Paditi SYRI TV dhe Piranjat/ PD, Klevis Balliu: Majlinda Bufi është e denoncuar në SPAK për presione e shantazhe ndaj votuesve

Deklaratë e Shefit të Organizimit të PD, Klevis Balliu:

Partia Demokratike ka denoncuar në SPAK kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufin, pas publikimit të fakteve të qarta të presioneve dhe shantazheve ndaj qytetarëve me qëllim tjetërsimin e vullnetit të tyre të lirë në zgjedhje.

Me zë dhe me figurë, u dokumentua mënyra si Bufi përdorte zyrën shtetërore për të kërcënuar qytetarët me ndihmën sociale apo vendin e punës.

Këto fakte do ishin të mjaftueshme për procedimin e saj dhe vendosjen e shembullit se si NUK duhet ta shpërdorojë detyrën një zyrtar publik.

Mirëpo në vend të veprimit të shpejtë dhe të palëkundur të drejtësisë ndaj pushtetares, ne sot gjejmë arrogancën e saj, e shprehur në padi civile ndaj Syri TV dhe Piranjat Shoë për publikimin e fakteve që e gozhdojnë.

Me bindjen e palëkundur se Piranjat dhe Syri TV do e vazhdojnë misionin e vet duke publikuar të vërtetat e pakundërshtueshme dhe të parehatshme të pushtetit, ne i bëjmë thirrje prokurorisë së posaçme të bëjë detyrën dhe të mbyllë hetimet, pasi dëshmitarët janë pyetur dhe provat janë të qarta.

E vërteta e Bufit është e vërteta e procesit zgjedhor të deformuar në të gjithë Shqipërinë, ku administrata përdori kulaçin dhe kërbaçin e pushtetit lokal për të ushtruar presion mbi shtresat më të brishta të shoqërisë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale