Nevton Kodheli: Çmimet e larta, cilësia e dobët dhe monopol shtetëror, 10 abuzime në sektorin e hidrokarbureve

FJALA E DREJTUESIT TË DEP. TË BURIMEVE NATYRORE NË PD, NEVTON KODHELI NË TAKIMIN “BURSA RAMA E NAFTËS – 10 ABUZIME, 1 ZGJIDHJE”  

Për të thënë të vërtetën, për një parti që ka qenë qeveri dhe që është alternativa e vetme e qeverisë së vendit, nuk mund të ketë gjë më serioze për të diskutuar sesa të flitet për sektorin energjetik. Kur flasim pastaj për hidrokarburet, vektorin më të rëndësishëm të sektorit të të sektorit energjetik në nivel global, kjo bëhet gati, gati solemne.

Që nga koha që John Rockefeller ishte i aftë që në laboratorët e rafinerive të tij të stabilizonte vajgurin, sektori i hidrokarbureve, nafta, me gjithë derivatet e saj të lëngëta apo të gazta, ka zënë pjesën, ka zënë kreun e tavolinës. Kreun e tavolinës në ekonominë globale dhe këtë nuk e ka bërë në mënyrë krejtësisht të rastësishme, por e ka bërë në mënyrë krejtësisht të merituar. Megjithatë, 13 gjeneratat pothuajse kanë pasur gjatë gjithë kohës mbi kokën e tyre si shpata e Demokleut një fakt: nafta është e shterueshme.

Nafta do të mbarojë një ditë. Dhe po, nafta është e shterueshme. Nafta do të mbarojë një ditë siç të gjitha rezervat e tjera që kemi në planetin Tokë. Tek e fundit, dhe përmasat e planetit Tokë janë të fundme, nuk ka asgjë të pafundme. Por nuk ka asnjë rrezik eminent, të menjëhershëm për të përfunduar nafta në një kohë aq të shkurtër.

Këtë e provojnë 11 krizat me të cilat është përballur ekonomia globale në bazën e të cilës ka qenë nafta, vetëm pas luftës së dytë botërore. Ka pasur vetëm një krizë të lidhur drejtpërdrejtë me furnizimin, kriza e mungesës së furnizimit në vitin 1979-1980, kur edhe ajo ka qenë për arsye tërësisht spekulative. Dhe ndaj, unë po ju jap shifrat e vetëm pesë viteve të fundit për të cilat këto shifra janë të çertifikuara, nga viti 2019 deri në vitin 2024, nafta bashkë me gazin natyror, jo rrallë herë ne bëjmë një gabim që gazin natyror e ndajmë nga nafta.

Gazi natyror nuk është limonadë. Gazi natyror është sërish hidrokarbur, vetëm numrin e atomeve të karbonit e ka pak më të vogël sesa derivatet, sesa fraksionet e lëngëta të naftës. Të dyja bashkë të kombinuara kanë gjeneruar nga 55 deri në 56% të energjisë në bilancin energjetik global. Kjo ka detyruar edhe skeptikët më të mëdhenj, edhe ata që u ngazëllyen kryesisht për arsye ideologjike, gjithmonë industria e hidrokarbureve ka pasur armiq ideologjikë shumë të fuqishëm, në kohën e pandemisë që thanë që koha e daljes nga era e hidrokarbureve do të jetë më e shpejtë dhe kryesisht e shprehën haptazi, për fatin e keq, institucione të lidhura me Kombet e Bashkuara apo institucione në varësisë të tyre që në vitin 2050 më në fund do të dilej tërësisht nga era e hidrokarbureve.

Jo, nuk do të dilet dot nga era e hidrokarbureve, por pesha relative e hidrokarbureve në bilancin energjetik global, pa diskutim që do të bjerë dhe kjo do të jetë e shëndetshme. I thashë të gjitha këto gjëra jo thjesht për të shuar kuriozitetin tuaj, por për ta lidhur në mënyrë organike. Po ne ku jemi? Nuk e besoj të ketë njeri këtu që mos ta dijë që Shqipëria është një vend që ka rezerva të hidrokarbureve. Çfarë ka bërë qeveria shqiptare?

Çfarë ka bërë njeriu që në vitin 2022, lajmësi i të keqes apo adhuruesi i fatkeqësisë, dilte dhe përpiqej t’i bindte të gjithë njerëzit që nuk diskutohet më që çmimi i energjisë do ta kapërcente 1000 euro për megavat, por a do të ketë energji në treg? Çfarë bëri ai në këtë vend që ka mundësi, që ka ende potencial për të prodhuar, për ta mbështetur prodhimin vendas? Ai bëri këtë. Në vitin 2022, prodhimi kombëtar i naftës ka qenë 657,400 ton, ndërsa në vitin 2025 ka qenë vetëm 570,000 ton. Nuk ka nevojë që të bësh asnjë koment.

Dhe për të mos u mjaftuar vetëm me këtë, për të mos u mjaftuar me parodizimin e investimit më të rëndësishëm që është bërë në fushën e kërkim-zbulimit të hidrokarbureve nga Shell, në dhjetorin e vitit të kaluar, u bllokua në mungesë të plotë të transparencës aktiviteti prodhues i njërit prej operatorëve kryesorë në treg. Këtu nuk dua të marr përsipër kurrsesi të shfajësoj apo të laj gjynahet e këtij operatori, që duket që nuk janë të pakta.

Por për sa kohë që çështja ka marrë rrugën e trajtimit në institucionet e drejtësisë, le ta mbyllim këtu. Të diskutojmë çfarë roli luan ekzekutivi. Ekzekutivi nuk bën asnjë gjë tjetër në Shqipëri, përveçse në pamje të parë kemi një situatë oligopoli, por në fakt kemi një situatë të qartë monopoli në tregun e derivateve të hidrokarbureve.

Dhe pronari i këtij monopoli nuk është ndonjë kompani private, që edhe ata kanë gjynahe jo të vogla. Pronari i këtij monopoli është një dhe vetëm një, qeveria shqiptare. Në krye të të cilës është Edi Rama. E dyta. E trajtuan shumë në detaje, duke filluar nga zoti Bozdo deri te të gjithë të tjerët, se çfarë është bërë me situatën apo me regjimin fiskal që rëndon mbi derivatet e hidrokarbureve.

Po, është e vërtetë zoti Teliti që taksat dhe vdekja janë dy gjërat e vetme të sigurta në jetë. Por taksat, që pas luftës së dytë botërore, kanë një qëllim të vetëm: në shoqërinë moderne, t’i shërbejnë shoqërisë, jo ta vrasin jetën e shoqërisë. Në qoftë se do ta shikojmë si matricë, çmimin e derivateve të hidrokarbureve, çmimi nominal më i lartë në botë, profesor Berisha, është e vërtetë që e kemi të tretin më të shtrenjtin nominal në Evropë, por bazuar në fuqinë blerëse, e kemi dukshëm më të lartë edhe sesa Singapori që ka çmimin nominal më të lartë në botë. Po ky është vetëm njëri prej elementëve.

Për shkak të cilësisë shumë të dobët të naftës, ne kemi konsum për 100 km nga 5 deri në 25% më të lartë seç do ta kishim në kushte normale. Për shkak të cilësisë shumë të dobët të derivateve të hidrokarbureve, dhe këtu është faj i qeverisë dhe jo i operatorëve privatë në treg. Po operatori privat po gjeti shesh, do të bëjë për shesh. Për shkak të kësaj cilësie, amortizimi i motomjeteve që përdorin këto lloj derivatesh të naftës është shumë i shpejtë dhe kostoja e mirëmbajtjes së tyre është shumë e shtuar.

Jetëgjatësia e këtyre automjeteve është shumë më e vogël se ç’do të duhej të ishte në qoftë se ne do të përdornim ato derivate që distilohen nëpër rafineritë ku ajo do të blihet, që do të thotë kostoja është më e lartë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale