet modelin e ri të marrëdhënies që shteti shqiptar i udhëhequr nga Partia Demokratike duhet të ndërtojë me diasporën në dekadat e ardhshme. Në këtë pjesë ravijëzohen politikat kombëtare për rikthimin dhe aktivizimin e kapitalit njerëzor shqiptar, përfshirjen e profesionistëve të diasporës në zhvillimin e vendit, mbështetjen e investimeve, ruajtjen e identitetit kombëtar, forcimin e diplomacisë shqiptare dhe ndërtimin e një rrjeti global shqiptar në funksion të zhvillimit të Shqipërisë.

Kjo ndarje në dy pjesë nuk është formale. Ajo pasqyron dy dimensione të pandashme të çështjes së diasporës shqiptare:

  • Së pari, nevojën që Partia Demokratike të ndërtojë një organizim serioz, afatgjatë dhe profesional në diasporë, me ndikim pozitiv real në pjesëmarrjen elektorale të diasporës;
  • Së dyti, nevojën që Shqipëria të ketë për herë të parë një strategji të qartë shtetërore dhe kombëtare për shqiptarët jashtë vendit.

Partia Demokratike beson se vetëm duke bashkuar organizimin politik me vizionin shtetëror mund të ndërtohet një marrëdhënie e re besimi, partneriteti dhe zhvillimi ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës shqiptare.

Pjesa I:

“Diaspora Shqiptare: Fuqi Kombëtare, Fuqi Politike, Fuqi për Ndryshim – Aspekti Organizativ

Njohja e të drejtës së votës së diasporës krijon një realitet të ri politik ku partitë politike duhet të organizohen në mënyrë profesionale dhe afatgjatë për të ndërtuar marrëdhënie reale me emigracionin shqiptar. Partia Demokratike duhet të jetë forca e parë politike që ndërton një model modern, perëndimor dhe funksional të organizimit të diasporës shqiptare. Ne duhet ta shohim diasporën shqiptare si një fuqi ekonomike, intelektuale, kombëtare, e tashmë edhe fuqi elektorale. Prandaj është me rëndësi që Partia Demokratike ta institucionalizojë diasporën, ta përfaqësojë realisht, ta organizojë profesionalisht dhe ta kthejë në një nga shtyllat kryesore të fitores politike dhe rilindjes demokratike të Shqipërisë.

II. OBJEKTIVAT STRATEGJIKE ZGJEDHORE TË PD PËR DIASPORËN

Objektivi kryesor i kësaj platforme është transformimi i diasporës shqiptare nga një elektorat pasiv në një strukturë aktive politike dhe organizative të Partisë Demokratike.

Qëllimet strategjike janë:

  • Ndërtimi i një rrjeti global politik organizativ të Partisë Demokratike në funksion të përfshirjes elektorale të diasporës në mbështetje të PD.
  • Identifikimi dhe mobilizimi i votuesve shqiptarë jashtë vendit.
  • Krijimi i strukturave të përhershme të PD në shtetet me përqendrimin më të madh të diasporës.
  • Integrimi i elitës shqiptare jashtë vendit në vendimmarrjen politike.
  • Përfaqësimi i diasporës në zgjedhjet parlamentare dhe lokale.
  • Ndërtimi i një sistemi modern të komunikimit dhe koordinimit ndërkombëtar.
  • Krijimi i databazës kombëtare të votuesve të diasporës.

III. KRIJIMI I KËSHILLIT KOMBËTAR TË DIASPORËS

Pranë Partisë Demokratike krijohet “Këshilli Kombëtar i Diasporës”, si organ politik, organizativ dhe strategjik.

Ky Këshill nuk duhet të jetë thjesht një strukturë administrative apo formale, por një mekanizëm real vendimmarrës dhe drejtues për organizimin e diasporës shqiptare.
Këshilli do të ketë rol strategjik, këshillues pranë Kryetarit dhe Kryesisë, elektoral, organizativ dhe përfaqësues.

Ai do të funksionojë si struktura qendrore koordinuese për të gjitha degët dhe organizatat e Partisë Demokratike jashtë vendit, në mënyrë që vendimmarrja të jetë e koordinuar, dhe informacioni të arrijë i plotë dhe në kohë reale te vendimmarrësit.

IV. PËRBËRJA E KËSHILLIT

Këshilli Kombëtar i Diasporës propozohet të përbëhet nga:

  • Një nga Nënkryetarët e Partisë Demokratike;
  • Sekretari i Përgjithshëm;
  • Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare;
  • Kryetarët e strukturave të diasporës në shtetet kryesore;
  • Shtatë (7) anëtarë të emëruar nga Kryetari i Partisë Demokratike.

Anëtarët duhet të jenë:

  • figura me integritet publik;
  • profesionistë me eksperiencë ndërkombëtare;
  • përfaqësues të komuniteteve shqiptare;
  • individë me aftësi organizative dhe politike.

Në Këshill duhet të përfaqësohen komunitetet shqiptare nga Italia, Greqia, Gjermania, SHBA, Britania e Madhe, Zvicra, Belgjika, Franca, Kanadaja dhe vendet nordike, si dhe kudo ku ka komunitete shqiptarësh.

Gjithashtu, në konsultim dhe me forumin e LDG, propozohet krijimi i “Rrjetit të Grave Demokrate në Diasporë”

Pranë Këshillit Kombëtar të Diasporës krijohet Rrjeti i Grave Demokrate në Diasporë, si strukturë organizative dhe përfaqësuese për aktivizimin, përfshirjen dhe promovimin e grave shqiptare jashtë vendit në jetën politike, profesionale dhe publike të Partisë Demokratike.

Shumë gra në diasporë nuk afrohen nga politika tradicionale sepse  nuk duan konflikt;nuk kanë kohë për militantizëm; ndihen të papërfaqësuara ose nuk besojnë se politika i dëgjon. Prandaj, hyrja duhet të jetë përmes komunitetit, profesionalizmit të tyre, familjes, edukimit, mentorimit dhe networking.

Grupi i punës për Diasporën propozon një “Program për Gratë Shqiptare në Diasporë”, që do të ketë objektiva si identifikimi i grave profesioniste dhe sipërmarrëse; aktivizimi i vajzave të reja shqiptare jashtë vendit; krijimi i rrjeteve të mentorimit; promovimi i grave në vendimmarrje; përfshirja e grave të diasporës në programet politike të PD, krijimi i politikave për rikthimin e grave profesioniste në Shqipëri.

Në statut mund të shtohet: “Në përfaqësimin e diasporës në organet drejtuese të PDSH-së synohet që jo më pak se 40% të jenë gra.”

Permes programit “Ambasadore të Diasporës Shqiptare” gratë shqiptare me reputacion, apo me profesion mjeke, profesore, avokate, sipërmarrëse, studiuese, artiste, apo eksperte teknologjie, mund të kenë rol në përfaqësim publik, komunikim me komunitetin, mentorim, identifikim talentesh, dhe promovim të PD në komunitetet shqiptare.

V. DETYRAT DHE KOMPETENCAT E KËSHILLIT

Këshilli Kombëtar i Diasporës ka këto funksione kryesore:

  • Harton strategjinë kombëtare të PD për diasporën;
    • Organizon strukturat politike jashtë vendit;
    • Koordinon procesin e regjistrimit të votuesve;
    • Ndërton databazën kombëtare të diasporës;
    • Organizon fushatat elektorale ndërkombëtare;
    • Rekruton figura të reja politike dhe profesionale;
    • Propozon kandidatura për deputetë dhe zgjedhje lokale;
    • Bashkërendon punën me degët e PD në Shqipëri.

Këshilli duhet të raportojë periodikisht pranë Kryesisë së Partisë Demokratike mbi:

  • numrin e votuesve të identifikuar;
  • nivelin e organizimit;
  • problematikat;
  • dhe ecurinë e mobilizimit elektoral.

Në pjesën e dytë, shtjellohet në mënyrë konkrete se çfarë pune do bëhet në terren.


VI. KOORDINATORËT E DIASPORËS NË ÇDO DEGË

Në çdo degë lokale të Partisë Demokratike në Shqipëri krijohet funksioni “Koordinator i Diasporës së Degës”. Ky koordinator do të jetë pika lidhëse ndërmjet degës lokale dhe diasporës që vjen nga ajo zonë.

Detyrat kryesore janë:

  • identifikimi i emigrantëve;
    • mbledhja e kontakteve;
    • krijimi i databazës;
    • organizimi i komunikimit;
    • ndihma për regjistrim;
    • dhe mobilizimi elektoral.

Çdo degë duhet të ketë objektiva konkrete numerike për identifikimin dhe kontaktimin e votuesve jashtë vendit.

VII. STRUKTURAT NDËRKOMBËTARE

Në çdo shtet me përqendrim të madh të diasporës shqiptare krijohet “Këshilli i Diasporës së PD”, nën drejtimin e një koordinatori për atë shtet, i cili koordinon punën mes degëve.

Çdo strukturë do të ketë:

  • Kryetar;
    • Koordinator Organizativ;
    • Koordinator Elektoral;
    • Përgjegjës për të Rinjtë;
    • Përgjegjës për të Gratë;
    • Përgjegjës për Profesionistët;
    • Përgjegjës për Marrëdhëniet me Komunitetin;
    • Përgjegjës për Data dhe Regjistrime.


Këto struktura duhet të funksionojnë si organizata reale politike me aktivitete periodike, takime me komunitetin, organizim elektoral dhe përfaqësim publik të Partisë Demokratike.

VIII. PROGRAMI I ELITËS SË DIASPORËS

Partia Demokratike duhet të krijojë një program të posaçëm për integrimin e elitës shqiptare jashtë vendit me qëllim afrimin e akademikëve, sipërmarrësve; ekspertëve të teknologjisë, juristëve, studentëve ekselentë, profesionistëve ndërkombëtarë dhe këdo mund të dojë të përfshihet e të kontribuojë.

Këto figura duhet:

  • të bëhen pjesë e strukturave të PD;
    • të kontribuojnë në programet politike;
    • të përfaqësojnë diasporën;
    • dhe të kandidojnë në zgjedhje parlamentare apo lokale.

IX. STRATEGJIA ELEKTORALE

Strategjia elektorale duhet të mbështetet në modelin “Një Familje – Pesë Vota”.
Çdo familje në Shqipëri duhet të identifikojë të afërmit e saj jashtë vendit dhe të ndihmojë regjistrimin, komunikimin dhe mobilizimin e tyre.

Kjo strategji:

  • ul kostot organizative;
    • rrit besimin;
    • krijon lidhje emocionale;
    • dhe sjell mobilizim më të madh elektoral.

Gjithashtu PD duhet të investojë në:

  • platforma digjitale;
    • call center ndërkombëtar;
    • rrjete sociale për diasporën;
    • databaza moderne;
    • dhe komunikim shumëgjuhësh.

X. Organizimi në terren

Në vitin 2025 PD në diasporë hyri vonë, pa sistem të unifikuar, pa databazë serioze, pa zinxhir komandimi, pa ndjekje individuale të votuesit deri në votim, dhe pa një ekip pune të strukturuar.

Në 2025 pati rreth 250 mijë votues të regjistruar jashtë vendit sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, ndërsa KQZ kishte raportuar më herët mbi 232 mijë të regjistruar, me kërkesa të shumta të refuzuara për probleme dokumentacioni. Diaspora është një qark elektoral i shpërndarë globalisht, dhe kërkon një strategji që përmbledh disa elementë.

1. Brenda vjeshtës duhet krijuar Këshilli Kombëtar i Diasporës me përbërjen e listuar në pjesën e parë.

2. Brenda 15 ditësh nga krijimi do duhet të bëhet një hartë elektorale e diasporës, me degët që janë ekzistuese dhe ku duhet të ndërhyhet për të ngritur degët. PD duhet të dijë saktësisht gjendjen në degët e veta në Diasporë.

Duhet bërë një hartë me katër nivele:

Shteti → qyteti → qarku i origjinës në Shqipëri → dega përkatëse e PD-së. Na nevojitet që të ketë një koordinim mes degës brenda vendit dhe asaj jashtë.

Shembull:

  • Emigrant në Milano nga Vlora = i takon strukturës së Italisë, qytetit Milano, por politikisht i lidhet edhe Degës Vlorë.
  • Emigrant në Athinë nga Fieri = strukturë Greqi/Athinë + Degë Fier.
  • Emigrant në Londër nga Kukësi = strukturë Britani/Londër + Degë Kukës.

PS nuk duhet rivalizuar në lidhjen mes familjes në Shqipëri dhe emigrantit jashtë vendit.

3. Çdo degë e PD zgjedh Kryetarin e Degës në Diasporë. Shtetet kanë Koordinatorin e Diasporës për atë shtet që koordinon punën e kryetarëve të degëve në shtetin përkatës.

Çdo koordinator dege duhet të ketë detyrë mujore:

  • të identifikojë një minimum emigrantësh nga zona;
  • të krijojë listën e familjeve që kanë të afërm jashtë;
  • të hapë grupe komunikimi sipas shteteve;
  • të raportojë çdo javë;
  • të ketë objektiv konkret regjistrimesh/votash.

4. Brenda vitit duhet të krijohet databaza qendrore

Databaza duhet të jetë sistem qendror, i sigurt, me akses të kontrolluar dhe në përputhje me rregullat e mbrojtjes së të dhënave.

Për çdo person duhen këto fusha: Emër/mbiemër; shteti; qyteti; numri; email; vendlindja; qarku; dega përkatëse; kontakt familjar në Shqipëri; statusi politik; statusi i regjistrimit; statusi i votimit; profesioni; gatishmëria për aktivizim; kush e kontaktoi; kur u kontaktua; çfarë përgjigjeje dha.

5. Në çdo shtet kryesor (ku ka shumicë shqiptarësh) duhet ndërtuar strukturë reale:

  • Itali, Greqi, Gjermani, Britani e Madhe, SHBA, Zvicër, Belgjikë, Francë, Kanada, Austri, vendet nordike.
  • Për Italinë: Milano, Torino, Romë, Firence, Bologna, Genova, Bari.
  • Për Greqinë: Athinë, Selanik, Janinë, Patra, Kretë.
  • Për Gjermaninë: Berlin, Mynih, Frankfurt, Hamburg, Stuttgart, Düsseldorf.
  • Për Britaninë: Londër, Manchester, Birmingham.
  • Për SHBA: New York/New Jersey, Michigan, Boston, Florida, Chicago.

Çdo degë duhet të ketë databazën e vetë, me përgjegjësi të kryetarit të degës, kryesisë dhe strukturave që krijohen. Strukturat në diasporë krijohen me vendim të Kryesisë së PDSH.

6. Krijohet sistemi “Një Familje – Pesë Vota”

Çdo degë e PD në Shqipëri duhet të ketë formular:

  • “Sa familje kanë njerëz jashtë?”
  • “Në cilin shtet?”
  • “A janë me dokumente shqiptare?”
  • “A janë regjistruar për të votuar?”
  • “A kanë nevojë për ndihmë?”

Pra nuk mjafton që PD t’i shkruajë diasporës nga Tirana. Duhet që familja, fshati, lagjja, dega dhe struktura jashtë vendit të punojnë bashkë.

Formula praktike:

Aktivisti në Shqipëri identifikon familjen → familja jep kontaktin jashtë → koordinatori i diasporës e regjistron → struktura jashtë e kontakton → votuesi shoqërohet deri në votim.

7. Çdo emigrant duhet të kalojë në 6 faza:

  1. I identifikuar
  2. I kontaktuar
  3. I bindur / mbështetës / i pavendosur / kundër
  4. I regjistruar për votim
  5. Ka marrë fletën/materialet
  6. Ka votuar dhe e ka kthyer zarfin/fletën sipas procedurës

PJESA II

“Diaspora Shqiptare dhe Vizioni i Ri i Shtetit Shqiptar”

Strategjia Kombëtare e Partisë Demokratike për Diasporën Shqiptare

I. HYRJE

Partia Demokratike e Shqipërisë e konsideron diasporën shqiptare një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të Shqipërisë në shekullin XXI. Partia Demokratike, me fitimin e zgjedhjeve dhe krijimin e qeverisë së drejtuar prej saj, synon ta trajtojë diasporën shqiptare jo si periferi të kombit, por si pjesë organike të tij, me rol aktiv në jetën ekonomike, kulturore, publike dhe demokratike të vendit.

Diaspora shqiptare nuk është thjesht një komunitet emigrantësh jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Ajo përfaqëson një kapital të jashtëzakonshëm njerëzor, profesional, ekonomik, intelektual dhe kulturor, i ndërtuar përmes sakrificës, punës dhe integrimit të shqiptarëve në shoqëritë më të zhvilluara demokratike të botës.

Shqiptarët jashtë vendit kanë kontribuar ndër vite në mbështetjen ekonomike të familjeve shqiptare, në promovimin e çështjes kombëtare, në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë dhe në ruajtjen e identitetit kombëtar në breza.

Megjithatë, shteti shqiptar nuk ka arritur ende të ndërtojë një politikë të qëndrueshme, afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse për diasporën. Fragmentimi institucional, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve, burokracia, mungesa e databazave funksionale dhe mungesa e mekanizmave meritokratikë kanë kufizuar ndjeshëm potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës shqiptare.

Partia Demokratike beson se ka ardhur koha për një model të ri marrëdhënieje ndërmjet shtetit shqiptar dhe diasporës:

  • jo marrëdhënie sporadike apo elektorale;
  • por partneritet strategjik kombëtar;
  • jo komunikim simbolik;
  • por përfshirje reale në zhvillimin ekonomik, institucional, kulturor dhe demokratik të vendit.

Qëllimi i kësaj strategjie është:

  • forcimi i lidhjeve të qëndrueshme ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës;
  • rikthimi dhe aktivizimi i kapitalit njerëzor shqiptar;
  • mbështetja e shqiptarëve jashtë vendit;
  • ndërtimi i një rrjeti global shqiptar në funksion të zhvillimit kombëtar dhe integrimit europian të Shqipërisë.

II. PARIMET THEMELORE

Strategjia e Partisë Demokratike për diasporën shqiptare mbështetet mbi këto parime themelore:

1. Diaspora si aset strategjik kombëtar

Diaspora shqiptare përfaqëson kapital njerëzor, profesional, ekonomik dhe kulturor me rëndësi strategjike për zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.

2. Partneritet afatgjatë ndërmjet shtetit dhe diasporës

Marrëdhënia me diasporën nuk duhet të kufizohet vetëm në proceset zgjedhore apo në remitanca ekonomike, por duhet të ndërtohet si partneritet i përhershëm kombëtar.

3. Meritokraci dhe profesionalizëm

Përfshirja e profesionistëve dhe ekspertëve të diasporës duhet të mbështetet mbi transparencën, meritën dhe konkurrencën e ndershme, larg klientelizmit dhe ndikimeve politike.

4. Ruajtja e identitetit kombëtar

Ruajtja e gjuhës shqipe, kulturës kombëtare dhe lidhjeve identitare të brezave të rinj të diasporës përbën prioritet kombëtar dhe strategjik.

5. Përfshirje dhe diferencim

Politikat për diasporën duhet të marrin parasysh diversitetin e komuniteteve shqiptare jashtë vendit, dallimet ndërmjet brezave, profileve profesionale dhe realiteteve të ndryshme sociale e ekonomike.

6. Bashkëpunim institucional dhe vazhdimësi politike

Politikat për diasporën duhet të kenë vazhdimësi afatgjatë dhe të mos varen nga ciklet elektorale apo ndryshimet politike.

III. REFORMA INSTITUCIONALE PËR DIASPORËN

Partia Demokratike angazhohet për ndërtimin e një arkitekture të re institucionale për diasporën shqiptare, me qëllim garantimin e koordinimit, efikasitetit dhe vazhdimësisë së politikave shtetërore.

Në këtë kuadër propozohet:

“Pakti i Madh Patriotik i PD me Diasporën”

PD nuk duhet t’i kërkojë vetëm votën diasporës. Duhet t’i japë një kontratë të qartë politike.

Pakti me 10 pika:

  • Ministri ose agjenci e posaçme për diasporën dhe rikthimin.
  • Shërbime konsullore digjitale dhe më të shpejta.
  • Njohje më e lehtë e diplomave dhe eksperiencës profesionale.
  • Mbrojtje reale e pronës së emigrantëve.
  • Dritare investimi për diasporën. Diaspora bonds apo mekanizma të ngjashëm.
  • Program kombëtar për kthimin e profesionistëve – “Kthimi për Shqipërinë”
  • Përfaqësim të diasporës në forumet dhe në listat e PD.
  • Këshill ekonomik të diasporës pranë qeverisë së ardhshme.
  • Platformë ankesash për korrupsionin dhe abuzimet ndaj pronave.
  • Votim jashtë vendit i mbrojtur, i thjeshtë dhe transparent.

Partia Demokratike angazhohet për ngritjen e një grupi eskpertësh për hartimin, konsultimin dhe miratimin e këtij pakti në kuadër të organizimit të punës së saj për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjithashtu, PD angazhohet të orientojë punën e saj qeverisëse me diasporën sipas këtyre orientimeve të mëposhtme për politikat e ardhshme qeverisëse.

1. Rikrijimi i institucionit qendror për diasporën

Partia Demokratike do të angazhohet të propozojë dhe të diskutojë:

  • rikrijimin e Ministrisë së Diasporës;
    ose:
  • krijimin e një Agjencie Kombëtare të Diasporës

Ky institucion do të ketë përgjegjësi për:

  • koordinimin e politikave shtetërore për diasporën;
  • bashkëpunimin ndërinstitucional;
  • ndërtimin e databazave kombëtare;
  • koordinimin me ambasadat dhe konsullatat;
  • dhe menaxhimin e programeve për diasporën.

2. Strategjia Kombëtare Afatgjatë për Diasporën

Do të hartohet një Strategji Kombëtare 10–15 vjeçare për diasporën shqiptare, me objektiva të matshëm dhe mekanizma monitorimi.

3. Krijimi i Regjistrit Kombëtar të Diasporës

Do të ndërtohet një sistem modern, i sigurt dhe në përputhje me standardet europiane për:

  • identifikimin e profesionistëve shqiptarë jashtë vendit;
  • regjistrimin e ekspertizës dhe profileve profesionale;
  • krijimin e rrjeteve të bashkëpunimit.

4. Platforma Digjitale Kombëtare për Diasporën

Do të krijohet një platformë e integruar online për:

  • shërbime konsullore;
  • regjistrim profesional;
  • aplikime për programe shtetërore;
  • investime;
  • networking profesional;
  • dhe komunikim të drejtpërdrejtë me institucionet shqiptare.

IV. PROGRAMI KOMBËTAR “KTHIMI PËR SHQIPËRINË”

Partia Demokratike do të ndërtojë një program kombëtar për rikthimin, angazhimin dhe aktivizimin e kapitalit njerëzor shqiptar jashtë vendit.

Ky program do të synojë:

  • rikthimin e profesionistëve shqiptarë;
  • angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë shqiptarë;
  • krijimin e rrjeteve të përhershme profesionale ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës.

Programi do të përfshijë:

1. Skema të posaçme për profesionistët shqiptarë

Për:

  • mjekë;
  • pedagogë;
  • studiues;
  • ekspertë teknologjie;
  • juristë;
  • ekonomistë;
  • sipërmarrës;
  • dhe profesionistë të administratës publike.

2. Procedura të përshpejtuara për njohjen e diplomave dhe eksperiencës

Do të thjeshtohen dhe digjitalizohen procedurat për:

  • njohjen e diplomave;
  • licencimin profesional;
  • njohjen e eksperiencës ndërkombëtare.

3. Programi “Diaspora Fellows”

Profesionistë shqiptarë të diasporës do të angazhohen për periudha të caktuara në:

  • universitete;
  • institucione publike;
  • spitale;
  • administratë;
  • projekte zhvillimi;
  • dhe reforma shtetërore.

4. Angazhimi nga distanca

Shteti shqiptar do të krijojë mekanizma që lejojnë kontribuimin:

  • online;
  • përmes mentorimit;
  • përmes projekteve të përbashkëta;
  • dhe rrjeteve profesionale ndërkombëtare.

V. POLITIKAT EKONOMIKE PËR DIASPORËN

Partia Demokratike synon transformimin e diasporës shqiptare nga burim remitancash në partner strategjik ekonomik dhe zhvillimor të Shqipërisë.

Në këtë kuadër do të propozohet:

  • krijimi i paketave fiskale lehtësuese për investitorët e diasporës;
  • krijimi i “Diaspora Bonds”;
  • fond kombëtar investimesh për diasporën;
  • skema kredie të garantuara;
  • mbrojtje efektive e pronës;
  • sportel unik për investitorët e diasporës;
  • procedura të përshpejtuara administrative;
  • dhe mbështetje për startup-et e krijuara nga shqiptarët jashtë vendit.

Shteti shqiptar duhet të ndërtojë klimë besimi, sigurie juridike dhe transparence për investimet e diasporës.

VI. GJUHA SHQIPE, IDENTITETI DHE BREZI I RI

Partia Demokratike e konsideron ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve jashtë vendit një prioritet strategjik afatgjatë.

Në këtë kuadër, në një qeveri të drejtuar nga Partia Demokratike, do të punohet në mënyrë që të mund të propozohet:

  • program kombëtar për mbështetjen e shkollave shqipe në diasporë;
  • furnizimi me libra dhe abetare në gjuhën shqipe;
  • platforma digjitale për mësimin online të shqipes;
  • programe kulturore për brezat e rinj;
  • kampe verore dhe programe edukative në Shqipëri;
  • bursa universitare për të rinjtë e diasporës;
  • dhe programe të posaçme për ruajtjen e identitetit kulturor shqiptar.

Partia Demokratike beson se ruajtja e gjuhës shqipe dhe lidhjes kulturore të brezave të rinj me Shqipërinë është investim strategjik për të ardhmen e kombit shqiptar.

VII. DIASPORA DHE DIPLOMACIA SHQIPTARE

Diaspora shqiptare përbën një nga instrumentet më të rëndësishme të diplomacisë publike dhe të promovimit ndërkombëtar të Shqipërisë.

Partia Demokratike synon:

  • forcimin e bashkëpunimit me rrjetet profesionale dhe akademike shqiptare jashtë vendit;
  • përfshirjen e diasporës në diplomacinë ekonomike;
  • mbështetjen e lobimit ndërkombëtar në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve;
  • dhe krijimin e rrjeteve globale shqiptare në fushën e inovacionit, teknologjisë, biznesit dhe kërkimit shkencor.

VIII. VIZIONI AFATGJATË: SHQIPTARËT SI KOMB GLOBAL

Partia Demokratike beson se shqiptarët, kudo që jetojnë, përbëjnë një hapësirë të përbashkët kombëtare, kulturore dhe demokratike.

Synimi ynë strategjik është ndërtimi i një rrjeti global shqiptar që:

  • lidh Shqipërinë me botën;
  • forcon zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit;
  • promovon identitetin shqiptar;
  • dhe e shndërron diasporën shqiptare në një nga motorët kryesorë të modernizimit të Shqipërisë.

Diaspora shqiptare nuk është larg Shqipërisë.
Ajo është pjesë e së ardhmes së Shqipërisë.

Artikuj të ndërlidhur
Uncategorized

V- Platform

Platforma e Partisë Demokratikepër organizimin, komunikimin dhe angazhimin politik të së ardhmes.

LEXO MË SHUMË
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale