KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme me gazetarët, shprehu ngushëllimet për familjen e punonjësit të policisë, Enea Mekolli, duke e cilësuar atë një ngjarje tronditëse që dëshmon, sipas tij, lidhjet e qeverisë me krimin dhe dështimin e shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë. Berisha e cilësoi atë ‘dy herë hero’ për kontributin dhe sakrificën e familjes së tij në shërbim të sigurisë së qytetarëve. ‘Enea Mekolli ishte një i ri idealist, i cili pasi vëllai i tij në polici ndahet nga jeta për shkak të një sëmundjeje, kërkon të vazhdojë misionin e të vëllait. Në këtë aspekt, ai është dy herë dëshmor’, tha Berisha.
Kreu i opozitës Sali Berisha akuzoi qeverinë se ka toleruar dhe mbështetur autorin e dyshuar të krimit, i cili sipas tij rezultonte prej vitesh në kërkim, por vazhdonte aktivitetin normal dhe përfitonte mbështetje financiare. ‘Vrasësi i Enea Mekollit nuk mund të qëndronte 9 vite në kërkim, të mbarështonte bagëti dhe stalla pa përkrahjen e fortë të pushtetit. Dhe siç dëshmojnë dokumentet, ajo përkrahje ka ardhur edhe me financime falas ndaj veprimtarive të tij’, deklaroi Berisha. Sipas tij, vrasja e efektivit është prova më e qartë se rendi dhe siguria në vend janë lënë në duart e krimit. ‘Vrasja e Enea Mekollit dëshmon në mënyrën më të qartë se rendi, ligji, siguria në këtë vend është në dorë të krimit. Është në dorë të kriminelëve’, u shpreh ai.
Gjatë konferencës, kryedemokrati Sali Berisha ngriti një sërë pikëpyetjesh për mënyrën se si u organizua operacioni policor që përfundoi me vrasjen e efektivit. Sipas tij, duhet të hetohet nëse njësia ku bënte pjesë Mekolli ishte ajo që duhej të kryente arrestimin e një personi të armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë. ‘A ishte njësia e tij ajo që duhej të dërgohej për arrestimin apo neutralizimin e një banditi të armatosur? A ishte njësia e Mekollit e pajisur me të gjitha mjetet për mbrojtje nga armët e zjarrit?’, pyeti kreu demokrat. Ai vuri në dyshim edhe deklaratat zyrtare të Policisë së Shtetit dhe kërkoi transparencë të plotë për pajisjet mbrojtëse që kishte efektivi. ‘Sa e vërtetë është dhe çfarë lloji jeleku antiplumb kishte Enea Mekolli?’, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi përfshirjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend për të analizuar të gjithë operacionin dhe për të verifikuar nëse ka pasur dekonspirim të aksionit policor. ‘Janë të gjitha këto pyetje, të cilat Komisioni i Sigurisë në parlament duhet t’i shqyrtojë’, deklaroi ai. Sipas Berishës, duhet të kontrollohen të gjitha komunikimet e autorit të dyshuar për të zbuluar nëse ai ishte njoftuar paraprakisht për ndërhyrjen e policisë. ‘Të kontrollohen mirë të gjitha komunikimet që vrasësi ka pasur për të parë nëse kemi një dekonspirim të operacionit’, theksoi kreu i PD-së, Sali Berisha.
FJALA E PLOTE:
Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve, të afërmve të dëshmorit të kombit, Enea Mekolli, komunitetit të Maliqit.
Të dënoj me forcën më të madhe këtë krim të shëmtuar, i sponsorizuar nga shteti i lidhur këmbë e kokë me krimin.
Enea Mekolli ishte një i ri idealist, i cili pasi vëllai i tij në polici ndahet nga jeta për shkak të një sëmundje, kërkon të vazhdojë misionin e të vëllait, sigurimin e jetës, veprimtarisë, ligjit të qytetarëve shqiptarë.
Në këtë aspekt, ai është dy herë dëshmor.
Dhe familja e tij është një familje me kontribute shumë të mëdha për sigurinë e qytetarëve, jetës, veprimtarisë, rendit, ligjit të qytetarëve shqiptarë.
Por, aq sa është e dhimbshme vrasja mizore nga një dorë kriminale e policit në detyrë, aq kriminale e shëmtuar është qëndrimi i narkoshtetit ndaj vrasësit, i cili kishte 9 vite në kërkim, gjoja në kërkim, dhe që financohej nga fonde shtetërore për të ndërtuar stalla, konaqe, ngrehina, mbarështuar bagëti sikur të ishte një fermer i nderuar.
Vrasja e Enea Mekollit dëshmon në mënyrën më të qartë se rendi, ligji, siguria në këtë vend është në dorë të krimit. Është në dorë të kriminelëve.
Vrasësi i Enea Mekollit nuk mund të qëndronte 9 vite në kërkim, të mbarështonte bagëti dhe stalla pa përkrahjen e fortë të pushtetit.
Dhe siç dëshmojnë dokumentet, ajo përkrahje ka ardhur edhe me financime falas ndaj veprimtarive të tij.
Sot, jeta e çdo shqiptari është në duart e krimit dhe kjo për faktin e vetëm se qeveria është e lidhur këmbë e kokë me krimin.
Ndaj dhe kjo është një ngjarje tmerrësisht tronditëse.
U vra në krye të detyrës.
U vra në zbatim të ligjit.
Por, rënia e tij në krye të detyrës, ka edhe një problem tjetër madhor, i cila duhet të hetohet.
A ishte njësia e tij, ajo që duhej të dërgohej për arrestimin apo neutralizimin e një banditi të armatosur? E një krimineli të armatosur?
Apo janë njësitë e tjera, ato të cilat në ligj kanë detyrë të përmbushin këtë mision?
A ishte njësia e Mekollit, e pajisur me të gjitha mjetet për mbrojtje nga armët e zjarrit?
Është shumë e vështirë të besohen komunikatat e kreut të policisë, i cili me to kërkon me çdo kusht në vend të dorëheqjes së menjëhershme, kërkon të mbrojë karrigen e tij.
Çdo komunikatë dhe çdo veprim bëhet me miratimin e drejtorit të përgjithshëm në polici.
Cili ishte roli i tij në këtë operacion?
Sa e vërtetë është dhe çfarë lloji jeleku antiplumb kishte Enea Mekolli?
Janë të gjitha këto pyetje, të cilat Komisioni i Sigurisë në parlament duhet t’i shqyrtojë pasi këtu të tjerët janë në duart e krimit.
I bëj thirrje edhe prokurorisë të hetojë.
Por angazhimi i Komisionit të Sigurisë të parlamentit është i domosdoshëm.
Një operacion i tillë, më së paku mund të thuhet i keqorganizuar, i keqplanifikuar.
Të kontrollohen mirë të gjitha komunikimet që vrasësi ka pasur për të parë nëse kemi një dekonspirim të operacionit.
Se për të maskuar këtë, shprehen se mbante disa qen, se sikur e paskan njoftuar qentë atë se do shkojë policia për ta rrethuar.
Këto ngjallin shumë dyshime.
Por unë edhe njëherë shpreh nderimin më të madh për Enea Mekollin, të rënë në krye të detyrës si trim, si një hero i vërtetë.
Dënoj me forcën më të madhe dorën gjakatare që i mori jetën, por edhe të gjithë ata të cilët në një mënyrë apo në një tjetër janë direkt apo indirekt të implikuar në këtë akt shumë të rëndë.
U ftoj ta nderojmë me një minutë heshtje dëshmorin e kombit, Enea Mekolli.
I përjetshëm kujtimi i tij!
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Olta Blaceri, Vizion+: Zoti Berisha, cili është qëndrimi i PD ndaj protestës qytetarë që prej pesë ditësh po protestojnë para godinës së qeverisë?
Sali Berisha: Qëndrimi ynë, ne mbështesim plotësisht të drejtën e çdo qytetari për protestë. Në mënyrë të palëkundur.
Qëndrimi ynë, ajo është një protestë që nuk është thirrur nga PD dhe nuk ka asnjë thirrje që të mbështetet nga PD.
Kështu që ne, në moralin e plotë të qëndrimit ndaj protestave, nuk kemi asnjë tendencë… pra qëndrimi ynë është respektimi i plotë i protestës.
Nuk mund të marrim përsipër asnjë hap, i cili mund të krijojë debat të çfarëdo lloji.
Pra ne respektojmë… e kemi theksuar dhe e theksojmë, qytetarët e lirë kanë të drejtën të protestojnë për çdo gjë që ata e gjykojnë të arsyeshme.
PD ka axhendën e saj të protestave, dhe kur ajo thërret në protestë, ajo është e hapur për të gjithë qytetarët që duan të angazhohen.
Në këtë kontekst, ne, thashë edhe njëherë, respektojmë plotësisht protestën.
Anisa Kadesha, RTSH: Zoti Berisha, a do ta konsideronte PD të vlefshëm hetimin e SPAK për çështjen Balluku, nëse SPAK e zgjeron hetimin dhe rikërkon heqjen e imunitetit të zonjës Balluku së bashku me akuzën e re të korrupsionit ndaj saj?
Sali Berisha: Unë mendoj se çështjen Balluku, Rama në raport me SPAK e ka mbyllur përfundimisht. Nuk do e mbyllë kurrë në raport me opozitën.
Kjo është ajo që ne mendojmë.
Ajo është një çështje që nuk mbyllet kurrë.
Mariglen Kume, MCN TV: Pak ditë më parë zoti Berisha, në prokurorinë e posaçme ishte një prej anëtarëve të Komisionit të Prokurimeve Publike në lidhje me çështjen e dosjes së AKSHI-t. Por a duhet të shkonte edhe nënkryetari në cilësinë e kryetarit duke qenë se kryetari mungon?
Sali Berisha: Tani, ju jeni dëshmitarë se AKSHI është një hetim i pashpresë.
Edi Rama, në konflikt flagrant interesi, ka marrë përsipër avokatinë publike të hapur ndaj AKSHI-t.
Mos harroni përgjërimet e tij për Mirlindën e gjorë, që ka vjedhur dhjetëra milionë euro të qytetarave, që kryesonte një grup të strukturuar kriminal, dhe që ky e shpallte të dëlirë sa vetë pafajësia.
Mos harroni një moment tjetër, kocka më e fuqishme mafioze e Shqipërisë, Gys Agasi, i ati i tij shpallet fisniku i PS në Durrës se ishte edhe ajo ndrikulla Sako aty në dekorim.
Ai ishte një mesazh i qartë për prokurorinë që mos guxoni të vazhdoni hetimin ndaj Gys Agasit, mos guxoni të hetoni babanë e tij që i dha Durrësit dhe Shqipërisë një kriminel si Gys Agasi. Mos hetoni pasuritë e tij.
E kuptoni vetë ju, nuk ka hetim aty.
E ka marrë dosjen në dorë Edi Rama. Gys Agasi jeton i lirë, shëtit i lirë.
Shqiptarët nuk mund të imagjinojnë se çfarë krimi monstruoz ka kryer Ergys Agasi me kadastrën.
Do t’u jap një shembull. Një biznesmen, të cilit Agasi i mori një pronë shumë të mirë, një sipërmarrje, shkoi në kadastër për të marrë dokumentet.
A e dini se çfarë i tha kadastra?
Jo, nuk është e jotja, nuk ke gjë fare këtu.
Nuk ekziston ky territor i regjistruar.
Dhe kur ky nxori dokumentet që i kishte të dosjes, po ja ku janë këto… do vish pas dhjetë ditësh i thanë.
Dhe pas dhjetë ditësh doli që u gjetën dokumentet.
Në kadastër Agasi me Ramën kanë bërë krimet më të shëmtuara.
Po, po, u them unë ju.
Shkoni ju tani, kërkoni pak kanionin e Gjipesë, të cilin i ndjeri Artan Lame refuzoi gjer ditën e fundit të jetës së tij ta regjistronte.
Kështu që të mos jemi naivë.
Dosjen e Lindave të AKSHI-t e ka mbyllur përfundimisht Rama.
Këto janë gjëra për të bërë zhurmë që nuk u mbyll përfundimisht, por u mbyll ajo.
U krijua edhe Albanian Digital Solutions, një rrugë e re për të vjedhur qindra milionë euro siç vidhte me AKSHI-n.
Mariglen Kume, MCN TV: Po, por SPAK ka thirrur një prej anëtarëve të KPP për këtë dosje. Keni ju një koment pse është thirrur një prej anëtarëve dhe jo kryesuesi?
Sali Berisha: Nuk guxon të thërrasë kryesuesin. SPAK nuk janë të pamend ata, dhe aq e dinë se aty ku është kryetari, duhet thirrur i pari kryetari, por nuk guxon, ka urdhër, gjithçka e ka të graduar.
A e more vesh historinë e tyre? Është një ish-deputete, Klotilda Bushka, që Lali Eri e kishte shumë xhan se ngrihej në mes të parlamentit dhe fuste amendamente në kundërshtim me çdo lloj procedure, amendamente me pasoja financiare që nuk mund të bëheshin kurrë.
Plus, që kjo kishte udhëzuar dëshmitarët që të mos dëshmonin kundër Lali Vjedhësit.
Klotilda u dënua gjasme me një gjobë.
Polici që i la Lali Vjedhësit telefonin, për një bisedë telefonike tërësisht të regjistruar, u burgos.
Kjo është drejtësia.
Policit për një dhënie telefoni në rrugë teksa vinte nga Durrësi në Tiranë, kurse kjo që shtynte dëshmitarët e Lali Vjedhësit të ndryshonin dëshmitë, etj, etj me radhë, që sillte amendamente në parlament…
Dëgjoni, Ilir Metën e akuzojnë për ligjin që kanë paraqitur deptuetët e PS në parlament, kurse Klotildën për ligjin që paraqet në parlament në kundërshtim me çdo ligj dhe rregull, as që e pyesin fare.
Këta janë bërë më qesharakë sa nuk ka ku të shkojë.
Nuk ia vlen të ndalesh tek këta.
I ka futur Rama në thes.
I ka kapur.
Janë të kapur këta.
Aty që tregoi një guxim, aty përdori të gjithë fuqinë e parlamentit dhe të ekzekutivit për t’ia bllokuar hetimin, me gjithë kërkesat që bëri BE, vendet anëtare, etj, sepse ishte vetë Rama.
Nuk duhet të presim prej tyre atë që ata nuk mund ta bëjnë.
Ata detyrohen të bëjnë sikur.


