Mandatet e Ramës janë mandate krimi/ Berisha: Jemi në kilometrin e fundit! Me datën 10, qytetarët do i japin leksionin e merituar këtij regjimi

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN ME DEGËN 1 DHE 3

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren me degët 1 dhe 3 të PD-së në Tiranë, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një nga periudhat më të errëta të historisë së saj, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës për degradim ekstrem të shtetit, kapje totale të drejtësisë dhe shkatërrim të parimeve demokratike.

Berisha u shpreh se regjimi aktual ka tejkaluar çdo precedent historik në nivelin e korrupsionit, frikës dhe presionit ndaj institucioneve, duke theksuar se drejtësia është shndërruar në një instrument politik nën diktatin e kryeministrit. Ai akuzoi mazhorancën për shndërrimin e zgjedhjeve në farsë dhe deklaroi se një qeveri që manipulon procesin zgjedhor nuk ka legjitimitet për të qeverisur vendin.

Në fjalën e tij, kryetari i PD-së ngriti shqetësimin për censurën mediatike, duke thënë se qytetarët sot janë më të keqinformuar se në periudhën e diktaturës, për shkak të kontrollit të mediave nga qeveria përmes financimeve dhe favoreve. Sipas Berishës, propaganda qeveritare synon të shpërqendrojë vëmendjen nga përgjegjësia e kryeministrit dhe aferat korruptive.

Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet e vendosur të vijë në pushtet vetëm përmes votës së lirë dhe se historia e saj ka dëshmuar se alternativa demokratike është e drejtë. Ai garantoi se një qeveri e ardhshme e PD-së do të vendosë transparencë të plotë mbi përdorimin e fondeve publike dhe do të mbajë përgjegjës të gjithë zyrtarët që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme.

Në përfundim të fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për mobilizim të strukturave të partisë, afrimin e qytetarëve idealistë dhe rritjen e angazhimit politik në terren, duke ftuar qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë të marrin pjesë në protestën e datës 10, të cilën e cilësoi si një moment vendimtar për përmbysjen e regjimit aktual.

FJALA E PLOTË

Të dashur demokrate e demokratë të pranishëm sot në këtë sallë, ju përshëndes me përzemërsinë më të madhe ju, përshëndes të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e PD të degëve të tuaj, të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë.

Të dashur kryetarë të degëve, z.Ilir, Floriana, faleminderit shumë që keni ardhur në këtë takim.

Ne mblidhemi në një kohë ndër më kritiket për vendin dhe për shtetin shqiptar.

Mblidhemi në një kohë në të cilën kurrë në histori nuk ka ekzistuar një degradim kaq ekstrem i atij që quhet shtet.

Degradimi, degjenerimi në kuptimin absolut të fjalës i karakterit dhe moralit zyrtar dhe ligjor të njerëzve të këtij pushteti, tejkalon çdo lloj parashikimi, libri që mund të keni lexuar apo filmi që mund të keni parë.

Ne që kemi jetuar në dy diktatura, ne bëjmë krahasime dhe u them unë që në memorien tonë, kurrë nuk ka ekzistuar në Europë një diktaturë e zezë si ajo e Enver Hoxhës.

Por u garantoj se disa aspekte, dhe jo të pakëta, ky regjim sot është më shkatërrimtar për qenien shqiptare se sa ç’ishte regjimi më i parë.

Miq, këtu unë flas me njerëz politikë, flas me njerëz që kanë vite, dekada që merren me politikë dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që mesazhet ne t’i përcjellim tek çdo mik, tek çdo mikeshë, tek çdo anëtar i familjes, tek çdo i ri.

Degradimi i këtyre pushtetarëve ka kufi vetëm qiellin.

Do t’u jap një shembull.

Ish-kryeministri i ndjerë i Italisë, një mik i madh i Shqipërisë, Silvio Berluskoni, e majta komuniste italiane iu përvesh, por edhe kur ishte kryeministër në detyrë, kur kryesonte G 7-tën, ai nuk iu shmang urdhrave të drejtësisë.

Edhe kur ato shënonin padrejtësinë më të madhe, ai nuk u shmang.

Ai nuk tha kurrë se nuk do të paraqitem.

Shikoni se ç’ndodh me këtë bastard te xhelatëve komunistë, të Spiro Kolekës dhe Kristaq Ramës.

Shikoni miq se si i merr zvarrë shtetin dhe çdo gjë.

A ka turp më të madh, a mund të bëjnë një turp më të madh ata gjykatës që duhet të jenë gjykatësit më eprorë të shqiptarëve që e trajtojnë veten si larva, pa karakter, pa dinjitet, pa shtyllë kurrizore, pa asgjë?

Por mos harroni se ata janë gjykatësit që vendosin për të drejtën tonë.

Ata vendosin.

Ata pranojnë çdo lloj poshtërimi dhe vetëposhtërimi.

Pse?

Ata kanë degraduar në atë shkallë nga frika dhe tmerri që kanë nga diktati i Edi Ramës.

Ky është shembulli më i fundit.

Se mund të marrim me dhjetëra e dhjetëra shembuj.

Nuk ka, nuk ekziston në literaturë, nuk ekziston në realitet zyra Agasi.

Jo. A mund ta imagjinoni ju një kryeministër që ka në varësi policinë, ushtrinë, shërbimin informativ, të mbajë një zyrë krimi ku të thërrasë ministrat, të thirren gjykatësit, të organizohen vrasjet në sheshet e pushtetit siç ishte ajo e aeroportit, e atij delinkuentit Dani. Ai u vra nga komando të policisë.

Shiheni atë skenë. U vra nga komando të policisë.

E vrau Ergys Agasi!

E vrau Edi Rama!

A mundet një kryeministër, njeri i ligjit, njeri i fuqisë ekzekutive, të mbajë një zyrë krimi mbrapa dhe të jetë nga njëra anë të paraqitet para qytetarëve dhe të bisedojë dhe të bëjë, nga ana tjetër heq rrobat e kryeministrit dhe vesh rrobat e Gys Agasit dhe vazhdon akte të tilla.

Akte me të cilat bën ligjin.

Miq, ai ka përvetësuar për familjen e tij, 500, 600 milionë euro e më shumë.

Por ky është vetëm njëri aspekt.

Aspekti tjetër më i zi, më i paimagjinueshëm është se njeriu që siguronte këto, organizonte vrasje, ngarkonte dhe shkarkonte ministra dhe bënte çdo gjë, nuk mund të ketë shkallë me ekstreme të degradimit të një shteti se sa kjo.

Nuk mund të ketë përçmim më të madh për shqiptarët nga foshnjet gjer tek më i moshuari.

Tani, me qëndrimin që mban, na thotë se ju nuk ekzistoni. U thotë shqiptarëve se nuk ekzistoni se unë nuk pyes as për ligj, as për drejtësi.

Unë u kam vjedhur dhe do u vjedh sa të kem fuqi.

Miq, nuk është vetëm kaq.

Një dimension tjetër më i zi i këtij regjimi është censura që vihet mbi ne, mbi ju, mbi qytetarët.

E patë ju, një dosje doli, se si X televizion merrte 2 milion, se si televizioni tjetër merrte 3 milionë, se si media tjetër merrte 4 mijë metra tokë, etj me radhë.

Në qoftë se analizoni, sot qytetarët janë më të mjerë në raport me censurën se në vitet e diktaturës.

Pse? Sepse në vitet e diktaturës së pari nuk ishin një ushtri mediash që mashtronin nga mëngjesi gjer në darkë. Ishin një. Por për fat të mirë ishte Zëri i Amerikës, ishte Radio Vatikani dhe një seri tjetër organesh që u thonin çdo natë të vërtetën shqiptarëve.

Dhe ti vërtet mund të dëgjoje RTSH-në, por ti dëgjoje edhe Zërin e Amerikës në darkë.

Ata që dinin gjuhë të huaja, përpiqeshin të merrnin, kurse kjo është bërë ferr, është bërë tmerr.

Një ushtri mercenarësh pa din, pa iman, ma nder, pa dinjitet, fabrikojnë nga mëngjesi gjer në darkë trillime dhe mashtrime për të mashtruar njerëzit dhe për të mbrojtur Edi Ramën.

Bëjnë gjithçka për të paraqitur çështje atë që nuk është çështje.

Për të shpërqendruar vëmendjen vetëm që të mos përqendrohemi tek Rama, Lubia.

Fshehin çdo të vërtetë, glorifikojnë të keqen.

Dëgjoni se çfarë lajmesh. Nga më absurdet.

Vendi i tij ishte në Davos, nuk e pranoi. Mediat e tij, nuk iku se priti çiftin presidencial. Çifti presidencial ishte në Davos.

E kuptoni se çfarë janë këta?

Ju e kuptoni, por duhet ta kuptojnë ata me të cilët rrimë gjithë ditën, me të cilët bisedojmë çdo ditë.

Nuk ka se si të mos jetë kjo një vështirësi shumë e madhe për ne.

Unë i parashtroj këto sepse ne jetojmë në një kohë shumë të veçantë.

Jetojmë në një kohë të vështirë.

Rikthehem në shkurtin e vitit 1991.

Regjimi i tyre vrau në rrugët e Tiranës dhe në lagjen 10, 8 qytetarë.

Breshëri kallashi në Fier kundër nja 12 të rinjve të tjerë e me radhë.

Por ne ia dolëm.

Çfarë bëmë në atë kohë?

Ata donin me çdo kusht të na tërhiqnin në konflikt, në përleshje. Ne jo, ne vazhduam në rrugën tonë.

Por ne triumfuam.

Alternativa jonë paqësore, revolta jonë paqësore dominoi.

Ama persistuam.

Ne persistuam.

Dhe ne duhet të persistojmë.

Unë e kuptoj çdo të thotë opozitë pas 13 vitesh.

Ç’do të thotë persekutim pas 13 vitesh.

Sot kisha një grup të rinjsh në zyrë dhe njëri prej tyre më thotë: Doktor, të them të vërtetën unë nuk pyeta se çfarë mund të pësonin jo unë, por edhe prindërit e mi nga tatimorët e tyre, nga policia e tyre e me radhë.

Çfarë tregonte kjo?

Ai e ndjente mjedisin shtypës që kanë vendosur. Por idealist ama.

Jo, tha, unë nuk pyeta.

Dhe ne kemi shumë nevojë të arrijmë në këtë konkluzion çdo shqiptar.

Pse e them këtë?

Ka një faktor të tretë madhor të këtij regjimi që vepron kundër opozitës.

Se ky regjim nga mëngjesi gjer në darkë, mbijetesën e bazon tek sulmi ndaj opozitës.

Dhe ai përpiqet me të gjitha mënyrat të komprometojë, të korruptojë opozitën dhe opozitarët.

Një kryeministër që vepron në këtë mënyrë është një armik i egër i pluralizmit, i demokracisë dhe i vendit.

Ai meriton çdo lloj ndëshkimi.

Po.

Një regjim që shndërron zgjedhjet, procesin më jetik të një shoqërie të lirë, në farsë, meriton çdo përgjigje.

Po, është leksion i historisë.

Një regjim që bën grusht shteti, se kjo që ndodh, ky është grusht shteti.

Ky ka gjetur aty disa njerëz pa karakter, të paimagjinueshëm, llum njerëzor si ata nuk ka.

Dhe jo se e bëjnë për veten e tyre, por nuk kanë kurrë të drejtë ta bëjnë si përfaqësues në gjykatën më të lartë të vendit. Kurrë nuk mund të bëjnë atë që po bëjnë për hir të Edi Ramës, duke e shndërruar gjykatën në strofullën e fundit të hajdutëve.

Çfarë morali ka?

Pse e marr prapë këtë? E marr këtë vetëm për të arsyetuar së bashku se cila është shkalla ekstreme e degradimit të këtij shteti dhe sa toksik, sa i rrezikshëm është ky çdo ditë ndaj nesh.

Por kthehem prapë, në rast se pra, me grushtin e shtetit që ka nbërë, meriton çdo lloj përgjigje.

Në rast se me shndërrimin në farsë të zgjedhjeve, meriton çdo përgjigje.

Po pse? Nuk ka legjitimitet. Nuk mund të qeverisë.

Një kryeministër që shndërron zgjedhje në farsë, nuk mund të qeverisë një ditë të vetme.

Mandatet i ka krim. Mandatet e tyre janë mandatet e krimit.

A e keni parë si rrinë aty? Si shndërrohen të gjithë në maska të Lubisë.

Në kafe nuk lënë gjë pa e sharë, aty vendosin maskën sikur nuk janë.

Pra, këto janë të vërtetat.

Por ne nuk jemi parti e dhunës.

Ne jemi të përcaktuar, parti që nuk marrim kurrë pushtet ndryshe përveçse me votë.

Historia jonë, po ta studioni, po ta shihni, ka faktuar që ne kemi pasur të drejtë.

Alternativa jonë është e drejtë.

Ne kemi fituar në kushtet më të vështira, dhe unë u garantoj se ne do fitojmë kësaj here.

Jo vetëm do fitojmë, por do bëjmë përgjegjës të gjithë këtë narko-nomenklaturë që shkelmon dhe poshtëron shqiptarët dhe i varfëron çdo ditë.

Ne do të fitojmë dhe në mënyrë absolute Lubi Balluku, Edi Rama dhe të gjithë pushtetarët që janë pasuruar duke u vjedhur ju, do shkojnë aty ku e kanë vendin dhe pasuritë e tyre do u kthehen ju.

Dhe ato janë miliarda e miliarda.

Ju garantoj se ne do të vendosim sistemin më transparent për paratë tuaja dhe për pronat tuaja. Për pronat publike. Pronat publike janë pronat tuaja.

Por, asgjë nuk mund të realizohet pa përmbysjen e tij.

Ne duhet ta përmbysim këtë regjim.

Ne duhet ta përmbysim dhe do ta përmbysim atë.

Kjo kërkon nga ne që në këtë errësirë censure që përjetojnë njerëzit, të jemi me debatet tona, me shpjegimet tona, pishtarë të të vërtetës, të mbrojmë të vërtetat tek qytetarët shqiptarë.

Propaganda e tij përhap nga mëngjesi gjer në darkë trilime dhe mashtrime të pafundme.

Ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër përballje përveç atyre rrjeteve sociale tona, që duhet t’i përdorim në mënyrë maksimale, por mbi të gjitha takimet me njëri-tjetrin.

Me qëllim, takime me qëllim, debate me qëllim, në mënyrë që të ndriçojmë mendjet e njerëzve.

Cili është mashtrimi më i madh?

Mashtrimi më i madh është kur flitet për zgjedhjet, kur zgjedhje nuk ka, ka farsë. Ka farsë.

Ju garantoj se po të kishte zgjedhje, në vitin 2021, PD do ishte në pushtet.

Ju garantoj se po të kishte zgjedhje, në vitin 2025, PD do të ishte në pushtet.

Mund të më kundërshtojë ndonjëri, por çfarë e shtyu atë të japë 2 miliardë euro dy ditë para votimit, të falë të gjitha gjobat e kamatat që ishin mbi 2 miliardë dhe që u intereson 200 mijë familjeve? Demokratë e demokratë, kurrë mos u gaboni.

Mos pranoni të mashtroheni.

Ka pasur jo një, por disa nga miqtë tanë, demokratë, që thonë mos e thuaj se na dekurajon se Edi Rama nuk bën zgjedhje.

Jo, kjo është e vërteta më e madhe, kjo është alfa nga duhet të fillojmë

Se ai bën farsë. Dhe në farsë, ai nuk ka legjitimitet.

Ne duhet të kthejmë zgjedhjet.

Dhe zgjedhje me Edi Ramën nuk ka në qoftë se nuk e largojmë.

Pse i them këto?

I them këto për të kuptuar secili prej nesh vështirësitë që kemi përpara, objektivin që kemi përpara dhe realizimin e tij.

Realizimi i këtij objektivi kërkon veprimtari të gjithanshme tonën.

Sot nuk kemi më luksin të punojmë me program që këto dy muaj do bëjmë këtë, tani duhet të punojmë në të gjitha drejtimet.

Koha është shumë e pamëshirë.

Na fton ne të bëjmë gjithçka, të shtojmë radhët tona.

Të bëjmë çdo gjë për të ripërtërirë PD-në me njerëz me moral.

Koha është e idealistëve.

Mos keni kurrë keqardhje për ata që bjerrin moralin e tyre dhe shkojnë me krahun tjetër.

Nuk më vjen mirë ta citoj sot këtu, se unë e Iliri jemi mjekë, doktorin e Fierit. E shoh unë atë në televizor, fill mbrapa më thonë po ky i ka dhënë ndërtesën KESH-it me Subashin e Fierit.

Po mirë o doktor, KESH-it ia dhe, nuk kam kundërshtim, unë nuk kam kundërshtim. Po shpirtin mos ia shit Subashit.

Në qoftë se ti ke qëndruar 30 vite në PD dhe tani vjen e na thua formulat e Subashit, ti je Subash, nuk të lidh gjë me demokracinë ty.

Dhe ne në një mënyrë ose në një tjetër, nga kjo kategori duhet të ndahemi.

Pse?

Ua them unë këtu.

Ne nuk kemi kartë tjetër përveç asaj të idealeve dhe moralit tonë.

Në qoftë se ne pranojmë të na e heqin një nga një atributet e kartës tonë, ne kushedi se ku do përfundojmë, çfarë do jemi.

Jo mor jo, nuk e lëshojmë ne atë.

Në qoftë se do, do të luftojmë.

Ke biznes, e gëzofsh, por kurrë këtë parti nuk mund ta mbash peng me biznesin tënd.

Rri, nuk do, rri anash.

Por jo të na bësh sikur je me ne dhe të bësh punën e tjetrit.

Ndaj dhe ky është proces miq.

Përpiquni të afroni dhe të anëtarësoni çdo njeri të ndershëm, çdo idealist.

Asnjë keqardhje për ata që bëjnë sikur janë me ne, dhe në fakt punojnë për Edi Ramën.

Nuk na duhen gjë ata ne.

Nuk kemi lidhje me ta ne.

E thashë këtë, sepse kjo kohë është kohë e vështirë.

Kjo kërkon që ne… unë e di fare normale të thoni se do merremi vetëm me këtë.

Jo, do merremi me shumë gjëra në këtë kohë.

Do merremi me protestën, do bëjmë gjithçka për suksesin e saj.

Do merremi me seksionin, do bëjmë gjithçka për të ngritur në këmbë dhe të jetë sa më i fortë.

Do merremi me anëtarësime të reja, do bëjmë gjithçka që të tërheqim të rinj, të reja, qytetarë, idealistë, njerëz me vlera.

Do bëjmë gjithçka për të nxitur frymën e revoltës në çdo zemër, në çdo shpirt.

Në çdo vatër, tek çdo shqiptar.

Revoltë dhe vetëm revoltë.

Kemi arritur disa objektiva, jemi në kilometrin e fundit, prapë e them.

Asgjë në botë nuk do mund të ndalë marshin tonë.

Ndaj dhe me datën 10, qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë janë të ftuar për t’i thënë leksionin e merituar këtij regjimi dhe kreut të tij, Edi Rama.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale