Përshëndetje të gjithëve,
Sot kam një kënaqësi dhe një përgjegjësi të hap këtë aktivitet, ose po them këtë kapitull të ri të Departamentit Brain Gain. Sot do të prezantojmë Drejtuesin e Ri të departamentit, z. Ted Kopliku, dhe programin e punës për vitin 2026.
Tre vite më parë, Brain Gain nisi si një ide dhe si një nevojë e qartë politike: nevoja për ta lidhur Partinë Demokratike me profesionistët, me të rinjtë e arsimuar, me diasporën.
Slogani ishte dhe është: “Frytet e mendjes tonë t’ua kthejmë rrënjëve që na kanë ushqyer”.
Gjatë këtyre tre viteve, Brain Gain është rritur shumë. Departamenti BG është një strukturë që e lindi PD me rithemelimin, por e rritëm ne, e rritëm të gjithë bashkë, me shumë mund, me shumë punë, me projekte konkrete, me diskutime të shumta, me iniciativa të reja, me analiza politike dhe kontribut real.
Ka qenë një rrugëtim jo gjithmonë i lehtë, por i domosdoshëm.
Ky departament nuk është thjesht një strukturë administrative e PD-së, por është një dëshmi se Partia Demokratike beson te meritokracia, te mendimi i lirë dhe te brezi i ri si faktor real politik dhe vendimmarrës.
Për mua personalisht, Brain Gain nuk është vetëm një angazhim politik, por është pjesë e historisë sime.
Është arsyeja pse vendosa të kthehem në Shqipëri dhe të investoj këtu dijen, përvojën dhe energjinë time. Brain Gain më ka frymëzuar të besoj se ndryshimi nuk vjen duke u larguar, por duke u angazhuar.
Përmes shembullit tonë, timit dhe të shumë kolegëve dhe miqve të Departamentit, shpresojmë të motivojmë të rinjtë shqiptarë që të mos e braktisin vendin, por ta shohin angazhimin si një mundësi reale për të ndërtuar të ardhmen këtu, në Shqipëri.
Brain Gain gjithashtu ka qenë për mua një shkollë politike dhe njerëzore. Një hapësirë ku kam mësuar se angazhimi nuk matet me tituj apo me poste, por me përgjegjësi; nuk matet me fjalë, por me punë.
Në total, gjatë këtyre tre viteve, Brain Gain ka realizuar mbi 80 aktivitete, shkrime, dalje publike dhe projekte, duke u kthyer në një nga departamentet më aktive dhe më produktive të Partisë Demokratike.
Kjo punë nuk është rastësore, por rezultat i një drejtimi të qartë dhe i një ekipi bashkëpunues.
Ky rezultat nuk do të kishte qenë i mundur pa drejtimin dhe vizionin e z. Andi Mustafaj, i cili ka qenë arkitekti i këtij Departamenti.
Nën drejtimin e tij, Brain Gain u kthye nga një ide në një departament funksional, aktiv dhe frymëzues brenda Partisë Demokratike, me standarde pune dhe me një frymë bashkëpunimi që ka lënë gjurmë.
Ai një herë më ka thënë që nga ana e tij nuk pranohen komplimentet as për punën. Por ne, me seriozitetin më të madh, komplimentet dhe mirënjohjen për punën e bërë do t’ia shprehim përmes kësaj duartrokitjeje. Andi, kjo është për ty.
Sot, me prezantimin e Drejtuesit të Ri, z. Ted Kopliku, Departamenti BG hap një kapitull të ri.
Një kapitull që do të zhvillohet mbi themelet e forta të vendosura më parë, me të njëjtin vizion, por me energji të re dhe vazhdimësi në standarde.
Jam e bindur se, nën drejtimin e tij, departamenti do të vazhdojë të forcojë rolin e vet si një laborator idesh, projektesh, analize politike dhe mbështetjeje për Partinë Demokratike.
Sfida jonë është ta forcojmë më tej rolin e Brain Gain si një strukturë strategjike, që prodhon ide dhe kontribuon drejtpërdrejt në suksesin politik të Partisë Demokratike.


