Berisha: Sot denoncojmë një aferë të padëgjuar, licenca e kazinosë në Air Albania u dha në shkelje të ligjit për prestanomen e Olsi Ramës! Dosjen do e dorëzojmë në SKAP, por do ketë fatin e Xibrakës

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË KONFERENCË ME MEDIAN

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar ditën e sotme një tjetër aferë që lidhet me licencën e kazinosë në kullën ‘Air Albania’, ndërsa ka akuzuar Edi Ramën dhe vëllain e tij, Olsi Rama për përfshirje në një skemë të paligjshme.

Në një konferencë për mediat, Berisha tha se bëhet fjalë për ‘një nga aferat më të padëgjuara’, ndërsa deklaroi se dokumentet e përgatitura nga nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi dhe grupi i ekspertëve të PD-së do të depozitohen në Prokurorinë e Posaçme. ‘Sot jemi këtu për të paraqitur para medieve dhe opinionit publik shqiptar një nga aferat më të padëgjuara, afera që tejkalojnë çdo lloj imagjinate’, deklaroi Berisha.

Sipas kreut të PD-së, Sali Berisha licenca e kazinosë në kullën ‘Air Albania’ është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe për persona që, sipas tij, janë përdorur si ‘prestanome’ për interesa të lidhura me Olsi Ramën.  Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal te transaksionet e kompanisë GLG Investment dhe rivlerësimi i një prone në Kepin e Rodonit, duke pretenduar se një tokë e blerë me rreth 320 mijë euro është vlerësuar më pas në rreth 26 milionë euro. ‘Blihet 300 mijë, shitet 26 milionë, përdoret për këto qëllime, përdoret për ato qëllime. Gjëra të cilat as në veprat e realizimit fantastik nuk mund të shkruhen’, tha Berisha.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se dosja do t’i dorëzohet SPAK-ut dhe e krahasoi çështjen me denoncimet e mëparshme të opozitës. ‘Dosja do të dorëzohet në SPAK dhe pa dyshim do ketë fatin e Xibrakës’, tha Berisha, duke përsëritur akuzat e tij për lidhje të Olsi Ramës me çështje të mëparshme.

Gjatë konferencës, kryetari i PD-së Sali Berisha u shpreh se opozita do të vijojë të depozitojë dokumente në organet e drejtësisë. ‘Nuk mund të lëshohen licenca të tilla… pa dokumente dhe pa një hetim të plotë’, u shpreh kreu i PD-së. I pyetur nga gazetarët për besimin te SPAK, lideri i opozitës Sali Berisha kritikoi mënyrën se si, sipas tyre, është trajtuar nga drejtësia çështja që lidhet me familjarë të kryeministrit.

FJALA E PLOTE:

Sot jemi këtu për të paraqitur para medieve dhe opinionit publik shqiptar një nga aferat më të padëgjuara, afera që tejkalojnë çdo lloj imagjinate.

Por natyrisht jo në narkoshtetin e Edi Ramës, në familjarët e tij, bëmat e tyre.

Tashmë janë bërë të njohura për publikun pasioni i çmendur i Olsi Ramës për lojërat e fatit. Pasioni i tij i çmendur për call-centerat. Pra për ët gjitha mënyrat e plaçkitjes së qytetarëve.

I pangopur!

E vërteta është siç e kam deklaruar dhe siç është faktuar lidhja e tij me grupin e Xibrakës, është një ndër lidhjet më kriminale që mund të ketë njeri.

Sot këtu ju do dëgjoni, edhe njëherë kthehet në skenë ajo që dikur unë e kam quajtur kulla Kristaq Rama apo kulla e Air Albania.

Në atë kohë ne e kemi denoncuar ndërtimin e saj, por siç thotë populli, dardha e ka bishtin mbrapa.

Aq sa është e paligjshme kulla, po aq e paligjshme është aktiviteti i saj dhe dhënia e licencës për kazino me dokumente personave që nuk mund ta merrnin kurrë po të mos ishin prestanome i Olsi Ramës.

Ndaj dhe unë u ftoj ju të ndiqni ekspozenë e një investigimi që zoti Belind Këlliçi dhe grupi i ekspertëve tanë kanë bërë për një aferë, thashë edhe njëherë, që tejkalon çdo lloj imagjinate.

Besoj se me dokumente të pakundërshtueshme faktohet implikimi i rrethit të Edi Ramës, vëllait dhe shokëve të tij, në afera bixhozi, larjesh parash, licencimesh që nuk mund të ndodhin kurrë përveçse në familjen kryeministrore në Shqipëri.

Nuk mund të lëshohen licencat…

Unë e kam denoncuar me kohë atë, e kam quajtur kulla Kristaq Rama. Nuk ka asnjë përgënjeshtrim të vërtetë, real.

Dhe tani, urdhëroni mega-aferën e një mafie të rrezikshme me tentakula nga familja Rama në Miçigan tek venezuelasit, etj, etj.

Sigurisht që dosja do të dorëzohet në Skap dhe pa dyshim do ketë fatin e Xibrakës ku Olsi Ramës u faktua si eksponent kryesor i grupit të Xibrakës, u faktua se po në këtë kontekst bëri mashtrim publik pasi deklaroi pas denoncimit të zotit Bardhi dhe denoncimeve të mia të dokumenteve të kompjuterit për kalimin e kufirit me makinën e grupit të drogës, deklaroi se e ka përdorur vetëm njëherë, në një kohë kur këtu janë dokumentet e përdorimit të saj shtatë herë. Dhe sipas të dhënave të tjera, është përdorur 15 herë nga Olsi Rama.

Por ky denoncim i sotëm është një kontribut i jashtëzakonshëm që shqiptarët të kuptojnë se me kë kanë të bëjnë, me çfarë klani të rrezikshëm, çfarë familje të rrezikshme kanë në krye të qeverisë.

Urdhëroni pra.

Blihet 300 mijë, shitet 26 milionë, përdoret për këto qëllime, përdoret për ato qëllime, gjëra të cilat as në veprat e realizimit fantastik nuk mund të shkruhen sepse shndërrohen në komedi, e humbasin komplet besueshmërinë.

Natyrisht duke përgëzuar zotin Këlliçi dhe gjithë ekipin që është marrë me investigimin e kësaj afere, kryqëzon përfundimisht vëllaçkon e Ramës dhe enturazhin e tij, ne do bëjmë detyrën tonë, ne do ta dërgojmë me këto të dhëna dhe të tjera në organet e prokurorisë speciale.

Mega-afera e kazinosë së prestanomes së Olsi Ramës/ Belind Këlliçi zbardh skemën: Për të përfituar licencën, një tokë e blerë me 320.000 euro u rivlerësua 26.000.000 euro

Sa ju thashë dhe në fillim të konferencës, materiali i plotë do të depozitohet në SPAK, por sot kam disa pyetje publike të cilave SPAK do duhet ti japë përgjigje:

A është ky krim intelektual kaq i vështirë për tu faktuar?

A është skemë pastrimi parash që të marrësh me letra një tokë në vlerën 320.000 euro, dhe vetëm për 60 ditë ta rivlerësosh 26 milionë euro, dhe me këtë tokë të marrë një kompani anonime liçensë kazinoje mu në zemër të Tiranës?

Si mundet që një shtetas Venezuelan, të regjistrojë një kompani offshore, më pas të vijë e të blejë aksionet e kompanisë GLG në Shqipëri, të blejë edhe një tokë me para borxh, të kontaktojë me ALB-STAR për ti blerë aksionet e kazinosë? Të gjitha këto veprime brenda pak muajve.

A ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri ky shtetas?

Kush e informoi këtë venezuelian çudibërës që shtetasi Gert Lumani po shiste aksionet?

Kush është emri që mund të urdhërojë, AMLF, Autoritetin e Konkurencës, Pastrimin e Parave, Komitetin e Investimeve Strategjike, ti shërbejë kësaj skeme kriminale?

Përgjigjet janë të qarta, për ne dhe shqiptarët që vidhen përditë nga Edi Rama, por tashmë duhet të mbajnë në kurriz dhe aferat e Olsi Ramës, kamufluar pas miqve të tij të ngushtë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET

Klajdi Bodlli, Syri Televizion: Pyetja ime është, ju do ta kallëzoni në SPAK këtë çështje, po sa besim keni tek Prokuroria e Posaçme, duke parë dhe rastin e mëparshëm që përmendi zoti Berisha, dosjes së Xibrakës, ndërkohë që hetimet për atë çështje u bënë nga partnerët gjermanë, kurse Prokuroria e Posaçme kërkoi informacion nga Kosova sepse kishte hyrë dhe kishte dalë makina atje. Pyetja e parë. Dhe pyetja e dytë, ndoshta që SPAK të mos ngatërrojë rrugën e hetimeve në rrugë zyrtare apo dhe informale, a do t’i mundësoni disa dokumente të tjera shtesë në lidhje me shtetasin venezuelas duke qenë se në jo pak raste thonë që është e vështirë për të gjetur dhe për të mbledhur provat për çështje të ndryshme?

Belind Këlliçi: Kam përshtypjen se përgjigjen e dha dhe vetë zoti Berisha, siç ka ndodhur në rastin e Xibrakës, siç ka ndodhur në rastin e inceneratorëve, siç ka ndodhur në rastin e 5D, sterilizimit, check-up-it e të gjithë mega-aferave deri më sot.

Kur flitet për Edi Ramën, SPAK-u bën veshët e shurdhër, sytë nuk i shohin dhe nuk arrin të perceptojë apo të kuptojë dhe shpjegojë qoftë edhe veprat penale më të thjeshta që ne mundemi t’i gjejmë thjeshtësisht online apo në QKB.

Ne do të bëjmë detyrën tonë siç kemi bërë në të gjitha aferat që ka denoncuar sot Partia Demokratike e Shqipërisë. Unë nuk di t’ju them se sa do të mund ta mbrojë edhe këtë radhë Prokuroria e Posaçme Edi Ramën, se po flitet për Edi Ramën.

Por ne si Parti Demokratike, me direktivë të drejtpërdrejtë edhe të kryetarit të partisë, do të depozitojmë jo vetëm këto materiale që unë bëra publike sot, por dhe materiale të tjera që lidhin edhe shtetasit e përfshirë në rastin e Xibrakës, edhe shtetasit e përfshirë në biznesin e call center-ave, dhe që janë lidhje të tërthorta me Olsi Ramën, do t’i depozitojmë të gjitha pranë Prokurorisë së Posaçme.

Pastaj shqiptarët të bëjnë vetë analizën dhe bilancin e punës së SPAK-ut dhe të opozitës. Opozita këtë ka: denoncimin, fjalën dhe aktin. Punën pastaj do të duhet ta vlerësojnë qytetarët shqiptarë.

Sali Berisha: Së dyti, dua të dënoj me forcën më të madhe dhunën e egër shtazore të përdorur dje kundër protestuesve. Janë agresuar gra me fëmijë të vegjël me karroca.

Janë agresuar qytetarë pa asnjë lidhje me protestën. Janë agresuar dhe kërcënuar me jetë eksponentë të protestës, vetëm e vetëm se po protestonin në mënyrën më paqësore.

Aktet e dhunës shtazore të ushtruara këto ditë ndaj protestuesve paqësorë janë dëshmi e plotë e fytyrës kriminale të këtij regjimi diktatorial.

Duke dënuar ato me forcën më të madhe, u bëj thirrje të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, të gjithë qytetarëve, të bashkohen dhe të mbështesin këtë protestë për të realizuar largimin e këtij regjimi, ndër më të këqijtë që kanë njohur shqiptarët në histori.

Është koha që çdo qytetar shqiptar të japë kontributin e tij për shpëtimin e vendit.

Kërkesat e lëvizjes së protestës rinore qytetare, janë kërkesa të çdo qytetari të ndershëm shqiptar.

Janë kërkesa në mbrojtje të interesave jetike të shqiptarëve, interesa të kërcënuara në mënyrë fatale nga organizata kriminale dhe qeverisja shqiptare dhe kreu i saj Edi Rama që plaçkisin çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, dhe varfërojnë në mënyrë të të tmerrshme shqiptarët.

Ndaj dhe ftoj demokratët, të frymëzuar nga kjo protestë e pandërprerë, të japin kontributin e tyre në këtë moment historik.

Edi Rama nuk ka të ardhme. Është i plagosur për vdekje politikisht, ndaj dhe duhet t’i japim shtysën përfundimtare.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale