Protesta/ PD, Lili Sula: Studentë, pedagogë të universiteteve dhe gjimnazistë, të solidarizohemi me studentët e Mjekësisë

Deklaratë e drejtueses së Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula

Protesta dhe bojkoti i studentëve të Mjekësisë, është një akt i drejtësisë sociale të munguar dhe padrejtësive të qeverisë Rama. Partia Demokratike e mbështet pa rezerva këtë qëndrim civil dhe kurajoz.

Pasi shkatërroi atë që gjeti në Shëndetësi, edhe pse nuk ishte sektori më solid i shoqërisë, qeveria e Rilindjes po bën çmos që të shkatërrojë edhe atë që mund të vijë nesër.

Si pedagoge, si nënë, si shqiptare, si veprimtare e opozitës, i ftoj të gjithë, që nga prindërit e këtyre studentëve me të drejta të mohuara dhe qytetarët e çfarëdo fashe, t’i bashkohen kësaj proteste.

Studentëve, pedagogëve të universiteteve dhe gjimnazistëve, u bëjmë thirrje të solidarizohen me studentët e Mjekësisë, dhe të mbështesin kauzën e tyre të drejtë kundër arbitraritetit të pashembullt të qeverisë.

Nuk duhet lejuar qeveria dhe askush të tjetërsojë të drejtën e individit për të lëvizur, për të zgjedhur, për t’u arsimuar, për të qenë qytetar i Shqipërisë dhe botës së lirë.

Ajo çka po bën qeveria për të përballuar krizën e shkaktuar prej saj është krijimi i një vatre tjetër krize.

Studentët kërkojnë shfuqizimin e ligjit të cilin, me të drejtë, e cilësojnë diktatorial.

I tillë është. Rezistenca kundër tij është sot detyrë e të gjithëve.

Ka ikur koha kur partia dhe pushteti mbanin të lidhur njerëzit në fshatin apo qytetin e tyre, apo nuk i linin të iknin nga vendi nga tmerri që u zgjonte liria e individit.

Qeveria Rama po i përzë me mijëra qytetarët e këtij vendi dhe, në një eksperiment diktatorial, ka vendosur të mbajë disa qindra me forcë këtu brenda.

Dështimet nuk mbulohen me projektligje.

Ajo protestë dhe bojkot i studentëve të Mjekësisë është faqja e zezë e Edi Ramës dhe qeverisë së tij mbi stofin social të Shqipërisë: dështimi spektakolar në Arsim dhe Shëndetësi.

Sa nuk është tepër vonë të gjithë bashkë duhet ta ndalim!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale