FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, akuzoi qeverinë për indiferencë të plotë përballë situatës së rëndë të përmbytjeve në disa zona të vendit, duke deklaruar se mijëra banesa dhe biznese janë të rrezikuara, ndërsa autoritetet nuk kanë shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore.
Gjatë konferencës për media ditën e sotme, Berisha u shpreh se përmbytjet në Durrës janë favorizuar nga gjendja katastrofale e kanalizimeve dhe mosfunksionimi i hidrovorëve në Porto Romano dhe Hamallaj, ndërsa situata në Novoselë, për shkak të rrezikut nga lumi Vjosa, është tepër alarmante. Ai u bëri thirrje banorëve të zonës të evakuohen sa më parë.
Lideri demokrat, Sali Berisha e cilësoi mosshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë si një akt të qëllimshëm, duke akuzuar qeverinë se synon të shmangë kompensimin e qytetarëve për dëmet e shkaktuara. Ai gjithashtu akuzoi kryeministrin Rama për përfshirje direkte në afera korruptive dhe për presion ndaj sistemit të drejtësisë, duke përmendur çështje si aeroporti i Vlorës, tuneli i Llogarasë dhe skandali i AKSHI-t.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Berisha deklaroi se Rama është i frikësuar nga hetimet dhe se po përpiqet të mbrojë bashkëpunëtorët e tij për të shpëtuar veten. Kryedemokrati theksoi se ndryshimi politik në vend do të vijë nga qytetarët dhe jo nga faktorë të tjerë.
Sa i përket tryezës së thirrur nga opozita me temë “Zgjidhja për Shqipërinë”, Berisha tha se dera mbetet e hapur për të gjitha forcat opozitare, pavarësisht refuzimeve apo rezervave të shprehura nga disa subjekte të reja politike, me qëllim krijimin e një fronti sa më të gjerë kundër qeverisë.
FJALA E PLOTË
Përmbytjet nga shirat kanë marrë dimensione të reja dramatike, proporcione të reja dramatike në mbarë vendin.
Narko-qeveria është në narkozë të plotë, është jashtë çdo lloj imagjinate, jashtë çdo lloj standardi, që në kushte kur mijëra e mijëra banesa, dhjetëra mijëra qytetarë kanë shtëpitë e tyre të përmbytura, kanë bizneset e tyre të përmbytura, kanë jetën e tyre të kërcënuar, qeveria, narko-qeveria jo vetëm që nuk vendos gjendjen e fatkeqësisë natyrore, e cila detyron të ashtuquajturim shtet të mobilizojë të gjitha burimet për të ndihmuar, për të shpëtuar, për të nxjerrë nga rreziku banorët e zonave të kërcënuara, të përmbytura, por lëshon dje një tallje cinike, në të cilën pretendon se opozita po e akuzon për përmbytjet në Greqi dhe Itali, një fantazi e sëmurë e një fantazisti të sfazuar, njeriu i cili tani po përjeton net tmerri çdo natë për shkak të krimeve të tij të bëra evidente.
Por unë prapë do ndalem edhe njëherë tek zonat e përmbytura.
Durrësi është përmbytur, pa diskutim që reshjet e mëdha janë shkaku themelor, por ajo që e favorizoi në mënyrë të paprecedent është gjendja katastrofale e kanalizimeve dhe hidrovorëve, atij të Porto Romanos dhe atij të zonës sipër Bishtit të Pallës, e cila mbron të gjithë atë ultësirë.
Pra, këto dy hidrovorë, i pari ka disa porta që nuk i funksionojnë, kurse hidrovori i Hamallajt i ka pompat e djegura.
Përveç kësaj kanalizimet janë bllokuar me ndërtime të tjera ose nuk janë pastruar.
Pra, në këtë situatë gjithçka favorizon ujin për të përmbytur qytetarët, shtëpitë, bizneset e tyre.
Situatë dramatike, tepër kërcënuese është në zonën e Novoselës ndaj dhe Bashkia e Vlorës ka kërkuar evakuimin.
U bëj thirrje banorëve të evakuohen sa më parë sepse lumi Vjosa është një lumë me rrezikshmëri të pakrahasueshme me asnjë nga lumenjtë e tjerë të vendit në befasinë e prurjeve të tij.
Lumenj të tjerë kanë dalë dhe përmbytur zona siç është lumi i Drojës, që në fakt është një përrua në realitet, por gjatë shtrëngatave të mëdha bëhet lumë i rrëmbyer dhe ka çarë argjinaturat dhe ka përmbytur zonat e tjera.
Në asnjë vend nuk gjenden qeveria dhe përfaqësuesit e narko-qeverisë, përveçse ministri i Drejtësisë që kishte shkuar në burg dhe kishte veshur kominoshet e burgut për të dëshmuar se qeveria e tij është një qeveri e mbytur komplet.
Ndaj dhe para kësaj situate, dënoj me forcën më të madhe këtë indiferencë çnjerëzore, moshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, gjendje e cila ka tejkaluar, plotëson në këto rrethe të gjitha kriteret për t’u shpallur.
Por kjo mosshpallje vjen për shkak se nuk duan t’i kompensojnë qytetarët për humbjet e tyre.
Sepse shpallja e gjendjes së fatkeqësisë detyron qeverinë të kompensojë të gjitha dëmtimet e krijuara nga fatkeqësia.
Këtu qëndron fakti që narko-qeveria dhe Edi Rama sodisin.
E vërteta është që Edi Rama është i tmerruar nga dosja e tij.
Në çdo rresht të dosjes Balluku, Edi Rama lexon emrin e tij.
Në çdo rresht të aeroportit të Vlorës, tunelit të Llogarasë, unazës së Madhe dhe tenderave të tjera, de facto prapa Lubisë është Edi Rama.
Ndaj dhe ai po bën gjithçka që të bllokojë drejtësinë dhe kërkesën e saj.
Ai përdori Gjykatën Kushtetuese në funksion të narko-shtetit, interesave të tij mafioze.
Në një akt të pashembullt, kjo gjykatë mori pushtetet e gjykatave të tjera për masat e sigurisë dhe i hoqi Lubi Ballukut masën e sigurisë duke i krijuar asaj të gjitha mundësitë për falsifikimin, shkatërrimin e dokumenteve që e inkriminojnë atë në çdo orë të aktivitetit të saj.
Po kështu Edi Rama po bën presionin më të madh ndaj prokurorisë për AKSHI-n, për Lindën e AKSHI-t, pas të cilës dihet se qëndron Linda e Surrelit.
Po bën çdo lloj presioni në mënyrë që baxhanaku i tij, Armando Frangu, kunati i floririt i Lindës së Surrelit, të mos shpallet në kërkim si person i akuzuar për krime të rënda.
Të gjitha ndodhitë e AKSHI-t, për të cilin ky tha se kishte respektin maksimal për Lindën e AKSHI-t, Linda e AKSHit ishte për të njeriu i respektit maksimal, pacaka se para syve të saj janë marrë pengje, janë zhdukur qindra e qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptare, që të gjitha në funksion të familjes Rama të Surrelit, që të gjitha pa përjashtim në funksion të Armando Frangut.
Pra, Rama tani nuk ka asnjë interes për asnjë qytetar tjetër në Shqipëri përveç Lindës së tij, Armando Frangut dhe familjes së tij.
Dënoj këto qëndrime me forcën më të madhe u bëj thirrje qytetarëve të angazhohemi për të nxjerrë sa më shpejt Shqipërinë nga kthetrat e këtij klani mafioz të rrezikshëm, aktualisht më i rrezikshmi në Europë dhe ndër më të rrezikshmit në botë.
PYETJE-PËRGJIGJE
Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha, ju keni thënë në qëndrimet tuaja që Edi Ramën nuk do ta rrëzojnë forcat Delta, por qytetarët. A mendoni se mund të jetë një shkak për rrëzimin e Edi Ramës edhe përballja e tij me drejtësinë, a mendoni se Rama do ta ketë radhën pas Belinda Ballukut në SPAK?
Berisha: Rama po mbron Balluku në aparencë, për t’u përgjigjur me fjalët se ku e lexova, ai do ishte gati ta helmonte në mesnatë atë po të mos kishte dosjen e vet.
Në këtë aspekt, Spaku edhe mund të lëshojë ndonjë urdhër mbrojtje sepse ai është i aftë të kryejë çdo krim për të mbrojtur veten e tij.
Në fakt Lubia është hajdutja më e madhe në historinë e kombit pas Edi Ramës, por për tunelin e Llogarasë, ajo është vetëm një shërbëtore e tij.
Vetëm sa ka firmosur ato që i kanë thënë.
Andon Kello, ABC Neës: Z.Berisha, ju ditën e nesërme keni thirrur një tryezë me gjithë faktorët opozitarë me temë ‘zgjidhja për Shqipërinë’. Ditën e djeshme, 3 faktorët më të rinj opozitarë, Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet, të 3-ja për arsye të ndryshme e kanë refuzuar ftesën, ose kanë pranuar të ulen në këtë tryezë të ditës së nesërme?
Berisha: A mund t’i paragjykoj unë ato, pa u mbledhur tryeza. Po ja që mundet të ndryshojnë mendim, dhe pastaj ç’ngelet nga fjala ime.
Prandaj dera është e hapur, tryeza është e hapur dhe të gjithë ata që e ndjenjë veten opozitar, janë të mirëpritur.
Kjo ka vetëm këtë qëllim, një front sa më të gjerë për përmbysjen e kësaj qeverie.
Prandaj dhe unë nuk bëj asnjë koment, për komentet që janë bërë ditët para tryezës.


