Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Reforma zgjedhore/ Berisha: Gangsteri Gjiknuri kërkon të përcaktojë agjendën në mënyrë të njënashme. Nuk do vëmë interesin e PD të parin, por interesin e bashkimit të opozitës! Kushti i të gjitha kushteve është largimi i Edi Ramës

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar, se largimi i Edi Ramës është kushti kryesor për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndërsa theksoi se PD do të vendosë interesin e bashkimit të opozitës mbi interesin e saj partiak. Në mbledhjen ku u diskutua paketa e propozimeve të opozitës për reformën zgjedhore, Berisha akuzoi përfaqësuesin e mazhorancës në komision, Damian Gjiknurin, se kishte tentuar të përcaktonte në mënyrë të njëanshme agjendën e punës. Ai e cilësoi këtë veprim si të paligjshëm dhe në kundërshtim me vendimin e Parlamentit, duke theksuar se komisioni bipartizan funksionon mbi parimin e vetos së secilës palë.

Berisha u ndal te ndarja e shtetit nga partia, duke e cilësuar atë si problemin themelor të zgjedhjeve në Shqipëri. Sipas tij, raportet e institucioneve ndërkombëtare kanë evidentuar shkrirjen e institucioneve shtetërore me strukturat partiake, duke krijuar pabarazi në procesin zgjedhor. ‘Në qoftë se nuk arrihet ndarja e partisë nga shteti, zgjedhjet do të jenë farsë, farsë dhe vetëm farsë’, deklaroi Berisha. Ai theksoi se paketa e PD-së synon të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të parashikojë ndërhyrje e sanksione për përdorimin e burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale.

Duke folur për strategjinë e opozitës, lideri i demokratëve Sali Berisha i PD-së tha se partia është e gatshme të marrë parasysh kërkesat dhe ndjeshmëritë e të gjitha forcave opozitare, në mënyrë që reforma të ketë mbështetje sa më të gjerë. ‘Ne do vëmë jo interesin e PD të parin, por interesin e bashkimit të opozitës të parin. Ky është nordi ynë’, u shpreh ai.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi edhe disa nga propozimet konkrete të PD-së: lista 100 për qind të hapura në një zonë të vetme kombëtare, rikthimin e koalicioneve me lista të hapura të partive, barazi të plotë në vendimmarrjen e KQZ-së mes pozitës dhe opozitës, si dhe votimin e detyrueshëm për qytetarët. Ai u shpreh kundër numërimit elektronik dhe kërkoi diskutim të mëtejshëm për mënyrën e votimit të diasporës, duke theksuar nevojën për mekanizma të sigurt dhe transparentë. Berisha përsëriti qëndrimin e tij se ndryshimet ligjore nuk mjaftojnë pa ndryshimin e qeverisjes aktuale. ‘Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka’, deklaroi kryetari i PD-së, Sali Berisha duke bërë thirrje për bashkimin e forcave opozitare rreth objektivit të largimit të kryeministrit.

FJALA E PLOTE:

Në këtë mbledhje, deputetët e PD do të njihen dhe do të diskutojnë mbi punën që ka bërë kryetari i grupit të punës të reformës zgjedhore dhe anëtarët, në mënyrë që t’u jepet përgjigje një për një të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR në zgjedhjet e fundit dhe të parafundit.

Siç jeni në dijeni, Komisioni Evropian konstaton në raportet e tij se këto rekomandime nuk janë adresuar pothuajse asnjë nga autoritetet shqiptare.

Komisioni bipartizan i ngritur për reformën zgjedhore mbi bazën e vendimeve është një komision ku secila palë ka veton, pra asnjë hap nuk mund të bëhet pa ujdinë e palës tjetër.

Në mënyrë të njëanshme, si gangsterë të vërtetë, përfaqësuesi i Edi Ramës, Damian Gjiknuri me anëtarët e tij, për të krijuar skenarin pak a shumë të reformës territoriale, menduan të përcaktojnë në mënyrë të njëanshme agjendën e këtij komisioni.

Përcaktimi i njëanshëm i agjendës është i paligjshëm dhe bie në kundërshtim me vendimin e Parlamentit.

Por gangsterë dhe individë të inkriminuar nuk kanë asnjë parim dhe ne jemi të qartë për këtë.

Reforma zgjedhore është një reformë në të cilën PD, siç thashë, është e vendosur të adresojë të gjitha shqetësimet serioze me të cilat faktohet se zgjedhjet në Shqipëri ishin farsë elektorale.

Se ato u zhvilluan në kushtet e narkoshtetit.

E përsëris këtë për të gjithë ata që e kanë gjuhën të lidhur me xhepin dhe dalin nëpër studio dhe përsërisin në emër të Edi Ramës se PD nuk i fitoi zgjedhjet.

Pra mashtrojnë qytetarët përkundrejt favoreve dhe pagesave që u bën narkoqeveria se zgjedhjet nuk ishin farsë.

Sipas tyre, të cilët dhe njëherë gjuhën e kanë të lidhur me xhepin, raportet ndërkombëtare janë false.

Edi Rama nuk zhvilloi 4530 aktivitete për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në vullnetin e qytetarëve.

Sipas tyre, avokatëve mjeranë të farsës elektorale të Edi Ramës, por njëherazi armiq të shpifur të votës së lirë të shqiptarëve, sipas tyre janë trillime konstatimet e vëzhguesve ndërkombëtarë se në një seri qytetesh të vendit, kartelet e drogës dhe organizatat kriminale diktuan rezultatin e zgjedhjeve.

Sipas avokatëve të shpifur të farsës elektorale të Edi Ramës, dhurata 100 euro për pensionistët në mes të fushatës, nuk është një problem që prek barazinë në zgjedhje.

Përdorimi i kundërligjshëm i armatës së patronazhistëve, sipas tyre nuk ka ndikim.

Edi Rama i fiton, nuk është farsë pra, është proces zgjedhor.

Këta tellallë të farsës elektorale rreken të mashtrojnë shqiptarët se falja e 2 miliard e 100 milionë euro gjoba dhe kamata dy ditë para zgjedhjeve, janë në përputhje me zgjedhjet dhe jo farsën elektorale.

Licencimi i 29 mijë hektarë kanabis për votë është për zgjedhje dhe jo për farsë elektorale.

Pra, këta çirakë të paguar të qeverisë apo të shpërblyer në mënyra të ndryshme, zhvillojnë një betejë kundër votës së lirë të shqiptarëe, që përbën thelbin e lirisë, e shtetit ligjor dhe me radhë.

Madje, zëdhënës të mafies së egër dalin nëpër studio dhe sulmojnë në emër të mafiozëve, të cilët e dinë se me ardhjen e PD në pushtet i pret ligji dhe vetëm ligji.

Janë komod me Edi Ramën se ai i merr peng për krimet që kanë kryer.

Me Edi Ramën çdo mafioz ndjehet komod sepse dorëzohet tek ai dhe zbaton porositë e tij. Me ne e kanë problem, ka ligj dhe vetëm ligj, do ketë ligj dhe vetëm ligj.

Ndaj dhe përpiqen të mbrojnë farsën në një kohë kur në mënyrë absolute në zgjedhje të lira dhe të ndershme, PD dhe opozita do të ishte, është dhe do jetë fituese.

Pa asnjë lloj mëdyshje.

E provoi në mënyrën më të hapur shpërthimi gjigant i urrejtjes ndaj Edi Ramës në protestën e qershorit.

Nuk ka një kryeministër të dytë në Evropë më të urryer se ai.

E bëj këtë hyrje sepse duke parë se Edi Rama po shkon drejt gropës, ata tani kanë drejtuar të gjithë bateritë e shpifjeve, trillimeve, manipulimeve në mbrojtje të farsës zgjedhore.

Rikthehem tek sistemi dhe tek reforma zgjedhore.

Konstatimi më themelor i farsës elektorale nga të gjitha grupet ndërkombëtare që kanë vëzhguar zgjedhjet, qoftë Parlamenti Evropian, qoftë OSBE/ODIHR, qoftë Këshilli i Evropës është se farsa u zhvillua në kushtet e partisë-shtet.

Në kushtet kur institucionet shtetërore u shkrinë me strukturat partiake, gjë që garanton pabarazinë maksimale.

Ndaj dhe në këtë reformë grupi ynë i punës dhe zoti Bylykbashi ka përgatitur një dokument shumë të mirë, të cilin do ta plotësoni, pikërisht me të gjitha amendamentet, sanksionet, ndërhyrjet për ndarjen e qartë të partisë nga shteti si kushti më themelor për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në qoftë se nuk arrihet ndarja e partisë nga shteti, zgjedhjet do të jenë farsë, farsë dhe vetëm farsë.

Dhe ata që hanë turpin me bukë dhe bukën me turp dhe flasin për zgjedhje në këto kushte, duhet të turpërohen.

Po qe se partia shtet përdor të gjithë potencialet e saj për të vrarë votën në të gjitha mënyrat, zgjedhje nuk ka, por ka farsë elektorale.

Dhe unë u them të gjithë atyre qytetarëve që ëndërrojnë dhe aspirojnë të votojnë të lirë, se në kushtet e partisë shtet, kjo është absolutisht iluzion dhe asnjëherë nuk mund të bëhet reale.

Dhe se në zgjedhje, në kushtet e partisë shtet, fiton në mënyrë të padiskutueshme partia shtet.

Ndaj dhe është e domosdoshme një bashkim opozitar për të larguar kokën e Meduzës, për të larguar Edi Ramën.

Nuk duhet të gënjejmë veten, jo.

Kushti i të gjitha kushteve është largimi i Edi Ramës.

Me të drejtë do dëgjoni njerëz që thonë po ky tani, edhe thotë me të nuk ka zgjedhje, edhe thotë do shkojmë në zgjedhje.

E them ka farsë.

Ua them këtyre të nderuarve që shtojnë këtë pyetje, ka dy mënyra, ose të bashkohemi me vendimin që pa ndarjen e partisë nga shteti dhe reformën zgjedhore, asnjë pjesëmarrje në zgjedhje nuk do të ketë. PD është e para e gatshme.

Por çfarë ndodh? Kjo skemë në vitin 2015, u gjetën ngërthyesit, u krijuan partitë, u krijua opozita dhe kjo do ishte dhurata më e madhe për Edi Ramën.

U them shqiptarëve në qoftë se PD merr përsipër një gjë të tillë, PD i bën një dhuratë edhe më të madhe narkodiktatorit dhe shtetit të krimit.

Eksperienca është e gjatë në këtë vend, nga më të shkëlqyerat tek më të turpshmet dhe ne nuk mund të mos i marrim parasysh.

Kështu që rëndësi kryesore ka të bashkohemi në këtë reformë, ta bëjmë bashkërisht.

Garantoj të gjithë partitë opozitare që ndjehen opozitarë se ne jemi të hapur dhe të gatshëm të marrim parasysh të gjitha ndjeshmëritë e tyre.

Ne do vëmë jo interesin e PD të parin, por interesin e bashkimit të opozitës të parin.

Ky është nordi ynë.

Ne do të vendosim interesin e bashkimit të opozitës për një kuadër ligjor sa më të pranuar nga mbarë opozita.

Nuk do harxhoj asnjë minutë në analizën nga viti 2008 gjer sot sepse ajo bëhet në mënyra të ndryshme dhe unë i njoh secilit të drejtën të ketë interpretimin e vet, por e vërteta është që ato ndryshime, ato e lejuan rotacionin, ndryshimet e tjera e bllokuan, por tani le të kthehemi ku jemi ne.

Së pari, ne qëndrojmë për lista plotësisht të hapura për një zonë të vetme kombëtare në proporcional të plotë.

Po, një proporcional të plotë, me një prag të ujdisur, konsensual.

Para shumë muajsh, një nga partitë opozitare propozoi këtë listën e hapur dhe pragun 4%. Më vonë lexova se kanë një pendesë ca të tjerë, nuk janë dakord. Dakord, hajde të mblidhemi sa e doni pragun, për këto parti që janë, për ato që do themelohen, për të gjitha.

Edhe një herë, ne vendosim bashkimin e faktorëve dhe forcave politike opozitare si yllin polar të kësaj reforme.

Dy, ka një moment në legjislacionin aktual dhe unë ndjej keqardhje që nuk e citojnë shumë: momenti i qartë antidemokratik është qëndrimi ndaj koalicioneve në ligj.

Dhe ky moment antidemokratik, për hir të së vërtetës, është denoncuar edhe nga faktori ndërkombëtar.

Partia Demokratike qëndron plotësisht tek rikthimi, tek sanksionimi i të drejtës që të gjitha partitë politike që të mbledhin në koshin e vet të gjitha votat që hidhen për atë parti.

Po, larg duart partitë e mëdha mbi koshin e votave të partive të tjera. Listë të hapur të partive.

Do dëgjoni ju në darkë se si do reagojë mafia e votës së lirë, se si do t’i mohojë këto, se do të gjejnë ata të cilët flasin, e kanë gjuhën të lidhur me xhepin jo me trurin, dhe të thonë të kundërta.

Jo, ne jemi për listë të hapur të partive dhe asnjë votë  partitë e tjera të mos mund të marrin nga asnjë parti.

E bëjmë këtë sepse është demokratike, por edhe sepse ne jemi për bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë kundër të keqes më të madhe që e ka emrin Edi Rama.

Tjetër, ne jemi për vendosjen e barazisë së plotë në vendimmarrje në KQZ, pozitë-opozitë.

KQZ-ja aktuale është e damkosur në raportet ndërkombëtare, e keni lexuar vetë, ndaj dhe ne të bashkohemi dhe të krijojmë një institucion zgjedhor me të drejta të barabarta.

Ata të cilët përsëri bëjnë avokatinë e farsës elektorale dhe që hanë turpin me bukë dhe bukën me turp, harrojnë se kjo parti në institucionet e vitit 2013 barazoi firmën e kryetarit me të nënkryetarit, dhe bëmë shumë mirë sigurisht.

Dhe s’pati asnjë bllokim, jo.

I garantoj edhe një herë aleatët tanë, aleatët në potencial apo qofshin dhe jo, por që janë opozitarë, se ne jemi për lista 100% të hapura për këshilltarë bashkiakë.

Duhet të jem shumë i hapur.

Raundi i dytë në prani të qeverisë teknike do të ishte zgjidhja më e mirë, raundi me balotazh, por në mungesë të qeverisë teknike absolutisht ky është një shesh për narko-qeverinë për të vazhduar plaçkitjen e saj.

Edhe një herë, në rast se krijohet një qeveri teknike, ne që nesër e votojmë, por në rast se nuk krijohet qeveria teknike, kjo dëmton opozitën sepse kthetrat e zeza të qeverisë mobilizohen në të gjitha ato zona që mbeten në balotazh.

Ne ftojmë të gjitha forcat politike opozitare të mbështesin votimin e detyrueshëm të qytetarëve.

Vende demokratike si Australia dhe jo vetëm, Belgjika dhe jo vetëm, duke parë kthetrat e qeverisë dhe oligarkëve të saj mbi votat, mbi blerjen e të drejtës së votës ‘rri ti, mos dil ti se ti nuk më voton mua se unë e di që ti je kundra meje, por rri në shtëpi dhe merr këto lekë’, dhe kjo është një praktikë shumë e zakonshme.

Atëherë, çfarë kanë bërë këto vende?

Me mençuri kanë vendosur detyrimin e çdo qytetari që të votojë, duke përjashtuar pra mundësinë e blerjes të të drejtës së votës.  Se tjetër vota, tjetër e drejta e votës.

Vota është ‘hajde voto për mua të jap kaq lekë’, kurse kjo ‘jo, jo rri në shtëpi ti’. Këtë e kanë përdorur masivisht.

Pra, ne duhet të kërkojmë votim të detyrueshëm për qytetarët.

Jemi kategorik kundër çdo forme numërimi elektronik mbasi ky lloj numërimi është shfaqur me probleme të mëdha në shumë vende. Në Shqipëri po e po, por dhe vende të tjera të botës. Asnjë votim elektronik.

Për votën e diasporës, duhet të diskutojmë gjerësisht se ne e pamë, nuk e kundërshtojmë kurrë të drejtën e tyre të votës, por mënyra e zbatimit të kësaj duhet parë, të gjejmë mënyrat më të sigurta, më transparente.

Ndaj dhe përpiqemi, zotërinj deputetë, të bëjmë të pamundurën për të përcaktuar të gjitha modalitetet.

Unë mendoj se me një seri masash, të ndarjes së partisë nga shteti, të transparencës së financave të partive, të kalimit në një listë kombëtare të hapur dhe me preferenca që do vendosim bashkërisht me spektrin opozitar dhe pastaj do e paraqesim tek të tjerët, është kjo rruga e një kuadri të ri ligjor, i cili u jep përgjigje një sërë problemesh të krijuara në zgjedhjet gjer tani.

Natyrisht, e them dhe e kam thënë dhe e them 100 herë, me Edi Ramën zgjedhje nuk ka, ndaj dhe cilido që do të mbrojë votën e lirë të shqiptarëve le të bashkohemi ta arkivojmë atë në koshin e plehrave ku e ka vendin, si armik i egër i votës së lirë dhe qytetarët shqiptarë të votojnë për ata kandidatë, për partinë që besojnë më shumë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale