Pengmarrja e vajzës në Tiranë/ Berisha: Jeta gjithnjë e më e pasigurtë. Rendin në dorë e ka krimi dhe mafia

DEKLARATË PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË SELI

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Sali Berisha ka denoncuar sot ashpër dhunën barbare të ushtruar ndaj një 26 vjeçareje në Tiranë nga partneri i saj. Berisha ka dënuar po ashtu indiferencën e treguar nga organet e rendit dhe në tërësi dorëzimin e sigurisë dhe rendit të qytetarëve në duart e organizatave kriminale nga një qeveri e lidhur kokë e këmbë me ta.

FJALA E PLOTË

Tirana sot shëmbëllen me Palermon e viteve ’50. Një vajzë 26 vjeçare u burgos e marrë peng në shtëpi nga i ashtuquajturi, partner duke kryer ndaj saj një terror fizik dhe psikologjik, tipik për strofullat e mafies në protektoratin e mafies.

Jeta në Tiranë bëhet gjithnjë e më e pasigurtë. Rendin në dorë e ka krimi dhe mafia. U ndala në këtë rast dramatik, sepse muaj më parë një vajzë nga Kenia, 19 vjeçare që punonte në një kazino, u masakrua.

Klithmat e saj ranë në vesh të shurdhër. Vrasësi është i sojit të qeverisë. Vetëm qeveria arrin të heshtë. Të shkatërrojë, t’i rrënojë të gjitha prova për të mbrojtur ministrat e saj kriminelë që fshehin krimin.

Tirana është pra sot, qytet ku dominon ligji i mafias, ku dominon mafia.

Mafia e Tiranës, duke pasur parasysh faktin se ka pushtetin, është mafia më e rrezikshme e Europës. Ajo tejkalon Ndraghetën, Sakra Korona Unitën, tejkalon të gjitha grupet mafioze, pasi kreu i saj është qeveria mafioze shqiptare.

Dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar ndaj 26-vjeçares, dënoj indiferencën e treguar nga organet e rendit dhe në tërësi dorëzimin e sigurisë dhe rendit të qytetarëve në duart e organizatave kriminale nga një qeveri e lidhur kokë e këmbë me to. Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale