KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme për shtyp duke komentuar Samitin e Diasporës, sulmoi ashpër Edi Ramën, duke e cilësuar atë ‘armikun më të egër të kombit shqiptar pas Enver Hoxhës’ dhe ‘hajdutin më të madh të fondeve publike’. Berisha e akuzoi Ramën se ka shërbyer si ‘argatë i Vuçiçit’, duke u angazhuar në projektin e ndarjes së Kosovës dhe themelimin e Ballkanit të Hapur, ku Kosova paraqitej brenda hartës së Serbisë së Madhe. Sipas tij, Rama ka vendosur sanksione ndaj Kosovës dhe ka lobuar kundër heqjes së vizave për shqiptarët e Kosovës.
Duke folur për gazetarët, kreu i PD-së Sali Berisha citoi shifra sipas të cilave nga viti 2015 deri në 2024, rreth 1,990,000 shqiptarë janë larguar nga vendi, duke arritur në rreth 45% të popullsisë. Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha e cilësoi ‘Paketën e Maleve’ të Ramës si ‘paketën e mafies’, duke argumentuar se tokat e ofruara ndodhen në Maminas, vetëm 30 metra mbi nivelin e detit, dhe jo në zona malore. Ai u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës të mos bien pre e këtij projekti.
Kryedemokrati Sali Berisha tha se shifrat e investimeve të huaja për 2025 janë ‘fake’, duke argumentuar se nga 1.6 miliardë euro të deklaruara, investimet reale janë vetëm rreth 300 milionë euro, pasi pjesa tjetër përbëhet nga riinvestime vendase dhe blerje apartamentesh nga shqiptarët e diasporës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha lëshoi akuza ndaj qeverisë për faktin se nuk po ul çmimit të naftës dhe nuk po jep asnjë mbështetje për qytetarët dhe bizneset, ndërkohë që vendet evropiane po lehtësojnë barrën fiskale, ndërsa Rama shkoi dhe hoqi edhe subvencionin e naftës për fermerët.
Lideri i demokratëve Sali Berisha pasi ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e protestës së17 prillit, deklaroi se ajo do të jetë një ‘revoltë e fuqishme e qytetarëve’ kundër korrupsionit, vjedhjeve dhe katastrofës ekonomike, si dhe në mbrojtje të integrimit europian të Shqipërisë.
FJALA E PLOTE:
Të dashur qytetarë dhe qytetare.
Jam sot këtu për të deklaruar në emër të Partisë Demokratike sa vijon.
Sot, në takimin me shqiptarët e diasporës, mori fjalën Edi Rama, armiku më i egër i kombit shqiptar pas Enver Hoxhës.
Ai është armik i egër i interesit kombëtar, i vokacionit perëndimor dhe vetë ekzistencës së shqiptarëve si komb.
Njëkohësisht, është dhe hajduti më i madh i të gjitha kohërave i fondeve dhe pasurive publike të këtij vendi.
Një ndër analistët më të shquar të Evropës e ka quajtur Edi Ramën për shërbimet që i ka bërë Serbisë si kryeministrin më të mirë të këtij vendi pas Nikolla Pashiç.
Aq e vërtetë është se, aq e vërtetë është se pas Enver Hoxhës, që deklaronte me krenari se Kosovën ja lamë serbëve, Edi Rama në këto vite pushteti, është tradhtari më i madh i Kosovës dhe kombit shqiptar.
Fill pas ardhjes së tij në pushtet, Edi Rama, si argati i Vuçiçit, u angazhuar direkt në projektin e ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës. Pas dështimit të këtij projekti antishqiptar, ai bashkë me patronin e tij Vuçiç dhe veglën e tyre Zajev, themeluan në samitin e Novi Sadit, Minishengenin Ballkanik apo Ballkanin e Hapur.
Në hartën zyrtare të kësaj aliance trilaterale Beograd-Tiranë-Shkup, Republika e Kosovës paraqitej e integruar tërësisht brenda hartës së Serbisë së Madhe. Kjo aleancë që de facto dhe de jure sanksiononte hegjemoninë politike dhe ekonomike të Serbisë në rajon, rikthimin në një farë mënyre të mini-Jugosllavisë të dominuar nga Serbia, u mbështet haptas dhe fuqishëm nga Sergej Lavrov dhe përfundoi në koshin e turpit të historisë pasi u hodh poshtë nga vendet e tjera të rajonit dhe Bashkimi Evropian.
Edi Rama u bë publikisht avokati më i turpshëm, më i zellshëm i Aleksandër Vuçiç dhe i Rusisë së vogël në Ballkan pas agresionit rus në Ukrainë. Ndërkohë që Bashkimi Evropian dhe NATO vendosën sanksione ndaj Rusisë, Edi Rama kalonte nga samiti në samit duke hequr çdo maskë dhe insistuar që Serbisë, patronit të tij Vuçiç, të mos i kërkohej zbatimi i sanksioneve ndaj Rusisë, me argumentin absurd se Beogradi nuk mund t’i zbatojë ato, madje është më mirë të mos i kërkohet dhe të mos i zbatojë. Më tej, pa asnjë tagër, ai mori përsipër projektin e Asociacionit të Komunave Serbe, i cili synonte rikthimin e shtetit serb në territore të gjëra të Kosovës dhe asgjësimin e pavarësisë së saj.
Edi Rama këtë projekt e mori direkt të firmosur nga patroni i tij, Aleksandër Vuçiç.
Edi Rama u tregua armik i egër i shqiptarëve të Kosovës. Mbase ai do ishte i pari në Evropë që propozoi dhe vendosi sanksione ndaj qeverisë dhe Republikës së Kosovës. Duke deklaruar dhe deklaroi se veriu i Kosovës është toka e askujt dhe se Kosova rrezikonte të kthehej në kohën e bronzit dhe më vonë kërkoi publikisht dhe loboi haptas për mos heqjen e vizave për shqiptarët e Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe kjo edhe pasi vendimi ishte marrë.
Puthadori i Beogradit hyri në historinë botërore si i pari kryeministër që ngriti padi në gjykatë ndaj kryeministrit të një vendi tjetër, si në rastin konkret, ndaj Ramush Haradinajt, kryeministrit të Kosovës, dhe vetëm e vetëm sepse ky i fundit mbronte integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit të tij nga planet Rama-Vuçiç.
Edhe pas aktit terrorist në Banjskë, në vend që të dënonte me forcë falangat e Beogradit, Rama kërkoi menjëherë, brenda orë, konferencë ndërkombëtare për Kosovën, duke tentuar në këtë mënyrë të përfshinte Rusinë në tryezë në krah të Aleksandër Vuçiç dhe kundër interesave të shqiptarëve në Kosovë dhe rajon. Ai nuk gjeti një fjalë të vetme të ngushëllonte fjalët e dëshmorit të dheut që ra në Banjskë në mbrojtje të territorit të Kosovës.
Së fundmi, Edi Rama mund të shpallet Pashiç Emeritus i Serbisë, pasi në politikat e tij ka tejkaluar edhe platformën e Vaso Çubrilloviçit për dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Shifrat janë alarmante. Nga viti 2015 deri në vitin 2024, vetëm në hapësirën e Shengenit janë larguar 1,990,000 shqiptarë. Së bashku me emigrantët në vende të tjera, janë rreth 45% e popullsisë të larguar nga vendi. Ndërkohë, në vitet 2007-2014, numri i shqiptarëve në Shqipëri u rrit çdo vit.
Edi Rama është armik i lirisë së shqiptarëve, sepse sipas të gjitha dokumenteve dhe raporteve ndërkombëtare, ai ndërtoi për interesa të pushtetit të tij në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, duke damkosur në këtë mënyrë Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Duke u lidhur me kartelet e drogës, ai shndërroi procesin zgjedhor në një farsë zgjedhore, asgjësoi shtetin ligjor dhe së fundi, me mburojën kundër vjedhjeve të tij dhe bashkëpunëtorëve, familjarëve të tij, ai po mbyll dyert e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Faleminderit!

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, sot në samitin e diasporës, Edi Rama foli edhe për drejtësinë, sipas tij të pavarur në Shqipëri, duke thënë se qeveria ishte ajo që i dha shpatën për një drejtësi të barabartë dhe sot askush nuk është mbi ligjin. Si i komentoni këto deklarata që vijnë pikërisht pasi qeveria socialiste me fuqinë e kartonëve në kuvend u bë bllokadë e drejtësisë për Belinda Ballukun?
Sali Berisha: Edi Rama në mediat ndërkombëtare është bërë barsoletë tani siç mund ta keni parë ju, citimet që i bëjnë.
Por unë po citoj vetëm se dje ai deklaroi se shpata e drejtësisë është në zyrën time. Tani ta kuptojnë mirë shqiptarët dhe partnerët tanë se çfarë drejtësie ka Shqipëria.
Së dyti, ai është bërë famëzi. Kudo që shkon, me Lubi Ballukun është, rikthehet përsëri tek shqiptarët, legjenda, keni parë s’keni parë një i vdekur me të gjallë.
Ata shkojnë si një binom hajdutësh, të cilët i garantoj se shpejt do të marrin vendin e merituar nga qytetarët shqiptarë.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Ndërkohë dje patët një takim me kolegjin e kryetarëve ku në fokus ishte protesta e 17 prillit. Si do të jetë kjo protestë dhe do të ketë ndryshim nga protestat e mëparshme të opozitës?
Sali Berisha: Do të jetë një revoltë e fuqishme e qytetarëve shqiptarë në mbrojtje, në mbrojtje të interesave të tyre më jetike, luftës kundër korrupsionit, shtetit ligjor, mbrojtjes nga vjedhjet e Edi Rama dhe qeveritarë, në mbrojtje të vokacionit të tyre perëndimor, por edhe të gjendjes së tyre nga katastrofa ekonomike që po ndodh.
Ju e ndëgjuat. Cilat janë zhvillimet sot në Evropë në raport me naftën? Nafta është gjaku i ekonomisë dhe është materia me ndikim më të fuqishëm jo vetëm në industri, jo vetëm në ata që kanë makina, por dhe të gjithë ata që ushqehen, të gjithë ata që blejnë në dyqane, të gjithë ata që ecin, që përdorin transportin, që lëvizin.
E gjithë Evropa, e gjithë bota perëndimore, Australia, janë angazhuar në lehtësime të menjëhershme të barrës fiskale mbi naftën. Në një kohë kur Edi Rama po nxjerr fitime përrallore për shkak të rritjes së TVSH-së dhe nuk ul asgjë, derisa nafta thotë të kalojë 224 lekë për litër. Përveç kësaj, ai mori një vendim absolutisht me synim falimentimin e fermerëve shqiptarë.
Më lejoni t’i informoj fermerët e vendit, se Gjermania në një akt para tre ditësh, vendosi të dyfishojë subvencionin e naftës për fermerët. Ta dyfishojë. Të tjerat po kështu, Suedia. Dhe vende të tjera, Suedia uli TVSH-në e ushqimeve në 6%, nga 12% që e kishte. Për shkak të këtyre çmimeve.
Kurse Edi Rama hoqi subvencionimin për fermerë shqiptarë dhe shkoi në paturpësinë, pacipësinë më të madhe. U deklaroi 2 metra gënjeshtar, u deklaroi se Evropa nuk e përdor më subvencionin.
Edhe njëherë u them fermerëve shqiptarë se nuk ka asnjë vend në, në vendet anëtare të Bashkimit Evropian apo që negociojnë, të cilat nuk japin subvencion për naftën për fermerët.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Edhe një pyetje të fundit, nëse keni një koment për ftesën që Edi Rama i bëri sot emigrantëve që të kthehen në Shqipëri për paketën e maleve.
Sali Berisha: Gjendje katastrofale e investimeve të huaja. Unë u informoj dhe u them shqiptarëve të diasporës se viti 2025 ka shënuar rënien më të madhe në histori të investimeve të huaja.
Dhe se ajo që servilet si rritja më e madhe, në fakt është fake, fake dhe vetëm fake.
Më lejoni ta zbërthej.
Ai pretendon se në vitin 2025, investimet e huaja arritën 1.6 miliardë. Dakord. Të ndalemi çfarë janë ato, sipas INSTAT.
800 milionë janë riinvestime të kompanive të huaja në Shqipëri. Pra janë kapital monetar fund e krye shqiptar. Janë para të krijuara në Shqipëri.
Paraja nuk njeh kombësi. Por paraja nuk vjen nga jashtë për t’u investuar në Shqipëri.
Dhe kjo para vetëm në standardet e kryemashtruesit Edi Rama konsiderohet si investim i huaj.
Kjo para nuk është investim i huaj.
Pra, që në analizën e parë, del se investimet e huaja kanë zbritur nga 1.6 miliardë në 800 milionë.
Vazhdojmë më tutje.
Çfarë ndodh me 800 milionët e tjera investime?
32 përqind e tyre janë blerje apartamentesh dhe katesh nga shqiptarët jashtë vendit në Shqipëri.
Pra, shihni kullat, të gjitha katet në tërësi pa drita.
Janë krijuar lugetërit pa drita në Tiranë.
Çfarë janë këta lugetër?
Monumente të vjedhjes dhe të korrupsionit.
Nuk janë të pashitura, janë të blera dhe të kyçura nga grupet kriminale, por edhe qytetarë të ndershëm, ka me qindra mijëra shqiptarë të ndershëm që blejnë, dhe i gëzofshin.
Por dyert e mbyllura nuk krijojnë punësim.
Sigurisht janë të ardhura për vendin, se merren taksa dhe kjo nuk mohohet. Por asgjë nuk sjellin.
Pra, edhe 32 përqind.
Ngelen gjithsej më pak se 18 përqind apo më pak se 300 milionë apo rreth 300 milionë, nga 1 miliard e 600 milionë që ishin.
300 milionë euro kanë qenë investimet e huaja.
Ky ka vetinë e paturpësisë të gënjejë për çdo gjë, ky mendon se gënjeshtrat janë tregu më i mirë dhe vazhdon me të.
Investimet në vitin 2010-2011 kanë arritur 1 miliard e 400 milionë euro, kanë qenë të gjitha investime në prodhime.
Edhe pas vitit 2013, investimet mbi 1 miliard.
Po nga erdhën ato? Erdhi nga TAP-i, i cili investoi në Shqipëri 800 milionë euro. Erdhën nga kaskada e Devollit, disa qindra e qindra milionë euro disa qindra milionë euro nga kaskada e Fanit, qindra milionë euro dhe nga dhjetëra vepra vepra të tjera publike, vepra private, ndërtime hidrocentralesh e të tjerë, të cilat ishin licencuar më parë. Tani ato mbaruan, ato janë ndërtuar. Ndaj dhe Shqipëria zbriti tek zbriti në vitin 2025, Shqipëria kishte gjithsej 300 milionë euro, nga të cilat 100 e sa milionë ishte shitja e një banke.
Pra, mund të ishte edhe pak më pak se sot. Kështu që sot pra, investimet e huaja janë, as nga diaspora, as nga Kosova, as nga askund, janë në rënie të lirë, përveç blerjes së banesave.
Për sa i përket Paketës së Maleve, paketa e mafies. Prandaj unë u bëj thirrje shqiptarëve të mos bien pre e projekteve të mafies. Të dashur qytetarë dhe qytetare, për të zbërthyer këtë që po ju them, paketa e mafies, e cila të cilën ai e quan paketa e maleve. Ju e njihni Shqipërinë. Shqipëria është vendi më malor për sipërfaqen e saj në Evropë. Ka kodër mal rreth 75-80% të sipërfaqes. Tani ku e ka gjetur Edi Rama malet me paketën e tij? Në Maminas. Në Maminas, rreth Maminasit 30 metër mbi sipërfaqen e detit.
Pra, është gjithçka një mafie, ndaj ju lutem, askush të mos bjerë pre viktimë e mashtrimeve të Edi Ramës të paketës së tij të mafies.
Faleminderit.


