Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka thotë se Byroja e Kuvendit ka shtuar vendimin e përjashtimit të deputetëve demokratë, nga 30 ditë, deri në mes të Marsit.
Në një prononcim për gazetarët në dalje të kuvendit, Noka u shpreh se në vend që të merren masa për Ballukun e Kërçanaj përjashtohet opozita.
Prononcimi i sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka:
Edi Rama kërkon të marrë peng parlamentin. Ai nuk pranon që ti dorëzojë drejtësisë Belindën, Lindën e AKSHI-t, Gysin dhe bandën e hajdutëve që e rrethojnë, sepse e di që gjithçka shkon tek ai.
Në vend që të marrë masa për të përjashtuar Belindën, përjashton opozitën.
Në vend që të marrë masa ndaj Gys Agasit, Mirlindës dhe të tjerëve, merr masa ndaj deputetëve të opozitës.
Pra sot Shqiptarët kanë një mundësi të shohin që në Shqipëri parlamentarizmi është marrë peng. parlamenti është kthyer në një bodrum i krimit dhe drogës, dhe nuk është parlamenti sot më pasqyrë e vullnetit të qytetarëve shqiptarë.
Çdo përfaqësues i opozitës që flet të vërtetën, që i referohet fakteve dhe provave për inkriminimin dhe korruptimin e këtij shteti, shpallet dhe linçohet automatikisht armik. Parlamenti në mendësinë e Edi Ramës duhet të jetë i mbushur me eunukë dhe çingije e jo me përfaqësues dinjitozë të qytetarëve shqiptarë që thonë të vërtetën që mbrojnë kushtetutën, lidhin, lirinë dhe demokracinë e këtij vendi.
Kjo është derexheja ku e ka çuar Edi Rama, Kuvendin e Shqipërisë.
U nis përjashtimi për 30 ditë, tani afati i përjashtimit shtyhet në kundërshtim me çdo rregullore, është shtyrë deri në mars. Pra është thënë 1 muaj, tani po e çojnë 3 muaj. 6 deputetët e opozitës janë përjashtuar deri në mes të marsit.
E kuptoni, pra Edi Rama plotëson dëshirën e karteleve të drogës, të Gysit për të shpallur armiq ata që kanë denoncuar kartelet, Gysin, kokainën, kanabisin, korrupsionin, kanë denoncuar Ramën për tunelin e Llogarasë, për Duranën e famshme të familjes.
Ja pra në këto kushte është parlamentarizmi.


