Kryetari Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Edi Ramës, duke i cilësuar ato si pjesë e ‘ritualit të zakonshëm të monologut të mashtrimeve’.
Në një videomesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Berisha thekson se PD mbështet plotësisht investimet amerikane në Shqipëri, pavarësisht se, sipas tij, opozita nuk ka asnjë njohuri për marrëveshjet e firmosura.
Megjithatë, Berisha i cilësoi si fantazi premtimet e kryeministrit për ndërtimin e anijeve luftarake për eksport në Pashaliman.
‘Njësoj me fantazinë e tij se samiti i NATO-s, sipas tij, do mbahet në 2027-ën në Shqipëri dhe po sipas tij, ky samit do të garantohet dhe sigurohet nga dronë ‘Made in Albania’, domethënë Shqipëria do prodhojë dronët më të sofistikuar,’ deklaroi Berisha.
Videomesazhi i plotë i kreut të PD, Sali Berisha:
Sot në ritualin e zakonshëm të monologut të mashtrimeve të së dielës, Edi Rama foli për sigurinë energjetike.
Me këtë rast, unë dua të deklaroj se Partia Demokratike mbështet plotësisht investimet amerikane në Shqipëri, ndonëse ajo nuk ka asnjë njohuri për marrëveshjet e firmosura. Sikundër, kjo parti mbështet përpjekjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për diversifikimin e furnizimit me gaz në Europën Juglindore, në Europë dhe më gjerë.
Por në këtë monolog, Edi Rama u deklaroi shqiptarëve se nga Pash Alimani do të ndërtohen anije luftarake për eksport për vende të tjera.
Një gjë e njëjtë lloji me fantazinë e tij se samiti i NATO-s sipas tij do mbahet në 2027-ën në Shqipëri dhe po sipas tij, ky samit do të garantohet dhe sigurohet nga dronë Made in Albania.
Domethënë, Shqipëria do prodhojë dronët më të sofistikuar.
Së fundi, Edi Rama bëri fjalë dhe për një arritje tjetër të madhe, sepse një NGO ka vendosur të mbajë në Shqipëri kongresin e saj vitin e ardhshëm.
Në fakt, sipas tij, kjo është Shoqata Botërore e Juristëve dhe që kongresi do të jetë, do t’i kushtohet ligjit dhe shtetit ligjor.
Një lloj kjo me çmimin e ushqimit që mori Sofo Llazri në një kohë kur shqiptarët ishin bark bosh, xhep bosh dhe dyqane bosh.
Në fakt, në Shqipëri ata vijnë në një vend ku shteti ligjor është zëvendësuar me kodin e mafies, ku prokuroria është bllokuar tërësisht në përpjekjet e veta në luftën kundër korrupsionit.


