Muçollari: AKU nuk bllokoi lëpirëset e rrezikshme me copëza metali! Siguria ushqimore është një prej dështimeve më të mëdha të kësaj qeverie

DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYESISË SË PD, GRIGELS MUÇOLLARI:

Shqipëria ndeshet çdo ditë me shumë probleme, skandale dhe sfida. 

Një nga problemet më alarmante, që për mendimin e Partisë Demokratike ngrihet në rangun e sigurisë kombëtare, është mungesa totale e sigurisë ushqimore, standardeve dhe garancisë për çka shqiptarët dhe fëmijët tanë konsumojnë çdo ditë.

Siguria ushqimore është një prej dështimeve më të mëdha të qeverisë. Nuk është vetëm mungesa e vëmendjes për sigurinë dhe standardet e ushqimeve, mbi të gjitha është korrupsioni. Pasojat i shihni përditë: Sëmundje në rritje për shkak të produkteve të skaduara, për shkak të elementëve toksikë të ndaluar nga shtetet e tjerë, të dëmshëm për shëndetin, helmues dhe kancerogjenë.

Qeveria nëpërmjet agjencive ligjzbatuese, do të duhej të na mbronte. Konkretisht, nëpërmjet AKU që ka autoritetin, ligjin, fondet, ekipin, për të na siguruar se produktet që blejmë janë të padëmshme, janë ushqyese, jo helmuese. Ta përmirësojnë, nuk ta shkurtojnë jetën.

AKU nuk e ka kryer detyrën.

Do të sjellim në vëmendje të publikut një dokument të marrë nga RASFF, sistem i Komisionit Europian që garanton reagimin e shpejtë për produkte të industrisë ushqimore që kanë përmbajtje të substancave të rrezikshme apo janë jashtë standardit të lejuar.

Sipas këtij dokumenti, më 12 janar të këtij viti, ka ardhur lajmërimi nga Komisioni Europian që në vendin tonë ka hyrë një ngarkesë e madhe me lëpirëse për fëmijë, në përmbajtje të të cilave ka copëza metali.

AKU do të duhej të kishte filtra kontrolli për t’i siguruar qytetarëve produktin që ka lejuar të shitet në treg, por edhe pas njoftimit ne RASFF, nuk ka pasur as komunikim të riskut, as bllokim të produktit në fjalë.

Një nga detyrat e parashikuara në ligj për këtë agjenci qeveritare është komunikimi i riskut, qe do të thotë njoftimi publik në mënyrë sa më efektive, vënia në dijeni e qytetarëve për një produkt dhe rrezikun e konsumimit, kur kategorizohet si i rrezikshëm për shëndetin.

Po të kërkosh, gjen vetëm disa njoftime gjysmake në faqen zyrtare, ndërkohë që në faqet zyrtare ne rrjetet sociale të institucionit gjen pasqyrim të aktivitetit të ministres.

AKU jo vetëm duhet të vinte alarmin, por duhej të bllokonte menjëherë produktin në fjalë duke mbrojtur interesin dhe jetën e qytetarëve.

AKU ka heshtur sepse ia ka zënë gojën dhe kanalet e komunikimit paratë e ryshfeteve që ka marrë.

Kjo agjenci qeveritare, jo vetëm duhet shkrirë, por edhe duhet te mbajë përgjegjësi para ligjit për rastet kur ka dështuar të mbrojë qytetarët.

I bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë të fillojnë hetimet një orë e më parë, pasi të tilla produkte me përmbajtje të lëndëve të dëmshme dhe helmuese vazhdojnë të qarkullojnë lirisht në rrezik serioz për jetën e fëmijëve.

Në ditë në vijim do të kemi disa denoncime të tjera, të paktën edhe nëntë raste, të abuzimit të hapur dhe rrezikimit të jetës së qytetarëve.

Ju bëjmë thirrje qytetarëve të kenë kujdes dhe të mbrojnë veten, pasi qeveria nuk del në punë për t’i mbrojtur, por për t’i vrarë. Të largohesh për t’i shpëtuar breshërive të qeverisë nuk është zgjidhje. Duhet rrëzuar qeveria.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale