Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Nikola Kedhi: Rama po paguan policinë për dhunën ndaj të rinjve, Shqipëria nuk shitet për 2,500 euro

Deklarata e nënkryetarit të PD, Nikola Kedhi:

Sot Edi Rama u tha policëve të Shqipërisë se do t’u japë 2,500 euro për çdo efektiv ‘në front’. Në cilin front? Përballë kujt? Përballë studentëve, gjimnazistëve dhe të rinjve shqiptarë, që dolën në rrugë sepse nuk duan të ikin nga vendi i tyre, sepse duan të jetojnë në vendin e tyre.

Ky është çmimi që Rama i ka vënë shkopit të gomës. Për herë të parë një kryeministër paguan haptazi policinë për dhunën çnjerëzore që ushtron ndaj qytetarëve të vet. Kështu sillet një pushtet që ka mbetur pa popull dhe tani po përpiqet të blejë uniformën.

Por policët duhet të kuptojnë se Rama po i gënjen. Ai premton para ‘menjëherë’, pa asnjë vendim, pa asnjë zë në buxhet dhe pa asnjë bazë ligjore. Është i njëjti njeri që u premtoi studentëve konvikte të denja, mjekëve paga europiane dhe të rinjve një Shqipëri ku ia vlen të rrish. Asgjë nga këto nuk erdhi. As kjo nuk do të vijë. Ai ju përdor sot dhe do t’ju braktisë nesër, ashtu siç ka braktisur këdo që i ka shërbyer. Rama do ju shesë sërish në momentin më të parë.

Policëve u them qartë se betimin nuk ia keni bërë Ramës. Ia keni bërë Kushtetutës dhe popullit shqiptar. Asnjë shumë parash nuk e justifikon gjakun e një studenti në trotuar. Asnjë urdhër nuk ju detyron të ngrini dorën mbi fëmijët e fqinjëve tuaj, mbi vëllezërit dhe motrat tuaja. Nëse ju kërkojnë ta bëni këtë, refuzojeni. Nëse nuk mundeni ta refuzoni, hiqeni kapelen, lëreni uniformën dhe bashkohuni me ata që nuk kërkojnë asgjë tjetër veçse një vend të lirë dhe dinjitoz. Vendi juaj është pranë popullit, jo përballë tij.

Të rinjtë mos të lejojnë që dhuna e tyre t’iu vjedhë kauzën. Ky regjim nuk ka frikë nga gurët. Ka frikë nga një brez që nuk tërhiqet.

Gjej rastin tu them sot qartë dhe pa asnjë ekuivok të gjithë studentëve, mësuesve, prindërve dhe qytetarëve shqiptarë: mos u trembni nga kërcënimet me gjoba, përjashtime, heqje bursash apo burg për ushtrimin paqësor të së drejtës së protestës.

Angazhimi i Partise Demokratike është i prerë. Me ardhjen në pushtet, do të ndërmarrim nismën për një amnisti të plotë për çdo ndëshkim të vendosur për pjesëmarrjen në protesta. Do të anulojmë gjithashtu çdo masë administrative të paligjshme. Askush nuk do të braktiset përballë padrejtësisë. Të protestosh nuk është krim. Të kërkosh liri, dinjitet dhe një të ardhme në vendin tënd është një e drejtë që askush nuk mund ta marrë.

Shqipëria nuk shitet për 2,500 euro.

Liria e saj as që ka çmim.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale