PRONONCIM PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA JASHTË PARLAMENTIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë një prononcimi për media të mbajtur para parlamentit, theksoi disa kërkesa dhe kritika lidhur me mbledhjen e përbashkët të parlamenteve të Shqipërisë dhe Kosovës e planifikuar për datën 20 dhjetor.
Berisha kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë para mbledhjes së përbashkët, pas refuzimit të saj më parë. Berisha gjithashtu kërkoi që Edi Rama të kërkonte falje për vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë akt si antikombëtar dhe turpërues për Shqipërinë.
Kryetari i PD, Sali Berisha kritikoi ashpër vendimin e Edi Ramës për të ndaluar këngën “Mora fjalë” të kompozitorit, Naim Gjoshi në stadium, duke e cilësuar këtë akt si poshtërues dhe të lidhur me urdhra nga Beogradi. Berisha theksoi se “Mora fjalë”, një këngë që është shndërruar në një himn të kuqezinjve, është një pjesë e rëndësishme e kulturës dhe identitetit shqiptar, dhe nuk ka asnjë përmbajtje që nxit konflikt apo armiqësi. Kryedemokrati, Sali Berisha po ashtu argumentoi se, kënga “Rrjedh në këngë e ligjërime”, që u përdor si zëvendësim, është më pak e përshtatshme për tifozët dhe se përkrahja për Beogradin në këtë rast ishte një akt i turpshëm, duke e lidhur atë me një ndikim të jashtëm. Ai kërkoi që këto çështje të trajtohen para mbledhjes së përbashkët të parlamenteve të Shqipërisë dhe Kosovës.
FJALA E PLOTË
Procedura është përparësi absolute në çdo parlament, përveçse në këtë parlament.
Kjo Pëllumbesha Spirogjoka, pas mbledhjes që kanë bërë në grupin e saj parlamentar është transfiguruar, ka frikë dhe tmerr se i nxjerrin 5 milionëshin kur të duan dhe si të duan.
Pra, faktikisht kjo është kryetare e pakallur.
Tani, meqenëse unë në fjalën time kisha disa çështje shumë të rëndësishme, po i ekspozoj këtu para jush dhe shqiptarëve.
Së pari, me datën 20 mblidhen dy parlamentet në Kosovë. Ky parlament nuk mund të shkojë në një mbledhje të përbashkët në një kohë kur ka hedhur poshtë rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, ndaj do kërkojmë me urgjencë që kjo rezolutë të votohet para se parlamenti të shkojë në sesion të përbashkët në mënyrë që të mos jetë një hipokrizi kombëtare, por të jetë nj akt i pranueshëm kombëtar.
Së dyti, të kërkojë të falur sepse Edi Rama ishte i pari që vendosi sanksione ndaj Republikës së Kosovës. Ky parlament duhet të kalojë një rezolute ndjese publike kombëtare për aktin e turpshëm antikombëtar të Shqipërisë si asnjë vend tjetër fqinj, përveç Shqipërisë ndaj Kosovës.
Këto unë kisha për të mos u ndalur edhe njëherë, por do ndalem shumë herë tek ndalimi që i bënë në stadium himnit të kuqezinjve, himnit të këngës ‘Mora fjalë’.
Kënga ‘Mora fjalë’ e Naim Gjoshit, e jë poeti, shkrimtari, u shndërrua edhe falë virtuozitetit të Shkurte Fejzës, u shndërrua në një himn të vërtetë të kuqezinjve.
Tani, zëvendësimi që pretendon Edi Rama se i ka bërë me këngën tjetër shumë të bukur kushtuar Shqipërisë ‘Rrjedh në këngë e ligjërime’, janë dy këngë të ndryshme.
Njëherë në radhë të parë Shqipëria ka himnin aty, se çdo ndeshje hapet me himnin kombëtar. Pra, Shqipëria është e pranishme. Flamuri është himni. Së dyti, duhet të jemi të sinqertë, unë e dua shumë ‘Rrjedh në këngë dhe ligjerime’, por për tifozerinë është më lehtësisht e këndueshme ‘Mora fjalë’.
‘Mora fjalë’ nuk ka asnjë, jo strofë, por as fjalë që të nxisë konfliktualitet, të nxisë armiqësi.
Adem Jashari është kreshta e heroizmit botëror. Nuk ka komb tjetër që të ketë një Adem Jashar. Dhe t’i përkulesh Beogradit, në një kohë kur ai është kryeluftëtari i kombit, është një akt shumë poshtërues.
Unë lexova një që e kishte paraqitur një zëdhënës i federatës, por në fakt ishte e Fugës, se unë ua njoh stilin këtyre fugistëve, është një akt i papërgjegjshëm sepse Shkurte Fejzën e ftuan vetë këta, ne e pamë në stadium.
Edi Rama e ndaloi me urdhër të Beogradit.
Pra janë këto tre momente që duan një përgjigje para se të mblidhet seanca e përbashkët parlamentare në Prishtinë. Unë kisha dhe shumë gjëra të tjera, por ato mund t’i kthehemi më vonë se kam obligim ta paraqes në parlament, ose këtu para jush.
Pyetje: Vetëm pak ditë më parë ka patur një reagim në rrjetet sociale nga Ambasada Amerikane, ku pas një takimi që ka zhvilluar me disa deputetë të PD, dhe ku nënvizon mbështetjen për opozitën, në fund të reagimit theksohet sërish qasja dhe qendrimi i qartë i ambasadës që nuk do të ketë në komunikime me personat e shpallur non grata.
Berisha: Nuk jam këtu për të diskutuar të shkuarën.
5 nëntori u dha përgjigje këtyre.
Kjo është administratë që ka humbur.
Nuk jam këtu për të harxhuar kohë për të shkuarën.
Duhet të më pyesni për të ardhmen.
Po më pyetët për administratën që vjen, se për administratën që ikën, nuk besoj që ka mbetur gjë që nuk kam thënë para jush.
Nuk rri të komentoj unë tani, të themi, çfarë t’i thuash, ajo ishte shkruar nga dora e Kimit, bile e kishte ndryshuar pak, po s’ka gjë.
Nuk mund të komentoj administratën që ikën.
Pyetje: Z.Berisha, pati një denoncim. Deputetët e opozitës, do të shkojnë në Kosovë?
Berisha: Jo, ky denoncim nuk ka të bëjë me mosshkuarjen e deputetëve, dhe ka të bëjë që parlamenti duhet t’i ketë këto parasysh para se të shkojë. Do shkojnë, sigurisht.
Po, në emër të PD, unë kërkoj që parlamenti të adresojë këto çështje para se të shkojë. Deputetët do të shkojnë, do t’i paraqesin dhe atje në media, ose në parlament se nuk e di mirë rendin e ditës. Por, unë thashë, kohë ka, sot është data 19, nesër është 20.
Sot, gjatë gjithë ditës do të miratohen ligje dhe akte normative. Mund të votohet rezoluta për dënimin e gjenocidit serb. Mund të dënohen sanksionet që Edi Rama vendosi ndaj Kosovës, u bë i pari. Ndërhyrjet e tij për të për të përmbysur qeverinë legjitime të Kosovës, të njohura tashmë.
Ka shumë gjëra të tjera, por unë po them vetëm këto.
Dhe së fundmi, çdo shqiptar e ndjen veten të lënduar me atë që bënë për himnin e Adem Jasharit. Ua them me bindjen më të madhe këtë. Nuk mund të bëhej kurrë ajo!