‘Nesër shqiptarët të gjithë në shesh’/ Berisha: Rama dhe Lubia i dërguan mesazh Europës se integrimin e ndërpresim, por drejtësinë nuk e njohim

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN PARA KRYEMINISTRISË

EKTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në Foltoren para Kryeministrisë këtë të hënë, deklaroi se Edi Rama dhe Belinda Balluku i kanë dërguar një mesazh të hapur Europës se janë të gatshëm të ndërpresin integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por nuk pranojnë drejtësinë. Në fjalën e tij para protestuesve, Berisha akuzoi qeverinë se ka humbur çdo legjitimitet dhe është produkt i farsës elektorale, krimit të organizuar dhe korrupsionit të përmasave ndërkombëtare.

Berisha tha se Rama, për të mbrojtur vjedhjet dhe aferat e tij, ka zgjedhur të sakrifikojë të ardhmen europiane të vendit, duke refuzuar heqjen e imuniteteve dhe gjykimin e korrupsionit. Sipas kryedemokratit, sot shqiptarët ndodhen përballë një kërcënimi madhor, ku integrimi në BE po përdoret si monedhë këmbimi për të shpëtuar pushtetin dhe pasuritë e paligjshme.

Berisha theksoi se protestat janë jetike dhe vendimtare për të shpëtuar ëndrrën europiane të shqiptarëve dhe se nesër zhvillohet beteja për integrimin e Shqipërisë në BE. Kryetari i PD, Sali Berisha ftoi qytetarët nga e gjithë Shqipëria të dalin në shesh në Tiranë, duke garantuar se zëri i protestës së nesërme do të dëgjohet në Bruksel dhe në mbarë botën.

Në përfundim, Berisha shprehu mirënjohje për Komisionin Europian për qëndrimin e tij në mbrojtje të drejtësisë dhe i bëri thirrje forcave të rendit të bashkohen me qytetarët, për të larguar qeverinë e krimit dhe për të rikthyer shtetin ligjor, votën e lirë dhe rrugën e Shqipërisë drejt Europës.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, por edhe mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, qytetare dhe qytetarë guximtarë, njerëz të sakrificës që për të mbrojtur të vërtetat që besoni, protestoni këtu çdo të hënë dhe jo vetëm për veten tuaj,për familjen tuaj, por jeni zëdhënës të mbarë shqiptarëve.
Jeni zëdhënës të qytetarëve të lirë dhe në këtë aspekt jeni frymëzim për çdo shqiptar!
Të dashur miq, motivet e protestës sot janë të pafundme.
Qeveria ka humbur çdo legjitimitet.
Ajo është fryt i farsës elektorale, i shkelmimit mbi vullnetin tuaj, mbi votën tuaj.
Ajo është fryt i krimit monstruoz të përmasave evropiane dhe botërore, karteleve më të zeza të drogës që helmojnë çdo ditë me mallin e tyre, me të cilin pasurohet, fëmijët e Europës dhe jo vetëm.
Protesta është e ligjshme ndaj një qeverie që nga mëngjesi gjer në darkë vetëm vjedh qytetarët e saj.
Një qeveri që nuk ka asnjë legjitimitet dhe duhet shporrur një ditë e më parë.
Protesta është e ligjshme, është jetike kundër një qeverie, e cila në 13 vite varfëroi çdo vit e më shumë shqiptarët.
Në 13 vite, ajo bëri që ata sot të jenë qytetarët më rrogëulët dhe me pensionet më të ulëta në rajon.
Ajo bëri me vjedhjet që bëri, që gjysma e tyre të jenë në varfëri ose rrezik varfërie.
Gjysma e tyre të mos ushqejnë dot si duhet fëmijët e tyre.
Protesta është e ligjshme e cila në një farë mënyrë po shkreton këtë komb sa asgjë tjetër në historinë e tij nga vitet 1300 gjer sot.
Po i largon shqiptarët nga Shqipëria.
Por sonte ne jemi këtu për të bërë thirrje për protestë çdo shqiptari, edhe për zhvillimin dramatik që Edi Rama në mbrojtje të vjedhjeve të tij, ka vendosur t’i presë Shqipërisë rrugën e Europës.
Ka vendosur t’i mbyllë Shqipërisë dyert e Europës.
Miq, dy ditë më parë ai u ftua të shkonte në Bruksel për t’i komunikuar këto që ne kërkojmë sot, shtetin ligjor, heqjen e imuniteteve, gjykimin e korrupsionit.
Para se të nisej, së bashku me Lubinë bënë mbledhjen e grupit parlamentar dhe në një sfidë të hapur, në një sfidë që tejkalon çdo lloj standardi, i dërguan Europës mesazhin se integrimin e ndërpresim, por drejtësinë nuk e njohim.
Miq, në Bruksel, Edi Ramës do i transmetohej një mesazh: Mos pengo drejtësinë se ne të mbyllim derën.
Ishte i thjeshtë.
Sot në mëngjes Edi Rama u përgjigj: më mbyllni derën se lëkurën time nuk e shes kurrë, se Lubinë nuk e dorëzoj, se po të dorëzoj Lubinë, duhet të dorëzoj veten time.
Pra, sonte çdo shqiptar ndodhet para këtij kërcënimi të tmerrshëm, madhor.
Edi Rama me vendimin e sotëm u tha shqiptarëve se integrimin e japim, por korrupsionin nuk e dorëzojmë. Por veten tonë, lëkurën tonë nuk e dorëzojmë.
Në këtë kuadër, protestat tashmë janë jetike dhe vendimtare për të shpëtuar atë ëndrrën që nuk ishte vetëm e jona, nuk është vetëm e jona, nuk ishte vetëm e studentëve të viteve ’90, por atë ëndërr që ishte e formësuar nga Rilindja jonë, të cilët për Shqipërinë parajsë, konsideronin ta shihnin zonjë mdis kombeve të tjera evropiane.
Kjo ëndërr e Rilindjes u bë ëndërr e rinisë shqiptare në vitet ’90, u bë motiv kryesor i asaj në luftën kundër diktaturës komuniste.
Në ndjekje të saj, PD, lokomotivë e proceseve të integrimit, ia doli të firmosë MSA-në.
Ia doli të liberalizojë vizat.
Ia doli të marrë rekomandimin për statusin e kandidatit.
Pra, ne ishim lokomotiva e integrimit në BE.
Programi ynë ka qëllimin më madhor, integrimin e Shqipërisë në BE.
Pas çlirimit të Kosovës, interesi ynë kombëtar, ylli ynë polar është integrimi i Shqipërisë në BE.
Tani, një bajloz i zi, një organizatë kriminale, do t’u mbyllë shqiptarëve rrugën drejt Europës.
Do të asgjësojë drejtësinë, shtetin ligjor, Kushtetutën, për të mbrojtur paratë e krimit, vilat, apartamentet, kontot bankare brenda dhe jashtë.
Shqiptarë, a do pranoni ju këtë?
Kurrë.
Ndaj dhe nesër është beteja për integrimin e Shqipërisë në BE, për dyert e hapura të Shqipërisë.
Nesër, mesazhi ynë është një dhe vetëm një, mos guxo të luash me fatin e shqiptarëve, se fatin e Enver Hoxhës do kesh edhe ti për së gjalli.
A ka krim më të shëmtuar se ky? Një popull që vuajti shekuj, një popull që njohu regjimet më çnjerëzore, varfëritë më ekstreme, një popull që priti dhe pret me padurimin më të madh si arritjen e jetës së këtij kombi integrimin në BE, t’ia mbyllim derën tani për vjedhjet që ka bërë Edi Rama, për vjedhjet që ka bërë organizata e tij kriminale.
Jo, kurrë.
Ndaj dhe unë jam këtu për t’u zotuar para jush, para shqiptarëve se asgjë në botë nuk do mund të pengojë qytetarët e këtij vendi pa hedhur në Lanë qeverinë e krimit, qeverinë e drogës, qeverinë e hajdutëve, qeverinë anti-shqiptare, qeverinë anti-europiane.
Miq, pra nesër është një ditë e madhe.
Është një ditë e shqiptarëve për Europën.
Është një ditë e shqiptarëve për të ardhmen e tyre.
Është një ditë e shqiptarëve për prosperitetin e tyre, për begatinë e tyre, për lirinë e tyre.
Në qoftë se, ne shpallim solemnisht para shqiptarëve se për opozitën, integrimi në BE është e ardhmja më e shkëlqyer, sepse ne besojmë se integrimi do të thotë qytetarë më të lirë, qytetarë më të mëkëmbur, qytetarë më të sigurt, Shqipëri më e zhvilluar.
Asgjë nuk na ndan ne nga kjo rrugë.
Ndaj dhe nesër ftoj qytetarët e Tiranës, këtij qyteti të bekuar, të dalin të gjithë në shesh.
Ftoj shqiptarët të bashkohen, të ngremë zërin tonë, zëri ynë të dëgjohet në Bruksel dhe në mbarë botën se asgjë nuk na shkëput nga qëllimi ynë.
Nesër, u bëj thirrje forcave të rendit, të marrin vendimin historik, të bashkohen me protestuesit.
Bashkohuni me protestuesit, sepse bashkoheni me interesin e vendit tuaj, interesin e familjeve tuaja, me interesin tuaj, me të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
U bëj thirrje, bashkohuni me protestuesit të shporrim këtë bandë kusarësh që nuk ka pasur kurrë Shqipëria në krye si sot.
Bashkohuni me misionarët e kombit që do shpëtojnë kombin nga kjo rrokullisje.
Do shporrin këtë organizatë kriminale nga qeverisja.
Do rikthejnë ligjin, Kushtetutën, të drejtën, lirinë, votën e lirë, mëkëmbjen, udhëtimin drejt Europës.
Rrofshi ju!
Edhe njëherë, të gjithë nga ora 17:00, në Tiranë, në kryengritjen paqësore, kryengritjen e fitores, kryengritjen e të ardhmes, kryengritjen për Europën.
Një mirënjohje të pakufishme Komisionit Europian për deklaratën e sotme, në të cilin i tha kryebanditit, kryehajditit, se kurrë drejtësinë nuk mund ta pengosh.
Le të bëhemi ne përmbaruesit e vendimit, ta detyrojmë hajdutin të shkojë aty ku e ka vendin.
Edhe njëherë, nesër, e gjithë Shqipëria në Tiranë. Tirana në bulevardet dhe rrugët e saj.
Fitore, fitore, fitore!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale