Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Noka: Rama është i pambrojtshëm, ka instaluar një narkoregjim në Shqipëri, policia po përdoret për terror, koha për kryengritje dhe mosbindje civile

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka hedhur akuza ndaj Edi Ramës se ka instaluar narkoregjimin në vend, dhe po përdor policinë për të ushtruar terror ndaj qytetarëve, ndërsa ka bërë thirrje për protestë, kryengritje dhe mosbindje civile.

Në një prononcim për mediat në bulevard, gjatë protestës kombëtare në mbështetje të studentëve, Noka tha se PD ka qenë në ballë të protestave kundër qeverisë së Ramës gjatë 13 viteve të fundit, duke e akuzuar atë për afera kriminale dhe korruptive.

‘Jemi e vetmja forcë politike që, që në fillimet e pushtetit të Edi Ramës, kemi paralajmëruar se këta po instalojnë një narkoregjim’, deklaroi Noka, duke theksuar se PD do të vijojë të mbështesë protestat kundër qeverisë.

Ai u shpreh se protesta e studentëve meriton mbështetjen e çdo qytetari shqiptar, pasi, sipas tij, synon çlirimin e vendit nga ‘kthetrat e karteleve, të mafies dhe të narkoregjimit’.

Noka reagoi edhe ndaj etiketimit të studentëve si kriminelë apo persona me precedentë penalë, duke i cilësuar ata si ‘ajka e këtij vendi’ dhe krenaria e çdo shqiptari. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, këto qëndrime tregojnë dëshpërimin e kryeministrit.

Prononcimi i sekretarit të përgjithshëm të PD, Flamur Noka:

Partia Demokratike është forca politike që ka lindur nga protestat dhe, sigurisht, prej 13 vitesh jemi në betejë dhe në protestë të përditshme kundër këtij narkoregjimi. Jemi e vetmja forcë politike që, që në fillimet e pushtetit të Edi Ramës, kemi paralajmëruar se këta po instalojnë një narkoregjim. Sigurisht, kemi qenë në ballë të çdo lëvizjeje kundër kësaj qeverie.

Pa as më të voglin diskutim, gjatë këtyre 13 viteve, ne kemi qenë denoncuesit më të mëdhenj të çdo afere kriminale dhe korruptive të Edi Ramës. Kemi qenë në ballë të çdo proteste dhe do të vazhdojmë të jemi. Ndaj jemi edhe sot në këtë protestë kombëtare të thirrur për të mbështetur studentët.

Pra, Partia Demokratike ka qenë aty për të mbështetur protestat e çdo grupi shoqëror dhe të çdo entiteti politik që ka dalë kundër qeverisë së Edi Ramës. Jemi sot në këtë organizim për t’i dhënë një shtysë më të madhe protestës heroike të të rinjve dhe të rejave, të studentëve të këtij vendi. Ajo protestë meriton mbështetjen e çdo qytetari shqiptar dhe ne po bëjmë atë që duhet. Ajo meriton mbështetje, sepse bëhet për ta çliruar këtë vend nga kthetrat e karteleve, të mafies dhe të narkoregjimit. Ndaj është koha të bashkohen të gjithë.

Kjo tregon dëshpërim. Kreu i narkoregjimit ndodhet në një gjendje mjaft të rënduar, kur arrin t’i etiketojë studentët, madje edhe një pjesë të atyre që janë ekselentë, si kriminelë, apo të përpiqet t’i njollosë duke i paraqitur si njerëz me precedentë penalë. Jo! Ata janë ajka e këtij vendi, ata janë krenaria e çdo shqiptari. Ndaj do të kenë mbështetjen e çdo shqiptari.

Edi Rama duhet të ketë parasysh një gjë: kurrë nuk mbahet pushteti me dhunë. Kush është përpjekur ta mbajë pushtetin me dhunë dhe terror, ka pasur vetëm një fund. Fundi i çdo diktatori dihet. Ndaj është koha të largohet pa e përshkallëzuar më tej situatën. Nuk ka rrugë tjetër: vetëm përballje, protestë, kryengritje dhe mosbindje civile për ta shpëtuar këtë vend dhe për t’i dhënë atij një zgjidhje politike. Ne do t’i mbështesim studentët dhe do të jemi vazhdimisht në krah të tyre.

Unë kam qenë ministër i Brendshëm dhe ato skena janë tërësisht të papranueshme për mua. Nuk mund t’i nxitësh punonjësit e policisë të dalin kundër fëmijëve, vëllezërve dhe motrave të tyre, për të kryer atë lloj barbarie që kanë kryer.

Pushteti nuk mbahet dhe nuk mbrohet me shtetrrethim policor. Shteti policor mund të të ruajë kokën për pak kohë, por nuk të shpëton lëkurën përgjithmonë. Ndaj sot kemi edhe një arsye më shumë për të protestuar: kundër shtetit policor që narkoregjimi po përpiqet të instalojë dhe përmes të cilit mendon të ushtrojë terror.

Është harruar ajo kohë kur punonjësit e Sigurimit të Shtetit vërsuleshin nëpër rrugica, lagje, rrugë dhe shtëpitë e banorëve të Tiranës për t’i terrorizuar dhe arrestuar. Kanë kaluar 38 vjet, por para 38 vjetësh falangat e Sigurimit të Shtetit bënin të njëjtën gjë. Të njëjtën gjë po përpiqet të bëjë Edi Rama me narkopolicinë. Pse e quaj narkopolicinë? Sepse, sipas meje, e gjithë kupola e policisë është e kriminalizuar dhe e përfshirë në krim e drogë.

Por ajo që është edhe më e rëndë, në një shtet demokratik nuk ndodh kurrë që të rekrutohen mercenarë paramilitarë dhe t’u vishen uniformat e policisë për të goditur të rinjtë, të rejat dhe qytetarët e këtij vendi. Këtë e ka bërë vetëm Enver Hoxha. Edhe Ramiz Alia, diktatori i fundit komunist, nuk guxoi të vishte paramilitarë me uniforma për të dhunuar qytetarët e Tiranës. Këtë po e bën Edi Rama.

U bëj thirrje punonjësve të ndershëm të policisë: mos u përdorni si mish për top për të mbrojtur lëkurën e kreut të narkoregjimit. Mos lejoni që të arrini në pikën kur të shndërroheni në mercenarë, sepse ai po tenton t’ju kthejë në të tillë, si e vetmja rrugë që i ka mbetur për të mbrojtur lëkurën e vet.

Ai është i pambrojtshëm. Është i pambrojtshëm.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale