Maturantja: Qeveria po na dëbon nga vendi, ne duam të ndërtojmë të ardhmen këtu. Nuk kërkojmë mëshirë, por mundësi

Në ‘Foltoren e Ripërtëritjes’ në Fier, maturantja e gjimnazit ‘Janaq Kilica’ dhe koordinatorja e qeverisë së nxënësve, Samela Shanaj, ngriti shqetësimin për emigracionin e të rinjve dhe mungesën e mundësive për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.

Në fjalën e saj, Shanaj tha se të rinjtë përballen me dilemën nëse duhet të qëndrojnë në vendin e tyre për të ndjekur ëndrrat apo të largohen për të siguruar një të ardhme më të mirë.

Ajo e përshkroi këtë zgjedhje si një tragjedi për maturantët shqiptarë, të cilët, sipas saj, detyrohen të mendojnë për largimin që në prag të përfundimit të shkollës së mesme.

Ajo theksoi se dëshiron të qëndrojë në Shqipëri dhe të shërbejë për njerëzit e saj, duke përmendur ëndrrën për t’u bërë mjeke dhe për të shëruar pacientët shqiptarë.

Fjala e plotë:

Samela Shanaj: Koha është gjithmonë e duhur për të bërë atë që është e drejtë. E tillë zgjedh të prezantohem sot. Unë që po ju drejtohem quhem Samela Shanaj, maturante dhe koordinatore e qeverisë së nxënësve në gjimnazin ‘Janaq Kilica’.

Unë sot nuk kam ardhur për të zgjidhur problemet politike, por për t’u dëgjuar dhe për mos t’u harruar. Dhe në fakt, as nuk kam shpresë se sistemi i tanishëm do arrijë të na ndihmojë ne ta shpëtojmë këtë vend.

Ne jemi maturantë. Po e dini ju se çfarë do të thotë të jesh maturant në Shqipëri? Një hap larg tragjedisë. Tragjedia jonë më e madhe është dita kur ti gjendesh në pragun e derës, me një valixhe në dorë dhe me një pyetje: A do të mbijetoj, po apo jo?

Dhe më pas ndalon përsëri, dhe pyet veten: Më mirë të marr avionin dhe të shpëtoj, apo të rri këtu dhe t’i jap frymë ëndrrës time në atdheun tim? Po si mundem unë të zgjedh avionin, kur unë dua të shëroj pacientët e mi?

Kur unë dua të shëroj njerëzit e mi. Unë nuk dua të vete t’i shërbej popullit, t’i shërbej botës. Unë dua të shëroj njerëzit e mi, shqiptarët tanë! Por fatkeqësisht, nuk mundem e vetme.

Dhe sot unë nuk kërkoj mëshirë, por mundësi. Kini përgjegjësi dhe mos i mbyllni dyert e institucioneve, dyert e shkollave, dyert e spitaleve, dyert e gjykatave. Ju po na dëboni. Po na dëboni drejt aeroporteve.

Por me ju kemi besim se nuk do ta bëni më, ata që janë sot në sistem. Rinia proteston dhe proteston bindshëm siç e shikoni, dhe në momentin që ajo nuk dëgjohet, vepron. Dhe forca jonë, bashkë dhe detyra juaj, është përballja me të ardhmen nesër.

E ardhmja nuk u përket atyre që mendojnë se ajo ndryshon vetë. E ardhmja u përket atyre që marrin përgjegjësi për ta ndryshuar atë.

Gjithashtu, përpara se sot të shkoj, nuk mundem të lë pa përmendur liderin, liderin e ëndrrave dhe frymën e të cilit jam rritur, doktor Profesor Sali Berisha.

Mua figura juaj më ka ndjekur që në vegjëli, dhe mësimi më i bukur i marrë, është se rrudhat janë medalje e një jete të jetuar.

Faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale