DEKLARATË PËR MEDIA SHEFI I ORGANIZIMIT TË PD, KLEVIS BALLIU
Një tender i bashkisë së Tiranës për “Blerje lëndësh djegëse për ngrohje në objektet arsimore”, përfundoi në dhunë dhe kërcënime, si dhe me arrestimin e ofertuesve. Kështu shkojnë gjërat kur tenderat janë korruptivë dhe konkurrenca ia le vendin hileve dhe forcës.
Për të kuptuar natyrën korruptive të tenderit dhe dhënësve të tij mjafton një element. Buletini i Agjencisë së Prokurimit Publik nr. 32, datë 11 Prill 2023, pra i datës së sotme, publikon formularin e njoftimit të fituesit nga Bashkia Tiranë. Pra, menjëherë pas daljes në media të veprimeve korruptive dhe kriminale të tenderit fiktiv.
Është në traditën e Bashkisë që i njofton tenderat publikisht vetëm kur në media dalin informacione, apo kur konkurentët në tender kërcënojnë njëri-tjetrin dhe pazaret prishen e bëhen publike.
Partia Demokratike e Shqipërisë ka disa pyetje për strukturat shtetërore:
- Përse nga asnjë strukturë e specializuar, SPAK, BKH, Prokurori e Përgjithshme, etj, nuk hapet çështja penale për një skandal të përmasave të tilla, ku ofertuesit pjesëmarrës kërcënohen me njëri tjetrin?
- Si ka mundësi që nga SPAK–u nuk konstatohen asnjëherë shkelje në tenderat abuziv dhe fiktiv që zhvillohen nga Bashkia Tiranë?
- Përse SPAK-u nuk e heton një tender të tillë abuziv, i cili është hapur në datë 10 Mars 2023, ndërkohë njoftimi i fituesit paraprak është publikuar sot në datë 11 Prill 2023?
- Sa ditë i duhen komisionit të vlerësimit të ofertave të Autoritetit Kontraktor për të vlerësuar një tender të tillë abuziv?
- Përse vlerësimi i ofertave është bërë pas 33 ditësh, apo ju la kohë ofertuesve që të kërcënoheshin me njëri tjetrin?
- Përse vlerësimi u shpall në Buletinin e datës së sotme, menjëherë sapo u konfliktuan personat pjesëmarrës në tender?
- Përse Bashkia Tiranë i lë ofertuesit që të konfiktohen me njëri tjetrin, ndërkohë që ligji i prokurimit publik ka të parashikuar qartë afatet e vlerësimit të ofertave pjesëmarrëse?
- Përse nga asnjë instancë ligjzbatuese nuk verifikohet rasti konkret, se si është përllogaritur vlera e fondit limit?
- A e dinë instancat ligjzbatuese se vlera për një kilogram pelet është përllogaritur në tender disa herë më e lartë se sa ky produkt shitet aktualisht me pakicë në treg?
- Si ka mundësi që oferta fituese është ulur nga fondi limit rreth 325 milon lekë pa TVSH?
- Përse nga Bashkia Tiranë u zhvillua një tender i tillë, me një shpejtësi të çuditshme, përpara zgjedhjeve, ndërkohë përpara janë muajt e verës dhe dimri do kohë që të vijë, si dhe për më tepër, kur ngrohja në kopshte, çerdhe dhe shkolla mungon?
Të nderuar bashkëqyetarë të Tiranës dhe taksapagues:
Qëllimi i hajdutëve në ikje, është zhvillimi i prokurimeve fiktive, me qëllim që vjedhja të jetë sa më e madhe, sepse Lavatriçja e Tiranës i do paratë për të blerë votat.
Të nderuar prindër, kjo është arsyeja përse mungon ngrohja në shkolla, kopshte dhe çerdhe, sepse hajdutëve nuk u interesojnë fëmijët tuaj, por paratë në xhepat e tyre dhe për fëmijët e vet dhe të atyre me të cilët ndajnë paratë që u vjedhin ju.
Është hera e dytë radhazi, si në rastin e denoncuar nga Belind Këlliçi, për rrugën Xhon Belushi, që u anullua menjëherë sapo u denoncua se po zhvillohej tender fiktiv.
Këto marifete në vjedhje dhe në propagandë duhet t’ju dalin parasysh më 14 maj kur të hidhni votën.
Ndryshimi është në duart tuaja.