PD, Ivi Kaso: Çështja ndaj Fredi Belerit duhet të pushohet, ‘agjenti provokator’ është paguar nga Policia e Shtetit

Deklaratë e Sekretarit për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso:

Padia dhe procesi kundër Fredi Belerit, të cilën Partia Demokratike e ka konsideruar që në nisje si politik dhe të stisur, ra përfundimisht dje, në seancën e zhvilluar në SPAK.

Në këtë seancë u bënë disa pohime kyçe për çështjen, të cilat jo vetëm rrëzojnë akuzën, por edhe e vendosin Prokurorinë në pozitat e një aksesori të qeverisë dhe orekseve politike të saj.

Kështu, i etiketuari si bashkëpunëtor i drejtësisë, Arsen Ramaj, që ka shërbyer si ‘agjent provokator’ i kandidatit të opozitës për Himarën, e pranoi dje se është paguar nga policia e Shtetit për bashkëpunimin dhe kurthin e z. Beleri, që ka çuar në arrestimin e këtij të fundit.

Së dyti, shefi i Komisariatit te Vlorës, Ermal Hajdini, ish Shef Policie në Himarë gjate zgjedhjeve të 14 majit, pranoi dje botërisht se ka instruktuar dhe përdorur kallëzuesin, Arsen Ramaj sa u takon veprimeve dhe bisedave qe duhej të bënte me z.Beleri.

z. Hajdini pohoi gjithashtu faktin se Arsen Rama është paguar nga Policia e Shtetit.

Partia Demokratike është e bindur se këto dëshmi e rrëzojnë përfundimisht procesin politik ndaj kandidatit të opozitës për Bashkinë Himarë. Kodi Penal në nenin 294/a pika 3 e thotë qartë:

“Nuk duhet provokuar një akt kriminal, duke shtyrë një person të kryejë një krim, të cilin nuk do ta kishte kryer po të mos ishte ndërhyrja e Policisë. Kur provohet provokimi, rezultati nuk mund të përdoret.”.

Siç del nga dëshmitë, edhe të provokatorit edhe të cytësve të tij, gjithçka ndaj Belerit ka qenë e programuar. Në këto kushte sipas ligjit shqiptar, të bazuar në traditat më të mira legjislative të botës së qytetëruar, akuza bie dhe çështja pushon.

Mospushimi i çështjes dëshmon për të disatën herë faktin se procesi kundër z. Beleri është montim politik. Sado të mundohet Rama dhe tellallët e tij mediatikë ta veshin me flamurin e nacionalizmave, ajo është një shkelje e të drejtave të njeriut, pavarësisht se cilës etnie apo shtetësie i përket i persekutuari.

Fredi Belerin, sigurisht, nuk e dënon etnia, ajo është vetëm një sajesë e maskarenjve që gjejnë strehë te nacionalizmi, për të mbuluar faktin; ai dënohet se kandidoi për opozitën në zgjedhje.

Jo vetëm kaq, prania e tij në zyrën e qeverisë lokale në Himarë do të ishte halë në fyt për “investitorët strategjikë” të Ramës, që pasi zhytën në beton e hekur Dhërmiun, duan të kafshojnë edhe Himarën.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të pushojë çështjen një ditë e më parë. Çdo vonesë përhap njollën e papërshtatshme për të se është në shërbim të Edi Ramës.

SPAK është ngritur për të bërë drejtësi në politikë dhe jashtë saj, jo politikë me drejtësinë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale