KONFERENCA E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARET
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë me gazetarët ka denoncuar presionet që po i bëhen Gjykatës Kushtetuese për të zhvlerësuar përgjimet e SKY Ecc.
Sipas Berishës, Pëllumb Gjoka i cili ka bërë padi në Kushtetuese, është thjeshtë prestanome i Edi Ramës në këtë proces.
Gjatë fjalës së mbajtur në konferencë me gazetarët, kryetari i PD-së, Sali Berisha e vuri theksin sërish tek krijimi i Komisionit të të Vërtetës, që të zbardhë rolet e qeveritarëve, Edi Ramës, ministrave dhe lidhjet e tyre me krimin, role të zbuluara nga përgjimet e SKY-t.
Lideri i demokratëve Sali Berisha gjatë konferencës për mediat, foli edhe për rastin e marrjes nën hetim dhe rrëmbimit të materialeve të punës, të gazetarit Elton Qyno.
Sipas Berishës, Altin Dumani urdhëroi rrëmbimin e gazetarit Qyno pasi ky i fundit nxorri emrin e Edi Ramës në përgjimet e SKY-t.
Duke komentuar edhe vendimin e Gjykatës së Strasburgut për pranimin si prova të përgjimeve të SKY, kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se, ky ishte një vendim historik.
FJALA E PLOTE
Sot jam para jush për të denoncuar një nga aktet më të shëmtuara dhe me pasoja më të rënda për këtë vend, presionin e jashtëzakonshëm që po bëhet mbi Gjykatën Kushtetuese për të vendosur zhvlerësimin e miliona faqeve, mesazhe dhe biseda, të sjella në përputhje me rregullin ndërkombëtar nga partnerët, agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere, në të cilat Shqipëria faktohet si një vend që nga bodrumet e kriminelëve dhe mafies gjer në zyrën e kryeministrit, sundohet nga krimi, krimi dhe vetëm krimi.
Po përdoret në këtë kontekst si pretekst një ankesë që ka bërë i pandehuri Pëllumb Gjoka.
Çdo i pandehur ka të drejtë të paraqesë në sistemin gjyqësor çdo ankesë, por Pëllumb Gjoka po përdoret vetëm si prestanome sepse në fakt prapa presionit të jashtëzakonshëm mbi Gjykatën Kushtetuese për të zhvlerësuar si dokumente të vlefshëm ligjorë 1 milion faqe, biseda dhe mesazhe midis kriminelëve, në të cilat gjenden, zbërthehen 98 përqind e vrasjeve.
Zbërthehen 95 përqind e të gjitha trafiqeve kriminale, kryesisht kokainës, kanabisit dhe trafiqeve të tjera.
Zbërthehen 90 përqind të ndërhyrjeve të qeveritarëve në tendera dhe koncesione.
Zbërthehet universi i krimit të shëmtuar kriminalo-banditesk elektoral.
Angazhimi nga Edi Rama, organizata e tij kriminale qeveri, qeveritarët vendorë, të të gjithë arsenalit mafioz të nëndheshëm kundër vullnetit të zgjedhësve në Shqipëri.
Pra, Pëllumb Gjoka po përdoret si prestanome, por e vërteta është se mbi gjykatësit kushtetues, presione nga më të paimagjinueshmet po ushtrohen nga narkoshteti me në krye Edi Ramën.
Një hordhi e tërë zyrtarësh, komisarësh, skrapistësh, po përdor çdo mekanizëm në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të vendosë në kundërshtim flagrant me vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila dje në një verdikt historik, do ta quaja në raport me betejën me krimin, i shpalli prova të vlefshme të gjithë gjetjet në serverat e telefonave të koduar, SKY ECC.
Ju kujtohet qytetarëve se e dashura e McGonigal deklaroi se McGonigal fliste me SKY ECC me Edi Ramën.
Prapa kësaj përpjekje të jashtëzakonshme qëndron pjesëmarrja direkte në krime e qeveritarëve nga Edi Rama, Taulant Balla, Agaç e kompani.
Dokumente të shumta faktojnë se këta janë emrat më të qarkulluar dhe se komisarët e policisë që përdoren rëndom, servilen si mish në karrem, janë thjesht ushtarë krahasuar me lejtnantët ministra dhe qeveritarë.
PD, duke pasur luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar si një shtyllë kryesore të programit, garanton shqiptarët se Komisioni i të Vërtetës, i përbërë nga qytetarë, nga zyrtarë, anëtarë të partive politike dhe anëtarë të shoqërisë civile, por edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, do të jetë përpjekja e saj më madhore dhe programi i saj.
Në rast se ne nuk zbardhim, nuk bëjmë publike lidhjet e krimit nga bodrumet gjer tek zyra e kryeministrit, Shqipëria do të mbetet skllave dhe krimi do mbetet vendimmarrësi në këtë vend pa një të ardhme.
Pra, krahas votës së lirë, detyrë kryesore tjetër, objektiv kryesor tjetër i PD është krijimi i Komisionit të të Vërtetës.
Copëza nga këto të vërteta kanë rrjedhur dhe ato janë të lemerishme. Ato tregojnë se Edi Rama është i lidhur edhe në krime të shëmtuara me bandat.
Cilido që lexoi statusin e gazetarit guximtar Elton Qyno, kuptoi se pse banditi Altin Dumani urdhëroi rrëmbimin e tij në mes të rrugës.
Sepse Qyno në regjistrimet që dispononte, kishte emrin e padronit të banditit Dumani, emrin e Edi Ramës.
Kjo vetëm në një aspekt.
Për të tjera iu lakua emrin në Belgjikë Edi Ramës, që ia nxori televizioni belg.
Taulant Balla është omniprezent në veprimtarinë e bandës së Elbasanit, e bandës së Shkodrës, e bandave të Fushë Krujës, është omniprezent në veprimtarinë e të gjitha bandave.
Bandat emëruar ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e përgjithshëm të policisë.
Ju keni konstatuar se ka dy vite që nuk kapet një kg kokainë në portin e Durrësit se ai tani është biznes shtetëror.
Disponohen dokumente të pakundërshtueshme, zyrtare që ata të ciklët iu paraqitën publikut shqiptar si heronjtë e fëmijëve tanë, janë monstrat e fëmijëve tanë dhe qytetarëve shqiptarë.
Ky komision është i një rëndësie fondamentale për ndarjen e politikës nga krimi në Shqipëri.
PD qëndron e vendosur dhe kërkon mbështetjen e opinionit publik me bindjen më të thellë se pa nxjerrë para opinionit të vërtetat e këtyre lidhjeve me krimin, të Edi Ramës, po jo më pak të Olsi Ramës, Taulant Ballës, por natyrisht Fatmir Xhafës, Gjiknur e me radhë.
Po së fundmi edhe Spirogjoka nuk del e pafajshme, jo.
Nuk ishte rastësi që shkoi në Shkodër dhe Edi Rama i mësoi asaj pikërisht atë që një grua nuk duhej ta thoshte kurrë. U shndërrua në ndrikull dhe adaptoi atë fjalor që e mban mend sot mbarë Shqipëria.
Ndaj dhe njëherë i bëj thirrje opi9ionit të mbështesë këtë nismë, me të cilën ne do bëjmë
gjithçka për të rritur ndjeshmërinë në Shqipëri dhe botë.
Krijimi i këtij komisioni është një detyrim madhor para qytetarëve shqiptarë.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju denonconi se në Gjykatën Kushtetuese ka një lloj presioni për të rrëzuar përgjimet e SKY. Nga ana tjetër keni informacione për dorëheqjen e një anëtarëje të Kushtetueses, pasi erdhi vetëm pak ditë pasi kjo çështje kaloi për shqyrtim. Çfarë po ndodh me gjyqtarët e Kushtetueses.
Sali Berisha: Me gjyqtarët brenda Gjykatës Kushtetuese po ndodhin të gjitha format antikushtetuese të presionit ndaj tyre dhe gjithçka synohet të delegjitimojë dokumente legjitime zyrtare që vendet partnere kanë dorëzuar sepse e konsiderojnë si detyrim të ndihmojnë publikun shqiptar për të pasur një mjedis të sigurt, por edhe si detyrim për rrezikun e madh që bandat dhe mafia përfaqëson për vendet e tyre. Kjo është e sigurt. Duan të çekuilibrojnë kuorumin e gjykatës përpara një vendimi jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili sigurisht nuk do të pranohet, do të apelohet nga PD. Por do të shënojë gllabërimin e institucionit kushtetues nga mafia dhe krimi.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju denonconi lidhjet e qeverisë me krimin, akuzoni policinë e shtetit, ndërkohë që uniformat çojnë në prokurori për atë që ndodhi ditën e djeshme në parlament. Si i përgjigjeni ju reagimit të ministrit të Brendshëm dhe padisë së policisë. Është një mënyrë kërcënimi, ju step kjo rrugë që po ndjek mazhoranca.
Sali Berisha: Shqipëria është një diktaturë krimi, droge dhe vjedhje. Është një mobokraci. Dhe atyre që bëjnë teorizimin e diktaturës demokratike, atyre u them se jeni mjerimi njerëzor. Se nuk ka diktaturë demokratike. Se tipari më kardinal i një diktature, u them atyre mjeranëve që nuk u mjafton një jetë për t’u bërë njerëz, është të gjitha pushtetet në duart e një njeriu. Ai që dyshon sot se kjo nuk është e vërtetë në Shqipëri, ai është jashtë këtij realiteti në variantin më të pakët, ose pastaj i decelebruar nga paratë e krimit që e ushqen qeveria. Unë ndjek me interes, por ne sot pra, çfarë janë veprimet e djeshme? Veprimet e djeshme janë tipike të një diktaturë. Dhe unë dëgjova opinionistë të krahut qeveritar se këto kanë ndodhur, nuk kanë ndodhur kurrë, u them unë atyre, që policia të hyjë në parlament. Nuk ka ndodhur kurrë. Por mos shfrytëzoni mikrofonat për të mashtruar publikun. Pra, ka një ligj dhe një Kushtetutë, por ky regjim nuk ka as ligj dhe as Kushtetutë. Spirogjoka urdhëronte gardistë pa ligj që të nxirrnin me forcë deputeten e PD. Pse? Sepse hodhe helme toksike, thoshte Spirogjoka, në një kohë kur ato ishin substanca parfumike. Sjellja jashtë, thirrja nga deshendenti i kryexhelatit të gjithë kohërave, Enver Hoxha, bastardi Ervin Hoxha, që filloi ta bënte Hoxhaj njëherë, edhe ai është me dy-tre mbiemra, por ato do të vijnë më vonë… Pra, fut RENEA-an, në të cilën dihet që ka kriminelë, trafikantë dhe një prej tyre ishte ai i tregoi revolen deputetit të PD. Unë e përgëzoj deputetin Luan Baçi për përgjigjen që i dha dhe ftoj çdo qytetar t’u japë këtyre banditëve përgjigjen që meritojnë. Pra, ishte, po ta marrësh, po këta nuk kanë as ligj dhe as Kushtetutë, se ato ishin akte puçiste. Nuk mund të fusësh në territorin e parlamentit, pa vendim të parlamentit, forca të tjera përveç gardës së republikës. Duhet të shpallësh gjendje të jashtëzakonshme që të angazhosh forca të tjera në parlament. Ndaj, këto komente kam unë, por përfitoj nga rasti t’i përshëndes, t’i përgëzoj deputetët guximtarë, të cilët qëndruan të pamposhtur si përfaqësues të popullit opozitar dje brenda sallës dhe jashtë sallës. Garantoj se mosbindja civile do t’u japë përgjigjen më të merituar këtyre akteve kriminale antikushtetuese ndaj opozitës.
Isa Myzyraj, OraNews: Gjykata e Posaçme ka caktuar seancën paraprake për ju dhe së shpejti pritet të nisë gjyqi ndaj jush. Gjatë këtij procesi gjyqësor do të marrë pjesë personalisht Sali Berisha në të gjitha seancat e procesit.
Sali Berisha: Meqenëse e hape këtë çështje, megjithëse sot jam për çështje të tjera, më duhet të bëj një sqarim lidhur me këtë çështje. Në fletërrufenë aktpadi ndaj meje, mashtruesit publikë Dumani i pyetjes 1 milion euro dhe tre shtëpive me rrogë shteti, Kraja i vilave dhe i të shkuarës xhelat i Sigurimit të Shtetit, simotra biologjike, ndrikulla e bandave Mellonai, mashtruan, një nga mashtrimet e shumta, se Sali Berisha, siç u kujtohet, vendimin për letrat me vlerë e anuloi pas 7 muajsh pasi e firmosi. Për ta lidhur këtë sikur gjoja ky vendim që kishte dalë 1 muaj pasi familjet pronare të klubit Partizani kishin paguar mbi 90 përqind të të gjithë shumës, por për ta lidhur këtë, mashtruan publikun e thanë se ky pasi përfundoi problemi i klubit Partizani, anuloi vendimin. E vërteta është se 7 muaj pas këtij vendimi, për sa i përket pronarëve, përdorimit të letrave me vlerë nga pronarët për të blerë, parablerë objekte të ndërtuara në pronat e tyre, nuk lëvizi asnjë germë. Mashtruan, për të mos përdorur atë term që meritojnë. Përkundrazi, ajo pikë e vendimit u la siç ishte, u ndryshua vetëm një pikë e vendimit, e cila përjashtonte përdorimin në ankand të letrave me vlerë për të tjerët. Meqenëse ata kishin shpifur dhe mashtruar publikisht, u paditën nga avoketërit e mi, por padia Skrapi i partisë refuzoi të hapë çështje penale për skrapistët mercenarë të partisë. Së dyti, ju jeni gazetarë dhe unë u bëj thirrje të bëni një kontroll të seancës kur mercenarët e Skrapit u paraqitën në komisionin e mandateve, kur ata deklaruan se kishin ardhur pa dosje, deklaruan se jemi këtu për zëvendësimin e masave të sigurisë, pasi Berisha nuk zbatoi masat e para. Unë nuk i zbatova se ishin antikushtetuese, antiligjore. Kurse tani të zënë ngushtë se kanë shkelur ligjin, deklarojnë se nuk shkuam vetëm për këtë. Nuk shkuan për asnjë prej tyre, se regjistrimi është zyrtar, publik. Edhe për këtë, avoketërit gjykuan se duheshin paditur. Përsëri, skrapistët e hodhën poshtë, nuk hapën çështje penale. Tani vijmë tek pyetja direkte. Do të jenë avoketërit ata që do të vendosin mbi domosdoshmërinë e paraqitjes time ose jo, në seancën gjyqësore, kjo paraprake mos gaboj.
Mariglen Kume, MCN: Në denoncimin që bëtë në deklaratën tuaj, deklaruat me shifra se komunikimet në këto aplikacione të ikriptuara zbulojnë 98 për qind të vrasjeve, 95 % të trafiqeve dhe 90 % të ndërhyrjeve në tendera dhe koncesione. Duket si informacion koncize të sakta, i keni ju dosjet e përgjimeve.
Sali Berisha: Ato komunikime janë labirintet më drithëruese të botës së krimit në Shqipëri. Ato komunikime dëshmojnë se si politika ka shfrytëzuar bandat dhe bandat politikën për qëllime nga më antiligjore, më çnjerëzoret. Por dëshmojnë se si Skrapi i partisë merr peng, zbaton urdhra, mbyll dosje, përdor pengje për interesat e veta, vjel ryshfete, majmen e pasurohen si kriminelë nga bashkëveprimi me organizatat kriminale. Në ato dokumente, ekziston i gjithë universi i krimit elektoral. Se çfarë bashkëveprimi ka pasur midis Edi Ramës dhe drejtuesve politikë të qarqeve të partisë së krimit me bandat kriminale për të diktuar rezultatin e zgjedhjeve. Aty gjenden udhëtime fabuloze, dhuratat mbretërore me 500-600 mijë euro për Edi Ramën. Aty ka gjëra të pafundme, por le të mos e bëjmë objekt kuriozitetesh. Kjo kërkon me çdo kusht Komisionin e të Vërtetës, që shqiptarët të shohin se midis Pëllumb Gjokës dhe Edi Ramës, Edi Rama është shumë herë më i lig se Pëllumb Gjoka. Se midis Suel Çelës apo Bajrëve dhe Taulant Ballës, Taulant Balla është më i lig se secili prej tyre. Se midis Nuredinit dhe Altinit, Altini është tre herë më i keq se Nuredini. Dumanëve e kam fjalën. Pra, kemi të bëjmë me një fond të dhënash, transparenca e të cilave do të jetë kushti më themelor për ndarjen e shqiptarëve nga kjo diktaturë e re, e cila vazhdon gjithnjë mbi bazën e krimit.
Kush e emëroi ministrin e rendit, Hoxha? Kush e emëroi Ilir Prodën? Pa këtë transparencë, Shqipëria nuk do ketë paqe ndonjëherë.
Mariglen Kume, MCN: Këtë komisionin e transparencës do ta kërkoni në këtë sesion parlamentar apo në të ardhmen.
Sali Berisha: Do të jetë një nga kërkesat që do paraqesim në Bruksel, në Strasburg, në Kongresin e SHBA dhe Senatin e këtij vendi pas zgjedhjeve, në të gjitha parlamentet e Europës. Ne do bëjmë detyrën tonë, sepse krimi i organizuar shqiptar nuk është vetëm një problem shqiptar. Sepse telefonat e krimit, të përdorur nga bandat, nga 60 mijë në planet, 15 mijë ishin në duart e shqiptarëve, 8 mijë ishin brenda në Shqipëri, përqendrimin më të lartë në zyrën e Këshillit të Ministrave, 74 copë. Pra, nuk është vetëm një problem shqiptar, ky është një problem ndërkombëtar. Është çështje e vullnetit për t’u përballur dhëmb për dhëmb me mafien dhe për të triumfuar mbi të. Kur të shihni ju se si përcaktoheshin në zyrat e Këshillit të Ministrave fituesit e tenderave dhe koncesioneve, do kuptoni se sa fiktive ishin garat. Fatmirësisht këto 1 milion fletë janë të sigurta në duart e atyre agjencive që i bënë një shërbim të jashtëzakonshëm betejës kundër krimit dhe Gjykatës së Strasburgut, e cila në një vendim historik… Gjykata e Strasburgut është gjykata e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në përputhje me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ajo gjykatë i legjitimoi 100 përqind ato dje.
***
Edhe njëherë dua të garantoj qytetarët se beteja me krimin e organizuar është e një rëndësie vendimtare për të ardhmen tonë dhe se PD do të adaptojë zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.
Dhe se kjo parti, në betejën e saj për votën e lirë, do të shtojë si objektiv madhor të programit të saj, krahas atij social, zbardhjen, transparencën me Komisionin e të Vërtetës, jo politik, nga qytetarë pa parti, anëtarë të shoqërisë civile, por edhe ekspertë ndërkombëtarë të dekriminalizimit.
Për Shqipërinë është sot më aktuale se kurrë dekriminalizimi i shtetit.