‘Mbledhja e Këshillit Kombëtar’/ Berisha: Shtatori i fundit që na gjen në opozitë. PD në vitin 2025 merr pushtetin!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PD

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në fjalën drejtuar anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD dhe pjesëmarrësve në këtë këshill, premtoi para tyre se ky shtator do të jetë i fundit për forcën politike që drejton, që do të jetë në opozitë.

Duke e cilësuar një mbledhje mjaft të rëndësishme atë të Këshillit Kombëtar, Berisha garantoi se më 2025, PD do të marrë pushtetin, duke shtuar se është në duart tona, në guximin, sakrificën tonë dhe nuk ka asnjë opsion tjetër.

Kryedemokrati, Sali Berisha në fjalën drejtuar anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD dhe pjesëmarrësve në këtë këshill u shpreh se ekzekutimi publik i votës pa hyrë në kuti, është përgjegjësi e narko-shtetit të Edi Ramës.

“Kjo e vërtetë është, e vërteta e votës së lirë, e cila sot në Shqipëri njëlloj si në diktaturën më Staliniste që kemi përjetuar vdes para syve tanë, përpara syve të partnerëve tanë pa hyrë akoma në kuti.

Dhe jo vetëm kaq, por ky funeral i trishtë para ditës së votimit i votës së lirë, iu serviret me tamtame të mëdha shqiptarëve nga Edi Rama, propaganda e tij e shpifur koprolarike, mediat e blera prej tij”, shtoi Berisha.

Berisha ka bërë një rezyme të gjatë të manipulimeve zgjedhore të bëra nga Edi Rama që prej vitit 2021 e deri në zgjedhjet e fundit lokale të 2023-shit.

Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha theksoi se cilido që mendon se me Edi Ramën në Shqipëri mund të zhvillohen zgjedhje të lira dhe se Edi Rama nuk i vjedh por i fiton zgjedhjet, duhet të pranojnë se mashtrojnë.

Sipas Berishës, Rama zëvendësoi Kodin Zgjedhor që është Kushtetuta e zgjedhjeve, me kodin e narkoshtetit të tij, duke shndërruar votën në krim dhe krimin në votë, me një metamorfozë fatale për kombin.

Lideri i opozitës, Sali Berisha gjatë Mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD, u shpreh se prokuroria është ktyer në pronë private të Edi Ramës, duke mos hetuar dot kështu krimin , por duke u bërë palë me të.

‘SPAK, Prokuroria private e Edi Ramës nuk mund të hetojë krimin elektoral, sepse ai ka amnistuar në mënyrë kriminale aferën e grabitjes së miliarda eurove në Portin e Durrësit nga Edi Rama dhe Alabari i tij’, u shpreh Berisha.

Berisha thotë se në një situatë komplekse e të pazakontë në të cilën ndodhet vendi për shkak të Edi Ramës, përgjegjësia e vetme  e PD është largimi i tij dhe rikthimi i votës së lirë të shqiptarëve.

Sipas Berishës, kjo është kauza e të gjitha kauzave për demokratët dhe qytetarët shqiptarë, që do t’i udhëheqë ato në 9 muajt e ardhshëm. Kryedemokrati Berisha paralajmëroi se ky do të jetë një sulm pa kthim prapa, si opsioni i vetëm për të arritur fitoren.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta ju anëtareve dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD. Ju Z.Paloka dhe drejtuesve, Sekretarit të Përgjithshëm, n/kryetarëve të PD.

Një përshëndetje të përzemërt për të gjithë demokratet e demokratët, qytetaret dhe qytetarët që ndjekin këtë mbledhje të Këshillit Kombëtar të PD, mbledhjen më të rëndësishme.

Ky është shtatori i fundit që na gjen në opozitë. PD në vitin 2025 merr pushtetin. Rotacioni nuk mund dhe nuk do të vonojë më. Rotacioni është në duart tona, në guximin, sakriuficën tonë dhe nuk ka asnjë opsion tjetër.

I them këto, sepse kemi hyrë në muajin e 9-të përpara betejës finale elektorale. Në 9 muaj ne kemi përballjen finale kundër së keqes që në 11 vite asgjësoi procesin e vërtetë elektoral, plaçkiti, poshtëroi dhe dëboi masivisht shqiptarët.

I them këto se çdo demokrat dhe demokrate nga sot e tutje, kur të kërkojë votën e PD, demokratëve duhet t’i shihet në sy bindja për fitore.

Demokratëve duhet t’i dëgjohet në zë bindja për fitore. Demokratëve duhet t’u lexohet në shpirt, bindja për fitore. Demokratëve duhet t’u lexohet në trup, bindja për fitore.

E gjitha sot, më shumë se kurrë fitorja qendron në guximin, besimin dhe duart tona.

Këto vite PD e plagosën jo pak, kjo nuk mohohet. E vërteta është se këto vite me sulmin që na u bë, ne kemi luftuar më shumë në mbrojtje se sa në sulm. Duhet të mbronim flamurin tonë, programin tonë, pluralizmin politik që po jepte shpirt në Shqipëri, duhet të mbronim opozitën shqiptare.

Por sot kjo betejë ka mbaruar, realiteti është krejt i ri, kushtet kanë ndryshuar. Sot ne jemi të bashkuar. Sot ne jemi PD e Shqipërisë më e fortë se kurrë!

Të dashur miq, demokrate dhe demokratë, qytetare dhe qytetarë kudo që jeni.

Sot ne jemi në një moment përcaktues për të sotmen dhe të ardhmen tonë, apo në provën më të madhe, më të vështirë të ndërgjegjes, dinjitetit, të guximit, por edhe të së ardhmes sonë në 32 vite.

Kjo provë e madhe është ndër më komplekset që kemi kaluar ndonjëherë. Lidhet me qendrimin tonë si demokratë dhe demokrate, por tani edhe më shumë si qytetare dhe qytetarë ndaj të vërtetës.

Në fakt, ndaj njërës prej të vërtetave më të mëdha, më sublime të njeriut të lirë dhe qytetërimit, pa të cilën nuk ka dhe nuk mund të ketë individ dhe shoqëri të lirë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë dinjitet njerëzor, por as edhe sovranitet të vërtetë të brendshëm, dhe as shpresë dhe të ardhme për individin dhe shoqërinë.

Kjo e vërtetë është, e vërteta e votës së lirë, e cila sot në Shqipëri njëlloj si në diktaturën më Staliniste që kemi përjetuar vdes para syve tanë, përpara syve të partnerëve tanë pa hyrë akoma në kuti.

Dhe jo vetëm kaq, por ky funeral i trishtë para ditës së votimit i votës së lirë, iu serviret me tamtame të mëdha shqiptarëve nga Edi Rama, propaganda e tij e shpifur koprolarike, mediat e blera prej tij.

Por edhe nga ndonjë McGonigal me kostum ambasadori apo diplomati i blerë prej tij, si një fitore e Edi Ramës dhe Tavove të tij.

Përveç këtyre, për të përligj ekzekutimin publik të votës pa hyrë në kuti, Edi Rama mobilizon dhe rracën më të shpifur njerëzore, opozitarët e opozitës, të cilët si eunukë psikikë pas çdo procesi kallp zgjedhor festojnë dhe bërtasin në kor: se zgjedhjet i fitoi Edi Rama dhe Tavot e tij dhe i humbi opozita, se ajo e tilla e atilla nuk fiton.

Në këtë rast, duke mos pranuar kurrë se opozita është e përsosur, se nuk ka të meta dhe dobësi, deklaroj para jush se ajo ka vetëm një përgjegjësi për funeralin elektoral që zhvillohet para ditës së zgjedhjeve në Shqipëri dhe të gjitha të tjerat janë pa përjashitm përgjegjësi direkte e Edi Ramës, narko-qeverisë së tij, lakejve, papagajve dhe korit të tij.

Të dashur miq, cilido që mendon se me Edi Ramën në Shqipëri mund të zhvillohen zgjedhje të lira dhe se Edi Rama nuk i vjedh por i fiton zgjedhjet, duhet të pranojnë se mashtrojnë Organizatat Ndërkombëtare të fushës elektorale që deklarojnë e në Shqipëri qeveria kontrollon vullnetin e zgjedhësve dhe se ky është tipari themelor më kardinal i autokracive elekotorale, i cili njëlloj si në diktatura si në diktatura ideologjike vota shndërrohet në krim dhe krimi shndërrohet në votë me një metamorfozë fatale për kombet.

Një mendim i tillë nga cilido qoftë shfaqet, dhe pavarësisht nga bindjet politike të tij është mbështetje e fuqshme për Edi Ramën, në diktaturën e tij të bazuar në aleancën e krimit, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Cilido që rreket të na bindë se me Edi Ramën zhvillohen zgjedhje normale dhe se ai nuk i vjedh, por i fiton zgjedhjet, duhet t ëpranojë se kodi elektoral de facto, Kushtetuta e procesit zgjedhor nuk vlen asnjë groshë për faktin se Edi Rama para fillimit të fushatës zgjedhore, për herë të parë në 32 vite e shpalli atë kinezëri dhe e zëvendësoi haptas me kodin e narkoshtetit.

Por në këtë rast, të gjithë ata që pranojnë dhe harrojnë këtë qendrim të tij, nuk bëjnë gjë tjetër, vetëm argatin e së keqes.

Cilido që pranon se me Edi Ramën në qeveri mund të zhvillohen zgjedhje të barabarta dhe se Edi Rama nuk i vjedh, por i fiton zgjedhjet, duhet të pranojë se nuk ka ndikim në rezultatin e zgjedhjeve sistemi patronazhistëve, kopje e sistemit të vjetër të diktaturës komuniste, në të cilën punonjësit që paguhen me taksat tona, me veprimtarinë e tyre terroriste kriminale shndërrojnë shtetin në makineri monstër elektorale për partinë shtet.

Dhe kjo do të ishte mbështetja më e fuqishme për regjimin e Edi Ramës dhe partinë e tij të krimit.

Miqtë e mi, cilido që beson se me Edi Ramën në qeveri mund të zhvillohen zgjedhje të drejta dhe se Edi Rama nuk vjedh, por i fiton zgjedhjet duhet të pranojë se nuk ndikon në rezultatin e zgjedhjeve pabarazia ekstreme në garën elektorale, në të cilën 61 kandidatë të partisë së opozitës në shkelje të ligjeve të vendit nuk morën asnjë qindarkë financim nga buxheti i shtetit, në një kohë kur kandidatët e partisë shtet morën mbi 3 mln.

Ky vendim është një mbështetje e verbër për Edi Ramën dhe farsën e tij elektorale.

Cilido që mendon se Edi Rama nuk i vjedh por i fiton zgjedhjet, duhet të pranojë se shpërndarja me zarf e 50 eurove për 683 mijë pensionistë dy javë para ditës së votimit, nuk përfaqëson blerje publike vote dhe nuk ndikon në rezultatin e zgjedhjeve.

Ky pohim nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim publik dhe mbështetje e verbër e farsës elekotare të Edi Ramës dhe narkoregjimit të tij.

Cilido që mendon se Edi Rama nuk vjedh, por fiton zgjedhjet, duhet të pranojë se qindra miliona euro që shpërndahen gjatë fushatës elektorale për asfalte, beton elektoral apo blerje të votës, se të të drejtës së votës nuk ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.

Ky person, ose cilido qoftë, nuk bën gjë tjetër veçse mashtron publikisht me pagesë osë vullnetarisht, dhe mbështet pa kushte farsën elektorale të Edi Ramës.

Cilido që mendon se me Edi Ramën mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se ai nuk i vjedh por i fiton zgjedhjet, duhet të pranojë se bandat e qeverisë në mbarë vendin dhe minsitrat e zyrtarët e tij dhe nuk ndërhyn tek qytetarët, nuk ndikojnë me hanxharët e tyre të krimit në rezultatin e zgjedhjeve.

Kjo do të thotë në njëmënyrë, apo në një tjetër të bëhesh bashkëpunëtor vullnetar, apo avokati i krimit monstruoz elektoral të Edi Ramës dhe hordhive vrasës serialë të tij që vërsulen si terroristë mbi qytetarët dhe shndërrojnë krimin në votë, dhe votën e tyre në krim në shpërblime dhe favore që fitoheshin si shpërblim nga Edi Rama me krimin e tyre elektoral.

Cilido që mendon se me Edi Ramën në qeveri mund të zhvillohen zgjedhje të barabarta dhe të lira, duhet të pranojnë se ndryshimi i qendrave të votimit për 1.3 mln qytetarë mbi baza politike dhe lënia pa votim e qindra mijëra prej nuk ndikon në rezultatin elektoral. Por ai apo ajo që e beson një gjë të tillë janë mjeranë në shërbim të neveritshëm të Edi Ramës dhe narko-shtetit të tij.

Cilido që beson se Edi Rama nuk i vjedh por i fiton zgjedhjet, dhe se ai është i sinqertë në zotimin e tij për zgjedhje normale me qëllim apo pa qëllim mashtron veten dhe rreket të mashtrojë të tjerët,a i ose ajo harrojnë se Edi Rama në zgjedhjet e vitit 2021 shpërndau publikisht në llogaritë bankare të mijëra familjeve në zonat e goditura nga tërmëti 132 mln euro, kurse në zgjedhjet e majit 2023 shpërndau publikisht qindra e miliona euro asfalt, zhavorr elektoral dhe zarfe me 50 euro për 683 mijë pensionistë.

Kurse për zgjedhjet e vitit 2005, ai ka vendosur si në asnjë vend tjetër në Europë, të tre liderët e partive kryesore opozitare në arrest dhe ndjekje penale pa asnjë fakt dokument, vetëm e vetëm sepse nuk mund të fitojë ndryshe zgjedhjet e ardhshme.

Të besosh se Edi Rama nuk i vjedh, por i fiton zgjedhjet duhet të besosh SPAK i partisë nuk është një institucion i shartimit të krimit dhe korrupsionit shqiptar dhe ndërkombëtar. Nuk është sot prokuroria private anti-kushtetuese e Edi Ramës që e mbron atë nga armiqtë në opozitë dhe në parti, dhe se SPAK nuk është armik i betuar i votës së lirë, mburojë kryesore e të gjitha vjedhjeve të qindra milionë dhe miliarda nga Edi Rama dhe ministra të tij, të cilat shndërrohen në mënyra nga më të ndryshme në vota krimi për mandatin e tij.

Zonja dhe zotërinj!

Shqipëria, njëlloj si një diktaturë bandash dhe llojeve të tjera, ekzekuton votën para se të hyjë në kuti.

Po kështu, edhe funerali i saj mbyllet natën e votimit. Mbi 99% e të gjitha ankesave, dokumenteve të opozitës mbi ndërhyrjet brutale në procesin zgjedhor, hidhen poshtë nga organet e mobokracisë, armike të egra të opozitës, por edhe ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë së vendit.

Të besosh se SPAK do ndëshkojë krimin elektoral, në një kohë kur ajo organizatë elektorale, prokurori private e Edi Ramës amniston Edi Ramën, Erion Veliajn për vjedhjen me një dorë të vetme të 130 mln euro vetëm me inceneratorin e Tiranës, dhe që me urdhër të Edi Ramës, sepse ky i fundit me shkrim dhe me gojë ka kundërshtuar 4 herë ngritjen e tij, do të thotë të mashtrosh veten, publikun dhe të bësh avokatin e një organizate kriminale.

Të dashur miq, SPAK nuk mund të hetojë krimin elektoral, sepse si Prokurori private e Edi Ramës nën urdhrat e tij ka amnistuar të gjitha dosjet e vjedhjeve nga Edi Rama dhe shpura e tij. Miliarda euro fonde publike.

SPAK, Prokuroria private e Edi Ramës nuk mund të hetojë krimin elektoral, sepse ai ka amnistuar në mënyrë kriminale aferën e grabitjes së miliarda eurove në Portin e Durrësit nga Edi Rama dhe Alabari i tij.

Të besosh se SPAK, Prokuroria private e Edi Ramës do hetojë krimin elektoral të Edi Ramës dhe ministrave të tij, në një kohë që amniston Edi Ramën për korruptimin e McGonigal në të cilën Gjykata e Uashingtonit e dënon, sepse u korruptuan nga Edi Rama, do të thotë të tallesh me veten tënde, por edhe të mbrosh Edi Ramën dhe krimin e tij elektoral.

SPAK nuk mund të hetojë dhe as të dënojë krimin e tij elektoral të Edi Ramës, sepse është organizatë kriminale, Prokurori private e Edi Ramës që amniston Edi Ramën kur në shkelje të ligjeve të vendit i dhuron vëllait të vet, Olsit, me firmën e tij, 37 mijë m2 tokë duke ua grabitur si dikur regjimi komunist pronarëve legjitimë.

SPAK nuk mund të hetojë krimin elektoral të Edi Ramës, sepse është organizatë kriminale, Prokurori private e tij që amniston me urdhër të Edi Ramës, Amant Josifin, ortakun e Olsi Ramës, që i grabitën së bashku qytetarëve të vendeve të BE miliarda euro me skemën e Bitcoin.

SPAK, nuk e heton dot krimin elektoral të Edi Ramës, sepse është Prokurori private e tij që amniston me urdhër të tij ministrin kriminel, Taulant Balla, i cili vërtetohet se me urdhër të kapobandave ka liruar autorët e aktit terrorist, të asgjësimit me tritol të qytetarit në Shkodër.

SPAK nuk mund të hetojë krimin elektoral të Edi Ramës, pasi si organizatë kriminale dhe prokurori private e tij amniston Linda Ramën dhe kunatën e saj, Frangu, me gjithë regjistrimin e ndërhyrjeve të tyre kriminale në afera tenderash korruptivë.

SPAK është organizatë kriminale, prokurori private e Edi Ramës, dhe si e tillë nuk mund të hetojë krimin elektoral, sepse amniston Olsi Ramën, njërin prej eksponentëve më kryesorë të klanit shqiptaro-kolumbian të Xibrakës.

Kjo është e vërteta që gjendet sot para nesh. Kjo është gjendja reale në këtë vit elektoral. Të vërtetën duhet ta shohim drejt e në sy dhe me guxim.

Në të gjithë këtë situatë komplekse, por jo pa rrugëdalje, kemi një përgjegjësi dhe vetëm një: përgjegjësia jonë është, largimi i Edi Ramës dhe rikthimi i votës së lirë të shqiptarëve që kanë humbur pothuaj prej një dekade.

Detyrë vërtetë e vështirë, por absolutisht e realizueshme. Kjo sepse është një kauzë e drejtë, dhe një kauzë e drejtë nuk vdes kurrë.

Aktualisht, kjo është kauza e të gjitha kauzave për demokratët dhe qytetarët shqiptarë. Është kauza që bën krenarë dhe frymëzon të gjithë ata që ngrihen, e mbrojnë dhe sakrifikohen për të.

Por, pas përmbysjes së diktaturës komuniste, ky është edhe misioni i ri historik më përcaktues për fatin e PD, shtetit ligjor, integrimit europian.

Natyrshëm lind pyetja: a ka forca jonë politike fuqinë për të realizuar këtë kauzë?

PD këto 9 muaj e thashë edhe njëherë duhet të kalojë nga mbrojtja në sulm, dhe secilin nga ne duhet të përsërisim dy fjalë: sulm dhe fitore.

Këto 9 muaj PD duhet të njohë vetëm sulm dhe fitore. Këto 9 muaj, secili nga ne duhet të njohë vetëm sulm, sulm dhe fitore.

Këto 9 muaj, fitorja e opozitës do të jetë opsioni ynë i vetëm, etano epitas, me të ose mbi të.

Ky do të jetë 9 muajt e ardhshëm dhe qendrimi i PD. Sulm pa kthim prapa. Vetëm me këtë qendrim ne do të fitojmë.

Me këtë rast ju përgëzoj për të gjithë punën që keni bërë gjer sot. As nuk u trembët kur mafia më e rrezikshme e planetit ju vodhi flamurin, as nuk u shitët, as nuk u dorëzuat.

Kjo fakton më së miri se vlerat e demokratëve dhe mbi të gjitha vlerat e shqiptarëve, guximi, fuqia, dinjiteti, të gjitha janë të gjalla tek partia jonë.

Por kjo punë shumë e madhe gjer tani shkon dëm, humbet vlerën totalisht nëse nuk kurorëzohet me fitoren e opozitës. Prandaj këto 9 muaj për të shpërmblyer më së pari sakrificën tuaj, sakrificën e të gjithë demokratëve për familjen dhe për qindra e mijëra shqiptarë që votuan opozitën. Për qindra e mijëra të tjerë vota e të cilëve ishte viktimë e industrisë e blerjes së votës, ishte viktimë e makinerisë së frikës dhe terrorit të narko-shtetit dhe bandave të tyre, ishte viktimë e terroristëve elektoralë patronazhistë.

Por edhe për të gjithë fëmijët shqiptarë, gjysma e të cilëve nuk plotësojnë vaktet ushqimore. Për të gjithë të rinjtë shqiptarë që iu duhen 120 vite për të blerë një apartament modest. Për çdo shqiptar që sot vidhet gjer në palcë.

Ne duhet të jemi në sulm, në sulm dhe vetëm në sulm!

Dy detyra kryesore kemi ne këto 9 muaj dhe fitorja jonë është e garantuar. Së pari, një komunikim intensiv të panjohur kurrë më parë me qytetarët shqiptarë, të cilët përjetojnë, mbulohen nga vello e zezë e censurës qeveritare.

Të dashur miq, të shohëshlajmet e tvmë të madh kombëtar. E kam fjalën për Top Channel, nuk ka asnjë ndryshim nga tv i Carlo Bollinos.

Në rast se ndalem vetëm në muajt e kësaj vere, hapësira informative shqiptare u dominua nga censura qeveritare, nga mashtrimi qeveritar, nga manipulimet qeveritare.

U bë gjithçka që dështimi madhor me turizmin për shkaqe ngushtësisht të lidhura me narko-shtetin, të paraqitej nga Edi Rama dhe teleturizmat e tij, si suksesi më i madh i turizmit në 30 vite.

Po më në fund, kur kjo u bë e pamundur të mbulohej, u nxor nga arkivat e vjetra tezat e sabotimit dhe argjintura të huaja të turizmit.

Po censura e jashtëzakonshme? Miq, një gazetar guximtar publikoi dokumente autentike zyrtare se Edi Rama pasi ishte betuar dhe stërbetuar publikisht në studio se ai dhe nëna e tij e ndjerë nuk kishin kërkuar kurrë një metër tokë. Jo kishte kërkuar, por kishte grabitur dhe plaçkitur 224 mijë m2 tokë në zonën më turistike, më panoramike në bregun e Jonit dhe në kanionin që renditet njëri nga 20 kanionet  më të bukura të planetit, kanionin e Gjipesë.

90% e mediave të qeverisë i vendosën censurë totale denoncimit të përsërimit të këtij akti nga opozita dhe mediat në të cilat ky gazetar paraqiti dokumentet e tyre.

Shpërtheu skandali i trafiqeve të lëndëve toksike, dhe shqiptarët këtë duhet ta mësojnë nga mediat e huaja.

Vërsulen me tërbim për të maskuar çdo gjë, dhe siç tha një gazetar me të drejtë shpallën Kurumin, qeverinë dhe kryeministrin e Shqipërisë, sepse vetë ishin të implikuar gjer në palcë në trafiqe kriminale të lëndëve toksike.

Në këto kushte, ne kemi dy mjete shumë të fuqishme në duart tona. Së pari, demokrate e demokratë, ju trokisni krenarë, dinjitozë, ballëhapur në shtëpi dhe derën e çdo qytetari i paparti, socialist i zhgënjyer. I çdo shqiptari që e do Shqipërinë.

Nuk keni ju hipotekën e tmerrshme të këtyre hajdutëve, që në 11 vite kanë patur në duart e tyre të zeza 57 mld euro. Kan shpenzuar gjithësej për rroga 7 mld dhe të tjerat kanë fluturuar në të katërta anët e planetit, në konto bankare të fshehta.

Janë vjedhur dhe shpërdoruar nga Edi Rama, zyrtarë, ministra, familjarët e tyre. Ju shkoni të qetë, krenarë me veten tuaj. Trokisni dhe u paraqisni atyre qëllimin e betejës sonë, misionin tonë, betimin tonë për të rikthyer votën e lirë për ta.

Ne kemi mjetet sociale. Është në detyrimin moral tonin të secilit prej nesh, nga mëngjesi gjer në darkë, t’i përdorë ato për t’i komunikuar qytetarit shqiptar të vërtetat.

Epërsia jonë është morale, është etike. Nuk është opozita përgjegjëse për këtë zbrazje masive të shqiptarëve. Nuk është opozita përgjegjëse për zhdukjen pothuaj të 48 mld euro në 11 vite. Nuk është opozita përgjegjëse për vjedhjen e lekëve të ilaçeve të të sëmurëve tanë, për rrënimin në pikiatë të arsimit në vitet e rilindjes.

Nuk është opozita përgjegjëse për shpopullimin masiv të këtij vendi.

Miqtë e mi, viti 2023 shënon ndofta një nga vitet më të zeza në tërë historinë kombëtare në rrafshin demografik. Është viti në të cilin, në tokën e Shqipërisë lindën 29 mijë e 600 qytetarë, por vdiqën 29 mijë e 300 qytetarë.

Në qoftë se kthehemi në një vit tjetër, 32 vite më parë, do të gjejmë se në atë vit, pavarësisht nga të gjitha kushtet lindën 84 mijë shqiptarë dhe vdiqën 16 mijë e 300 prej tyre.

Pra, ne trokasim në çdo derë. E dorëzuam Shqipërinë tek rritej vit për vit numri i shqiptarëve. E dorëzuam Shqipërinë pasi dyfishuam rrogat dhe pensionet. Pasi me një buxhet, pothujse gjysma e këtij ndërtuam vepra të pavdekshme. E shndërruam Shqipërinë në vendin e projekteve më të mëdha të kohës TAP-it, etj.

Pra, ne kemi të drejtë me modesti, natyrisht, të trokasim në çdo derë, në çdo zemër dhe të kërkojmë, të bashkohemi në betejën tonë për votën e lirë.

Miqtë e mi, PD sot është forca më e fuqishme politike e vendit. PD do të fitojë sepse do të tregojë forcën e saj. Do të tregojë forcën me interesin më të mirë të çdo qytetari shqiptar, në interesin më të mirë të çdo interesi kombëtar, në interesin më të mirë të shoqërisë shqiptare.

Në qoftë se, na trysnuan, në qoftë se bënë projekte për të na asgjësuar. Jo mor, ne ishim në të drejtën tonë, në të drejtën e këtij populli për të patur opozitën e vet. Dhe ja ku jemi, forca më e fuqishme. Ne do të tregojmë forcën tonë.

Ne jemi të betuar t’u kthejmë shqiptarëve votën e lirë, dhe ky betim është njëohësisht misioni ynë historik.

Ne nuk punojmë për histori, por ne i dalim ballë asaj, ne marrim përgjegjësit që kemi para saj dhe përgjegjësia më e madhe sot është të përmbysim këtë narkokraturë, këtë mobokraci. Të krijojmë qeverinë teknike, zgjedhjet e lira, t’i hapim rrugën rotacionit.

Kjo betejë nuk njeh kthim prapa!

Një guvernator i dikurshëm i Spanjës zbarkoi në një vend. Ai dogji të gjitha anijet e zbarkimit, me motivin e vetëm që luftëtarët e tij nuk kishin rrugë kthimi, përveç fitores. Dhe ne nuk kemi rrugë kthimi miqtë e mi, përveç fitores.

Ne duhet të ndezim shpirtrat, zemrat e shqiptarëve. T’u bjemë borive të shpresës dhe optimizmit me besimin më të madh tek demokracia, vlerat e saj, tek familja vlerat e saj, tek Shqipëria, pavdeksia e saj.

Dhe nuk ka forcë në botë të na pengojë ne. Ndaj edhe, duke përfunduar, u bëj thirrje të nisim strategjinë e re të sulmit, të protestës aty ku është padrejtësia. Të gjithë sa jemi, drejtues, deputetë, anëtarë të Këshillit Kombëtar, anëtarë të Kryesisë, drejtues lokalë, duhet të jemi në krye të betejës. Në krye të këtij sulmi, në krye të mosbindjes civile.

Dhe ju garantoj se nuk ka forcë në botë pa iu rikthyer shqiptarëve votën e lirë.

Ju falënderoj!

Rroftë Partia Demokratike! Rroftë opozita! Rroftë Shqipëria!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale