KRYETARI I PD, SALI BERISHA KONFERENCË ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme, u ndal te mënyra se si mediat kombëtare pasqyrojnë aktivitetin e qeverisë dhe të opozitës. Duke iu referuar monitorimeve të PD-së për muajin korrik, Berisha theksoi se katër mediat kryesore i kanë kushtuar pjesën dërrmuese të hapësirës së tyre Edi Ramës, ministrave dhe mazhorancës, ndërsa opozita dhe protestat qytetare kanë marrë një hapësirë shumë më të kufizuar.
Sipas Berishës, nga rreth 20 orë material të monitoruar, 13 orë e 51 minuta, ose rreth 69% i janë kushtuar mazhorancës, ndërsa vetëm 24.8% Partisë Demokratike. Ai tha se protestave qytetare u është kushtuar vetëm rreth 1 orë e 15 minuta.
Kryetari i PD-së e cilësoi këtë situatë si “skllavëri mediatike”, duke akuzuar kryeministrin Rama se përpiqet të paraqesë si proporcionalitet faktin që emri i opozitës përmendet shpesh në media.
Pas akuzave për mediat, lideri i opozitës u ndal te një tjetër alarm serioz për vendin: rritja e çmimeve dhe përkeqësimi i kushteve ekonomike të familjeve shqiptare. Berisha solli në vëmendje masat e ndërmarra në Greqi për uljen e çmimeve të një numri të madh artikujsh, duke përfshirë ushqimet bazë dhe mjetet shkollore. Ai argumentoi se, pavarësisht se të ardhurat mesatare në Greqi janë shumë më të larta se në Shqipëri, qeveria atje ka ndërhyrë për të lehtësuar qytetarët.
Në Shqipëri, situata është e kundërt. Berisha theksoi se çmimet e ushqimeve janë rritur disa herë më shumë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa qeveria, sipas tij, nuk ka ndërmarrë masa konkrete. Në këtë kuadër, PD kërkon heqjen e menjëhershme të TVSH-së për ushqimet, subvencionimin e plotë të shpenzimeve shkollore dhe vendosjen e minimumit jetik. Berisha tha se këto janë masat që opozita i konsideron të domosdoshme për të përballuar varfërinë dhe rritjen e kostos së jetesës.
Në sektorin ekonomik, Berisha kaloi te beteja politike dhe reforma territoriale, e cila pritet të jetë një tjetër pikë e fortë përplasjesh mes opozitës dhe mazhorancës. Pas kundërshtimeve të disa këshillave bashkiakë ndaj shkrirjes së bashkive, Berisha tha se PD nuk do të kufizohet vetëm në betejën parlamentare, por do t’u drejtohet drejtpërdrejt qytetarëve.
Ai paralajmëroi organizimin e peticioneve dhe ecjen drejt referendumit, duke argumentuar se qytetarët duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të vendosur mbi ndryshimet territoriale.
Në sesionin e pyetje-përgjigjeve me gazetarët, Berisha u pyet edhe për udhëtimin e paralajmëruar drejt Shteteve të Bashkuara dhe nëse kishte tërhequr pasaportën nga Ambasada Amerikane. Kryetari i PD, Sali Berisha sqaroi se dokumentet ndodhen ende në ambasadë dhe se nuk ka prenotuar ndonjë takim në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ai tha se udhëtimi lidhet me pjesëmarrjen në një konferencë të Partisë Republikane amerikane në Teksas për zgjedhjet midterm, ku do të jetë pjesë e një delegacioni të Unionit Demokrat Ndërkombëtar. Berisha bëri të ditur gjithashtu se ka marrë një ftesë nga një institut republikan.
Në vijim, pyetjet e gazetarëve u përqendruan te përgatitjet e PD-së për zgjedhjet lokale dhe kandidaturat për bashkitë, përfshirë Tiranën. Berisha akuzoi mazhorancën se po shpërndan fonde në kundërshtim me ligjin elektoral, ndërsa tha se PD po punon për të përzgjedhur kandidatët e saj.
I pyetur nëse kandidatët do të zyrtarizohen brenda shtatorit, Berisha tha se kjo është periudha kur angazhimet kryesore të partisë do të përqendrohen te fushata elektorale.
Në fund, reforma territoriale u rikthye sërish në qendër të diskutimit, pas pyetjes lidhur me kundërshtimet e këshillave bashkiakë në Klos, Rrogozhinë dhe bashki të tjera. Berisha konfirmoi se PD synon ta shndërrojë këtë kundërshtim në një aksion qytetar, përmes peticioneve dhe referendumit.

FJALA E PLOTË
Tirania mediatike e narkoqeverisë ndaj opozitës vazhdon e pandërprerë.
Përllogaritjet për muajin korrik të katër medieve kombëtare, të quajtura kombëtare, në fakt qeveritare antikombëtare, se ato që nuk qëndrojnë kombëtare, ato janë qeveritare, pra janë antikombëtare, këto media qeveritare antikombëtare në akt padrejtësie absolute, censure të pashembullt, në muajin korrik kanë transmetuar për Edi Ramën dhe partinë e tij nga 20 orë e 5 minuta e 55 sekonda, 13 orë e 51 minuta e 32 sekonda apo 69% të totalit ia kanë kushtuar glorofikimit, mashtrimit, narkoshtetit që i furnizon dhe i ushqen ata me tituj investitorësh strategjikë.
I detyron të shkelmojnë çdo ligj, çdo rregull, çdo normë të medieve dhe të kalojnë në një akt të shëmtuar censure ndaj opozitës.
Pra, i kanë kushtuar 69% të informacioneve, komenteve dhe në tërësi të tyre, Edi Ramës, Lubi Ballukut, Taulant Ballës dhe suitës me radhë.
I kanë kushtuar gjithsej 24.8% Partisë Demokratike.
Dhe i kanë kushtuar nga 20 orë, vetëm 1 orë e 15 minuta lajmeve nga protesta më e fuqishme qytetare nga vitet ’90 gjer sot.
E shikoni pra, se çfarë skllavërie mediatike ka vendosur Edi Rama mbi mediat e quajtura kombëtare, de facto
Për të mbuluar këtë shproporcion të përmasave që tejkalon çdo diktaturë autokratike, Edi Rama përllogarit në favor të opozitës të gjitha lajmet, fake neës, komentet, editorialet e puthadorëve të tij në këto media dhe në mediat e tjera.
Pra, përdor një tregues që nuk ka absolutisht asnjë lidhje me kapjen apo moskapjen e medieve, treguesi i përmendjes së emrit.
Natyrisht, në qoftë se hapni gazetën apo portalin e Ymer Çorapes, ju do të gjeni vetëm në një datë të paktën 1500 herë emrin e Sali Berishës apo të PD-së.
Po të shkosh tek Bolino, me portal dhe me gazetë dhe me televizion, aty shkon mesatarisht në ditë 2500-3000 lakimi i emrit tim dhe të PD.
Dhe këto, Edi Rama në mënyrën më qesharake, i paraqet si një proporcion i drejtë, qëndrim proporcional i medieve ndaj pozitës dhe opozitës.
Bën një dumdum, por ai në disa aspekte ka defekte shumë të mëdha edhe në realizim konceptesh.
Ai nuk kupton se me këtë demaskon veten e vet.
Tregon se është një copë injoranti që nuk ka turp nga asgjë.
Të përdorësh ti treguesin e përmendjes së emrit për tregues të proporcionalitetit të medieve, është një gjë mund ta bëjë vetëm ai, dhe një njeri normal nuk e bën kurrë.
Së dyti, dhe një problem themelor është problemi i çmimeve.
Kriza e thellë politike e vendit po shoqërohet nga një krizë e thellë ekonomike.
Qeveria e vendit fqinj, Greqia, ka vendosur të ulë me koston nga 5 përqind në 30 përqind të çmimeve të 1600 artikujve.
Çmimeve të ushqimeve bazë, çmimeve të të gjitha mjeteve shkollore për fëmijët, çmimeve me përdorim të gjerë nga konsumatorët në shtëpi.
Pra, Greqia, ndonëse qytetarët e saj kanë një rrogë mesatare katër herë më të madhe se qytetarët shqiptarë dhe çmime qartësisht më të ulëta se në Shqipëri, përsëri konsideron çmimet tejet munduese për qytetarët dhe bën një ndërhyrje shumë të rëndësishme për lehtësimin e qytetarëve të saj.
Ndërkohë, çmimet në Shqipëri, sipas statistikave më të fundit, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën këtë vit 5 herë më shumë se sa mesatarja e vendeve të BE.
Dhe qeveria ka zero reagim.
Çmimet pra janë rritur këtë vit krahasuar me rritjen mesataren të çmimeve të ushqimeve në BE, 5.2 herë më shumë.
Dhe qeveria ndërmerr zero veprime.
Këto të dhëna, së bashku me të dhënat e tjera, të cilat faktojnë se 30 përqind e shqiptarëve kërcënohen nga uria, janë kambanat e alarmit më të trishtë që bien në këtë vend.
Indiferenca e Edi Ramës, qeverisë së tij ndaj kësaj situate, tejkalon qëndrimet do të thosha më çnjerëzore.
Për PD-në është jetike heqja e menjëhershme e TVSH-së për ushqimet.
Subvencionimi i plotë i të gjitha shpenzimeve për shkollën bazuar në parimin e arsimit falas.
Me Kushtetutë, arsimi është falas.
Vendosja e menjëhershme e minimumit jetik.
Këto masa ne i konsiderojmë masat më të domosdoshme për t’iu kundërvënë lakut të urisë, mjerimit dhe varfërisë që po shtrëngohet çdo ditë e më shumë në familjet shqiptare në nevojë.
Por natyrisht, përkundrejt këtyre masave, narkoqeveria ofroi njëherë Besën, dhe pasi i doli kallp Besa, tani Pasqyrën, një mashtrim të turpshëm të dytë duke dëshmuar se nuk jeton në këtë realitet, por jeton tërësisht në kullën e fildishtë të pushtetit të saj dhe nuk ka asnjë interes të përbashkët me qytetarët, përveç interesave të pasurimit të qytetarëve.
SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT
Elda Menga, TCH: Z. Berisha, në bashkëbisedimin e fundjavës, ju paralajmëruat se po prisni dokumentet për të udhëtuar drejt SHBA-ve. A e tërhoqët pasaportën nga ambasada amerikane?
Dhe po ashtu në të njëjtin bashkëbisedim, ju paralajmëruat se po punoni për të fiksuar takime edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit. A keni fiksuar ndonjë takim të rëndësishëm?
Sali Berisha: Jo, ju sqaroj. Dokumentet janë në ambasadën amerikane dhe unë nuk kam prenotuar asnjë takim.
Unë shkoj, siç e dini, shkoj në Teksas në konferencën e Partisë Republikane amerikane për zgjedhjet midterm. Unë jam në një delegacion të Unionit Demokrat Ndërkombëtar, një delegacion i gjerë, i cili është i ftuar nga Partia Republikane, parti kryesore në IDU, për të marrë pjesë në këtë konferencë.
Përveç kësaj, unë kam një ftesë dhe nga një institut republikan.
A keni pasur ndonjë njoftim të orëve të fundit, apo minutave të fundit se kur e merrni pasaportën?
Sali Berisha: Jo, nuk kam pasur njoftim, as orën, as minutat.
Elda Menga, TCH: Ndërkohë, mazhoranca duket se është vënë në lëvizje për betejën elektorale lokale. PD kur do e zyrtarizojë kandidatin e saj jo vetëm për betejën e kryeqytetit, por edhe për bashkitë e tjera?
Sali Berisha: Mazhoranca ka shpërndarë dhe po shpërndan 1 miliardë e gjysmë euro për hajdutët e saj lokalë në kundërshtim flagrant me ligjin elektoral.
PD po përgatitet të paraqesë para shqiptarëve kandidatët më të mirë që ata kanë pasur ndonjëherë.
A do i keni brenda shtatorit?
Sali Berisha: Sigurisht që kjo është periudha në të cilën veprimtaritë dhe përkushtimet kryesore janë për fushatën elektorale.
Klajdi Bodlli, SYRI TV: Z. Berisha, teksa mazhoranca ka paraqitur propozimin e saj për reformën territoriale, një pjesë e këshillave bashkiake në të gjithë vendin kanë votuar në mënyrë unanime kundër shkrirjes së këtyre bashkive. Ditën e sotme ka qenë bashkia e Klosit, para disa ditësh e Rrogozhinës, e disa bashki që kanë kundërshtuar. Teksa pritet të nisë edhe sesioni i ri parlamentar, a ka një plan të PD për të bërë të mundur ndoshta në bashkëpunim edhe me këto këshilla, bllokimin e këtij propozimi të mazhorancës duke qenë se ende nuk kemi një tërheqje nga kryeministri apo nga PS?
Sali Berisha: Qëndrimi ynë është t’u adresohemi qytetarëve, me të cilët ne do organizojmë peticionet dhe të ecim drejt referendumit, drejt ushtrimit nga ana e tyre të të drejtës kushtetuese për referendum, siç kërkon Kushtetuta, siç kërkon Karta Evropiane e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale.


