KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme për me gazetarët, ka kërkuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në vend, për shkak të përmbytjeve të shumta të shkaktuara ditët e fundit. Përmbytjet masive nga Shkodra deri në Gjirokastër kanë goditur mijëra familje, biznese dhe zona industriale, theksoi ai, duke akuzuar drejtpërdrejt Edi Ramën për indiferencë, cinizëm dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike dhe penale.
‘Mijëra e mijëra familje shqiptare kanë pësuar pasoja shumë të rënda nga përmbytjet’, deklaroi Berisha, duke theksuar se vetëm në qarkun e Durrësit ‘përllogariten rreth 4 mijë banesa, biznese dhe objekte të tjera të përmbytura’, ndërsa dëmet, sipas tij, janë ‘jashtëzakonisht të mëdha’ dhe në shumë raste ‘të parikuperueshme’.
Kreu i PD-së theksoi se përmbytjet nuk janë një fenomen i izoluar, por një tragjedi që shtrihet në gjithë territorin e vendit. ‘Nga Gjirokastra gjer në Shkodër janë mijëra e mijëra familje të tjera, biznese, fabrika, të cilat kanë pësuar dëme të rënda’, u shpreh ai, duke kërkuar me urgjencë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjitha zonat e prekura.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha solli dëshmitë e qytetarëve të prekur nga përmbytjet: ‘Në katër muaj, do deklaronte sot një qytetar i Durrësit, jam përmbytur katër herë’. Berisha theksoi se, edhe pse reshjet kanë qenë intensive, ‘Durrësi kurrë nuk ka njohur një përmbytje të tillë’, duke nënvizuar faktin se, shkaku kryesor i përmbytjeve nuk është natyra, por korrupsioni.
‘Shkaqet e përmasave të kësaj përmbytjeje janë absolutisht vjedhja, vjedhja dhe vetëm vjedhja e fondeve’, deklaroi Berisha, duke akuzuar qeverinë për zhdukjen e 42 milionë eurove të destinuara për mbrojtjen nga përmbytjet në qarkun e Durrësit, Porto Romano dhe zonat përreth. Ai denoncoi konkretisht mosfunksionimin e hidrovoreve dhe bllokimin e sistemeve të kanalizimeve, të cilat, sipas tij, janë lënë në gjendje fiktive për shkak të korrupsionit.
‘Kanalet janë të gjitha të zëna sepse paratë për pastrimin e tyre janë vjedhur nga mafia qeveritare e Durrësit dhe Tiranës’, u shpreh Berisha, duke shtuar se përmbytjet e këtyre përmasave ‘nuk do të ndodhnin kurrë nëse hidrovoret dhe sistemi i kanalizimeve do të ishin funksionale’.
Në vijim, kryetari i PD-së e zgjeroi akuzën e tij, duke e lidhur situatën me atë që ai e quajti ‘një regjim kriminal që përdor tenderat për të vjedhur 90 deri në 98 për qind të investimeve publike’. Ai solli si shembull rrugët ‘e florinjta’ që shemben pak muaj pas inaugurimit, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si një narkoshtet në shërbim të interesave mafioze.
Duke paralajmëruar se moti nuk pritet të përmirësohet, Berisha përsëriti kërkesën për shpalljen e menjëhershme të gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe angazhimin e plotë të shtetit për kompensimin e dëmeve. ‘Dëmet janë kolosale. Ka fabrika me dhjetëra milionë euro investime që janë të gjitha nën ujë’, tha ai, duke nënvizuar se bëhet fjalë për zona industriale jetike për ekonominë e vendit.
Duke i’u përgjigjur interesit të gazetarëve, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se opozita do të vazhdojë denoncimet dhe mobilizimin, ndërsa ‘përgjigjen përfundimtare do ta japin qytetarët’, të cilët, sipas tij, po përballen jo vetëm me një fatkeqësi natyrore, por me pasojat e një keqqeverisjeje të thellë dhe sistematike, ndërsa theksoi se të premten do të mblidhet një tryezë e gjerë e opozitës, shoqërisë civile dhe faktorëve të tjerë, për të vendosur për datën e protestës dhe qëndrimin që do të mbahet ndaj Ramaduros.
FJALA E PLOTE:
Mijëra e mijëra familje shqiptare kanë pësuar pasoja shumë të rënda nga përmbytjet.
Vetëm në rrethin e Durrësit përllogariten rreth 4 mijë banesa, biznese dhe objekte të tjera.
Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha.
Por nuk është vetëm rrethi i Durrësit me përmbytje, nga Gjirokastra gjer në Shkodër janë pra mijëra e mijëra familje të tjera, biznese, fabrika, të cilat kanë pësuar dëme të parikuperueshme.
Partia Demokratike kërkon menjëherë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në këtë zonë.
Edi Rama apo Ramaduro që bën sehir, nuk shpallen gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Durrës dhe në Lezhë, apo Shkodër dhe qarqet e tjera, vetëm e vetëm se ligji e detyron atë në këtë gjendje t’u përgjigjet një për një dëmet të krijuara nga fatkeqësia natyrore.
Ky qëndrim indiferent, cinik është një lloj krimi në vetvete.
Në 4 muaj, do deklaronte sot një qytetar i Durrësit, jam përmbytur katër herë.
Kësaj katastrofe natyrore, me përmasa të papara ndonjëherë, Edi Rama ndaj saj reagon me një cinizëm ekstrem, me një paturpësi, me një tallje ndaj qytetarëve të përmbytur.
Ai në postimin e tij fajëson opozitën e cila nuk po e akuzon atë për shirat e rrëmbyera që kanë rënë.
Ky qëndrim cinik, tallës ndaj qytetarëve, turpëron çdo njeri që ka cipë.
Por Ramaduro është në panik dhe tmerr të madh dhe nuk di se ç’flet.
Pa diskutim që këto kanë qenë shira shumë intensive, por Durrësi kurrë nuk ka njohur një përmbytje të tillë.
Dhe shkaqet e përmasave të kësaj përmbytje janë absolutisht vjedhja, vjedhja dhe vetëm vjedhja e fondeve.
Taksapaguesit shqiptarë kanë paguar për mbrojtjen e qarkut të Durrësit, Porto Romano dhe zonat e tjera, 42 milionë euro investim.
Por korrupsioni ka bërë që hidrovori i Porto Romanos, kolektorin ta ketë në kuotën mbi 70 centimetra.
E kuptoni se kur fillon të funksionojë ai? Mbi 70 centimetra.
Pra le të përmbyten njëherë 70 centimetra, pastaj të fillojë të evakuojë ujërat.
Kurse hidrovori i Hamallajt prej 8 muajsh i ka pompat jashtë funksionit.
Përveç kësaj, Durrësi, territori i përmbytur, ka një sistem kanalizimesh shumë të studiuar dhe mirëprojektuar.
Kanalet janë që të gjitha të zëna sepse paratë e caktuara për pastrimin e tyre janë vjedhur dhe vetëm vjedhur nga mafia qeveritare e Durrësit dhe Tiranës.
Ajo dramë që shohim ne sot, ajo vërtet ka si shkak natyror dhe ndaj unë kërkoj shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por këto përmasa nuk i merrte kurrë në qoftë se do ishin në gatishmëri dhe funksion hidrovoret, të cilët janë të përllogaritur për të mbrojtur zonat nga përmbytjet dhe në qoftë se do funksiononte sistemi i tyre i kanalizimeve.
Nga Vora gjer në bregdet shtrihet sistemi i kanalizimit që synon të mbrojë ato territore nga përmbytja.
Por kanalet janë fiktive, janë të bllokuara, janë të askujt pasi narkoshteti është shteti i mafies dhe ka vetëm interesat e mafies.
Natyrisht kur përdor tenderat për të vjedhur 90 deri në 98 përqind të investimit, siç ndodh me Lubi Ballukun dhe Edi Ramën në tenderat e infrastrukturës, kur ndërton rrugë të florinjta që shemben tre muaj pas inaugurimit nga 73 milionë euro në 360 milionë, si rruga Qukës-Qafë Plloçë e cila edhe sot është shembur, dhe do shembet vazhdimisht sepse skarpatet janë lënë natyrore, pa asnjë lloj përforcimi.
Unë duhet t’u them qytetarëve se përforcimi i skarpatës është kushti i të gjitha kushteve në ndërtimin e rrugëve.
Skarpata më e rrezikshme në Shqipëri është skarpata Kardhiq-Tepelenë, por kompania që e ka ndërtuar dhe supervizori kanë punuar ndoshta edhe dy vite vetëm me skarpatën, e cila është gjeologjikisht më e dëmtueshmja.
Por nuk ka lëvizur një gurë sepse skarpatat janë pjesë kryesore e rrugës.
Kurse këta kanë shtruar asfaltin dhe i kanë lënë siç i kanë hapur dhe tani derdhen mbi rrugë.
Pra, gjendja është jashtëzakonisht e rëndë.
Java përsëri nuk premton qetësim të motit.
Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjitha rrethet e përmbytura, nga Shkodra gjer në Gjirokastër, është domosdoshmëri.
Natyrisht nuk e bën këtë se ai buxhetin e konsideron si pronë të tij dhe familjes së tij.
Unë jam këtu sot për të denoncuar gjithashtu krimin në vazhdim që po ndodh në ndërtesën e kryeministrisë dhe agjencitë që varen nga Lubi Balluku me djegien, prishjen, manipulimin, asgjësimin e provave monstruoze të Lubisë dhe Edi Ramës.
Ky është një akt i pashembullt.
Edi Rama tejkalon Maduron.
E morët vesh se ç’ndodhi në emision?
Një socialist i Delta Forcës, i thirrur aty, nuk thoshte u arrestua Maduro, por thoshte u arrestua Ramaduro.
Ekzakt, sepse ai e dinte se ai e meriton njëlloj si Maduro.
Ose t’u jap një shembull tjetër që do u habisë.
Futuni në internet, habia e internetit. Ajo xhakaventoja e tutave të Maduros, Nike, ajo është bërë virale numër 1 në Shqipëri. Në Shqipëri, pastaj në SHBA, imagjinoni ju se të gjithë duan ta shohin Edi Ramën të veshur me të.
E tha bukur një gazetar.
Maduron e arrestoi presidenti Trump, Ramaduron e arrestoi interneti.
U shkonte ju mendja që xhakaventoja e Maduros të bëhej objekti më viral edhe se në SHBA? Njishi Shqipëria.
Por këto janë përpëlitjet e tij.
Sidoqoftë ne kërkojmë shpalljen me urgjence të gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat e përmbytura.
Deputetët tanë, drejtuesit e degëve, janë në detyrë, duke shprehur solidaritetin e tyre me banorët dhe bizneset thellësisht të dëmtuara dhe bërë një përllogaritje paraprake për kompensimin e tyre.
Ka fabrika që kanë dhjetëra milionë euro investime të cilat janë të gjitha nën ujë.
Dëmet janë kolosale.
E tëra ajo zonë është zonë industriale në të vërtetë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Anisa Kadesha, RTSH: A po shkon PD drejt mbajtjes së protestës kombëtare në datën 24 janar, sipas një informacioni të publikuar sot në media, dhe nëse po, a po përgatitet PD për një skenar për protesta të qëndrueshme.
Sali Berisha: Asnjë datë nuk është përcaktuar. Ka një datë që ditën e premte do të mblidhet një tryezë shumë e gjerë e opozitës, shoqërisë civile dhe faktorëve të rëndësishëm shoqëror, ku do të përcaktohet edhe data, edhe qëndrimet në vazhdim ndaj Ramaduros dhe qëndrimet ndaj tij.
Pra ne shkojmë në tryezë të hapur, për të dëgjuar, diskutuar me të pranishmit dhe vendosur së bashku mbi qëndrimet, protestat që do të ndërmarrim në vazhdim.
Datën do të jetë ajo tryezë që do e përcaktojë se, kur do të mblidhet protesta.
Marsi Korreshi, SYRI TV: PD nesër ka thirrur sërish mbledhjen e Këshillit të Mandateve për Belinda Ballukun, një mbledhje që është refuzuar 4 herë deri më tani nga socialistët dhe kështu me gjasë do të ndodhë dhe nesër. Çfarë masash të tjera, qoftë ligjor do të ndërmarrë PD karshi refuzimit dhe bllokimit që mazhoranca po i bën mbledhjes së Këshillit të Mandateve. Është paralajmëruar kallëzim penal për Niko Peleshin, jeni dakord me këtë.
Sali Berisha: Thirrja që anëtarët e Këshillit të Mandateve, deputetë të PD-së, po e bëjnë mbledhjes së këtij forumi parlamentar, kërkon që të zhbllokojë me çdo kusht parlamentin e bllokuar nga Edi Rama dhe të marrë fund një grusht shteti që ai po zhvillon, për të mbrojtur vjedhjet e tij dhe të lubi ballukut.
Edi Rama e ka shumë të qartë se, çdo akt i asaj dosje ka dy autorë. Ka Edi Ramën dhe Lubi Ballukun. Ndaj dhe ai nuk e lëshon Lubi Ballukun.
Edi Rama e ka shumë të qartë se, prapa Lindës së AKSHI-t, qëndron Linda e Surrelit. Po, e sigurtë. Me regjistrim ambiental dhe me dëshmira të dëshmitarëve autentik.
E ka shumë të qartë se, të dy pengjet e ndërmarrjes së tij, kopësht privat, si Geron Meçe i datës 12 gusht dhe Daniel Shima i datës 18 gusht janë porosi të Edi Ramës, për llogari të baxhanakut apo kunatit të florinjtë të Linda Ramës.
Edi Rama pra, është i vendosur të shkelë çdo ligj, të dhunojë, të shkelmojë kushtetutën, të marrë të gjithë pushtetin gjyqësor në duart e veta, ta bllokojë, paralizojë atë në mënyrë që ligji të mos veprojë mbi Edi Ramën, mbi Armando Frangun. Por e vërteta është mbi Linda Ramën.
Se edhe ajo i ka përzier urët shumë, sipas atyre regjistrimeve që ekzistojnë në SPAK. Ekzistojnë regjistrime.
Pra është në betejën e tij për të mbrojtur kufomën e tij politike, sepse ai faktikisht nuk është kryeministër, por është kapobandë. Është kryetar i një organizate kriminale, e faktuar tashmë para të gjithë shqiptarëve.
Mos harroni një gjë. Kur për herë të parë Arben Ahmetaj denoncoi me emër dhe mbiemër, Ergys Agasin si koordinatorin e Edi Ramës për bandat dhe mafien, shumë pak njerëz kishin dëgjuar emrin e këtij mafiozi.
Çfarë tregoi hetimi? Hetimi tregoi se, Ergys Agasi koordinatori i Edi Ramës, ishte mafiozi më i sofistikuar, më i rrezikshëm i Europës. Ishte kryemafiozi që kishte vjedhur të dhënat e çdo qytetari shqiptar, për qëllimet mafioze të familjes Rama.
Është kryemafiozi që ka vjedhur të dhënat personale të shqiptarëve. Që ka vënë në përgjim telefona, kompjutera, të të gjithë ambasadave në Shqipëri dhe përfaqësuesve të huaj.
Që ka eksportuar tek armiqtë e NATO-s, të dhënat e NATO-s që i janë besuar Shqipërisë. Që ka eksportuar të dhënat më sekrete tek kartelet e drogës dhe organizatat kriminale.
Ja pra, kush na doli Ergys Agasi. Rama është i pashpresë, sepse ai paska patur maninë të regjistrojë me zë dhe figurë çdo gjë.
Nuk kishte dëgjuar kurrë ndonjëherë kështu, regjistrim me zë dhe figurë çdo gjë.
Ministra, gjykatës, gazetarë, prokurorë, të regjistrojë edhe gjërat që tregojnë se çfarë përfaqëson vetë Edi Rama në rrafshin si njeri, dhe të tjerë.
Ndaj dhe nuk mund të pritet që ai, të bëjë gjë tjetër përveç se të mbrohet me çdo kusht dhe të bllokojë ligjin dhe drejtësinë, por do të flasin qytetarët me të.
Qytetarët do ti japin përgjigjen e merituar.


