KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme për mediat ka reaguar pas ndalimit në pikën kufitare të Qafë Thanës të tre deputetëve të koalicionit shqiptar VLEN në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të rëndë politik dhe diplomatik të qeverisë shqiptare.
Sipas Berishës, ndalimi i deputetëve Bekim Çoku, Adnan Hazizi dhe Hasim Myrtezani përbën, një veprim ‘antishqiptar të paprecedent që nga koha e diktaturës së Enver Hoxhës’. ‘PD dënon me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar të Edi Ramës dhe ministrit të tij të Brendshëm. Tre deputetë të koalicionit VLEN, me pasaporta diplomatike, u trajtuan sikur të ishin terroristë dhe jo përfaqësues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut’, u shpreh Berisha.
Sipas kryetarit të PD Sali Berisha, ky veprim cenon marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe shkel marrëveshjet ndërkombëtare. Berisha tha se qeveria shqiptare po përpiqet të transferojë përgjegjësinë te faktorë të jashtëm për protestat qytetare që kanë ndodhur në vend. ‘Ky është një akt që dëmton rëndë fqinjësinë e mirë me vendin fqinj dhe është një përpjekje për të fajësuar të tjerët për protestën më të fuqishme qytetare që ka njohur vendi në 35 vitet e fundit’, deklaroi kreu i PD-së.
I pyetur nga gazetarët për pretendimet e kryeministrit Rama se Shqipëria do të presë samitin e ardhshëm të NATO-s, Berisha tha se nuk ka pasur ende një konfirmim zyrtar. ‘Nuk them se zhvillohet apo nuk zhvillohet. Unë nuk dëgjova një fjalë mirupafshim në Shqipëri, në Tiranë. Në samitin e mëparshëm për vitin 2027 ishte caktuar Tirana, kjo është e njohur. Por kësaj here nuk ndodhi njoftimi zyrtar’, u shpreh ai. Sipas tij, fakti që nuk pati një konferencë të posaçme për shtyp nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s është një tjetër tregues që kërkon sqarim.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha kritikoi vendimin e qeverisë për përdorimin e 4 milionë eurove nga fondi rezervë për organizimin e një koncerti, duke e cilësuar si një shpërdorim të parave publike. ‘Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave përdoret vetëm në emergjenca kombëtare. Por Edi Rama e ka shtrirë fondin rezervë në llogarinë e tij personale’, deklaroi kryetari i PD-së Sali Berisha gjatë konferencës për mediat.
FJALA E PLOTE
Në një akt antishqiptar të paprecedent që nga diktatura e Enver Hoxhës, dhe në një skandal shumë të rëndë diplomatik dhe politik, dje me urdhër të Edi Ramës, nuk u lejuan të hyjnë në territorin e Shqipërisë, në kundërshtim dhe shkelje flagrante të marrëveshjeve ndërshtetërore me Maqedoninë e Veriut dhe konventat ndërkombëtare, tre deputetë të koalicionit të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, VLEN.
Kështu u bllokuan dje me datën 8 korrik nga narkopolicia shqiptare në pikën kufitare të Qafë Thanës koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit VLEN, deputeti Bekim Çoku dhe deputetët Adnan Hazizi dhe Hasim Myrtezani, zëvendëssekretar i përgjithshëm në qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Që të tre me pasaporta diplomatike.
Ata u trajtuan dhe u ndaluan sikur të ishin terroristë, armiq të kombit shqiptar dhe jo deputetë të nderuar, përfaqësues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, vendin fqinj.
Duke kërkuar ndjesë në emër të shqiptarëve të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të këtij vendi, koalicionit VLEN dhe të gjithë deputetëve të tij, PD dënon me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar të Edi Ramës dhe ministrit të tij kukull antishqiptar të Brendshëm.
Ky akt dëshmon një goditje të rëndë të fqinjësisë së mirë me vendin fqinj dhe përbën një përpjekje vulgare për të fajësuar fqinjët dhe të tjerët për protestën rinore qytetare më të fuqishme që ka njohur vendi në 35 vitet e fundit.
Me këtë akt, narkodiktatori i Tiranës po sillet në rajon në mënyrë identike me Lukashenkon e Bjellorusisë dhe ish-diktatorin e Venezuelës, tani në pranga, Maduron.
Një akt i shëmtuar.
E garantoj Edi Ramën se dënimi i tij është pa shpëtim, pa kthim.
Le t’i mbyllë kufijtë nga të katër anët, por shqiptarët i kanë prerë përfundimisht biletën atij.
Gjithashtu dua të dënoj me forcën më të madhe akuzat që Edi Rama bën për ndërhyrje të vendeve të tjera, veçanërisht Greqisë, Kosovës, duke krijuar kështu një klimë jomiqësore me këto vende, me të cilat Shqipëria ka marrëdhëniet më të mira dhe ndan shkëmbimet më intensive.
Është në natyrën e njeriut të inkriminuar, në natyrën e diktatorëve mbi shpatullat e të cilëve rëndojnë krimet e rënda të fajësojnë gjithë botën dhe të mos njohin asnjë përgjegjësi për veten e tyre.
Por, populli i ka prerë biletën.
Kjo është e vërteta.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Klajdi Bodlli, SYRI TV: Zoti Berisha, nga Policia e Shtetit, por dhe nga Ministria e Brendshme nuk ka asnjë reagim në lidhje me këtë ngjarje. Të paktën dhe nga interesimet, kanë vendosur mos të kenë reagim, ndoshta policia mund të ketë një reagim. Nga informacionet tuaja, ndoshta dhe nga komunikimet, cili është motivi që të paktën i kanë komunikuar zyrtarëve të VLEN-it në kufi?
Sali Berisha: Së pari, thashë dhe një herë, akti i bllokimit të deputetëve të koalicionit VLEN është një akt që shkelmon marrëveshjet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por dhe marrëveshjet ndërkombëtare, mbasi këta ishin me pasaporta diplomatike.
Edi Rama përpiqet të fshihet pas këtij skandali. Sepse ky është një gjest tjetër, një damkë tjetër, që ai merr jo vetëm në rajon, por në Europë dhe në mbarë botën.
Ju e patë vetë, e patë vetë në samit. E patë besoj apo jo? Aty ishte njeriu më i vetmuar. Sharlatani më i damkosur. Hokatari më i shpifur.
Që mendoi se me atletet e bardha, s’po përdor shprehjet që i meriton në këtë rast, do mund të tërhiqte vëmendje dhe tërhoqi vetëm përçmim.
E patë vetë. Nuk ka një foto. Nuk ka një fjalë. Ka vetëm atletet e tij. Për të cilat protokolli turk, në darkën presidenciale i nxori kartonin e kuq: S’mund të vish!
Edhe u detyrua të kthehet, mos bëjë më ekzibicionistin, por të zbresë tek këpucët normale për ngjarje të tilla. Shikojeni ju kur shkon, kur futet në pallatin presidencial për darkën e presidentit. Por aty nuk u tolerua, u përçmua.
Ai pra hyri dhe doli nga ai samit si i vetmi njeri i përçmuar. Kjo është e vërteta.
Kishte informuar këtu, kishte bërë gati televizionet se do dilte në konferencë shtypi me Sekretarin e Përgjithshëm.
Do ishte një konferencë e veçantë shtypi. Po ajo nuk ndodhi.
Nuk ndodhi asgjë. Përveçse e kthyen në rresht kur humbi orientimin, gjoja humbi orientimin, që t’i dukeshin këpucët e bardha, shakaxhi i paskrupullt.
Anisa Kadesha, RTSH: Kryeministri Edi Rama e konsideron një arritje të qeverisë së tij faktin që në Shqipëri sipas tij do të zhvillohet vitin e ardhshëm samiti i NATO-s, pavarësisht se sipas sekretarit të përgjithshëm nuk është vendosur ende koha kur do të zhvillohet ky samit.
Sali Berisha: Nuk them se zhvillohet apo nuk zhvillohet. Unë nuk dëgjova një fjalë mirupafshim në Shqipëri, në Tiranë. Nuk e dëgjova.
E vërteta është që në samitin e mëparshëm për vitin 2027 ishte caktuar Tirana, kjo është e njohur. Por ka mbi dy muaj që qarkullojnë zëra të ndryshëm. Unë nuk mund të komentoj, as se zhvillohet, as se nuk zhvillohet.
Në dokumentet e NATO-s kur përfundon një samit, informohet samiti tjetër dhe vendi, kësaj here nuk ndodhi. Sikundër nuk ndodhi konferenca e veçantë për shtyp, që e kishte njoftuar Rama.
Rama kishte bërë gati të gjitha kamerat e televizioneve të tij dhe prisnin me padurim kur ai do të dilte në konferencë të veçantë shtypi. Nuk patë gjë.
Kjo është ajo që mund të komentoj.
Dhe dy fjalë për ta mbyllur. Për 4 milionë euro, të marra nga fondi i emergjencës të një vendi me potenciale të mëdha zjarri, për një këngëtar, kjo përbën në mënyrë absolute një nga aktet më të rënda, më të papërgjegjshme.
Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave përdoret vetëm në emergjenca kombëtare. Por Edi Rama ka shtrirë fondin rezervë në llogarinë e tij personale.
Më 10 dhe 11 maj të vitit 2025, ai i dha Giro d’Italia 7 milionë euro, para të taksapaguesve shqiptarë për të grabitur votat e qytetarëve, për të gënjyer e mashtruar qytetarët për vota.
Dhe tani, në këtë moment të vështirë të urrejtjes së përgjithshme popullore ndaj tij, të shpërthimit të zemërimit të përgjithshëm kombëtar ndaj tij, të shqiptarëve kudo që ndodhen, ai përpiqet të sfumojë sentimentet armiqësore me koncertin e një këngëtari shumë të njohur, por që ka edhe ai problematikat e tij në deklarime dhe në vlerësime.
Sidoqoftë, nuk kam asgjë kundër koncertit të tij, por nuk pranoj kurrë që ai të bëhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ky është një akt që e bën vetëm një njeri që është i aftë për të shpëtuar lëkurën e tij të marrë çdo vendim.
Ju informoj se të gjitha ministritë dhe shkollat kanë bërë listat për të dërguar punonjësit dhe nxënësit në koncert, mbasi biletat nuk janë shitur. Pra, përveç 4 milionëve do të jenë dhe disa milionë të tjera, se punonjësve do u mbahen në rroga ato bileta.
Që do paguhen për koncertin me të cilin Edi Rama beson se duke u përqafuar me Kanye Ëest do mund të përmirësojë imazhin e tij të shkatërruar, do mund të qetësojë urrejtjen e përgjithshme që buron nga shpirti dhe zemrat e shqiptarëve ndaj tij.


