FJALA E KRYETARI TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN ME KRYESINË E PD
Ekstrakt
Kryetari i PD, Prof.Dr. Sali Berisha ka mbledhur sot Kryesinë e PD për të nisur analizën e rezulatit të zgjedhjeve të 14 majit.
Berisha tha se raporti për farsën zgjedhore të 14 majit u është dorëzuar ndërkombëtarëve dhe do tu dorëzohet të gjitha kancelarive perëndimore
Berisha e konsideroi si raporti i dramës së një kombi që i kanë mohuar të drejtën e votimit, ose ia kanë shndërruar në fiktive të drejtën e votimit. Raporti akuzon një shtet të inkriminuar nga baza, deri në kreun e tij Edi Ramën, që asgjëson Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor për karrigen e tij.
Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se krahas analizës së thellë brenda PD, me rëndësi jetike është dhe krijimi i një fronti të gjerë opozitar, me të gjithë elementët e rëndësishëm të opinioni publik që të luftojnë cdo ditë kundër këtij regjimi me pendën dhe qëndrimet e tyre.
Berisha u shpreh se PD do të mund të ruajë besimin e votuesve të saj vetëm e vetëm si një parti që do hapet ndaj flukseve të reja, si një parti e cila do bëjë gjithcka për angazhimin në kauzën e saj të drejtë, të personave më me vlerë në komunitetit ku janë, si parti e cila do zgjerojë bazën e saj, do të tërheqë elitën kombëtare brenda dhe jashtë vendit. Kjo analizë duhet të na cojë drejt këtij objektivi.
Duke folur për protestat si pjesën e tretë të trekëndëshit të aksionit opozitar, Berisha tha se “Fronti opozitar është vendimtar për organizmin e protestave të fuqishme kundër këtij regjimi, dhe natyrisht pas kalimit në një qeveri teknike për zhvillimin e një gare elektorale, ku qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë. Nuk duhet të ketë, mendoj unë asnjë iluzion se krijimi i frontit opozitar, hapja dhe analiza e PD do mund të realizojnë qëllimin pa protesta të fuqishme kundër regjimit. Protestat janë padiskutim procesi më i vështirë, por këtu qendron detyra jonë”.
FJALA E PLOTË
Koha është pa ndjenja, pa mëshirë, ndaj dhe nuk njeh as halle, as vakanca asgjë, ajo ecën, ecën dhe vetëm ecën. Kështu që, mblidhemi për t’i qendruar asaj në ballë, në detyrën tonë.
Ndaj edhe, e thirrëm këtë mbledhje për të kaluar tani, për të mbyllur një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme, që ne e kemi cilësuar mbrojtjen e votes, dhe për të kaluar në një fazë të re të një analize të thellë, të plotë dhe të gjithëanshme të PD mbi funksionalitetin e saj gjatë fushatës elektorale, paraelektorale, gjatë procesit zgjedhor.
Me këtë rast, unë dua të falënderoj me mirënjohjen më të thellë të gjithë kandidatët, ata mijëra anëtarë, simpatizantët tanë të cilët u angazhuan me përkushtim të madh për rezultatin më të mirë të mundshëm në zgjedhjet që kaluan.
Unë i garantoj ata se inevstimi i tyre, mundi dhe djersa e tyre, ka dhe do të ketë vlerësimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë të PD. Rezultati i mundit dhe punës së tyre nuk është pa fryt, atë ç’ka u arrit, u arrit për shkak të angazhimit, përkushtimit të tyre.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se ky angazhim dhe përkushtim ishte i njëtrajtshëm, kjo nuk do të thotë se nuk pati gabime, defekte dhe të meta në makinerinë tonë elektorale. Ndaj edhe ne çelim siparin e një analize të thellë, të plotë të procesit zgjedhor.
Zonja dhe zotërinj, anëtarë të kryesisë së PD. Të dashur qytetarë shqiptarë. Grupi i punës i ngarkuar për hartimin e raportit të procesit zgjedhor me në krye z.Bylykbashi, znj.Albana Vokshi, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Ervin Minarolli, dhe të tjerë mund të them se kanë bërë një punë jashtëzakonisht serioze.
Ata në mbi 600 faqe, dhe ky është raporti. Në mbi 600 faqe kanë dokumentuar me fakte, me dokumente të gjithë farsën zgjedhore të 14 majit. Ky ishte detyrim madhor i yni. Forca jonë politike i detyrohej çdo qytetari shqiptar që beson në zgjedhje të lira, çdo demokrati dhe demokrateje që investoi në këtë proces zgjedhor.
Ky raport i cili tashmë është dërguar dhe në institucione ndërkombëtare, do t’i dorëzohet të gjitha kancelarive perëndimore, do t’i dorëzohet të gjitha mediave në Shqipëri dhe në botë, të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Është raporti i dramës së një kombi që i kanë mohuar të drejtën e votimit, ose ia kanë shndërruar në fiktive të drejtën e votimit.
Është raporti që akuzon një shtet të inkriminuar nga baza, deri në kreun e tij Edi Ramën, që asgjëson Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor për karrigen e tij. Është raporti që fakton se si Edi Rama, pasi shpalli kodin zgjedhor kinezëri, kushtetutën e procesit zgjedhor që në tërësinë e tij mishëron parimet më kryesore të Kushtetutës së vendit, të Kodit të Venecias, Kartës së Kopenhagenit për zgjedhjet e lira dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare.
Pasi i ra kryq, dhe tha se ky është një kinezëri, ai u angazhua me përkushtimin më të madh në farsën më të shëmtuar zgjedhore në historinë e vendit, në procesin zgjedhor më të pabarabartë që Shqipëria kishte parë ndonjëherë nga viti ‘90 deri më sot.
Edi Rama, siç e dini një armik i egër i opozitës dhe i lirisë urdhëroi bandat e tij në gjykata e KQZ të mos rregjistrojnë partinë kryesore opozitare të vendit, të mos rregjistrojnë kryetarin e zgjedhur me vullnet të lirë të koalicionit opozitar. T’i japë zero financime forcës kryesore politike opozitare dhe t’i japë mbi 1 milionë e 2 qind mijë euro veglës së tij Brava- Alibasha.
Në blerjen e votës ai mobilizoi buxhetin e shtetit, fondet e sigurimeve shoqërore, të të gjitha resurseve financiare në kundërshtim me ligjet duke dërguar zarfin me 50 mijë lekë për 683 mijë pensionistë dhe shpalli rritjen e rrogave për 184 mijë punonjës të administratës. Pra, duke prekur me para në kundërshti me cdo ligj, normë 867 mijë zgjedhës nga 1 milionë e 300 mijë që votuan gjithsej.
Edi Rama përdori të gjithë potencialin e shtetit mafioz, e bandave, krimit, i cili është omnipotent në cdo segment.
Ju e keni ndjekur operacionin ‘Metamorfoza’. Unë dy gjëra dua t’ju them juve. Ky operacion [Metamorfoza] është rregjistruar në janar, por ky operacion u shty vetëm që këta banditë, vrasës, trafikantë, përdhunues të përdoren kundër opozitës dhe të sillen në Shkodër si pushtues.
Por iu them nga ana tjetër se, miku i ngushtë i Edi Ramës, Pëllumb Gjoka, në fakt edhe i Erion Veliajt, sepse Erion Veliaj e ka pajisur me leje ndërtimi para 10 ditësh, dy javësh.
Pra, miku i ngushtë i Edi Ramës, vendosi Velipojën në pushtim më 14 maj dhe ne e denoncuam. Bajrët, që u informuan, që ia mbathën më 14 maj me makina të blinduara ushtruan terror në Shkodër, e kështu me rradhë në të gjithë Shqipërinë bandat.
Por një gjë dua të them, se midis Pëllumb Gjokës dhe Taulant Ballës, edhe më i poshtër është Taulant Balla, sepse Pëllumb Gjoka nuk synoi të bëhej ministër. Pëllumb Gjoka ka porositur vrasjen e punonjësit të burgjeve, Hysenbelliut.
Taulant Balla, sipas dëshmive në sallën e gjyqit ka porositur vrasjen e Ravik Gurrës. Njëra është dëshmi në sallën e gjyqit, tjetra është interceptim telefonik, të dyja janë valide. Njëri bëhet ministër, tjetri shkon në qeli.
Po pse shkon në qeli tjetri, do thoni ju? Duhet të them lavdi Francës, Belgjikës dhe Holandës, se Pëllumb Gjoka do kishte marrë dhe një Silver City tjetër, por partnerët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe po japin me dëshifrimin, transkriptimin e telefonatave të tyre.
Kurse këto që janë në Shqipëri për Taulantin, këtu bëhet gjyqi, ndërpriten, zhduken me vendim gjykate. E kuptoni ju.
Pra, në këto zhvillime del në pah se cili është mjedisi dhe shkalla e inkriminimit të tij në të cilin operon opozita shqiptare.
Ky raport është një dëshmi e të gjitha këtyre ndërhyrjeve dhe kësaj farse dhe ne sot përballemi, jo vetëm me këtë realitet shumë të vecantë, ku në fakt krimi ka kapur ministrinë e antikrimit. Ju duhet ta dini se, sipas disa burimeve është Juli i Pashakos ai që ka uruar Taulant Ballën për fitoren në Fier, midis tjerash domethënë.
Mirëpo, a duhet që ne të dekurajohemi nga kjo situatë? A duhet që ne të bjemë në fatalitet për shkak të kësaj situate? Unë mendoj se kurrë, jo! Por kjo situatë për secilin prej nesh na vendos para alternativës: çfarë do bëjmë ne për të cliruar Shqipërinë nga ky regjim? Do ta çlirojmë ne Shqipërinë nga ky regjim, apo do punojmë për të patur një mandat tonin dhe për të vazhduar si opozitë stoli e këtij regjimi?
Asnjë nga ne nuk e di këtë të dytën, sigurisht, por realitetet janë realitete dhe nuk mund t’i injorojmë. Ku jemi ne?
Ne sot jemi para këtij realiteti. Edi Rama është një mit. Në ç’kuptim? I pamundshëm, fiton cdo garë. Një realitet krejt tjetër. Edi Rama është një kalbësirë që vjedh cdo garë, që nuk fiton asnjë garë, dhe kjo është e vërteta. Edi Rama fiton cdo garë sepse ne nuk kemi arritur t’i tregojmë vendin atij, por ai është një kalbësirë krimi, është një monument i shëmtuar krimi dhe korrupsioni, i pashoq në Europë dhe kudo.
Një hajdut i rrethuar nga kriminelë dhe banditë, një antidemokrat që ndërmerr cdo veprim ndaj opozitës. Një njeri që paguan me miliona e miliona për mbështje, deklarata, lobime, etj.
Pra, cilin do mbajmë ne: do mbajmë mitin e tij, dhe fitoret, absolutisht të gjitha kallp dhe të pamerituara, apo realitetin, një kalbësirë që duhet shembur sa më parë?
Më 14 maj votuan 500 mijë shqiptarë për opozitën, madje edhe më shumë se ato tjerat ishin të logos, se për Lul Bravën dhe Alibashën vetëm ndonjë socialist mund të votonte, ose ndonjë njeri që është i kapur në të katërta anët.
Por detyra jonë është që t’i motivojmë këta njerëz. U bë një përpjekje për asgjësimin tonë, nuk ia dolën. Bënë gjithçka që të na asgjësonin, nuk ia dolën. Kjo nuk mjafton. Kjo nuk mund të jetë cështje krenarie, por kjo është çështje beteje.
PD për të patur besimin e këtyre qytetarëve që e votuan për ta mbrojtur, duhet me çdo kusht t’i nënshtrohet një procesi të thellë debati, diskutimi analize, përmirësimi, zbatimi të statutit të saj, gjithcka bazuar në zbatimin e statutit të saj.
Shumë ide mund të lindin, shumë mendime mund të ketë, por ju garantoj që zbatimi i statutit është rruga më e mirë për të bërë analizën më të mirë, më gjakftohtë, më të suksesshme.
Në këtë analizë duhet të angazhohen degët, kryesitë, shtabet elektorale, kandidatët, sepse ata njohin më mirë se kushdo tjetër problematikat e konstatura gjatë procesit zgjedhor.
Zonja dhe zotërinj, PD do mund të ruajë besimin e zgjedhësve, votuesve të saj vetëm e vetëm si një parti që do hapet ndaj flukseve të reja. Si një parti e cila do bëjë gjithçka për angazhimin në kauzën e saj të drejtë të personave më me vlerë në komunitetet ku janë. Si parti e cila do të zgjerojë bazën e saj, do të tërheqë elitën kombëtare brenda dhe jashtë vendit rreth saj. Kjo analizë do të na çojë drejt këtij objektivi, dhe ky duhet të jetë një objektiv i yni. Kjo nuk mjafton, jo.
Që PD të ruajë dhe të avancojë besimin e së djathtës shqiptare është e domosdoshme të mbrojë parimet mbi të cilat ajo bazohet. Në çdo rast, në çdo rrethanë, në çdo takim, në çdo debat ne nuk duhet të lodhemi kurrë së përsërituri dhe së mbrojturi vlerat dhe parimet që qendrojnë në bazë të programit të PD. Mendoj se një analizë e tillë do të rivitalizojë, do të ridimensionojë forcën e PD në përballjen që vjen.
Por duhet të jemi realistë, Edi Rama absolutisht mundet dhe rrëzohet dhe është është jetike për PD kjo analizë. Megjithatë, kjo nuk mjafton, duhet t’i themi gjërat siç janë. Është i domosdoshëm një front opozitar më i gjerë i mundshëm. Kemi të bëjmë me një regjim, nuk kemi të bëjmë me një qeveri apo qeverisje e cila ndjek rregullat, por kemi të bëjmë me një narkoshtet që ndjek vetëm rregulla të mafies, në cilin padrinoja merr çdo vendim, çdo ndëshkim, çdo masë dhe në të cilin vota nuk ekziston.
Pra, kemi të bëjmë me një narkoshtet me një regjim i cili kërkon një front të gjerë opozitar, me të gjitha forcat politike opozitare që duhen të përballen me këtë regjim me të gjithë elementët e rëndësishëm të opinionit publik të cilët luftojnë kundër këtij regjimi çdo ditë me penën dhe qendrimet e tyre, me të gjithë shoqërinë civile e cila nuk mëkohet me fondet dhe udhëzimet e partisë.
Krijimi i frontit opozitar duhet të jetë përpjekje madhore e jona dhe duhet filluar nga puna menjëherë, krahas analizës. Por tani, unë mendoj se edhe njëherë të kthehemi tek miti dhe realiteti. Edi Rama është një mit sepse ka vjedhur çdo zgjedhje dhe vjedh çdo zgjedhje, është një kalbësirë që bazohet në zjedhjen e zgjedhjeve, në krimin, në drogën, në lidhjet me krimin, i cili nuk duhet ta gjejë fundin as nga prokurorë, as nga gjykatës, por para së gjithash nga qytetarë shqiptarë. Në qoftë se duam të jemi seriozë, se ata i ka vënë në komandë të plotë, mos presim aty.
Thashë edhe njëherë, afera ‘Metamorfoza’ është regjistruar në janar, u prit sa bandat përmbushën misionin e tyre elektoral, dhe pastaj nuk kishin se çfarë t’i thoshin qeverisë franceze, qeverisë belge, qeverisë holandeze, KE-së që i ka të gjitha këto dhe u detyruan të veprojnë, por si vepruan dhe kur vepruan?
Nga 15 vetë, 9 u njoftuan ia mbathën, sigurisht. Bandat e Shkodrës kush i bashkoi? Edi Rama urdhëroi Spiropalin, kjo është e njohur. Takimet e tyre të përbashkëta. Bajrët kanë përfaqësuesit e tyre me firmën e Elisa Spiropalit në këshillin bashkiak të Shkodrës, paçka se pozicioni nuk e lejoi të futej. Po, po direkt e familjes. Anëtare e familjes Bajri.
Këta janë një me bandat, por në fakt këta janë më keq se bandat e rrugës, se këta kanë edhe pushtetin, dhe përdorin edhe pushtetin kundër qytetarëve, zbatojnë vullnetin e bandave.
Ndaj edhe fronti opozitar është i një rëndësie jetike. Por përsëri duhet të ndalemi. Historia ka treguar se frontet opozitare kanë përmbysur me votë regjimet që në një mënyrë ose një tjetër kanë respektuar në një shkallë të caktuar votën. Frontet opozitare kanë dështuar si të tilla në përmbysjen e narkoshteteve.
Ato janë të pazëvendësueshme për një qëllim madhor: për protesta të fuqishme kundër regjimit, dhe pastaj, sigurisht gara elektorale. Fronti opozitar është vendimtar për organizmin e protestave të fuqishme kundër këtij regjimi dhe natyrisht pas kalimit në një qeveri teknike për zhvillimin e një gare elektorale ku qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë. Nuk duhet të ketë, mendoj unë asnjë iluzion se krijimi i frontit opozitar, hapja dhe analiza e PD do mund të realizojnë qëllimin pa protesta të fuqishme kundër regjimit. Protestat janë padiskutim procesi më i vështirë, por këtu qendron detyra jonë.
Ne sot kemi njëmijë argumente për çdo qytetar për t’i dëshmuar se ky regjim me votë nuk ikën. Urdhëro farsën që organizoi, atëherë urdhëro në qoftë se duam të ndahemi me këtë regjim, duhet të sakrifikojmë me protesta. Nuk ka regjim që i reziton protestave. Edi Rama në pamje të parë është njeri që ka mbështetje, por në fakt është një person nga më të diskredituarit, ua them unë.
Si hije e zezë, Edi Ramën e ndjekin aferat e mëdha korruptive, inceneratorët, Porti i Durrësit, e ndjekin lidhjet me bandat dhe krimin, e ndjek masakra zgjedhore, por e ndjek edhe afera McGonigal. Përpjekje të jashtëzakonshme bën i stërfuqishmi Alex Soros për ta shpëtuar, i cili i ka ardhur si t’i vinte për vakira çdo tri javë këto kohë, por unë kam besim se kjo nuk do të mund të ndodhë.
Sidoqoftë, e thashë dhe më parë, ne asgjë nuk mund të bazojmë te të tjerët përveçse se te vetja jonë si forcë politike, as të presim nga gjykatësit, as të presim nga aferat e pafundme, se kjo është vetëm njëra, por të presim nga vetja jonë dhe qytetarët shqiptarë.
Ndaj edhe e thirrëm këtë mbledhje pikërisht, edhe në sensin e emergjencës së kohës. E thirrëm këtë mbledhje për të hapur siparin e fazës së dytë që ne e kishim premtuar dhe kishim rënë dakord në një mbledhje kryesie që të mbarojmë me shqyritmin e të gjithë masakrës zgjedhore.
Ky raport do të gjendet forma që të publikohet edhe në hard copy, por shumë shpejt do vendoset në uebin e PD, do jetë disponibël për çdo anëtar të PD, për çdo mbështetës të PD, për cilindo, për çdo qark dhe për çdo rreth, është autopsia më e plotë mbi të cilën ne do bëjmë cdo gjë për të motivuar, për të bindur shqiptarët për masakrën zgjedhore, kurse motivimi vjen vetëm nga alternativa që ne do u paraqesim atyre dhe ecja në drejtimet e mësipërshme.
Mendoj që pas mbledhjes së Kryesisë, diskutimet që do bëni, vendimet e të gjitha, ne duhet të thërrasim Këshillin Kombëtar të PD, i cili është forumi kryesor politik pas Kuvendit. Dhe pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të kalojmë në analizën e punës, në mbledhjen e strukturave të tjera, nga kryesitë e degëve, te seksioni e kështu me radhë.