Mesazhi ambasadorit gjerman, Dizdari: Ndryshimi i ligjeve nuk mjafton, integrimi në BE kërkon drejtësi të pavarur dhe luftë reale ndaj korrupsionit

Deklarata e Sekretares për Integrimin Europian në PD, Fjoralba Dizdari:

Në një intervistë për Deutsche Welle, Ambasadori gjerman Karl Bergner përcolli një mesazh të qartë për Shqipërinë.

Gjermania e mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por rruga drejt BE-së kërkon meritë, reforma reale dhe rezultate konkrete.

Veçanërisht domethënëse është fjalia e tij: “Ndryshimi i ligjeve nuk mjafton.”

Sepse integrimi europian nuk është thjesht miratimi i ligjeve apo hapja e kapitujve të negociatave. Në fund, ajo që ka rëndësi është se si funksionojnë institucionet, sa e pavarur është drejtësia dhe nëse korrupsioni luftohet realisht, edhe në nivelet më të larta.

Integrimi europian nuk është thjesht numri ligjeve të miratuara në Kuvend, por se si ato zbatohen.

Nëse gjyqtari është i pavarur, nëse korrupsioni luftohet realisht, edhe kur prek emra të mëdhenj, nëse shteti funksionon njësoj për qytetarin e thjeshtë dhe për zyrtarin.

Ambasadori gjerman e ka cilësuar respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën e papenguar kundër korrupsionit, përfshirë korrupsionin në nivelet e larta, si parakushte të panegociueshme për përparimin e Shqipërisë drejt BE.

Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i procesit europian: Shqipëria nuk integrohet vetëm duke përafruar ligjet me ato të Bashkimit Europian, por duke i zbatuar ato në praktikë dhe duke garantuar që standardet europiane të jenë pjesë e funksionimit të shtetit.

Ky është edhe standardi me të cilin duhet ta shohim procesin e integrimit.

Për Partinë Demokratike, Europa nuk është një destinacion që arrihet vetëm në Bruksel. Është një mënyrë tjetër e të qeverisurit: zgjedhje të lira e të ndershme, institucione të pavarura sipas parimit ‘checks and balance’, ndarja e krimit nga shteti, transparencë, konkurrencë e ndershme dhe shtet i së drejtës dhe rendit ligjor.

Këto janë parimet tona, dhe besojmë edhe të shqiptarëve, të cilët kanë rrethuar zyrën e atij që bën krejt të kundërtën e tyre, prej 104 ditësh.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale