Muçollari: Ministrja Kumbaro mohon përgjegjësinë mbi skandalin e mbetjeve të rrezikshme. Rrjeti i Bazelit dyshime ndaj qeverisë, kërkon transparencë për testimin e lëndëve

DEKLARATË PËR MEDIA ANËTARI I KRYESISË NË PD, GRIGELS MUÇOLLARI

Në daljen e fundit në media, ministrja e Mjedisit, zonja Kumbaro, mohoi dhe lau duart nga çdo përgjegjësi që lidhet me anijen e mbetjeve të rrezikshme, një çështje që e ka vënë Shqipërinë në një pozitë të pafavorshme dhe nën dyshimin për shkelje të konventës së Bazelit dhe për lejimin e trafikut ndërkombëtar të lëndëve të rrezikshme.
ministrja Kumbaro tha se gjithë fajin e ka subjekti privat që ajo vetë ka licensuar.
Pra, për mijëra ton mbetje të rrezikshme që inspektorët kanë zbuluar pas skandalit, për vendosjen e këtyre sasive në ambjent të hapur, për cënimin e mjedisit e shëndetit, për trafikun ndërkombëtar pa autorizim, për çdo gjë të dyshimtë në këtë histori, ministrja e Mjedisit, nuk ndjen dhe nuk mban asnjë përgjegjësi.
Ndërkohë që anija me mbetjet e refuzuara nga Tajlanda po rikthehet në Shqipëri, Rrjeti i Bazelit një javë më parë ka dërguar një letër te zonja Kumbaro, ku i kërkon transparencë maksimale në testimin e lëndës, pasi të jetë ankoruar në Durrës.
Rrjeti i Bazelit shpreh hapur mosbesimin që ka te qeveria dhe i druhet aftësisë së tyre për të manipuluar rastin, e për të mos i treguar qytetarëve dhe botës të vërtetën.
Rrjeti i Bazelit ka kërkuar praninë e ekspertëve ndërkombëtarë në procesin e testimit, të shoqërisë civile, të BE dhe të OKB.
Po ashtu, ka kërkuar që të bëhen 3 analiza të pavarura nga njëra tjetra, ku vetëm njërën ta kryejë qeveria.
Pyetjet sot për zonjën Kumbaro janë të thjeshta:
A ka marrë kjo ministri masa për testimin dhe verifikimin e mbetjeve të rrezikshme që po kthehen në Durrës, sipas standardeve ndërkombëtare?
A i është përgjigjur zonja Kumbaro shqetësimit që ka Rrjeti i Bazelit për transparencën?
Por më e rëndësishmja, cili është plani që ka kjo ministri për të sqaruar qytetarët se çfarë ndodh me mbetjet e rrezikshme?
Çfarë ndodh me ato që po kthehehen, dhe mijëra tonë të tjera që kanë zbuluar inspektorët e saj?
Këto janë përgjegjësi që kjo ministri ka para ligjit, publikut dhe qytetarëve?
Dhe nuk mund të kalohen me batuta, si ato të daljes së fundit në publik, që e krahason trafikun ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme, me dikë që ka marrë patentën po nuk respekton sinjalistikën?
Çështja është serioze dhe shqiptarët meritojnë shpjegime.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale