Mega-skandali/ Berisha publikon dokumentin: Dëshmia e Irenës me 5 mbiemra nuk ka firmën e hetuesve! Kjo është për Guiness

PRONONCIMI PËR MEDIA I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA PARA SPAK

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë prononcimit të tij për media para ambienteve të SPAK ditën e sotme, akuzoi me tone të ashpra prokurorin Altin Dumani, si edhe ndaj gjyqtares Irena Gjoka.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se do të depozitojë padi ndaj Dumanit, duke e akuzuar për shkelje ligjore, fshehje pasurie dhe abuzim me detyrën. Ai u ndal gjatë te një apartament që Dumani e ka blerë vite më parë me çmim nën vlerën e tregut, duke theksuar se ekzistojnë mospërputhje në deklarimet e bëra gjatë procesit të vetingut.

Sipas Berishës, në dokumentet e rivlerësimit ka kontradikta lidhur me kohën e blerjes dhe përdorimit të apartamentit, ndërsa akuzoi institucionet e drejtësisë se i kanë kaluar pa verifikuar këto të dhëna. Ai tha se disponon materiale të tjera që do t’i bëjë publike në ditët në vijim.

Një tjetër pjesë e deklaratës së tij iu kushtua gjyqtares Irena Gjoka, për të cilën Berisha ngriti akuza mbi identitetin dhe dokumentacionin personal ndër vite. Ai theksoi se ekziston një dosje hetimore e përpiluar në mënyrë të parregullt dhe kërkoi që gjykata ta kthejë atë për hetim të mëtejshëm.

Berisha sulmoi gjithashtu reformën në drejtësi, duke e cilësuar si të dështuar dhe të paaftë për t’u shërbyer qytetarëve. Sipas tij, sistemi gjyqësor po përballet me mijëra dosje të pashqyrtuara, mungesë gjyqtarësh dhe vonesa të gjata në zbardhjen e vendimeve.

“Qytetarët dëgjojnë çdo ditë për reformën në drejtësi, por nuk u thuhet se dosjet zvarriten me vite dhe se shumë njerëz mbeten pa gjykim”, tha Berisha.

Në vijim, lideri demokrat akuzoi edhe pronarët e mediave se nuk pasqyrojnë realitetin e sistemit të drejtësisë dhe ndikohen nga interesat ekonomike me qeverinë. Ai bëri dallim mes gazetarëve dhe pronarëve të mediave, duke deklaruar se kritikat e tij nuk drejtohen ndaj reporterëve.

I pyetur për protestën e opozitës të paralajmëruar më 8 maj, Berisha u përgjigj se strategjia dhe hapat e mëtejshëm do të bëhen publike në momentin e duhur.

FJALA E PLOTË

Altin Troplinit Hajrit Farrukut Gjokës, se edhe ky është me shumë mbiemra tani, armik i egër i pluralizmit politik, mercenar i Edi Ramës dhe narkoregjimit të tij, drejtësia vonon, por nuk të harron.

Tani, për disa arsye shumë të veçanta, u detyrova të bëj një spostim në axhendën time.

Por ju do mësoni një gjë që është për Guiness.

Megjithatë, për rikujtesë.

Altin Dumani në veting, për rikujtesë kjo, kjo është e radhës së kaluar, kam bërë kontratë porosie për blerje apartamenti banimi me sipërfaqe 127 metër katrorë me datën 18.8.2006, në një godinë pesëkatëshe, në Tiranë.

Vlera totale e apartamentit është 50 mijë euro.

Shuma e shlyer është 9 mijë euro në momentin e blerjes dhe 2 milionë e 950 mijë lekë me datën 16.11.2006 në momentin e marrjes së kredisë.

Detyrimi i mbetur është 2 milionë lekë, i cili do bëhet pas plotësimit të dokumentacionit.

Tani, dëgjoni pak.

Dua të sqaroj në faqen 8, thotë, se në këtë apartament kemi filluar të banojmë, apartamentin që kemi porositur në vitin 2006, me 18.8.2006 e porosita thotë, kontratë porosie, çka do të thotë kur paguhen në ndërtim e sipër.

Në apartament, thotë, kam filluar të banoj në vitin 2004.

A ka gënjeshtër më të turpshme se kjo?

Në faqen 7 thotë e porosita apartamentin me kontratë porosie me 18.8.2006.

Në faqen 8 thotë në këtë apartament kam filluar të banoj në vitin 2004.

Dhe kam shpenzuar 1 milion e 400 mijë lekë për arredimin e brendshëm.

Tani dëgjojeni pak tjetrën se çfarë race mashtruesish janë këta.

Se ç’përfaqëson ky që kryesoi prokurorinë më të rëndësishme të vendit.

Se ç’përfaqëson ky që në Kushtetutë përfaqëson prokurorinë më të rëndësishme të vendit.

Shikoni çfarë thotë.

Komisioni konstatoi, thotë, se çmimi i blerjes së kësaj pasurie është në vlerën 390 euro. Pasuria është në një nga zonat më elitare të Tiranës, diku tek Liqeni i Thatë apo Kodra e Diellit, në atë krah atje, ku janë çmimet më të kripura dhe që në atë periudhë, sipas burimeve të sigurta, kanë qenë të paktën 750-800 euro.

Tani shikoni se çfarë thotë komisioni.

Komisioni thotë se çmimi i blerjes së kësaj pasurie është në vlerën 390 euro.

Komisioni vlerësoi këtë çmim në raport me çmimet e tregut, kontratat e ngjashme të porosive apo të shitblerjes në këtë zonë dhe ky çmim nuk rezulton nën koston e ndërtimit.

Pra, në variantin më të sigurt, është shumë larg çmimit të tregut, por është në çmimin e kostos së ndërtimit.

Pra, apartamenti është blerë me çmimin e kostos së ndërtimit.

E dëgjoni tani? Blerë me çmimin e kostos.

Tani, kujt ia ka blerë?

Ia ka blerë xhaxhait të gruas.

Por xhaxhait të gruas, Andon Pango, delinkuent i dënuar me 6 vite sepse i shiste nga dy herë apartamentet, Altin Troplini i dërgon badigardin e tij për të keqtrajtuar, njeriun e uniformës pra, jo privat, të shtetit, i dërgon për të keqtrajtuar 2 pensionistë që kishin paguar, kishin blerë apartamentin, kishin paguar, por zhongleri Andon Pango e kishte shitur përëri më shtrenjtë.

Ky i dërgon rojet e tij, që i paguante shteti për ta siguruar këtë, për të nxjerrë pensionistët nga shtëpia, për t’i keqtrajtuar ata.

Dhe ju e keni parë videon, dhe ju lutem nëse pronarët u lejojnë, ritransmetojeni.

Në rast se nuk lejojnë, i denonconi si mafiozë të fjalës së lirë.

Ky është sugjerimi im për ju.

Dhe për një gjë jam këtu, mos gaboni kurrë, se unë nuk konfondoj kurrë gazetarët me pronarët.

Harrojeni këtë.

Ju mos u mashtroni nga pronarët dhe të thoni që ja si po sulmon Berisha shtypin.

Jo, jo, unë sulmoj mafien e fjalës së lirë si mafia më e rrezikshme e kokainës.

Gazetarët: A e keni denoncuar rastin Dumani?

Sali Berisha: Do ta shihni radhën tjetër vilën Dumani, por u lutem shumë, bëni ndonjë kontroll në media se do ketë shumë gjëra interesante.

Duhej të ishte sot, e kisha gati, mirëpo doli një dokument për Guiness.

Atëherë, thashë më mirë t’ua paraqes medieve dokumentin për Gines të Irenës me 5 mbiemra.

Dhe ky dokument do t’u përcillet të gjithëve ju në postën elektronike.

Irena me 5 mbiemra, Altin Troplini i hapi, për ta mbrojtur, dosje hetimore.

E paditur, hapi dosjen.

Dosjen e hapi pa emër.

Dhe, Irena thirret për dëshmitare.

Pra, keni parë ju, dosje penale pa të akuzuar, mbajeni mend këtë, dosje penale pa të akuzuar.

Kjo është forma më e poshtër e njerëzve të antiligjit.

Shikoni tani, shikoni pak këtu.

A mund të imagjinoni ju që dëshmia e Irenës në dy faqe e gjysëm, ka vetëm firmën e Irenës dhe administrohet në dosje gjyqësore pa firmën e hetuesit.

Ja ku e keni!

Ky është hetimi që ka bërë Altin Troplini për Irena Dumanin.

Tani, që një procesverbal, një dëshmi, do u përgjigjet pyetjeve ai që është thirrur, pa diskutim.

Por që hetuesit, Toni Gramo dhe Elton Kërluku, nuk e kanë firmosur.

Është për Guiness, miq.

Dosje gjyqësore e dërguar në gjykatë.

Pse nuk e kanë firmosur?

Nuk kanë dashur të firmosin mashtrimet e Irenës me 5 mbiemra.

Gazetarët: Mos ndoshta është ndërruar deklarimi dhe nuk i kanë gjetur hetuesit ta firmosin?

Sali Berisha: Ç’ka ndodh, këtë nuk mund ta them. Bravo, edhe kjo mund të jetë.

Çdo gjë mund të jetë.

Por në planet, një dosje në të cilën të jetë thirrur për dëshmi në prokurori, dhe të ketë dëshmuar vetëm i thirrur dhe të mos jenë ata që i kanë bërë pyetjet, të mos kenë firmat, është rasti unik Irena me 5 mbiemra.

Dhe kjo dosje është dërguar në gjykatë?

Sekret.

Çfarë është sekret?

Sekret maskarallëqet e tyre, turpi i tyre.

Gazetarët: Në cilësinë e kallëzuesit ju keni të drejtë të tërhiqni dosjen, kështu që mund të jetë sekret për palët e tjera…

Sali Berisha: Jo, e kanë shkruar sekret aty duke besuar se unë nuk do ua bëj të ditur gazetarëve këtë.

Po si të mos ua bëj unë të ditur këtë, që kjo është për Gines.

Gazetarët: Në fakt keni një dosje tjetër z. Berisha sekret për zonjën Balluku dhe PD nuk po e bën të ditur? Pra, po mbani dy standarde?

Sali Berisha: Ta them unë ty, në atë dosjen Balluku, të garantoj unë ty se po të ishte Sali Berisha paditësi, në mënyrë absolute do ta bëja sekret. Në këtë dosje jam palë unë. Aty unë jam i detyruar, kolegëve të mi, bashkëpunëtorëve të mi nuk u kërkoj, pse?

Ka një ndryshim shumë të madh.

Aty ka bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe unë në asnjë rrethanë nuk pranoj kurrë që ata të tradhtohen.

Për mua bashkëpunëtorët e drejtësisë janë njerëz shumë të çmuar, pavarësisht se kanë bërë gabime.

Por në fund të fundit, i kanë thirrur vetes dhe kanë gjetur një miligram liri njerëzore që t’i shërbejnë shoqërisë me dëshminë e tyre.

Ata që kërkojnë që ne të nxjerrim në treg të penduarit dhe dëshmitarët e drejtësisë, ata gabohen, nuk do ta gjejnë kurrë këtë.

Sepse ne mund të kemi me individë të caktuar, por ne jemi për procesin e hetimit mbështetje e plotë dhe totale.

Tani si më thua ti mua, të marr unë dhe të nxjerr bashkëpunëtorët e drejtësisë në pazar.

Gazetarët: Po e artikuloni për herë të parë?

Sali Berisha: Jo, e kam thënë. Aty ka të penduar të drejtësisë. Dhe unë nuk jam që të dalin kurrë të penduarit e drejtësisë. Përkundrazi jam për mbrojtjen e tyre më të plotë.

Të mos e kalojmë atje tani se kjo është mënyrë për ta shpërndarë problemin.

Tani, dosja për Irena Gjokën, dëshmia e Irenës është pa miratimin e asnjë hetuesi.

Dhe fuqia e Irenës është e tillë mbi Dumanin sa ai e merr dhe e përcjell në gjykatë dosjen në këtë mënyrë, duke e ditur që ky është një krim, duke e ditur që ky është një turp, duke e ditur që ky është një akt i papërgjegjshëm.

Dhe i vë aty, sekret. Çfarë sekreti?

Unë ftoj gjykatën ta kthejë dosjen për hetim. Të refuzojë një dokument të tillë të turpshëm që nuk ekziston në asnjë dosje gjyqësore në botë, përveçse në dosjen e përgatitur nga Dumani dhe të dorëzuar në SKAP.

Gazetarët: Z. Berisha ka vetëm një interes ditët e fundit, gara për kreun e Partisë Demokratike. A mund të konsiderohet garë kur është vetëm një person që synon këtë post?

Sali Berisha: Shumë bukur. Së pari, edhe një herë, Partia Demokratike… po sikur ta lemë për jo këtu, po atje këtë çështje, ta vazhdojmë atje sepse është problemi që këtu e kam përqendruar të gjithë komunikimin me media në dy persona dhe do kaloj edhe tek ndonjë tjetër.

Tek Altin Dumani, i cili për këtë do paditet. Do ngrihet padi. Po. Dhe tek Irena me shumë mbiemra, e cila u padit dhe e kaloi. A e dini ju që Irena ka marrë tre pasaporta nga viti 2004 në 2007? Ndërrimi i pasaportave, ndërrimi i emrave ka qenë profesioni i saj.

Gazetarët: I paska bërë në qeverinë tuaj.

Sali Berisha: Po pse, krejt pa mëkate fare ka qenë qeveria ime, thua ti? Po ka ndodhur, ajo ka korruptuar, ka korruptuar ndonjë ajo? Pa diskutim.

Gazetarët: Të ndryshosh mbiemrin z. Berisha nuk është një shkelje e madhe.

Sali Berisha: Jo ato mbiemra, prit. Më vjen keq.

Gazetarët: Po të ndryshon mbiemrin, pavarësisht shqyrtimit që unë kam për zonjën, por të ndryshosh mbiemrin nuk është krim. Është e drejtë.

Sali Berisha: Jo, absolutisht. Por problemi është këtu, problemi është këtu. Mbiemrin e parë e ka ndryshuar në ’88-ën, meqenëse po hyn në ashtu.

Gazetarët: Meqenëse fole për qeverinë, të paktën ju keni patur shumë mëkate si qeveri.

Sali Berisha: Prit. Mbiemrin e ka ndryshuar në ’88-ën të parin. Të dytin në ’91-92-shin. Të tretin në ’94-ën. Pasaportat i ka nxjerrë nga 2004-a në 2007-ën katër, tre pasaporta. Tani, ose shiste pasaporta kjo, ose çfarë bënte kjo me pasaporta. Hajde merrni vesh ju.

Më gjeni një shqiptar ju. Edhe kur ju bëj pyetje, ju lutem i merrni në mënyrën më anonime.

Ju pyeta unë, më gjeni një zyrtar të ketë me rrogën e tij katër apartamente, ju nuk u ndalët. Tani më futet mua tek Dumani t’jua zbërthej komplet Dumanin unë.

Tani më gjeni një zyrtar që në 3-4 vite ka marrë tre pasaporta. Kjo quhet vetëm Irena Gjoka, e cila ose i ka shit këto pasaporta, ose çfarë ka bërë, por nuk ka deklarata se i ka humbur pasaportat.

Gazetarët: Z. Berisha, na ndajnë vetëm disa orë nga një vendim i Gjykatës së Lartë për paraburgimet, në mbledhjen e thirrur nga z. Sokol Sadushi, kryegjyqtarit. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Sali Berisha: Do zbatojë urdhërat. Sadushi është një vegël e damkosur e Edi Ramës dhe e tëra kjo ndodh për të lehtësuar eksponentët e partisë së krimit. Nuk ka asgjë të përbashkët me qytetarët. Është e tëra një lehtësim që bëhet për eksponentët e Partisë së Krimit.

Gazetarët: Doktor, ju dispononi një tjetër dosje që është dosja AKSHI. Edhe aty ka dëshmitarë të drejtësisë.

Sali Berisha: Jo, nuk e disponoj dosjen e AKSHI-t. Por dosja e AKSHI-t, siç e dini ju, domethënë, të paktën tre ose katër herë unë e kam denoncuar pengmarrjen e Daniel Shimës. Kur nuk kam patur dijeni për pengmarrjen e Geron Meçes. E kam mësuar më vonë për Geron Meçen.

Gazetarët: Po e përmende sërish Geron Xhafën, ekziston risku të shkosh në burg. Se kështu ndodhi me Salianjin.

Sali Berisha: Pse?

Gazetarët: Sepse foli për pengmarrjen.

Sali Berisha: Ai ishte burgim politik, e kam thënë dhe e them, nuk ka asnjë lloj diskutimi dhe Fatmir Xhafa është po aq fajtor sa i vëllai i tij që e mori e paketoi. Asaj unë i qëndroj plotësisht. Nuk ka asnjë, asnjë lëvizje nga ato pikëpamje që kam shprehur dhe i shpreh në parlament.

Por për Geron Meçen e kam mësuar më vonë. Për këtë dosjen e Megi, Megi me mbiemër gjerman, edhe këtë e kam mësuar më vonë.

Ka paguar 1 milion. Por një gjë dua t’ju them. Nga burime serioze, absolutisht serioze, të huaja, këto që ne dimë për, për AKSHI-n, janë as 10% e asaj dosje. Nuk mund t’i imagjinoni ju videot, filmat, fotot që ekzistojnë aty…

Gazetarët: Që ju i keni parë?

Sali Berisha: Jo. Po t’i kisha parë, të jesh i bindur që i nxirrja. Për Edi Ramën dhe enturazhin e tij më të afërt. Aty përdoreshin maska, paruke për t’u futur, bëheshin gjëra që tejkalojnë imagjinatën, e të tjerë e të tjerë. Por ajo dosje me sa duket po këtu në SPAK nuk po veprohet. Po tentohet të mbyllet, por fatmirësisht që ajo dosje ekziston edhe në vende të tjera.

Gazetarët: Z. Berisha, do parashtroni një kërkesë për shuarjen e masës së sigurisë apo…

Sali Berisha: Kush të tha? A e ke marrë vesh ti që unë e kam paraqitur kërkesën dhe ma ka refuzuar? Dhe unë e zbatoj masën e sigurisë me seriozitet të madh biles edhe vij këtu bëj dhe konferencë shtypi.

Gazetarët: Keni kohë që nuk e keni paraqitur, prandaj po ju pyes.

Sali Berisha: Kam paraqitur, ka kaluar në të gjitha fazat. Ta pyesësh avokatin nëse ka kaluar në Gjykatë Kushtetuese, po me sa di unë dhe atje se i kanë të gatshme përgjigjet për mua, i kanë të imediate.

Gazetarët: Kjo nuk ju pengon ta bësh sërish kërkesën.

Sali Berisha: Jo, po nuk mund të përsërisësh të njëjtën.

Gazetarët: A ju ka lezetuar ardhja në SPAK dy herë në muaj?

Sali Berisha: Tani unë e përdor këtë ardhje timen për të informuar qytetarët, për të bërë transparencë sepse mediat për fat të keq, shumë gjëra nuk u thonë. Më lejoni, jemi këtu vetëm një moment.

Qytetarët shqiptarë kanë dëgjuar miliona, miliona herë reforma e drejtësisë, reforma e drejtësisë, reforma e drejtësisë. Qytetarët shqiptarë nuk kanë dëgjuar më shumë se një herë ose asnjëherë 200 mijë dosje stok. Se për të bërë një vendim, gjykatësit i duhen 1300 ditë. Vendim për të zbardh një vendim. Sepse një gjykatës ka 1000 vendime të pazbardhura. Këto mediat nuk ua thonë ju. Prandaj jam unë këtu për t’ua thënë nëpërmjet këtyre konferencave. Pronarët e mediave ua fshehin këto.

Sali Berisha: Prit të lutem, të lutem, shiko. Gazetarëve vetëm një lutje kam. Mos u bëni zëdhënës të pronarëve se…

Gazetarët: Nuk ua rindërtuat ju doktor? Qeveria juaj i bëri këta pronarë.

Sali Berisha: Sigurisht. Edhe Top Channel-it i dhashë licencën kombëtare, sepse unë nuk udhëhiqem nga urrejtja apo keqpërdorimi i mediave. Për ato që kam bërë unë, respektoj mediat e lira.

Po kur Top Channel-i shndërrohet në Top Tunel, përgjegjësia ime është? S’është përgjegjësia ime. Prandaj i them këto. Pra, të dashur qytetarë, dëgjoni se u flasin, një minutë, ju flasin 1 milion herë reforma për drejtësi dhe njeriu thotë ‘bah, çfarë është kjo, po çfarë qenka kjo, kaq e mirë, kaq…’.

Dhe nuk u thonë se reforma për drejtësi ka lënë qytetarët pa gjykata, pa proces gjyqësor. I detyrohen të presin 15 vite për një dosje. Detyrohen të paguajnë qimet e kokës për ta afruar hetimin. Detyrohen të vijnë nga Tropoja, nga Konispoli në Tiranë për gjyqin e a

Apelit. Është organizimi më i keq që ka bërë.

Pra, e kuptoni apo jo? Përdorin termin e qeverisë dhe të Edi Ramës, se reforma për drejtësi është unike në botë, se reforma për drejtësi është kjo dhe ajo, se reforma për drejtësi i la qytetarët pa drejtësi. Këtë nuk e thonë dot sepse pronari do të marrë tendera, se pronari duhet të marrë ndërtesa, se pronari duhet të marrë lehtësime me taksa. Ndaj dhe kjo, po e paralajmëroj këtu, kjo do jetë një betejë e vazhdueshme e Sali Berishës, absolutisht jo me gazetarët. Jo, gazetarët janë të autorizuar.

Gazetarët: Me kë?

Sali Berisha: Në opinionin e tyre të thonë ç’të duan për Sali Berishën. Ç’të duan, asnjë kufizim. Por interesi publik është interes publik.

Gazetarët: Ju përshëndesin nga burgu 313.

Sali Berisha: Një përshëndetje të përzemërt. Po, qytetarë janë ata, kanë të drejtat e tyre ata. Atyre u shkelmohen të drejtat. Pra, urdhëro. Pse përshëndesin ata? Sepse vendimi, sepse gjykatësi, a e dini si bën? E kapin këtu, e gjejnë me një, me 2 gramë kanabis, e plasin aty, i japin vendimin, e plasin 100 ditë, 200 ditë, nuk zbardhet vendimi dhe ai mbetet në paraburgim aty.

Dhe tani dëgjo, Pilati që e krijoi këtë situatë, Edi Rama, rri dhe i kritikon thotë: po si ka mundësi, thotë, të mbushen burgjet me të paraburgosur. Po të paraburgosurit i mbushe ti, sepse i mbushe ti të paraburgosurit, sepse bëre, e solle në atë mënyrë sa një gjykatës, një gjykatësi të vonojë 1300 ditë vendimin për ta zbardhur. Dhe tani bile po i bëjnë me inteligjencë artificiale.

Gazetarët: Ju jeni në të drejtën tuaj si politikan, z. Berisha, të bëni debate dhe me pronarët e mediave. Më ler ta mbaroj deri në fund fjalinë, po duhet të më lësh ta mbaroj që ta kuptosh. Por unë mendoj që beteja juaj kryesore duhet të jetë me Edi Ramën dhe atë që e konsideroni si regjim, apo jo?

Sali Berisha: Ka njeri që e ka qëlluar me aq ashpër regjimin e Edi Ramës sa unë? Asnjëri! Por, armët, jo absolutisht. Mirë, gjeje. Asnjëri! Në mënyrë të përditshme. Dhe jo vetëm këtu, por në mbarë botën. Por, armët e tij, gjuha e Edi Ramës, është transmetuar, është shndërruar në procesin e korruptimit të gjuhës shqipe.

Ju lutem, korruptimi i gjuhës është akti më i rëndë që mund të ekzistojë. Urdhëro pra, merr fjalën: reforma për drejtësi. Reforma për drejtësi dhe qytetarët thonë: a, sa aty… Reforma për drejtësinë që i la pa drejtësi. Këtë duhet, nuk ua thonë mediat këtë. Nuk ua thonë që dosja pret 15 vite për t’u gjykuar. Nuk ua thonë se gjykatësi ka 1000 vendime të pazbardhura dhe qytetarët janë në burg. Këto, nuk u thuhen. Ndaj dhe unë do, e kam mision këtë.

Unë, vazhdoj me misionin tim. Nuk lëkundem unë. Një gjë që unë e kam mision, e kam mision dhe siç luftoj mafien më të rrezikshme shtetërore tëEdi Ramës, do luftoj dhe mafien e fjalës së lirë. E di ç’thotë Konfuci? Konfuci thotë: Kur fjalët humbasin kuptimin, qytetarët kanë humbur lirinë. Dhe këtë, mos e harroni kurrë!

Gazetarët: Z. Berisha, meqë në datën 8 maj zhvilloni protestën e radhës, 8 maj. Po të premten. Keni ndonjë strategji tjetër për protestën?

Sali Berisha: Ajo do komunikohet, sapo të shihet e domosdoshme.

Faleminderit!

Pjesë nga vetingu i Altin Dumanit:
Në faqen 7 thuhet se ka bërë kontratë porosie në vitin 2006 me Andon Pangon (djalin e xhaxhait të gruas) për apartament (dhe zyrë) me 390 €/m². Por një faqe më pas (faqe 8), po vetingu shkruan se në apartamentin që nuk ekzistonte në 2006 ka filluar të banojë që nga 2004 dhe me 390 €/m².
Më pas, Dumani i vuri bodigardin personal si polici private Andon Pangos, kur ky hiqte ata që ua kishte shitur disa herë apartamentin.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale