Jam këtu për të denoncuar me forcën më të madhe, qendrimin e papërgjegjshëm të qeverisë e cila sillet sot si një organizatë e papërgjegjshme dhe e ka lenë Shqipërinë një vend tërësisht të braktisur.
Nga jugu në veri, rrugë të bllokuara, jetë të humbura për shkak të infrastrukturës mesjetare. Shembje masive për shkak të vjedhjes së fondeve në skarpate. Rrënime të investimeve të bëra edhe dy vite më parë. Shqipëria nuk pati një mot të madh, dhe nuk ishte moti i madh fatkeqësi e saja. Fatkeqësia e vërtetë e Shqipërisë në këtë mot ishte Edi Rama dhe ministrat e tij hajdutë dhe të papërgjegjshëm për detyrat e tyre që kryejnë.
U zhdukën, përveç facebook-ut të Edi Ramës nuk ka funksionuar asgjë.
Duke shprehur solidaritetin tim të plotë në të gjitha zonat e dëmtuara, me banorë të Shkodrës të cilët u përmbytën nga digat. Duhet të kesh logjikën e harbutit të hapësh portat e tri liqeneve të kaskadës dhe të deklarosh se Shkodra e nën Shkodra nuk u përmbytën nga kaskada, vetëm e vetëm se duhet të dëmshpërblesh për çdo metër katror të përmbytur nga digat.
Katastrofë ishin përmbytjet në Lezhë, dhe vetëm pasi ikën ujërat u bë i gjallë Pjerini, që është një ndër shkaktarët kryesorë të betoneve të tij, të asaj përmbytjeje që Lezha nuk e njohur prej kohërash.
Shkoni dhe shihni inagurimin e tyre dy vite më parë në Kune, sesi i mori shiu i parë. Në Rehovë, një zonjë shtëpie, bashkëshorte, motër, nënë 50-vjeçare humbi jetën në përroin e Tomorricës për shkak të urës së rrënuar. Për këtë qeveri shqiptarët pothuajse nuk ekzistojnë, ose në variantin më optimal ekzistojnë vetëm për të vjedhur taksat e tyre.
Edhe njëherë, dënoj me forcën më të madhe qendrimin e papërgjegjshëm ndaj kësaj situate dhe theksoj se fatkqësia më e madhe nuk ishte ajo natyrore, por ishte qeveria e Edi Ramës dhe qendrimet e saj rreth kësaj fatkeqësie. Faleminderit!
Pyetje: Së fundmi është publikuar një audio-përgjim për 21 janarin. A i druheni hetimeve dhe si i komentoni deklaratat e zyrtarëve të PS për këtë çështje?
Berisha: Së pari që unë të komentoj manipulimet e Ardi Veliut, harroje. Iu takon mediave të thonë të vërtetën e atij manipulimi. Nuk mund të komentoj unë disa tabela krimi që paraqiten si audio-përgjim dhe nuk u paraqit kund audio, por dëshmoj qartësisht se është një manipulim dhe një falsifikim, njëlloj si shiriti i 21 janarit, kur tha se Sali Berisha ishte i implikuar në problemin e hidrocentralit.
Pra, është gjithçka krijesë e Ardi Veliut. Tani duke thënë këtë theksoj edhe njëherë.
21 janari përbën një nga ngjarjet më tragjike. Përpjekjen për një grusht shteti, për marrjen e shtetit me dhunë nga ata të cilët unë i kam denoncuar me kohë. Komuniteti ndërkombëtar, dhe në mënyrë të veçantë qeveria e SHBA ka insistuar me të madhe në atë periudhë që të hetohen organizatorët dhe autorët e dhunës. Edi Rama është personi kryesor organizator i dhunës. Ai nuk gjeti kurrë kurajo të paraqitej në Prokurori, ndonëse u thirr. U thirr për të dëshmuar.
Edi Ramën do ta ndjekë gjithë jetën përgjegjësia penale për organizimin e asaj dhune. Ai është i faktuar si organizator në mënyrën më të pakundërshtueshme. Pjesa e gardistëve është hetuar nga një kundërshtare e egër e Sali Berishës. Është hetuar me një prani të rëndësishme ndërkombëtare. Dhe janë dhënë dënimet e njohura deri më tani. Por, meqenëse shërbehet me krijime të Ardi Veliut, i them lëri ato, hajde, hiq imunitetin se unë nuk kam imunitet për asgjë, dhe shko dëshmo për organizimin e puçit.
I solli si mish për top. Natyrisht, ngjarja është tragjike. Atëherë dhe sot, familjarët kanë ngushëllimet e mia.
Por manipulimi që bën Edi Rama për njerëzit që përdori si mish për top se donte të vinte në pushtet, është makabritet. Kjo është përgjigja. Mirupafshim.