DEKLARATË E KRYETARIT TË FORUMIT RINOR TË PD, BESART XHAFERRI
Ministrja Kushi zaptoi dje mediat duke nënshkruar marrëveshje me kryetaren e Bashkisë Durrës për kartën e studentit për Universitetin Aleksandër Moisiu. Ajo harroi apo bëri sikur harroi premtimet e qeverisë gjatë protestës së studentëve të 2018-2019 për shërbimet mbështetëse të përfshira në kartën e studentit.
Sipas marrëveshjes së djeshme studentët e universitetit të Durrësit do të përfitojnë shërbime dhe produkte me çmime të reduktuara ose falas nga Qendra kulturore Aleksandër Moisiu, Rrjeti muzeor, Biblioteka publike, Pallati i sportit, pra shërbime jo themelore për studentët.
Shfrytëzimi i bibliotekave publike nuk ka pasur e nuk ka asnjë kosto, zonja të nderuara; është e turpshme ta servirni si mbështetje për studentët. Ndërsa muzetë, sipas statistikave, një student i viziton 1 ose 2 herë gjatë viteve universitare.
Zonjat ministre dhe kryebashkiake nuk na thanë asnjë fjalë për transportin e përditshëm të studentëve, të cilët presin prej vitesh tu mbështetet financiarisht, as për qendrën studentore ku të ketë konvikte për studentët, as për mensa dhe shërbime të tjera ekzistenciale, të cilat përballohen tërësisht nga studentët dhe familjet e tyre. Zonja Kushi dhe znj. Sako duhet të pranojnë publikisht para studentëve mosmbajtjen e premtimit për kartën e studentit – një nga pikat themelore të Pakti i universitetit të 2019 – një nga shërbimet kryesore të të cilit ishte mbështetja financiare e transportit për studentët Nënshkrimi e rinënshkrimi i marrëveshjeve propagandistike nuk është gjë e re për qeverinë e Rilindjes, por studentët e qytetarët e kanë kujtesën më të gjatë se kjo qeveri, e cila jo vetëm nuk u ka dhënë asnjë mbështetje gjatë këtyre 10 viteve, as gjatë pandemisë e krizës ekonomike, por edhe synon ti përfshijë në demagogjinë e mashtrimeve të mëdha.