PD: Edi Rama bëri sot akt shantazhi politik në zemër të Europës, foli për fëmijët e Ursula von der Leyen, në vend që të fliste për fëmijët e Shqipërisë

Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë

Në një akt të papërgjegjshëm, në kundërshtim me çdo kod etik, sot Edi Rama vendosi t’u përgjigjet qëndrimeve dhe kërkesave të Bashkimit Europian me probleme të stisura të fëmijëve të politikanëve më të lartë të BE-së.

Edi Rama bëri sot në qendër të Europës një akt prostituimi politik, me gjuhë gangsteri, duke përdorur një formë shantazhi, të cilin Partia Demokratike e dënon me forcën më të madhe.

Para parlamentarëve europianë, Edi Rama foli, ashtu siç është në të vërtetë, kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.

Ai foli për fëmijët e Ursula von der Leyen, në vend që të fliste për fëmijët e Shqipërisë, mbi 1 milion prej të cilëve kanë emigruar vetëm në hapësirën e BE-së gjatë qeverisjes së tij.

Në vend që të fliste për “fëmijët e punëve të pista” të qeverisë së tij, që çdo ditë dalin jashtë Shqipërisë dhe në botë me një skandal, një vjedhje, një tradhti kombëtare.

Edi Rama nuk ka gjuhë tjetër, kode të tjera veç këtyre, sepse ai ka zëvendësuar gjuhën politike dhe shtetin ligjor me tërbimin verbal dhe shtetin e mafias dhe drogës.

Dënojmë me forcën më të madhe qëndrimin dhe veprimet e tij, me të cilat ai vendos çdo lloj mburoje për të shmangur daljen para drejtësisë, për aktet e panumërta, për krimet e panumërta, të lidhura me korrupsionin dhe drogën.

Partia Demokratike zotohet se do të vijojë në traditën e saj dhe do të ketë si agjendë kryesore integrimin europian, bazuar në meritë, funksionimin e shtetit ligjor, ekonominë e tregut të lirë dhe të drejtat e njeriut.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale