FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E KRYESISË SË PD
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD.
Berisha theksoi se Kryesia e PD mblidhet në një moment vendimtar në historinë e saj, mblidhet në një moment kur kjo Kryesi duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e rikthimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.
Kryedemokrati u shpreh se në vitet e fundit PD ka përjetuar një proces të rrallë, të vështirë pasi u tentua të fshihej historia e saj, por ajo sot është në këmbë, është e fuqishme, është e bashkuar.
Berisha bëri një rezyme të qartë se që nga viti 2017 deri në 4 gusht të vitit 2024, Edi Rama shkoi duke deformuar në shkallë maksimale, duke shndërruar procesin zgjedhor në një farsë të vërtetë zgjedhore dhe shqiptarët janë dëshmitarë.
Sipas Berishës, të gjitha këto e kanë bërë procesin zgjedhor në thelb dhe në të vërtetë në një proces zgjedhor siamez, jo më, në diktatura ideologjike, por siamez me diktaturat, me mobokracitë, diktaturat e bandave, apo në diktaturat e bazuara në aleancat e pushtetit me krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve.
Kryetari i PD, Sali Berisha ka denoncuar SPAK, se ka në zotërim 35 dosje që kanë ardhur nga shërbimi i zbatimit të ligjeve të vendeve partnere dhe vetëm 4 prej tyre janë shqyrtuar, ku kanë mbi 50% të tyre krime elektorale.
Berisha tha gjatë mbledhjes së Kryesisë se, asnjë fashikull, asnjë faqe, asnjë fakt nuk është prekur me dorë nga një krye lakej i Edi Ramës i cili kontrollon SKAP-in, dhe në një akt të papërgjegjshmërisë totale iu thotë shqiptarëve se do të merrem nga janari me to. Dhe do t’u thotë se këto janë krime elektorale, krime të intelektualëve dhe nuk mund t’i zgjidhi.
Lideri i opozitës, Sali Berisha i kërkoi anëtarëve të Kryesisë që të sqarojnë çdo anëtar dhe qytetar se ishte PD ajo që ia doli të votojë respektimin e së drejtës kushtetuese të mbi 1.5 mln shqiptarëve që ndodhen jashtë shtetit.
Për sa i përket zgjedhjes së deputetëve për zgjedhjet e ardhshme të 2025-sës, Berisha theksoi se do vijohet me primaret brenda partisë.
Berisha, në mbledhjen e Kryesisë së partisë, ka dhënë një mesazh të qartë dhe të fortë përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Ai paralajmëroi se pjesëmarrja në zgjedhje nën drejtimin e Edi Ramës do të ishte një mashtrim i madh, si për vetë Partinë Demokratike ashtu edhe për qytetarët shqiptarë. Berisha theksoi se PD nuk duhet të shkojë në zgjedhje “business as usual,” duke nënvizuar se alternativa e vetme për rikthimin e votës së lirë është formimi i një qeverie teknike dhe largimi i Edi Ramës nga pushteti. Ai gjithashtu paralajmëroi për rrezikun që Shqipëria të ndjekë rrugën e Venezuelës, ku opozita është shtypur dhe e drejta për të zgjedhur është shkelur brutalisht. Sipas Berishës, misioni i demokratëve është të motivojnë dhe frymëzojnë një lëvizje të fuqishme për të arritur qëllimin e tyre të përbashkët , rikthimin e demokracisë dhe votës së lirë në Shqipëri.
Gjatë mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, kryetari i PD Sali Berisha theksoi se farsat zgjedhore janë një kërcënim serioz për pluralizmin, demokracinë dhe shoqërinë shqiptare.
Ai theksoi se aktualisht Shqipëria është një autokraci elektorale dhe se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi opozitën.
Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të mos presin zgjidhje nga jashtë apo nga spontaniteti qytetar, por të angazhohen për të krijuar një qeveri teknike që do të rikthejë votën e lirë. Ai e përshkroi këtë si detyrën kryesore të opozitës dhe u angazhua për një lëvizje të fuqishme që do të çojë në realizimin e këtij qëllimi.
Berisha theksoi se për të arritur këtë, është e nevojshme një sakrificë personale dhe angazhim të plotë nga secili individ në parti, duke u siguruar që programi i PD të bëhet realitet dhe vota e lirë të rikthehet në Shqipëri.
FJALA E PLOTË
Së pari ju përshëndes, ju, drejtuesve, n/kryetarëve, Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj mbledhje dhe të gjithë anëtarët e Kryesisë.
Përshëndes me këtë rast të gjithë demokratet dhe demokratët kudo që janë.
Sot, Kryesia e PD mblidhet në një moment vendimtar në historinë e saj, mblidhet në një moment kur kjo Kryesi duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e rikthimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.
PD në vitet e fundit përjetoi një proces të rrallë, të vështirë. Por ajo sot është në këmbë, është e fuqishme, është e bashkuar, pavarësisht përpjekjet e hapta ishin që kjo forcë politike të denatyrohej, të shndërrohej në një simotër të partisë së krimit. Të fshihej e tërë historia e saj, të fshihej, të spostohej aksi i programit të saj.
Ju keni bërë një betejë të fortë, por dhe të suksseshme. Jeni përballur me probleme të mëdha, të vështira dhe ato janë kapërcyer.
Kemi hyrë tani në një vit elektoral.
Të dashur miq!
Kjo që duhet të zgjidhim ne, ky problem madhor që duhet të zgjidhim është një problem që u trashëgua nga zgjedhjet në zgjedhje.
Shqiptarët janë dëshmitarë se, Edi Rama nga viti 2017 gjer në 4 gusht të vitit 2024 shkoi duke deformuar në shkallë maksimale, duke shndërruar procesin zgjedhor në një farsë të vërtetë zgjedhore.
Por përveç kësaj, ne kemi patur dhe një problem të dytë madhor, se ky proces shkatërrimtar i procesit zgjedhor është shoqëruar me një propagandë të stërfuqishme, e cila ka fajësuar viktimën, dhe jo fajëtorin e vërtetë, e cila ka shpallin krimin elektoral sukses. E cila ka shpallur fitore fitoren e grabitur në verbëri pa kuptuar se çfarë dëmi kolosal i bëri shoqërisë shqiptare me këtë qendrim.
Të gjitha këto e kanë bërë procesin zgjedhor në thelb dhe në të vërtetë në një proces zgjedhor siamez, jo më, në diktatura ideologjike, por siamez me diktaturat, me mobokracitë, diktaturat e bandave, apo në diktaturat e bazuara në aleancat e pushtetit me krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve.
Në mënyrë të përditshme, të guximshme, ju keni denoncuar me qindra dhe mijëra raste për të mos thënë akte madhore krimi elektoral.
Kemi denoncuar akte madhore të vjedhjes të qindra e qindra, dhe së fundmi me Portin e Durrësit miliarda euro. Kemi denoncuar ndarjen e pasurisë publike nga Edi Rama me familjarë dhe klane të tij kriminale.
Kemi denoncuar zhdukjen e qindra milionë fondesh publike. Lidhjet e tmerrshme të nëndheshme të qeveritarëve me krimin, me emra, me fakte.
Por që të gjitha këto të dashur miq, kanë rënë në vesh të shurdhër, sepse për faktin e thjeshtë, se Edi Rama sot me mekanizmin e kthimit të votës në krim dhe krimit në votë, ka shti në dorë, kontrollon të gjitha pushtetet.
Ne jemi opozitë, dhe si e tillë, sigurisht që ne na intereson zbatimi i shtetit ligjor në çdo rast, por na intereson para se gjithash ndëshkimi i krimit elektoral.
Me gjithë punën, mendoj unë tejet të dokumentuar të dhunimit të zgjedhjeve, krimi elektoral është krimi i amnistuar nga drejtësia e kontrolluar e Edi Ramës.
Unë dua të informoj shqiptarët se, nga 35 dosje me rreth 1 mln faqe që kanë ardhur nga shërbimi i zbatimit të ligjeve të vendeve partnere, vetëm 4 prej tyre janë shqyrtuar. Por edhe këto 4 që janë shqyrtuar, këto dhe të tjera, kanë mbi 50% të të gjitha bisedave, të të gjithë krimeve i ka në rrafsh elektoral.
Asnjë fashikull, asnjë faqe, asnjë fakt nuk është prekur me dorë, nga një krye lakej i Edi Ramës i cili kontrollon SKAP-in, dhe në një akt të papërgjegjshmërisë totale iu thotë shqiptarëve se do të merrem nga janari me to. Dhe do t’u thotë se këto janë krime elektorale, krime të intelektualëve dhe nuk mund t’i zgjidhi.
Pse i theksoj këto? I theksoj, sepse ne vetë, në këto kusht kur asnjë nga krimet madhore që kryen regjimi, që denoncohet nga opozita nuk përbën objekt hetimi nga drejtësia e sotme, ose kur ato amnistohen në mënyrën më kriminale, atëherë na detyron t’i themi vetes: dale, çfarë jemi ne?
Edhe kësaj pyetje duhet t’i japim përgjigje.
Në qoftë se u përpoqën me mekanizma anti-kushtetuese, anti-ligjore të vendosin nën kontroll PD, t’i emërojnë kryetarin asaj, etj., dhe ta shndërronin në kamp opozitë. Tani, sigurisht kanë dështuar me këto, por tani kanë gjetur, kanë zgjedhur injorimin total të zërit të saj në shoqëri.
Në një farë mënyrë, në sytë e shqiptarëve kjo opozitë nuk ka fuqi. Kjo opozitë nuk ka pushtetin që i takon me ligj dhe Kushtetutë. Kjo opozitë shëmbëllen një lloj dekori për këtë regjim.
E them këtë për të ndërgjegjësuar çdo demokrate dhe demokrat se në çfarë pozicioni jemi ne sot, dhe ne hymë në vit elektoral, në një kohë kur asnjë nga rekomandimet e OSBE-ODIHR nuk është pranuar të shqyrtohet nga Edi Rama.
Dhe meqë jam këtu, unë ju lutem shumë të sqaroni çdo anëtare dhe anëtar tonin dhe çdo qytetar dhe qytetare, se ajo që votuat në parlament nuk ka asnjë lidhje me problematika e mëdha të zgjedhjeve, të cilat kanë rrënuar barazinë e zgjedhjeve, karakterin e tyre, kanë siguruar kontrollin e vullnetit të qytetarëve nga qeveria.
Me këtë rast, dua të them se ishte PD ajo që ia doli të votojë respektimin e së drejtës kushtetuese të mbi 1.5 mln shqiptarëve që ndodhen jashtë shtetit. Dhe unë besoj se, asnjë demokrat nuk duhet të imagjinojë se një parti e lirive dhe të drejtave të qytetarëve do mund t’i lejonte vetes t’i bëhej shkak që ajo e drejtë themelore kushetuese t’ju mohohej qytetarëve shqiptarë në kohën që ajo e kishte shpallur publikisht atë që nga viti 2012 e në vazhdim.
Së bashku me të, PS kushtëzoi edhe shqyrtimin e vendimit tjetër të gjykatës, dhe natyrisht nqs ne nuk pranonim shqyrtimin e atij vendimi, sot 1.6 mln shqiptarë do të ishin pa të drejtë vote. Ne nuk mund të merrnim atë përgjegjësi. Ai vendim u shqyrtua dhe, ai vendim hoqi disa pengesa artificiale të vendosura që rekomandoi gjykata.
Ne jemi parti që për zgjedhjen e deputetëve e ka të fiksuar në statutin e saj me mekanizmin e Primareve.
Të dashur miq, jo vetëm që reforma zgjedhore nuk u pranua nga Edi Rama, por siç theksova më sipër, asnjë nga krimet monstruoze elektorale nuk ndëshkua nga drejtësia e tij. Ç’ka do të thotë se në zgjedhjet e vitit 2025, do të bëhet e vërtetë fjala e tij se, nuk keni parë gjë akoma. Se do të përdorë mekanizma të tjerë për të grabitur votën që ne akoma nuk kemi parë.
Se i tillë është oreksi i tij për pushtet, e bën që të heqë dorë nga çdolloj parimi.
Ju e patë në Himarë, nuk ngurroi të sjellë nga Dropulli votues në Himarë, dhe të shkarkojë drejtorin e pergjithshëm të Gjendjes Civile vetëm e vetëm se ai refuzonte një akt të tillë.
Të dashur miq, zonja dhe zotërinj!
Sot, të mendojmë se po shkojmë në këto zgjedhje si ‘bussines as usual’ do të jetë një mashtrim i madh për veten tonë, një mashtrim i madh për qytetarët shqiptarë.
Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Me Edi Ramën, nuk ka zgjedhje ‘business as usual’.
PD ka si alternativë mospjesëmarrjen në zgjedhje, gjë e cila është e ndaluar me shumë të drejtë në statutin e saj. Ju garantoj të dashur demokrate e demokratë se Edi Rama do të festonte në qoftë se do t’i lejonim vetes një vendim të tillë.
E megjithatë, zonja e zotërinj, anëtarë të Kryesisë, deyrimi ynë absolut para demokratëve, para shqiptarëve, është kthimi i votës së lirë te shqiptarët. Dhe ky kthim i votës së lirë realizohet vetëm em një qeveri teknike, largimin e Edi Ramës dhe procedimin në krijimin e një qeverie teknike.
Asgjë nuk mund të lemë pas zgjedhjeve dhe të provojmë atë që provuan opozita në Venezuelë.
Dje, Rama i Venezuelës, Maduro, arrestoi me akuzën për aktivitet terrorist kryetarin e opozitës, i cili fitoi zgjedhjet me 70%.
Shembulli i Venezuelës duhet të jetë një mësim i madh për ne.
Pra, nga secili prej jush, nga të gjithë ne, qytetarët presin rikthimin e votës së lirë. A jemi ne në gjendje të mbushim aktualisht këtë mision? Jo! Ne nuk jemi. Por, a është ky një mision i pamundshëm? Absolutisht, nuk është i pamundshëm.
Ky mision kërkon nga ne të motivojmë, të angazhojmë,të frymëzojmë çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar në një lëvizje të fuqishme që nuk e ka njohur më parë Shqipëria gjer në realizimin e qëllimit tonë.
Ne jemi së bashku udhëheqja kryesore e opozitës.
A mund të ecim ne si somnobyl për të marrë një mandat dhe për të firmosur mandatin e katërt të Edi Ramës? Kurrë!
Atëherë, ku qendrojnë mundësitë tona? Mudnësitë dhe potenciali ynë qendron tek demokratet dhe demokratët.
Tani unë dua të jemi i hapur me ju, dhe të gjitha strukturat tona. Në një lëvizje demokratike dhe çdo lëvizje ndodh rëndomë që njëherë udhëheq ti, njëherë të udhëheqin të tjerët.
Ata dhjetëra e mijëra, mos më shumë njerëz që vijnë kur i thërrasim ne, ata kërkojnë udhëheqje. Tani, jo për t’i thirrur për një miting të themi madhështor, por për një lëvizje që rikthen votën e lirë.
Secili nga ju, ka çdo të drejtë të ulet me çdo qytetar dhe qytetare, të ulet me çdo demokrat dhe demokrate, ta frymëzojë, ta motivojë. Të ulet, ta bindë se kjo betejë është vendimtare. Se nuk ka një rrugë të dytë me Edi Ramën në pushtet për të votuar të lirë.
Se zgjedhjet e ardhshme me Edi Ramën, nuk janë gjë tjetër vetëm një firmë mjerane e jona mbimmandatin e tij të 4-t. Dhe kjo do të ishte një tragjedi e vërtetë.
Unë e di se të gjitha nivelet e PD kanë mosbesim. Njerëz jemi ne. Unë e di, se përveç kësaj, faktori frikë është real. Unë e di se përveç kësaj dhe interesa të caktuara janë reale, individuale.
Por ne, pavarësisht nga këta duhet të bëjmë gjithçka. Të investojmë ditë e natë në dialog me qytetarët, në dialog me anëtarësinë tonë, me aleatët tanë. Të përmbushim këtë mision.
Çfarë kërkojmë ne? Kërkojmë ne pushtet për pushtet? Jo, nuk kërkojmë ne pushtet për pushtet.
Ne kërkojmë që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë. Ne kërkojmë që shteti të mos jetë shtet elektoral. Ne kërkojmë që bandat të mos terrorizojnë qytetarët.
Nuk ka kërkesa më të drejta se këto, nuk ka kauzë më të drejtë se kjo.
Keni mbrojtur me të drejtë, kemi denoncuar me të drejtë dhjetëra e dhjetëra kauza, por tani kauza e të gjitha kauzave është kjo: vota e lirë e shqiptarëve.
Edi Rama ka faktuar se nuk pranon një proces zgjedhor të lirë. Edi Rama ka faktur se vjedh, grabit votën dhe nuk fiton. Edi Rama ka faktuar se zgjedhjet i ka shndërruar në farsë. Tani është koha të përqendrohemi me të gjithë guximin tonë, me të gjitha sakrificat tona, me të gjitha kapacitetet tona në zgjidhjen e kësaj kauze.
Ne jemi parti e Kushtetutës, shtetit ligjor, lirive dhe të drejtave. Edi Rama nuk respekton asnjë nga këto. Nuk ka të ardhme.
Të përqendrojmë gjithçka në këtë problem madhor, dhe ju garantoj se aq sa duket i vështirë sot, aq është lotësisht i mundshëm.
Farsat zgjedhore janë ndëshkim për pluralizmin, janë ndëshkim për demokracinë, janë ndëshkim për shoqërinë.
Nuk ka shqiptar, nuk ka aleat, nuk ka mik të Shqipërisë që mund të na thotë që Shqipëria nuk është një autokraci elektorale. Dhe në qoftë se Shqipëria vazhdon e tillë, ajo nuk është përgjegjësi e kujt tjetër përveçse e opozitës.
Shtroni pyetjen ju, ftoj demokratët dhe demokratet, qytetarët dhe qytetarët, kush duhet të zgjidhë këtë problem madhor. Do vijë kush të na e zgjidhë nga jashtë? Jo, absolutisht. Do ta zgjidhë spontaniteti qytetar? Jo, absolutisht.
Do ta zgjidhë opozita, lidershipi i saj, anëtarësimi i saj, mobilizimi i saj.
Ndaj edhe përparësia absolute e PD, aleatëve të saj duhet të jetë lëvizja e fuqishme gjer në krijimin e qeverisë teknike.
Ne të gjithë këtë do e ndërmarrim dhe e ndërmarrim si rrugën e vetme për të rikthyer votën e lirë. E ndërmarrim dhe do e ndërmarrim sepse jemi shpresa e veteme dhe se askush tjetër nuk mund ta ndërmarrë.
Por e ndërmarrim dhe do e ndërmarrim, ua them ju këtu edhe si provë vendimtare e ekzistencës sonë, si një opozitë e fuqishme reale, si një opozitë e fuqishme reale në një sistem demokratik.
Nuk ka dyshim që kjo kërkon, ethashë edhe më parë. Në qoftë se ne marrim momentin, a jemi ne të pregatitur për këtë? Jo, nuk jemi. Duhet t’i shohim gjërat siç janë, është faktuar kjo nuk ka pse të mbajë kohën.
Por ka një gjë në detyrën tonë të secilit prej nesh është të ndryshojmë, të bëjmë gjithçka për të ndryshuar realitetin, të bëjmë gjithçka që kjo kauzë të shndërrohet kauza e çdo demokrati e demokrateje, kauza e çdo qytetari dhe qytetareje.
Kjo kërkon, në radhë të parë sakrificën personale të gjithësecilit prej nesh. Angazhimin total të secilit prej nesh. Kurrë nuk mund të frymëzojmë në qoftë se ne vajtojmë. Në qoftë se ne rreshtojmë të gjitha zinxhirët e krimeve, e aferave, skandaleve të Edi Ramës. Jo!
Unë e kuptoj se njerëzit kanë mbi 1000 probleme, por asnjë problem në qoftë se nuk zgjidhim këtë në këtë vit elektoral nuk mund të zgjidhet më.
Ne kemi një program të shkëlqyer për t’i dhënë përgjigje të gjitha problemeve të akumuluara nga keqqeverisja e sotme, por ajo bëhet realitet vetëm pas të rikthejmë votën e lirë.
Në detyrimin statutor që kam, Sekretari i Përgjithshëm ka vendimin që është marrë për të emëruar drejtuesit politik të qarqeve dhetë fushatës së përgjithshme.
Ndërkohë ju përsëris, dhe garantoj anëtarësinë tonë dhe qytetarët se, primaret do të jenë parim themelor i përzgjedhjes së kandidatëve tanë.
Ju falënderoj për vëmendjen dhe uroj që në një vendim shumë të rëndësishëm për secilin prej nesh, duke filluar që nesër, të përqendrojmë të gjitha potencialet tona në realizimin e këtij objektivi, i cili do të kishte absolutisht një rëndësi historike për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe unë kam besim se PD i ka të gjitha potencialet për realizimin e këtij objektivi.
Faleminderit!