PD denoncon: Ja veprimet korruptive të Erion Veliajt lidhur me tenderin për ndërtimin e Teatrit të Ri

DEKLARATË E KRYETARES SË KOMISIONIT TË APELIMIT NË PD, ADRIANA KALAJA

Kryetari ilegjitim i Bashkisë Tiranë me 7% të votave, vijon në mënyrë konseguente konsumimin e veprave penale që lidhen, si me shembjen e Teatrit Kombëtar, ashtu dhe me ndërtimin e Teatrit të Ri, bazuar në projektin korruptiv të Kullave.
Sot Partia Demokratike, në mbështetje të betejës unike afro 5 vjeçare, të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, denoncon veprimet korruptive te Erion Veliajt lidhur me tenderin për ndërtimin e Teatrit të Ri.
Ndërkohë që Erion Veliaj nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Teatrin Kombëtar, ndërkohë që SPAK po heton mosekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga kryebashkiaku, ky i fundit bën manovra lidhur me tenderin e firmës që do ndërtojë Teatrin e Ri.
Rezulton, sipas shkresës pa datë të Bashkisë Tiranë, se është shpallur fitues bashkimi i operatorëve “AGI KONS” dhe “BE – IS” për në shumën e rreth 16 milion Euro.
Tenderi i është dhuruar bashkëshortit të znj. Genta Sula, kryetares së Autoritetit të Dosjeve, si qokë për nderin që ajo i bëri regjimit dhe mafies së betonit, në përpjekje për të njollosur pa prova dhe duke shpërdoruar detyrën, ish Presidentin Meta.
Në këto kushte, ne e çmojmë të domosdoshme të ngremë pyetjet legjitime dhe që i shërbejnë zbardhjes së çështjes si:

  1. Se si është e mundur që të procedohet me tenderin e përzgjedhjes së firmës ndërtuese ndërkohë që tenderi i projektit është në zyrat e SPAK?
  2. Çfarë ka konstatuar nga kjo dosje prokurori Kondili ndërkohë që është pezulluar auditimi?
  3. Çfarë lidhje ka kjo dosje me kallëzimin penal të KLSH-së Nr.29 të vitit 2020?
  4. A është konstatuar se megjithëse “është zhvilluar tenderi i projektit”, projekti në zbatim sipas provave që kemi depozituar në SPAK, por edhe sipas deklarimeve të të kallëzuarit prej nesh Veliaj, projekti që do zbatohet është po ai i Bjarke për të cilin Aleanca ka referuar kallëzimin penal të datës 13.07.2020?
  5. A mund të zhvillohet tenderi i firmës ndërtuese ndërkohë që KLSH-ja ka pezulluar procedurat e auditimit?
  6. Pse nuk është ekzekutuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr.29 nga i kallëzuari nga Aleanca, Erion Veliaj, e cila ka vendosur që prona e Teatrit Kombëtar të kthehet nga Bashkia Tiranë te Ministria e Kulturës, dhe a po hetohet nga SPAK?
  7. A e ka kthyer këtë pronë i kallëzuari nga Aleanca Erion Veliaj dhe kush janë aktet që e kanë bërë pronar sërish dhe a po hetohet nga SPAK?
  8. Nga e di koston e ndërtimit i kallëzuari nga Aleanca Erion Veliaj kur nuk ka një preventiv shpenzimesh nga firma ndërtuese për totalin e punimeve?
  9. Nisur nga fakti se i kallëzuari Erion Veliaj ka thënë se projekti është i Biarke Ingels, nga e dinte këtë Veliaj në maj 2020?
    Partia Demokratike denoncon karshillëkun që Veliaj i bën si Gjykatës Kushtetuese ashtu edhe SPAK, duke organizuar një tender në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe duke kërkuar fillimin e punimeve në një projekt korruptiv në dëm të interesave të trashëgimisë kulturore.
    Sipas deklarimeve të Veliajt para pak ditësh, punimet për ndërtimin e Teatrit të Ri do fillojnë më datë 21 dhjetor. Edhe pse për këtë ndërtim nuk është miratuar Leja e Ndërtimit nga KKRRT.
    Kjo seri shkeljesh flagrante ligjore, shoqëruar me “përtesën” e SPAK për të hapur cështje për Veliajn, nuk na ndalon në betejën tonë që TEATRI të jetë ATY DHE ASHTU SIÇ ISHTE!
Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale