Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

‘Ora e së vërtetës thërret të bashkohemi’, Berisha nga Kukësi: Të krijojmë frontin më të madh kundër kësaj të keqeje të madhe, Edi Rama!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN E RIPËRTËRITJES NË KUKËS

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur pasditen e sotme në Foltoren e Ripërtëritjes në Kukës, bëri thirrje për bashkimin e të gjitha forcave politike që kundërshtojnë qeverisjen e Edi Ramës, pavarësisht dallimeve programore dhe politike.

Berisha deklaroi se opozita duhet të krijojë një front të përbashkët për largimin e kryeministrit Rama, duke theksuar se ai nuk do të largohet vetë, por duhet të detyrohet të ikë. Sipas tij, qëllimi kryesor i këtij bashkimi është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe i së drejtës së qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

Gjatë fjalës së tij, lideri demokrat ngriti alarmin për shpopullimin e vendit, duke e cilësuar nivelin e lindjeve, që sipas tij është i ngjashëm me atë të 100 viteve më parë, si një rrezik ekzistencial për Shqipërinë.

Berisha prezantoi edhe disa nga zotimet e programit të PD-së, mes të cilave dyfishimin e pagave dhe pensioneve, vendosjen e minimumit jetik dhe përgjysmimin e taksave, duke deklaruar se asnjë taksë nuk do të jetë më e lartë se 12.5%.

Ai akuzoi qeverinë se përfitimet nga rritja ekonomike shkojnë kryesisht te kartelet e drogës dhe qeveritarët, ndërsa qytetarët varfërohen. Në këtë kontekst, premtoi një betejë frontale kundër krimit të organizuar, karteleve të drogës dhe korrupsionit, si dhe ngritjen e agjencive kombëtare dhe ndërkombëtare për gjurmimin e pasurive të paligjshme dhe konfiskimin e tyre.

Berisha u ndal edhe te historia e Partisë Demokratike, duke sjellë në rikujtesë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, anëtarësimin në Këshillin e Europës dhe rekomandimin për statusin kandidat në BE. Ai e cilësoi PD-në si forcën politike që ka kontribuar në transformimin e vendit dhe mbrojtjen e pluralizmit politik.

Në përfundim, Berisha kërkoi Ripërtëritjen e Partisë Demokratike dhe hapjen e saj ndaj të rinjve, grave dhe vlerave të shoqërisë, duke e cilësuar këtë proces si kusht të rëndësishëm për të ardhmen e forcës politike. Ai u bëri thirrje demokratëve të bashkohen dhe deklaroi se beteja politike kundër qeverisë do të kurorëzohet me fitore.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetarë dhe qytetarë, demokratë e demokratë, banorë të Kukësit, Hasit dhe Tropojës, demokratë e demokratë shqiptarë dhe qytetarë të qytetarë shqiptarë kudo që jeni, një përshëndetje të përzemërt ju këtu në këtë sallë dhe mbarë shqiptarëve kudo që ndodhen. Por, para se të vazhdoj këtë fjalë, do t’ju ftoj të nderojmë me një minutë heshtje një mik të shquar të Kukësit, një personalitet të shquar të Kosovës, i cili edhe në ditët më të vështira gjendej këtu midis jush, bashkëpunëtorin e ngushtë të Ibrahim Rugovës, Ekrem Kryeziu. I paharruar kujtimi i mikut tonë!

Të dashur drejtues të degëve të Partisë Demokratike Kukës, Has, Tropojë, të nderuar deputetë dhe i nderuar deputet i qarkut të Kukësit, i nderuar kryetar i bashkisë Hasit, vëllezër dhe motra!

Së pari, një mirënjohje të pakuqishme ndaj jush, burrave dhe grave atdhetarë, të guximshëm, për mbështetjen dhe votën e tuaj në kushtet më të vështira ndaj Partisë Demokratike. Ua them me bindjen time më të thellë se ajo votë ishte para së gjithash votë për pluralizmin politik të shqiptarëve, votë për lirinë e shqiptarëve, votë për mbijetesën e pluralizmit, e lirisë dhe dinjitetit të shqiptarëve, të cilat u kërcënuan pas 30 e sa vitesh në mënyrën më brutale, të cilat u vunë në satër nga një regjim, i Edi Ramës, regjim më armiqësor ndaj shqiptarëve.

Në disa aspekte nuk kanë patur kurrë në historinë e tyre regjim i cili i papërcaktuar, i kalkuluar, kërkon me çdo kusht të zhbëjë kombin shqiptar në Shqipëri. Kërkon të dëbojë masivisht shqiptarët nga Shqipëria, kërkon të shtrojë Shqipërinë përfundimisht në një çiflig të drogës dhe mafies më të rrezikshme në Europë. Ju qëndruat, qëndruat me votë si dritë, si dëshmi e qytetarit të pamposhtur.

Por qëndruat ju, qëndruat ju dhe ne pamë në qershor uraganin më të fuqishëm të shqiptarëve në historinë e tyre. Nuk ishit vetëm ju që votuat, por kishte edhe qindra e mijëra shqiptarë që kishin votuar patronazhistët por që e kuptuan gabimin që kishin bërë dhe dolën në rrugë.

Të dashur miq, lëvizja e fuqishme, pranverës, këtij viti e qershorit, ishte një uragan i vërtetë, populli u ngrit me të gjithë lartësinë e idealit. Kjo i dha mbarë botës… Edi Ramës… vetëm politika dhe opozita, por është populli sovran, shqiptarë të të gjitha bindjeve. Njeriu të cilit i vishet çdo epitet, çdo cilësi, por unë po ndaj çfarë thotë analisti i madh gjerman Michael Martens, kryeministri më i mirë i kombi shqiptar. Por kjo lëvizje, së bashku me revoltën në të cilën shkëlqeu si kurrë herë guximi i pashoq, trimëria e jashtëzakonshme e vajzave të universiteteve, gjimnazeve të Tiranës, nuk kanë parë rrugët dhe sheshet e Tiranës për liri dhe dinjitet siç ishte betimi i studentëve dhe gjimnazistëve.

Në këtë lëvizje, në të cilën Edi Rama përdori barbaritë më të mëdha, e vërteta është, studentë dhe gjimnazistë i dhanë atij dënimin, vdekje politike pa apel! Po po, por miq, kanë qenë gjashtë muajt më pozitivë ndër më pozitivët në historinë tonë kombëtare.

Çfarë ndodhi? Edi Rama, armiq të tjerë të opozitës shqiptare dhe të sovranitetit të shqiptarëve, mafia më e rrezikshme e Europës mendoi se do ta përdorë atë lëvizje të madhe për të instaluar në rrugë dhe sheshet e Tiranës skenarin serb dhe besuan verbërisht se do mund të zëvendësonin Partinë Demokratike me opozitë të kontrolluar apo opozitë siç donin ata. Ndaj dhe dolën me moton ‘Rama në burg, Berisha në burg’ dhe Partia Demokratike, parti e shitur, opozitë e shitur.

Besuan verbërisht se me këto qëndrime po kryqëzonin, po gozhdonin Partinë Demokratike. Mirëpo, unë u them atyre, hajde shihni Gjallicën! Kur të mposhtni Gjallicën, ju mund të mposhtni Partinë Demokratike.

Ata, një grusht i vogël që mund t’u vësh çdo epitet, nga mëngjesi gjer në darkë me thirrjet e porositura. Cili ishte qëndrimi ynë? Se kjo ishte ana e tyre. Po ana jonë, e demokratëve, cili ishte? Mbështetje e plotë dhe totale për protestën! Përjashto tre katër ditët e para që ata kanë qenë, demokratët kanë qenë më të paktë, po pastaj aty demokratët kanë qenë shumicë numerike çdo ditë në asaj proteste. A mund të ishim ne tjetërkund, përveçse tek qytetari që protestonte? Jo dhe jo. Ne kemi një moto: I pari qytetari. Pra, ne e duam këtë flamur, por ne duam qytetarin të parin. Ne nuk vëmë kurrë qytetarin të parin, para tij.

Ndaj dhe ne u bashkuam me ta dhe u bashkuam me një kod të hekurt: Asnjë përpjekje për të kapur protestën. Asnjë kritikë për protestën, përveç opozitë e opozitës. Asnjë kusht, por prani maksimale. Me qindra mijëra demokratë, shumë prej tyre të zemëruar nga ato që dëgjonin, shkuan aty çdo natë. Patën mjaft njerëz të cilët kritikonin, pse shkohet aty, si ka mundësi t’i thërret, bën thirrje të marrim, të jemi aty ne, të çosh demokratët kur ata thërrasin kundra teje.

Gabuam ne? Cili ishte qëndrimi ynë? I lavdëruam ata? Jo! I vlerësuam dhe i shpallëm armiq të Partisë Demokratike. Se dua ta kemi të qartë, një gjë është e sigurt, Zoti të vret po nuk i the armikut armik.

Por ka një parim të lashtë sa luftërat, sa betejat. Armiku i armikut tim, është aleati im. Dhe ne haptas me guxim ja u thamë të gjithë demokratëve dhe shqiptarëve. Çfarë bëmë ne me këtë, çfarë thamë ne me këtë? Ne thamë me këtë, dakord, ti je armiku ynë. Ti nuk do të na shohësh mbi faqen e dheut, por në qoftë se ti konsideron Edi Ramën të keqen më të madhe të këtij kombi, hajde të bashkëpunojmë, ta rrëzojmë dhe prapë armiq mbetemi. Të votojnë të lirë qytetarët shqiptarë dhe secili në rrugën e vet. A ishte i drejtë ky qëndrim? Ishte shumë i drejtë. Dhe ky është qëndrimi i njerëzve të qytetëruar që vënë të parin, para flamurit të partisë, flamurin e kombit. Para partisë, vënë Shqipërinë.

Cili ishte vlerësimi i shqiptarëve? Vlerësimi i shqiptarëve për Partinë Demokratike sot, është më pozitiv dhe më i mirë se kurrë. Dhe në fakt ju them unë ju, kjo parti vjen sot e përgatitur për një fitore vendimtare ndaj narkoshtetit dhe Edi Ramës. Kur të cilët krahasuan Partinë Demokratike, e cila në 35 vite, me gjithë gabimet, me gjithë të metat, me gjithë mangësitë, me gjithë defektet, askush në botë s’mund ta mohojë se historia e saj është historia e lirisë së shqiptarëve. Se historia e saj është historia e përmbysjes në Shqipëri e diktaturës më të egër komuniste. Është historia e shtrimit të shqiptarëve nga qenie shtetërore në qytetarë të lirë me dinjitet, me pronë. Është historia e nxjerrjes së shqiptarëve nga njëri prej tre kthetrave më të varfra të planetit në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta. Është historia e asaj force politike që nuk kishte asnjë aleat të themeluar, por që shpalli para shqiptarëve dhe botës se ylli i saj polar është çështja kombëtare. Duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë, duke marrë përsipër të gjitha pasojat. Duke dëshmuar se kurrë, asaj çështje ne nuk i kthejmë shpinën, përkundrazi, do t’i qëndrojmë gjer në zgjidhjen e saj.

Cila është historia? Është historia e asaj force politike që transformoi Shqipërinë, e anëtarësoi në NATO, në Këshillin e Europës, mori rekomandimin për statusin kandidat. Është historia që i nxori shqiptarët dhe i bëri qytetarët më të paguar në rajon. E pra, a mund të besonin shqiptarët kur ata e krahasonin me partinë e krimit, me partinë që ka lindur mbi krimin dhe vëllavrasjen, me partinë që ka vazhduar me diktaturën, me partinë që është sot partia më hajdute e planetit, me partinë që ndërtoi Edi Ramën që ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin. Kjo është arsyeja, sepse dhjetëra mijëra socialistë të ndershëm dolën në qershor kundër tyre. Kjo është arsyeja.

Pra, e vërteta është se me betejën për të krijuar një opozitë serbe në Shqipëri, ata qëndruan, përfunduan në banesën e turpit të historisë. Ata u zhdukën dhe do të regjistrohen si tradhtarë të pluralizmit politik. Kurse Partia Demokratike ecën e sigurt, drejt fitores.

Edi Rama sot, nuk është vetëm njeriu më i urryer i shqiptarëve. Jo. Është njeriu më i urryer i njerëzve të lirë në Europë dhe në botë. Dhe prisni, se akoma nuk kanë parë shqiptarët se çfarë përfaqëson ai, se çfarë krimineli, se çfarë hajduti, se cilat janë përmasat antishqiptare të tij, se çfarë gangsteri në krye të shtetit qëndron.

Ndaj dhe, nderim për ju, që s’u dorëzuat në kohërat më të vështira, po mbështetët pluralizmin e mbajtët gjallë.

Tani është radha jonë!

Tani është radha jonë dhe këtë radhë ne kemi detyrat tona të vështira, jo të lehta, por të përmbushura plotësisht. Së pari ne duhet të bashkohemi. Duhet të bashkohemi me përpjekjen tonë më serioze. Ju rikujtoj se një radhë here e kam përsëritur gjatë asaj periudhe që u thoja atyre që lëshonin slogane kundra nesh se ‘armiku i armikut tim është aleati im kundër të keqes më të madhe’. Dhe ata në fakt nuk ishin armiku i armikut tonë, ata ishin çirakë të armikut tonë që paguheshin prej tij dhe ikën siç ishin. Por, duhet të bashkohemi.

Duhet të bashkohemi përsëri, me të gjitha forcat politike, pavarësisht nga programe shumë të ndryshme që kemi, pavarësisht nga kimia, të themi apo empatia që mund të kemi ndaj njëri-tjetrit e të tjerë me radhë. Për të gjithë ata që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe të këtij kombi, ora e së vërtetës thërret të bashkohemi.

Të bashkohemi sepse të bashkuar mund ta hedhim ku e meriton, me koston më të ulët.

Nuk është se ai ikën. Jo. Ai, ne duhet ta detyrojmë të ikë. Ta kemi të qartë këtë. Mos presë askush që ai ikën. Jo. Ai ka kryer krime të rënda. Ai e di se do t’i duheshin tri jetë për t’u kalbur në burg për krimet që ka kryer, për vjedhjet e paimagjinueshme që ka bërë. Por, ne duhet të qëndrojmë në këmbë dhe të vendosur. Diktaturat, historia tregon se me votë nuk ikin. Kjo është e vërteta.

Por bashkimi në një diktaturë shtrëngon lakun në fyt më shumë se çdo gjë tjetër.

Ndaj miq, të përpiqemi në bashkimin më të madh që kemi njohur ndonjëherë, kundër kësaj të keqeje që nuk e teproj po të them, që në mënyrë të heshtur po na shfaros.

Po bisedoja para katër ditësh me një profesor akademik të shquar të huaj, i cili ka ardhur disa herë në Shqipëri. Dhe kur i thashë se sot, sipas regjistrit të gjendjes civile të Shqipërisë, lindjet janë sa ç’kanë qenë 100 vite më parë kur Shqipëria kishte më pak se 1 milion banorë, u shtang. Më tha, ‘Zoti Berisha, ky është rrezik ekzistencial’. Në fakt këtu jemi.

Ndaj dhe ne, pavarësisht nga çmimi, ne kurrë nuk do ta pranojmë më tej këtë situatë. Por bëjmë gjithçka për t’u bashkuar në një front të përbashkët, qoftë në betejë kundër tij, qoftë në zgjedhje. Me qëllimin më kryesor që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë. Të zgjedhin atë që duan. Të zgjedhin burrat dhe gratë që besojnë se i përfaqësojnë më mirë.

Përndryshe, nuk ka diskutim që Partia Demokratike ka programin e saj më të mirë në tërë historinë, kurrë kjo parti s’ka pasur një program si ky. Dhe ka një program me të cilin ne i japim përgjigje me emergjencë, problemeve më të mprehta, më madhore, me të cilat përballet çdo ditë shqiptarët. Ka një program me të cilin në një start të fuqishëm do të dyfishojmë rroga dhe pensione.

Do vendosim minimum jetik. Do përgjysmojmë taksat. Në Shqipëri s’do ketë taksë mbi 12.5%. Me gërshërë të forta të ligjit, do të vendosim para ligjit çdo zyrtar të korruptuar, çdo mafioz, e dini vetë ju, ku i kemi gjetur herën e parë, në papafingo në Ankara, kudo që të jenë, me kollare ose pa kollare, ish-zyrtarë apo banditë ordinerë, do vendosen para ligjit dhe pasuritë një për një do u konfiskohen. Shqipëria është absolutisht njëri prej vendeve me pasuritë më të mëdha natyrore dhe potenciale të saj. Ju garantoj se ato do kthehen në mirëqenie për qytetarin shqiptar.

Miq, jo sot që kemi një eksperiencë aq të çmuar, por u them unë ju, në vitin 2012, kur një nga grupet më prestigjioze në botë, grupi i Bostonit, analizoi në 140 vende shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët. Çfarë gjeti? Gjeti se Shqipëria renditej e katërta në botë. E katërta në botë për këtë gjë. Po si u rendit Shqipëria e katërta në botë? Po, Shqipëria mund të ishte vendi i vetëm në botë që dyfishoi rroga dhe pensione në një hark kohor të shkurtër, se nuk bëhet. Si arriti Shqipëria? Sepse Shqipëria investoi në mijëra e mijëra kilometra rrugë, duke lehtësuar jetën, tregun e mijëra familjeve shqiptare. Si arriti Shqipëria? Shqipëria kaloi nga 4.8% internet në 63% dhe furnizoi vendin me internet falas në të katër anët e Shqipërisë, duke lehtësuar tarifat, duke ulur çmimet e celularëve e të tjerë. Pra, po tani çfarë ndodh? Tani çdo gjë është përmbysur. Dhe ajo që është, të them, fatkeqësi të rritesh në zi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi se rriti të ardhurat për frymë për shqiptarët? Jo se u shtua prodhimi. Jo se u shtuan të ardhurat, por se u pakësua numri i shqiptarëve dhe ata që janë pjesëtohen me më pak. E bëri publike këtë njoftim. Ndaj dhe ajo që quhet rritje ekonomike, 95% e saj shkon tek kartelet e drogës, tek qeveritarët. Kurse qytetarët varfërohen, varfërohen, varfërohen. Partia Demokratike i jep një përgjigje të hekurt kësaj situate. Betejë totale, frontale, kundër krimit të organizuar, kundër karteleve të drogës, kundër vjedhjeve të shqiptarëve!

Agjenci ndërkombëtare dhe kombëtare për ndjekjen, gjetjen e të gjitha pasurive të paligjshme, me listë të politikanëve nga rradhët e para. Po po! Nuk mund të gëzojnë ata pasurinë që u kanë marrë, kafshatën që u kanë marrë fëmijëve shqiptarë, pensionistëve! Jo, jo. Ndaj dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme që Partia Demokratike si forcë lokomotivë kryesore, si parti e shpresës, të shtrijë dorën për bashkimin më të madh, të ripërtërihet.

Ripërtëritja duhet të jetë motoja e çdo demokrati, filluar nga Sali Berisha e gjer tek… është ripërtëritja e qëndrimeve tona. Ripërtëritja e qëndrimeve. Hapja drejt vlerave të shoqërisë, të rinjve, grave, zonjave, është kusht vendimtar për fitoren tonë.

Edhe një herë, ju falënderoj për këtë pritje dhe ju jap fjalën se kjo betejë e shqiptarëve kundër të keqes më të madhe, ndër më të mëdhatë që kanë parë në historinë e tyre, do të kurorëzohet me fitoren e tyre të plotë. Faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale