EKSTRAKT
Partia Demokratike ka publikuar dokumente dhe ka hedhur akuza për licencën e kazinosë në kullën ‘Air Albania’. Në një konferencë për mediat, së bashku me kryetarin e PD-së Sali Berisha, nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, publikoi dokumentet dhe deklaroi se pas transaksionit të kompanisë ‘GLG Investment’ fshihen persona të lidhur me rrethin e Olsi Ramës dhe kërkoi hetim nga SPAK.
Këlliçi deklaroi se një tokë në Kepin e Rodonit, e blerë sipas tij për rreth 320 mijë euro, është rivlerësuar më pas në rreth 26 milionë euro dhe është përdorur për ndryshimin e strukturës së kapitalit të kompanisë që mori licencën e kazinosë. ‘Për të përfituar licencën e kazinosë, një tokë 275 mijë metra katrorë në Kepin e Rodonit, që u ble në vlerën 320 mijë euro, pas dy muajsh rivlerësohet në 26 milionë euro’, deklaroi Këlliçi.
Sipas tij, GLG Investment ka një strukturë pronësie që ngre pikëpyetje, për shkak të lidhjeve me një kompani offshore të regjistruar në Wyoming. ‘Kush fshihet pas GLG Investment? Përse u përdor kjo kompani kur ekzistonin kompani të tjera që mund të kryenin këtë transaksion?’, u shpreh Këlliçi.
Nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, tha se dokumentacioni i përgatitur nga PD do t’i dorëzohet SPAK për hetime të mëtejshme, duke kërkuar përgjigje për pronarët realë të kompanisë dhe procedurat e ndjekura nga institucionet. ‘Materiali i plotë do të depozitohet pranë SPAK’, deklaroi nënkryetari i PD-së, duke shtuar se opozita do të vijojë publikimin e të dhënave që, sipas saj, lidhen me këtë çështje.

DEKLARTA E PLOTE:
Sot do përmbledh shkurtimisht këtë aferë që lidhet me licencën e dhënë për ushtrimin e aktivitetit të kazinosë në kullën ‘Air Albania’.
Sigurisht ne sot përveç pjesës teknike dhe paraqitjes së veprave të ndryshme penale, do të bëjmë dhe një prezantim në raport me individët e përfshirë dhe lidhjet e tyre me vëllain e Kryeministrit Edi Rama.
Ky material, por edhe një rrjet i plotë kompanish të lidhura si me biznesin e Call Center, ashtu dhe me lejet e ndërtimit, që për efekt kohe nuk do të bëhen publike të gjitha sot, do të përcillet pranë SPAK për hetime të mëtejshme.
Por po filloj me prezantimin.
Sipas kuadrit ligjor në fuqi, hotelet me 5 yje në vendin tonë, mund të përfitojnë liçensë për ushtrimin e aktivitetit të kazinosë. Një ndër hotelet me 5 yje është ai në kullën e stadiumit kombëtar Air Albania.
Shoqëria që ka një liçensë kazinoje në këtë hotel është Space +.
Sipas të dhënave të QKB ky subjekt fillimisht kur mori liçensën, kishte si aksioner 99% shoqërinë ALB-STAR, dhe 1% W-CZ Holding s.r.o. Kjo e fundit një kompani e regjistruar në Republikën Çeke.
Sipas detyrimeve ligjore, kompania e cila aplikon për marrjen e një liçense duhet të ketë një kapital minimalisht 1.200.000.000 lekë, rreth 12 milionë euro.
Ligji përcakton gjithashtu se kompania duhet të ketë eksperiencë në fushën e lojrave të fatit, e mesa duket, kjo ka qenë arsyeja përse është futur si aksioner me 1% ortaku W-CZ Holdings s.r.o. në kazinonë në kullën Air Albania.
W-CZ Holdings s.r.o, është e lidhur me shoqëritë të cilat kanë pjesën më të madhe të tregut të lojrave të fatit, ADRIA ENTERTAIMENT dhe ËSI shpk, të lidhura drejtpërdrejtë me shtetasin Bledar Sinani.
Në nëntor të vitit 2025 ALB-STAR i shet aksionet e kazinosë kompanisë GLG INVESTMENT.
Sipas dokumentacionit të depozituar në QKB, rezulton se marrëveshja fillestare mes ALB-STAR dhe GLG INVESTMENT është firmosur në gusht të vitit 2025 dhe më pas janë bërë kërkesat pranë AMLF dhe Autoritetit të Konkurrencës, për dhënien e miratimit për ndryshimin e aksionerit sipas përcaktimeve ligjore. Kjo marrëveshje nuk ka të përcaktuar një çmim për këtë transaksion ose marrëveshja e plotë nuk është depozituar ende në QKB.
Kuadri ligjor aktual kërkon që AMLF të qartësojë kush është pronari fundor përfitues, të verifikojë burimin e të ardhurave për krijimin jo vetëm të kapitalit por edhe të shumave të tjera që do të duhet të investohen, pasi liçensa nuk mund ti jepet një individi anonim i cili nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të operuar në këtë fushë.
AMLF e dha miratimin në kundërshtim me kuadrin ligjor, pasi kjo ishte një kompani anonime, me zero historik dhe aktivitet në Shqipëri, por me kushtin që të hiqej toka në pronësi të ALB STAR si kapital aksionar, dhe të zëvendësohej me një tjetër tokë në pronësi të GLG INVESTMENT shpk. Këtu situata bëhet edhe më flagrante dhe kriminale.
Sipas dokumentacionit të depozituar në QKB rezulton se pasuria në pronësi të GLG është:
Pasuria lloji Pyll, numër pasurie 118/9, ZK. 1522, me sipërfaqe 275,550 m2 ndodhur në Draç (Kepi i Rodonit), Durrës e cila vlerësohet sipas raportit të vlerësimit hartuar nga eksperti vlerësues Ing. Eno Kume bashkëngjitur këtij vendimi, në vlerën 2,556,732,008.00 Lekë, rreth 26 milionë euro.
Ekspertët tanë investiguan dhe më tej për origjinën dhe kohën që GLG e kishte blerë tokën, si dhe vlerën e saj.
Në aktin e ekspertit Eno Kume, të datës 19.06.2025 rezulton se: pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 275,550 m2, është blerë nga GLG INVESTMENT në datën 09.04.2025, në vlerën 32.239.350 lekë, rreth 320.000 euro.
Subjekti GLG është pajisur me çertifikatë pronësie në datën 29.05.2025, pra më pak se 2 muaj më pas.
Vlera me të cilën është blerë prona është 117 lekë për m2, pra 1.2 euro/m2.
Vlera 117 lekë është çmimi i referencës së tokës në atë zonë.
Po sipas dokumentacionit të ASHK, i cili gjendet bashkëlidhur Raportit të Vlerësimit, rezulton se në kartelën e kësaj pasurie është regjistruar dhe një kontratë sipërmarrjeje për ndërtim me kompaninë Premium Finance Invest, me pronar indirekt shtetasin Bledar Sinani.
Ekspertët tanë investiguan dhe më tej dhe rezultoi se kjo pronë është pjesë e një vendimi për kthim prone të Gjykatës së Apelit Durrës. Prona në total ka qenë mbi 1 milion m2, në Kepin e Rodonit, e cila është coptuar në disa pjesë me kontrata shitblerje me çmime fiktive.
GLG Investment e ka blerë këtë pronë tek shtetasi Çlirim Muhamet Tahiri, i cili e ka blerë nga një tjetër shtetas, dhe të gjitha këto transaksione janë kryer me çmimin e referencës.
Ndërkohë kur vetë vlerësuesi flet për shifra nga 95 euro deri 130 euro për m2 në atë zonë.
Pra këtu është e qartë skema.
Me vendime të dyshimta gjykate, përfitohen miliona metra katrorë tokë, kjo pronë më pas për të humbur gjurmët ndryshon disa herë pronësinë, dhe në fund i jepet GLG INVESTMENT. Mbi të gjitha po sipas bilanceve të GLG INVESTMENT kjo shumë nuk është paguar, por shoqëria e ka ende detyrim.
Për të përfituar liçensën e kazinosë, një tokë 275.000 m2 në Kepin e Rodonit, që u ble në vlerën 320.000 euro, pas 2 muajsh rivlerësohet me një akt vlerësimi në vlerën 26.000.000 euro. Mrekulli ekonomike e padëgjuar askund në botë, të cilën as Taulant Balla nuk e shpjegon dot.
E që të jem i qartë: është kryer një raport vlerësimi, është përdorur për të rritur kapitalin e kompanisë, në mënyrë që AMLF të jepte miratimin për të kaluar nga aksioneri ALB-STAR te aksioneri GLG Investment.
Përtej veprimeve të AMLF, Autoritetit të Konkurrencës, Drejtorisë së Pastrimit të Parave, të cilat kanë çertifikuar këtë skemë të kundraligjshme, një tjetër institucion del i përfshirë, dhe ai është Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga vetë Edi Rama.
Sa konstatuam dhe më lartë në këtë material në kartelën e pasurisë ishte regjistruar një kontratë sipërmarrje me kompaninë Premium Finance Invest shpk. Kjo shoqëri ka si aksioner Poëer Invest e themeluar në Austri. Në vitin 2021 Poëer Invest është përthithur nga shoqëria SIG Holding GMBH e Bledar Sinanit.
Në korrik të vitit 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike, me Vendimin NR. 6/5, datë 15/07/2021, ka vendosur të japë miratimin si investitor strategjik për një investim në Kepin e Rodonit.
Deri më sot masa e shpronësimit për ndërtimin e një kompleksi privat vilash nuk i është dhënë asnjë investitori tjetër përveç Bledar Sinanit dhe pikërisht në zonën e Kepit të Rodonit.
Pra Edi Rama, vetëm për shtetasin Bledar Sinani, pikërisht mbi këtë tokë, ka marrë vendim se nëse prona private nuk i jepet me vullnet klientëve të tij, kryeministri ua merr pronarëve me anë të shpronësimit për ‘Interes Publik’. Ky favorizim nuk është bërë për asnjë kompani tjetër vendase apo të huaj deri më sot në Shqipëri.
Pra deri këtu është e qartë skema sesi merren liçensat e kazinove, si të gjitha autoritetet mbyllën sytë, e sigurisht këto kompani nuk favorizohen vetëm për liçensa kazinosh, por edhe me leje ndërtimi, e deri te dhënia e statusit të investitorit strategjik për të marrë pronën, jo vetëm publike, por edhe të shqiptarëve që nuk duan të firmosin me ta.














Kush fshihet pas GLG INVESTMENT?
Përse u përdor kjo kompani kur Bledar Sinani dhe Adria Entertainment kanë disa kompani të tjera, që mund të blinin aksionet e ALB-STAR ligjërisht dhe pa përdorur presta-nome?
A fshihen vërtetë këta shtetas pas këtij transaksioni?
Për këtë arsye analizuam kompaninë GLG INVESTMENT.
GLG INVESTMENT është themeluar në mars të vitit 2024, me aksioner shtetasin Gerti Shkëlqim Lumani.
Në nëntor të vitit 2024, ky shtetas me nënshtetësi amerikane, ia shet aksionet kompanisë LAKE HORIZONT LLC, e regjistruar në shtetin ËYOMING (OFFSHORE), më 02.05.2024.
Për këtë kompani nuk ka të dhëna për aksionerët fundor pasi është e regjistruar offshore.
Kuadri ligjor aktual përcakton se për aksionerë të cilët zotërojnë mbi 25% të kapitalit në një shoqëri të regjistruar në Shqipëri, do duhet të depozitohen të dhënat për aksionarin fundor. Nëse kerkojmë në QKB të dhënat për shoqërinë GLG INVESTMENT rezulton se, aksioneri i vetëm që zotëron 100% të subjektit LAKE HORIZONT LLC, është shtetasi Venezuelan Joselises Maradey Marquez.
Kërkuam të dhëna të tjera për kompaninë LAKE HORIZONT LLC dhe aksionerin e saj. Sipas faqes zyrtare të shtetit të Ëyoming, rezulton se Joselises Marquez cilësohet si ‘ORGANIZER’ por jo si aksioneri i kësaj kompanie.
Sa i përket shtetasit/aksionerit Joselises Maradey Marquez, nuk rezulton të gjenden të dhëna për ndonjë aktivitet ekonomik apo cv e publikuar në fushën e lojrave të fatit, apo edhe sektorë të tjerë që ti sigurojnë atij financa të mjaftueshme për të investuar në kompani, sipas kritereve ligjore.
Pra është e qartë se kjo kompani është krijuar offshore, me pronarë fiktiv, vetëm për të fshehur pronësinë e vërtetë.
Për tu thelluar më tej mblodhëm të dhëna për shtetasin Gerti Shkëlqim Lumani, i cili jeton në Troy Michigan. Babai i tij, shtetasi Shkëlqim Lumani, nga një dokument zyrtar amerikan, rezulton si palë e lidhur me shtetasin Gert Haka.
Dhe këtu mbërrijmë tek pika kyçe e të gjithë kësaj skeme korruptive.
Gert Haka, një shtetas shqiptar, i cili më parë ka jetuar në Troy Michigan, aty ku ka jetuar dhe Ols Rama, që prej vitit 2013 është rikthyer në Shqipëri dhe shoqëron kudo mikun e ngushtë Olsi Rama.
Miqësia e tyre jo vetëm që dihet nga të gjithë në Tiranë, por faktohet lehtësisht dhe prej faktit që ky shtetas e shoqëron Ramën kudo.
Gert Haka ishte shoku që Olsi shprehet në emision në Top Channel se e shoqëroi në Serbi në vitin 2014, kur luante kombëtarja jonë, edhe pse në atë ndeshje u lejuan vetëm 40 shqiptarë.
Gert Haka është njeriu që shfaqet edhe në fotot e djalit të Olsi Ramës kur viziton Shqipërinë.
Gert Haka është ai që shoqëron Olsin dhe në ndeshjet e Partizanit.
Sa ju thashë dhe në fillim të konferencës, materiali i plotë do të depozitohet në SPAK, por sot kam disa pyetje publike të cilave SPAK do duhet ti japë përgjigje:
A është ky krim intelektual kaq i vështirë për tu faktuar?
A është skemë pastrimi parash që të marrësh me letra një tokë në vlerën 320.000 euro, dhe vetëm për 60 ditë ta rivlerësosh 26 milionë euro, dhe me këtë tokë të marrë një kompani anonime liçensë kazinoje mu në zemër të Tiranës?
Si mundet që një shtetas Venezuelan, të regjistrojë një kompani offshore, më pas të vijë e të blejë aksionet e kompanisë GLG në Shqipëri, të blejë edhe një tokë me para borxh, të kontaktojë me ALB-STAR për ti blerë aksionet e kazinosë? Të gjitha këto veprime brenda pak muajve.
A ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri ky shtetas?
Kush e informoi këtë venezuelian çudibërës që shtetasi Gert Lumani po shiste aksionet?
Kush është emri që mund të urdhërojë, AMLF, Autoritetin e Konkurrencës, Pastrimin e Parave, Komitetin e Investimeve Strategjike, ti shërbejë kësaj skeme kriminale?
Përgjigjet janë të qarta, për ne dhe shqiptarët që vidhen përditë nga Edi Rama, por tashmë duhet të mbajnë në kurriz dhe aferat e Olsi Ramës, kamufluar pas miqve të tij të ngushtë.


